Publikuar me : 17.10.2011 Ne :
Kulture - 93 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Fulvia Veneziani i shërben kulturës italiane në vende të huaja. Ka punuar kryesisht në Francë e Tunizi dhe prej pranverës, drejton në Tiranë Institutin Italian të Kulturës. Është e dukshme puna që po bën zonja Veneziani. Ajo ka hapur dyert e Institutit, dyert e bibliotekës, e ka pasuruar me tituj klasikë, për mësues dhe fëmijë, madje edhe me tituj nga autorë shqiptarë që shkruajnë në gjuhën italiane. Kjo bibliotekë që shikon nga Rruga Budi në hyrje të Qytetit Studenti mbahej mbyllur dhe e mbuluar me qepen si dyqan lagjeje. Artistë italianë si Giuseppe Tornitore apo Lina Wertmuller vinin si klandestinë ose të rrethuar nga nëpunës ambasade që gjenin rast të krenoheshin me ta në këtë provincë kulturore si Shqipëria, ndërsa gazetari vendas duhej t’i intervistonte si hajdut pa lejen e ambasadës apo Institutit, sepse as ata italianë që mbushin sallat me kostume vetëm kur u vijnë bashkëkombësit, nuk merren vesh mes tyre.
Zonja Veneciani dhe puna e saj e deritanishme lë për të shpresuar për ta kthyer në dialog atë kulturë që shpesh është quajtur e kolonizatorëve. Një paraardhëse e saj, Lucia Cenerini, dhjetë vjet përpara e kuptoi si sot Veneciani: një vend ku zhvillimi ekonomik dhe pasurimi i një pakice nuk ecën paralel me ngritjen kulturore të shoqërisë, është si një trup që mbështetet mbi një këmbë, e herët e vonë jo do të rrëzohet por do të shpërthejë si një minë me sahat.
Zonja Veneziani, nuk e kemi ditur për një kohë të gjatë Instituti Italian i Kulturës ndodhej këtu i fshehur dhe kaq jokonfidencial, deri ditën kur shpallët “Dyert e hapura”.
Për mua ishte një simbol hapja e dyerve, sepse erdha dhe gjata gjithçka të kyçur. Detyra e parë për një institucion të kulturës është hapja, mbyllja në vetvete është mohim i fjalës kulturës. Për kulturën ka disa domethënie: për mua kulturë do të thotë dialog. Vetëm prej këtu mund të nisesh.
Ju vutë në dyshim opinionin vulgar që nuk ka shqiptar që të mos e njohë gjuhën italiane. Njohja e gjuhës nuk ka të bëjë me çfarë dëgjon nga televizioni por me kultivimin e saj, prandaj hapët kurset gjatë verës?
Pikërisht. Erdha në Tiranë në kohën e provimeve të CELI-t të famshëm. Në masën e 1000 studentëve të regjistruar, zbulova që kishte shumë që nuk dinin të komunikonin as emrin, as përvojat personale. Është fakt që vetëm 30 perqind e këtyre aplikantëve morën diplomën. Është bërë zakon që aplikantët të synojnë marrjen e një cope kartoni, por ai që arrin te CELI dëshmon një atë trashëgimi e ka brenda vetes. Dokumenti pastaj i duhet për të hyrë me këmbë të mbarë në universitet e të mos humbasë kohë. E nëse jo jashtë, i duhet këtu me sipërmarrjet italiane.
Keni njoftuar në listat e bibliotekës një seri titujsh të rinj dhe mes tyre dallon edhe emra të autorëve shqiptarë në gjuhën italiane.
Provova një zhgënjimi kur erdha këtu. Biblioteka nuk frekuentohej. Me rastin e “Dyerve të hapura” për publikun, filluam të lehtësojmë hyrjen në bibliotekë. Ofruam regjistrimin falas për mësuesit e italishtes, për studentët e departamentit të italishtes dhe për ata të kursit tonë. Frekuentimi ka një rritje. Gjithçka që inkasojmë, deri në euron e fundit, investohet sërish në kulturë, në blerjen e librave dhe në aktivitetet kulturore.
Për mua është fitore që shoh fëmijë e të rinj të hyjnë në bibliotekë. Prandaj kemi bërë blerje të librave më të lehtë, me përralla e histori, romane për adoleshentë. Afrimi i fëmijëve pranë kulturës dhe arteve është më rëndësi. Kemi disa projekte në duar.
Është e vërtetë që do të vijë Umberto Ecco dhe ju do ndihmoni për këtë?
Disa botues shqiptarë dëshirojnë të sjellin Umberto Eccon vitin e ardhshëm. E ndoshta mund të jetë pak e vështirë. Programet tona të ardhme parashikojnë ardhjen e disa shkrimtarëve dhe takime me ta në qytete si Berat apo Fieri që ka një bibliotekë të mrekullueshme. Me këtë qytet kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Takimet e autorëve me studentët e letrave është një praktikë e domosdoshme që nuk aplikohet.
Gjatë kësaj Jave të Gjuhës Italiane është i ftuar Rafaele Nigro i cili prezanton dy libra që trajtojnë fenomene të Bashkimit të Italisë. Sepse këtë vit tema është Buon Compleanno Italia! Aktivitetet zgjasin për tre javë. Në disa qytete të vendit prezantojmë “Kthimi në vendin e shqiponjave” të Aldo Terrusi-t. Një seri filmash historikë mbi 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë fillojnë të shfaqen që sot. Sa për kinemanë them se nuk i jemi borxhli.
Shohim që dy statujat Gladiatorit të festivalit të Durrësit për Filmin “Vincere” nuk i kanë paskan shkuar në dorë regjisorit Marco Bellochio dhe aktores protagoniste Giovanna Mezzogiorno.
Sepse shpresojmë që në Mars ai të vijë e t’i tërheqë vetë këtu. Jo vetëm për statujat dhe jo vetëm për të prezantuar “Vincere”, po edhe që studentët e filmit të takohen e të bisedojnë me një regjisor rebel si Bellocchio.
Si ka nisur aktiviteti juaj në drejtim të promocionit të kulturës?
Përvoja ime e parë në këtë drejtim ka qenë shumë vjet të shkuara, pas studimeve në Siçili. Bashkë me një grup të rinjsh organizuam një qendër të kulturës franceze sepse asokohe jepja mësim frëngjishte. Përvoja e promocionit kulturor nisi atje, bëmë një rrjet me Palermon, Sirakuzën, Kalabrinë. Atëkohë ishte e vështirë të sillje dikë nga Veriu i Italisë në Siçili. Isha titullare katedre dhe në vitet tetëdhjetë fitova një bursë studimi për në Francë, në Avinjon, një kurs për drejtimin e projekteve kulturore. Ishte koha kur Jack Lang e Catherine Tasca i kushtuan rëndësi formimit të njerëzve për promocionin kulturor. Pas kësaj konkurrova në Ministrinë e Punëve të Jashtme, fitova dhe u nisa për në Tunizi pikërisht për këtë qëllim.
U bënë disa muaj në Shqipëri, e keni më qartë situatën me kulturën vendase tani?
Shqipëria pikërisht në këtë moment ka nevojë të rritet dhe them se dialogu ynë mund t’i shërbejë në drejtim të rritjes kulturore. Mund të heq një paralele me Tunizinë, ku shpërtheu pranvera arabe, meqë kam pasur një përvojë disavjeçare atje. Tunizia pati një rritje ekonomike shumë të ndjeshme vetëm për një pjesë të popullsisë, e cila nuk u shoqërua me ngritjen kulturore. Këtë e quaj dramatike, sepse rritja ekonomike duhet të jetë në një hap me rritjen kulturore përndryshe diçka do të shpërthejë. Gjendja që po kalon Shqipëria me dëshirat për t’u integruar në Evropë e për të përmirësuar gjendjen, është një moment i rëndësishëm që kërkon ruajtjen e balancës së rritjes ekonomike me rritjen e nivelit kulturor të shoqërisë.
Letërsia, kinemaja, opera. Me çfarë artistësh të këtyre fushave do të donit ta njihnit publikun shqiptar?
Në fakt nuk di ç’të them sepse ëndrrat varen realizimet. Por unë te ëndrrat e mia do fusja ato që i zbulojnë diçka të re publikut shqiptar e që s’i përkasin këtyre fushave. Do më pëlqente të sillja një duo muzikantësh që quhet M
usica Nuda, zë dhe kontrabas, Petra Magoni e Ferruccio Spinetti. Është diçka shumë e bukur që e kam prezantuar në Marsejë, e Tunizi.
Ajo që vë re në Shqipëri dhe që shpesh më vënë në vështirësi janë disa raporte të salduara me artistë e muzikantë. Janë gjithnjë të njëjtët. Ndërsa unë do doja që këtij mjedisi t’i zbulohen gjëra të reja dhe të larmishme. Këtë ëndërroj unë. Gjithmonë kam qenë e mendimit: duhet vendosur një ekuilibër që t’iu përgjigjej kërkesave të territorit por edhe t’i zbulosh territorit një kulturë të cilën ai nuk e kërkon ngaqë nuk e njeh.