Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Lulzim Berisha E verteta e akuzave per vrasjen e Ongarit

Publikuar me : 18.10.2011 Ne : Kronike - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Provat e prokurorisë në lidhje me krimet e “Bandës së Durrësit” si dhe dëshmia e të penduarit Coli janë kundërshtuar nga mbrojtja. Avokatët e Lulzim Berishës i kanë cilësuar këto prova si të manipuluara, pasi, sipas tyre, akuza nuk ka paraqitur dëshminë në gjykatë, por deklarimet në prokurori.

***

Mbrojtja e Lulzim Berishës kundërshton episodin e tretë, atë që ka lidhje me vrasjen e shtetasit Eduart Ongari. Akuza pretendon se grupi ishte nisur për të vrarë një person, por më pas kishte ndërruar mendje meqë nuk kishte fotografi të tij në një kohë kur i gjithë grupi e njihte këtë person shumë mirë. Coli pretendon se e ka dërguar Lulzim Berisha për të parë se ku ndodhej Ongari dhe ai ka shkuar përballë lokalit duke sinjalizuar se shënjestra ndodhej së bashku me tre të tjerë në tavolinë. Sipas mbrojtjes, kjo nuk ka kuptim pasi Ongari e njihte shumë mirë Colin dhe për pasojë do të ishte alarmuar. “Nuk ka asnjë provë direkt, me përjashtim të deklarimeve të Colit”,- thuhet në materialin e mbrojtjes.

***

Dëshmia e shtetasit Adriatik Hasa e dt. 10.01.2011 është me shumë vlerë për këtë episod, pasi ky dëshmitar ka qenë i pranishëm si okular në ngjarje. Është banues në katin e dytë të pallatit përballë lokalit ku është vrarë Ed Ongari nga krahu tjetër i rrugës. Viktimën e ka njohur që në moshë të vogël. “Lokalin ku është vrarë Edi e frekuentoja. Atë ditë Edi ka qenë i ulur në një tavolinë përjashta, ka qenë tavolinë e vetme, me 5 – 6 persona. Unë kam hyrë në lokal për të blerë cigare. Para se të hyja u salutova me Edin. Pasi bleva cigare, dola në rrugë e po prisja tek trotuari përballë shtëpisë sime të dilte nusja me vajzën pasi do të iknim diku për drekë. Kam qenë rreth 3 metra larg tavolinës së Edit, kur ka ardhur një djalë i ri, i cili nxori një armë dhe foli “ Mos lëvizni “ kështu mu duk sikur tha. Më pas ka qëlluar direkt vetëm Eduartin. Pasi qëlloi personi u largua me hap të shpejtë në krah të djathtë. Personi që qëlloi ishte rreth 172 cm, pak i shëndoshë me tipare brune, me flokë me onde, por jo të gjata. Nuk e kisha parë ndonjëherë”

***

Dëshmia e shtetasit Bardhyl Xhakollari e dt. 03.06.2010. Kjo dëshmi paraqet interes për faktin se dëshmitari në fjalë ka qenë në një tavolinë me të ndjerin Ongari kur është vrarë dhe dëshmia e tij nuk përputhet me deklarimet e Colit për numrin e personave që kanë kryer atentatin, karakteristikat e atentatorit dhe drejtimin e largimit. Ditën e ngjarjes i ndjeri e ka thirrur dëshmitarin që të pinin një kafe. Kur kanë qenë të ulur ne lokal, rastësisht ka kaluar aty një shok i dëshmitarit me origjinë nga Përmeti, i cili i ftuar dhe është ulur në krahun bosh të dëshmitarit Xhakollari. “Pas 3–4 min ka ardhur një person që ka qëlluar dhe pastaj rashë në tokë nga frika. Kur kanë pushuar krismat ka parë një person që largohej me vrap në drejtim të stadiumit”. Personin që ka qëlluar e ka parë në shpinë, rreth 150 cm, i moshës 25 – 26 vjeç.

***

Dëshmia e shtetasit Ardian Miço e datës 03.06.2010. Dëshmia e këtij shtetasi rrëzon pretendimet e Colit në deklarime në lidhje me bisedat e bëra nga ky shtetas me të pandehurit Indrid Taullai e Klodian Saliu për Ongarin. Dritan Bashhysa nuk ka shfaqur asnjë shqetësim para ose pas vdekjes së Eduart Ongarit. Nuk ka diskutuar asnjëherë me Indrid Taullain apo Lulzim Berishën lidhur me shtetasin Eduart Ongari. Një bisedë të tillë nuk e ka bërë as me Klodian Saliun. Për sa sipër ka dhënë dy herë deklarime, deklarimin e parë të dt. 11.06.2006 bërë  para policisë gjyqësore Durrës dhe të dytin të datës 07.02.2007 të cilin e ka nënshkruar në presion para policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda.

***

Dritan Bashhysa, lidhje shoqërore e të ndjerit Ed Ongari, në seancën gjyqësore të datës 01.07.2010 dëshmitari mohon të ketë biseduar me shtetasin Ardian Miço për të takuar e sqaruar me të pandehurin Indrid Taullai raportin e tij shoqëror me të ndjerin Eduart Ongari. Pranon se ka biseduar me familjarët e të ndjerit Ongari kur ka shkuar për ngushëllim dhe se këta të fundit nuk e dinin kush ishin autorët dhe nuk kishin asnjë të dyshuar për vrasjen e djalit të tyre.

***

Dëshmia e shtetasit Edmond Koçi, përbën interes për faktin se ky dëshmitar është implikuar në deklarimet e Colit si personi që ka marrë në telefon dëshmitaren Luljeta Berisha ditën e vrasjes së Eduard Ongarit në lidhje me vendndodhjen e këtij të fundit në lokalin që u vra. Përkundër deklarimeve të Coli, ky dëshmitar pasi shpjegon relacionin shoqëror dhe të krushqisë që ka me të pandehurin Lulzim Berisha, mohon në mënyrë kategorike që të ketë marrë ose të jetë marrë në telefon në lidhje me shtetasin Ed Ongari nga Durrësi. Po kështu nuk njeh as të pandehurin Coli dhe të pandehurit e tjerë të këtij procedimi. Ajo që vlen të theksohet në këtë dëshmi është fakti se ky dëshmitar thekson se në atë kohë nuk ka pasur telefon.

***

Mbrojtja pretendon se, sipas thënieve të Colit evidentohet se në këtë ngjarje Lulzim Berisha, së bashku me të pandehurit e tjerë ka udhëtuar në drejtimin e rrugës së stadiumit duke prerë në kthesën djathtas pranë këtij pallati ndërsa vetë i pandehuri Coli ka qëndruar përballë viktimës Ongari nga krahu tjetër i rrugës. Nëse do ti merrnim për të vërteta deklarimet e të pandehurit si në lidhje me ngjarje ashtu dhe grindjet që kanë pasur më parë të dy palët dhe në rrethanën që në timon dhe përpara kanë qenë të ulur i mbrojturi prej meje dhe i ndjeri Saliu, i bie që Eduart Ongari të kishte pasur të gjitha mundësitë ai dhe kushëriri i tij i parë me të fiksuar lëvizjet e tyre dhe për tju shmangur atentatit, por që s’ka ndodhur në fakt, dhe që vërteton pretendimet tona si mbrojtje se LulzimBerisha nuk është autor i kësaj ngjarje.

Tjetër nonsens që kërkojmë të evidentojmë në këtë drejtim lidhur me besueshmërinë e Colit është fakti se në deklarime ai pretendon se ka qëndruar tek trotuari përballë kur është bërë vrasja e Ed Ongarit duke u dhënë shenjë Lulzim Berishës dhe Klodian Saliut mbi vendndodhjen e viktimës. A mund të besohet një pretendim i tillë, në rrethanën që nëse do të prezumojmë se Ed Ongari ka qenë pjesëtar i grupit kundërshtar të drejtuar nga Marsel Sotiri dhe e njihte Adriatik Colin dhe se kishte marrë pjesë në tentativën e vrasjes ndaj tij që në vitin 1998, a nuk do të tërhiqte vëmendjen e viktimës Ongari prezenca e një kundërshtari me të cilin ndaheshin me jetë për më tepër që ky kishte fushë pamje nga vendi i ulur në tavolinë siç dëshmon dëshmitari Xhakollari, të gjithë trotuarin përballë.

 

Mospërputhjet

Coli bën fjalë për dy persona të tjerë në tavolinë me të ndjerin Ongari që kanë ikur me vrap, ndërsa nga deklarimet e dëshmitë e Julian Korpuzit, Bardhi Xhakollarit, Ahmet Ollomani, Adritik Hasa del se kanë qenë të paktën edhe tre persona të tjerë me të dhe pikërisht, Bardhyl Xhakollari, Julian Korpuzi, Ahmata Allamani, pa përfshirë këtu banakierin e klubit djalin e deklaruesit Ahmet Ollomani.

Të gjithë këta dëshmitarë thonë se kanë rënë në tokë nga frika dhe më pas kanë parë personin që ka qëlluar të largohej. I pandehuri Coli thekson se këta kanë ikur me vrap para se Klodian Saliu të qëllojë mbi viktimën Ongari, që prezumon që këta të fundit nuk kanë parë asgjë nga ngjarja, përfshi edhe Julian Korpuzin.

Coli thotë se Klodian Saliu e ka qëlluar përballë Ed Ongarin, kur ky është çuar në këmbë. Por ky pretendim rrëzohet nga dy prova shkencore nëse do ti referohemi, së pari fotografive të vendit të ngjarjes ku viktima Ongari është i fotografuar pa lëvizur nga karrigia me kokën të rënë mbi tavolinë dhe së dyti referuar aktit të ekspertimit mjekoligjor dhe atij të këqyrjes së kufomës se Ed Ongarit, ku drejtimi i predhave të marra nga viktima në kokë është nga mbrapa – para.

 

 

Hakmarrja e rivalëve të “Bandës së Durrësit”

Përplasjet mes “Bandës së Durrësit” dhe grupit të Marsel Sotirës janë tensionuar tej mase në vitin 1999. Sotira ka marrë veten nga atentati ku mbeti i plagosur dhe me ndihmën e miqve nga Vlora hidhet në kundërveprim duke vrarë Ilir Xhungën e Arban Pajën. Kjo sjell përgjigjen e Bandës përmes Klodian Saliut, i cili ekzekuton Eduard Ongarin. Më poshtë materiale nga dosja hetimore:

***

Pas atentatit ku mbetën të vrarë Viron Curri dhe Arjan Paja, Marsel Sotira përmirësohet nga ana shëndetësore dhe në vazhdën e përpjekjeve për të vrarë të pandehurin Lulzim Berisha e shtetasin Klodjan Saliu. Në muajin maj 1999 organizon dhe vret dy bashkëpunëtorët e tyre Ilir Xhunga e Arben Paja, të cilët po lëviznin me makinën që përdorej nga Lulzim Berisha. Për këtë është arrestuar njëri prej autorëve të vrasjes Viktor Ymeri ose i njohur ndryshe me emrin “Gaxhai” i cili kishte ardhur nga Vlora në ndihmë të organizatës që drejtonte Marsel Sotira në qytetin e Durrësit.

***

Organizatës kriminale të drejtuar prej të pandehurit Lulzim Berisha e shtetasit Klodjan Saliu i vrasin në këtë kohë dy bashkëpunëtorë: Ilir Xhunga e Arben Paja, por në vijim organizata fuqizohet me futjen në përbërje të saj të të pandehurit Indrit Taullai i sapo kthyer në këtë kohë nga Italia. Tashmë për organizatën kriminale të drejtuar prej të pandehurit Lulzim Berisha e shtetasit Klodjan Saliu objektiv i radhës ishte hakmarrja ndaj grupimit rival të drejtuar nga Marsel Sotira. Për hakmarrjen e radhës u përzgjodh viktima Eduart Ongari. Përdoret e njëjta strategji si në vrasjet e tjera duke marrë një makinë të vjedhur. Më pas sigurohen armët e zjarrit dy “Skorpions” një “Kallashnikov” e për t`u maskuar një paruke të kuqe dhe një kapele berete, meshinë e zezë. Mjetet i jepen Adriatik Coli me datë 04.07.1999 që ti mbajë në shtëpinë e tij e ti ketë gati organizata në momentin e volitshëm për të kryer vrasjen e shtetasit Eduart Ongari. Të nesërmen e kësaj dite Lulzim Berisha merr në telefonin e shtëpisë Adriatik Colin dhe i kërkon që të takohet me të në hyrjen e një pallati duke e porositur të marrë me vete armët, makinën tip “Benz 240”, paruken dhe kapelën. Me të pandehurin Lulzim Berisha ishin të pranishëm edhe i pandehuri Indrit Taullai e shtetasi Klodjan Saliu, ndërsa i pandehuri Plaurent Dervishaj në një vend tjetër për marrjen e informacionit lidhur me vendndodhjen e Eduart Ongarit. Në këto çaste Lulzim Berisha hipën në autoveturën tip “Benz 240” të sjellë nga i pandehuri Adriatik Coli e vë një paruke të kuqe në kokë që të mos njihej, veprim të cilin e ka kryer edhe në dy vrasjet e para. Klodjan Saliu hipën në vendin e parë si pasagjer edhe ky si në dy vrasjet e para duke vënë në kokë kapelën me strehë të gjatë, ndërsa mbrapa në makinë hipën të pandehurit Adriatik Coli e Indrit Taullai…

Të pandehurit Lulzim Berisha, Indrit Taullai, Adriatik Coli e shtetasi Klodjan Saliu afrohen me makinën e mësipërme deri në cepin e pallatit ku ndodhej lokali “bar-bufe” i shtetasit Shahin Ollomani dhe në një distancë rreth 10 metra nga ku nuk dukej lokali, zbret i pandehuri Adriatik Coli nga makina. Ky i pandehur kalon afër lokalit ku ndodhej viktima Eduart Ongari dhe pasi e vënë re atë të ulur në tavolinë përjashta me dy persona të tjerë, në një pozicion rreth 30 metra larg lokalit ju tregon shokëve të tij me dorë për numrin e personave në tavolinën e viktimës dhe vetë qëndron në atë pozicion. Menjëherë pas kësaj në drejtim të tavolinës ku ndodhej viktima shkojnë shtetasi Klodjan Saliu me kapelën meshini në kokë dhe me armën “Skorpions” në dorë dhe pas tij i pandehuri Lulzim Berisha me paruke në kokë dhe me automatik në dorë. Sapo i afrohen tavolinës shtetasi Klodjan Saliu qëllon me breshëri në drejtim të viktimës Eduart Ongari, i cili nga goditjet bie më kokë në tavolinë duke vdekur në vend ndërsa shokët e tij largohen me shpejtësi nga lokali ku ishin. Pas vrasjes në timonin e makinës tip “Benz 240” hipën i pandehuri Indrit Taullai ndërsa si pasagjer hipin i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu. Menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa i pandehuri Adriatik Coli largohet në këmbë për në shtëpinë e tij, duke u përshëndetur me dorë rrugës nga i pandehuri Plaurent Dervishaj i cili gjendej në ballkonin e shtëpisë së dëshmitares Luljeta Berisha duke ndjekur ngjarjet…”.

 

Coli: Si e vramë Eduart Ongarin

Lidhur me vrasjen e Eduard Ongarit, Adriatik Coli është shprehur: “…Ed Ongari filloi të dalë lirshëm në Durrës. Klodani i thotë Lulit çfarë do bëjmë se zgjati si shumë, na janë vrarë dy vëllezër. Luli i thotë gati jam. Me kaq u mbyll… Pas pak ditësh shkova te shtëpia e babës së Plaurentit, fle një natë dhe më thotë Luli që a je gati të vrasësh një nga vëllezërit e Tur Labit, o të madhin o të voglin? I thashë jam gati se më kanë lënë gjysmë robi. Do ti shtija për ti vra, do shkoja bashkë me Juljan Mecen. Do ti shtija te fabrika e miellit që ndodhet afër centralit të Durrësit, se aty ishte klubi ku pinin kafe. Në darkë Luli ndryshoi mendje. Do vrasim Ed Ongarin tha…

Luli kthen makinën në cep të apartamentit që është me tulla të bardha në formë L-je, ndalojmë aty dhe më thotë dil nga makina. Më tha zbrit nga makina do të shohësh një tavolinë në fillim të lokalit në krah të djathtë dhe shih sa veta janë në tavolinë dhe na e bëj me dorë se sa veta janë. Kur, zbres kaloj rrugën kryesore, eci dhe 10 metra më larg rrugës dhe pashë që në tavolinë ishin tre veta. Desha të them që gjatë rrugës Klodi u zotua se do ta vriste vetë Ed Ongarin dhe nuk më la që të shtija. Kur ia bëj me dorë që janë tre veta nga makina del Lul Berisha me paruke të kuqe dhe me automatik në dorë dhe Klodi me beretë dhe “Skorpions”. I pari ishte Klodi, i dyti Luli. Kur i afrohen tavolinës, dy veta që ishin të shoqëruar me Ed Ongarin, ikin me vrap. Në atë kohë, kur ngrihet Ed Ongari me gjysmë trupi nga tavolina, Klodi i zbrazi karikatorin. Klodi ishte përballë Ed Ongarit. Isha 30 metra larg kur i pashë ata te tavolina. Kur u ngrit Ed Ongari unë e pashë vetë, sepse isha përballë tij, në rrugën tjetër. Ed Ongari ra sipër tavolinës, që ishte tavolinë kauçuku e bardhë. Lul Berisha ishte mbrapa Klodit, qëlloi vetëm Klodi…”

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Itali, denohen shqiptaret per shfrytezim prostitucioni

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kronike - Lexuar : 64 here.
Itali, denohen shqiptaret per shfrytezim prostitucioniDhune seksuale ndaj nje te miture, foto arkiv Dy shqiptarë janë dënuar me 6 vite burg pasi e përdhunuan dhe e nxorën në rrugë një vajzë rumune që të prostituonte. Vajza ngriti i denoncoi  shqiptarët duke i futur në burg për dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni ndaj të miturave. Ngjarja daton rreth 2 vjet më parë në Sansepolcro, ku ajo një 17-vjeçare nga Rumania e sapombërritur në Itali, merret dhe mbyllet në një dhomë ku dy shqiptarë e mbajnë të mbyllur dhe...Lexo te gjithe artikullin »


» Voskopoje, vidhet kambanerja 300 vjecare ne kishe
» 50 italiane te tjere me diploma si Renzo Bossi
» Policia kryen disa arrestime per vepra te ndryshme penale
» Kerkohej nga Interpol Roma, arrestohet Berat
» Anetaret e Shtepise se Verdhe kunder hetimeve, hyjne ne greve urie
» Durres, kapen ne port dy te shpallur ne kerkim
» Ndalohen dy persona te shpallur ne kerkim ne portin e Durresit
» Arrestohet 22-vjecari, u vidhte njerezve vareset nga qafa
» Tragjedia e Himares, dy studente dergohen ne Austri
» Shkoder, pezullohen ekskursionet

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit