Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Majat, sa afer me humnerat!

Publikuar me : 14.08.2011 Ne : Kulture - 39 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Erisi dhe Petra në baletin "Manon Lesko"


Kur sheh Petra Contin dhe Eris Nezhën tek ushtrohen në sallën e provave të Teatrit të Operës dhe Balelit harron që është mesgusht, harron të nxehtin që duket se ka paralizuar Tiranën aq të zhurmshme gjatë vitit, harron zbrazëtinë e rrugëve, kafeneve. Ndihesh gjallë! Ata trupa të shëndetshëm, siluetat e holla, shikimet e qashtra, sikur të falin pak nga kthjelltësia e tyre.

Në këtë kohë pushimesh po punojnë për pjesën “Diana e Atteone” me koreografi të Agrippina Vaganovës, një krijim i mbështetur në mitologjinë greke, me muzikë të Riccardo Drigos, që presin ta interpretojnë më 28 gusht në Teatrin e Operës “Arena Sferisterio” në Macerata. Erisi ndihet si në shtëpi, i kthyer pas 14 vjetësh, në majin e vitit 1997, qysh kur u largua nga Shqipëria ende pa mbaruar Shkollën e Baletit, sot Shkolla Kombëtare e Koreografisë. Për Petra Contin Teatri i Operës në Tiranë “mban vërtet erë teatri të vjetër”, jo si “La Scala” që me rikonstruksionin që po i bëhet vitet e fundit, sidomos anës së pasme, i ngjan “një spitali”, çdo dhomë provash, çdo ambient, çdo korridor i ideuar po njësoj. Erisit i duket se në këtë sallë flet me ata që nuk janë më, apo me të larguarit nga Shqipëria, në “La Scala” sikur i fliste Nurejevi, kurse këtu Ilir Kerni.

Balerini nuk ka shumë për të treguar për 15 vitet që jetoi në Shqipëri. Në një Tiranë ku shkollat po mbylleshin në marsin e 97-ës, në atë kohë ku liria paguhej shtrenjtë, ai nuk kishte ç’të zgjidhte, por u largua drejt Breshias, pa marrë asgjë me vete, madje edhe “papuçet e baletit, që një balerin nuk i harron asnjëherë”. Në qytetin e ri i qendroi larg kurseve private, në “La Scala” nuk e morën në vitin e parë të konkurrimit dhe u detyrua të futej në teatrin “Carcano”, po në Milano. Në shkollën e zemrës, te “Shkolla e Baletit e Teatrit “La Scala” (Scuola di Ballo del Teatro alla Scala) arriti të futej vetëm në vitin 1998, sërish në vitin e parë. Me zotësi arriti të kapte kohën e humbur. Ende student mori pjesë në baletet: “Liqeni i Mjelmave”, “Bukuroshja e fjetur”, “Notre-Dame de Paris” gjë jo edhe aq e zakontë për balerinët e moshës së tij.

Kur thotë kam pasur fat, Erisi e ka fjalën për mësimet që ka marrë nga repetitorët e baleteve, ata njerëz që e kanë parë nga afër sesi punonin koreografët e mëdhenj dhe tani kanë të drejtat e realizimit të koreografive të tyre. Repetitori edhe pse ka të drejtat e koreografisë, nuk e prek kurrë baletin, nuk fut aty krijimin e vet. Në “Scala”, balerini ynë ka punuar me Alette Francionin, repetitoren e Nurejevit, me repertitorët e Kenneth MacMillanit, por edhe me koreografë si Roland Petit (që u nda nga jeta para një muaji) për baletin “Karmen” në vitin 2008 dhe për “L’Arlésienne” në po të njëjtin vit. Në vitin 2005, interpretimi i tij te “Manon Lesko” me koreografi të Kenneth MacMillanit ra në sy të mirë te drejtuesit e teatrit “La Scala” dhe ky rol e ndau nga trupa. Vetë drejtori i teatrit, Frederic Olivieri i besoi këtë rol dhe më vonë gjithçka u duk se shkoi fjollë. Mori role të para në balete si “Bajadera” (2008) me koreografi të Natalia Makarovas dhe një vit më vonë u angazhua te “Kopelia” e Derek Deane-it, ishte Albrehti te “Zhizel” i Chauviré-së, Oberoni te “Ëndrrra e një nate vere” George Balanchine. Në vitin 2010 ishte Tibaldi te baleti “Romeo dhe Zhuljeta” i Kenneth  MacMillanit, Bazilio te “Don Kishoti” i Nurejevit, kurse më 2011-ën ka interpretuar dy role te “Liqeni i Mjelmave” po nga Nurejevi, rolin e Erosit te “Kazanova tjetër” i Gianluca Schiavonit dhe ka qenë i ftuar jo pak herë në teatro në Romë, Berlin, Zagreb. Njeriu model me të cilin ka punuar? Roberto Bolle, një njeri i pazakontë për të. “Në kohën kur u diplomova në teatër sapo kishte filluar Roberto Bolle. Më joshte mënyra sesa me pastërti arrinte t’i bënte gjërat, me çfarë disipline punonte dhe ishte i vëmendshëm për çdo hap që hidhte. Ai është perfekt”, thotë Nezha.

Erisi këtë vit mori statusin e solistit dhe nënshkroi një kontratë të përhershme me “La Scala-n”, që i siguron punë balerinit deri në moshën 45-vjeçare. Arritja e ëndrrës i hap oreksin për të kërkuar më tepër.

 

Eris Nezha, Jeta ime

Mosha: 29 vjeç

Vendlindja: Tiranë

Baletin, Eris Nezha e ka nga xhaxhai, Adrian Nexha, i cili donte që i nipi, një 10 vjeçar i talentuar, të futej në shkollë dhe ta studionte. Po vetëm deri në vitin e parë iu dha mundësia balerinit të ri të merrte mësime nga mësuesit shqiptarë, kryesisht Shpëtim Dajçi dhe Ariana Pertena. Erdhi marsi i 97-ës, erdhën kohët e vështira. Shkolla u mbyll për një periudhë, i riu nuk punoi gjatë gjithë vitit, ato që iu ndaluan asokohe i kushtuan shumë më vonë: “Kisha frikë të ecja në rrugë, kisha frikë të shkoja në shkollë, m’u ngadalësua jeta. Ku të shkoja? Humba shumë edhe nga baleti. Trupi im rritej, me rritjen pata probleme me muskujt sepse duke u zgjatur u dobësuan, nuk i kisha mbajtur në formë. Isha i detyruar të rrija gjithë ditën në shtëpi”, kujton Nezha me keqardhje dhe kthehet në vendin e tij pas 14 vjetësh. Ardhjet e tjera kanë qenë të shkurtra deri më sot, vetëm me raste ngjarjesh familjare dhe ndonjë me rëndësi për vendin e tij, siç ishte liberalizimi i vizave dhe Erisit i duhej të vinte për të rinovuar dokumentat. Këtu përfundon jeta në Shqipëri e balerinit, që atëherë nuk i kuptonte ato që po i ndodhnin, jo më të zgjidhte rrugën e drejtë për të ardhmen.

 

“Shkolla jonë e baletit ka qenë shumë e mirë sidomos në vitet e para. Përzgjedhja ishte shumë e rreptë. Në Itali dhe jashtë shtetit është më pak, atje pranohen më shumë persona. Avantazhi që ka një shkollë si “Scala” është konkurrenca, që të hap sytë. Si në shkollë, por edhe në teatër je gjithmonë nën presion, duhet të dish ta mbash vendin me zotësi dhe punë, ndonjëherë edhe me fat”

 

Petra Conti: Ëndrra mbeti edhe pas magjisë

Petra Conti është një balerinë që nuk ka mbushur akoma 25-vjetët, por duket edhe më e njomë. Flokët më onde i japin pamjen e një njeriu të butë, një mendim që e përforcon dhe e qeshura fare e çlirët dhe sytë e pastër. E ka herën e parë që vjen në Shqipëri dhe në vend të pushojë, punon gjithë paraditen në sallën e provave të Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës bashkë me Nezhën, partnerin e saj.

Historia e Petra Contit-emrin çek ia ka marrë gjyshit Pietro-në “La Scala” është më e vonë se e Erisit. Ajo filloi në gusht të 2009-ës. E ka vitin e dytë të punës në këtë teatër, me kontratë që rinovohet çdo vit, si pjesë e trupës së baletit. Shkollën e mbaroi në Akademinë Kombëtare të Dancit në Romë në vitin 2006 dhe një vit më vonë interpretoi në Teatrin e Veronës te “Hirushja” e Maria Grazia Garofolit. Ky u duk viti më i vyer që ndikoi në formimin e saj. Pas Veronës e priti një specializim në teatrin “Mariinsky” të Shën Pjetërburgut, “aty ku dukej se ishte mbledhur i gjithë teatri i madh rus i baletit”.

U njoh me balerinë si Alina Somova, me Obraztsovën që tani është bërë aq e njohur, po edhe me balerinët e vjetër që tani janë profesorë si ish-balerina e parë e teatrit “Mariinsky”, Elvira Tarasova, që çdo ditë i kushtonte një orë prova vetëm për vetëm. Erisi në krah të saj, kujton që Obraztsova dhe Somova kanë qenë partnere të tij dikur në Shën Pjetërburg dhe Berlin. Pas kësaj përvoje, Petra ka bindjen se “shkollat e lindjes e kanë në gjak vallëzimin, i hyjnë baletit me thellë dhe punojnë për perfeksionimin e linjave, duarve, krahëve. Në kohë premierash balerinët punojnë deri në mëngjes. Ata jetojnë për baletin”. Petra pati mundësinë të interpretonte në Konservatorin “Rimsky-Korsakov”.

Ndryshe nga “Mariinsky”, me kthimin në Evropë, në teatrin “Monaco di Baviera” të Gjermanisë, Petra ndjeu se nuk po ndodhte asgjë gjatë një viti pune. Nuk kishte role të para që nxirrnin në dritë punën dhe nivelin e saj. Kurse, “La Scala u duk më zemërgjerë”. Që në vitin e dytë të punës iu besua roli protagonist te “Zhizel”, me koreografi të Yvette Chauvirè-së, kur një vit më parë kishte interpretuar te “Nata e një ëndrre vere” me koreografi të Balanchine-it. Me shfaqjen “Zhizel” ia kishte marrë dorën, e kishte interpretuar në Teatrin e Veronës, plus një vit prova me Tarasovën. Balerinës nuk i interesojnë kontratat fikse, e kishtë një në Gjermani, por nuk arriti të bënte asgjë. Të rëndësishëm janë rolet e sidomos ata të parët. Në dy vitet e fundit ka ndjerë kënaqësi duke qenë Zhizel e Yvette Chauvirè-së, Kitri e Rudolf Nureyevit, Zhuljeta e Kenneth MacMillanit dhe Tatjana e John Crankos. Mjaft që rolet të kenë brenda “interpretimin, pasionin, romancën” dhe e rrëmbejnë. Nuk e ka mendjen edhe aq te saktësia e realizimit të piruetës, por i dhemb kur roleve u mungon jeta. 21 vjeçe ka ditur të jetë një Zhizel e bukur dhe e pafajshme, e zgjodhën edhe pse nuk e kishte arritur pjekurinë artistike.

Fundin e bisedës ulur këmbëkryq me balerinët në sallën e provave të TKOB-së, ia kushtuam një pyetjeje që i futi në mendime të dy. Baleti hyn te ata profesione që “vdes” shpejt. Dhe balerini më i zoti zor se i kalon të 45-tat në skenë. Po si e mendojnë atë kohë çifti ynë? Erisi, 29 vjeç, përgjigjet i pari, siç duket e ndjen më të afërt kohën. “Kur je i ri të duket vetja sikur do të jetosh gjithmonë me baletin. Avash avash bën llogari dhe thua: Jam 30 vjeç, ja gjysma e karrierës iku dhe 10 vjet janë sa hap e mbyll sytë. Por, nuk i dihet asgjëje.”

Petra nuk e ka humbur shkëlqimin e syve as në këtë çast. Reflekton optimizëm kur pohon: “Më vonë do të bëj diçka që ka ose nuk ka lidhje me vallëzimin. Ndoshta do të ulem të shkruaj një libër (Qesh). Unë jetoj ditën. Dhe sot jam balerinë që kërkon të arrijë majat”.

 

Petra Conti Jeta.

Mosha: 23 vjeç

Vendlindja: Anagni

U lind në vitin 1988, në Anagni, një qytet 1 orë larg Romës. Petra është gjysmë polake, gjysmë italiane, nga e ëma, Grażyna Kroczyk. Nga ajo ka trashëguar edhe pasionin për baletin. Edhe pse në kohën e vet Grażyna ka qenë për një kohë të gjatë balerinë në Teatrin e Operës së Poznańit, të bijën nuk e nxiti kurrë të merrej me balet, edhe pse e kuptonte dëshirën e saj për muzikën klasike. Ndoshta sepse ajo nuk e gjeti vetë aq të shtruar rrugën e artit. “Në kohën e komunizmit ajo nuk fitonte shumë. Në atë kohë ishte shtatzanë dhe e gjeti më të udhës të futej në Teatrin e Varietesë, ku artistët paguheshin më shumë”. Një arsye tjetër mund të ishte edhe rreziku që mbart ky profesion. Motra më e madhe e Petrës, balerinë edhe ajo, në një moment të jetës së saj profesionale, pati probleme serioze me shpinën dhe u detyrua ta linte baletin.

Me të ardhur në Itali dhe Grażyna nuk kërceu më kurrë në jetën e saj. Edhe pse nuk ka ndërhyrë kurrë në të ardhmen e së bijës, ajo e dëgjoi dhe e kuptoi kur Petra e vogël vendosi të merrej me baletin. Fjalët e nënës asokohe ishin: “Në rregull, por ama le ta marrim shtruar dhe  seriozisht. S’ka shkolla private. Baleti për ty fillon nga Akademia”. Në vitin 1999, Petra 11 vjeçare hyri në vitin e parë në Akademinë Kombëtare të Dancit në Romë (Accademia Nazionale di Danza di Roma), ku edhe u diplomua nën udhëheqjen e balerinës Margherita Parrilla në vitin 2006.

 

Shkollat e lindjes e kanë në gjak vallëzimin, i hyjnë baletit me thellë dhe punojnë për perfeksionimin e linjave, duarve, krahëve. Në kohë premierash balerinët punojnë deri në mëngjes. Ata jetojnë për baletin”

 

Me dashurinë erdhën edhe sakrificat, dhimbjet e përbashkëta

Kanë intepretuar bashkë baletet “Hirushja”, “Arrëthyesi”, “Bukuroshja e fjetur”, “Don Kishoti” në Veronë, Romë, Milano

Duket e pabesueshme, por ka ende njerëz si Petra që i hipën të kuqtë në fytyrë kur flet për dashurinë. Është e ndrojtur, i vjen turp ndonjëherë që nuk kujton datën e njohjes me Erisin, datën e fejesës. Iu desh gjysmë ore të dyve për të kujtuar si ia behu dashuria, para apo pas “Don Kishotit”. Pastaj idetë iu kthjellohen. U njohën në vitin 2006 në “Arena di Verona”, në shfaqjen “Hirushja” me koreografi të Maria Grazia Garofolit. Erisi ishte i ftuar në këtë teatër, vajza 17 vjeçare ishte drejt fundit të studimeve. “Ai për mua ishte princi”, thotë Petra. Po çfarë ndodhi më vonë? A u prish magjia?



 

Si e vlerësoni njëri-tjetrin profesionalisht?

Eris Nezha: Kur shoh portretin e Petrës, e kuptoj përse i japin role të forta interpretuese. Është kaq e gjallë. Ne të dy arrijmë të komunikojmë në balet, gjë jo gjithmonë ndodh mes partnerëve. Nuk ka të bëjë me simpatinë, apo antipatinë. Ekziston një gjuhë që vetëm ndihet. Arrin t’i lexosh mendjen tjetrit.

Petra Conti: Në atë kohë nuk njihja asnjë shqiptar. As unë vetë nuk jam ndjerë ndonjëherë tërësisht italiane, është gjithmonë gjysma polake brenda meje. Ndihem me fat që e kam njohur Erisin, është një balerin i shkëlqyer dhe më ndihmon nga ana profesionale. Mbi të gjitha, është njeri shumë i mirë. Siç duket kam vrarë me një gur dy zogj.

 

Po “dështimet”, zhgënjimet, humbjet a i ndani përgjysmë? Apo gjithçka në “Scala” shkon shumë mirë?

Petra: Në “Scala” jemi në qendër të vëmendjes. Fakti që Erisi është balerin i parë i hap oreksin konkurrentëve për të folur. Kritikat më duken se vijnë më tepër nga gojë ziliqare.

Erisi: Është teatër i madh, nga njëra anë të jep perspektivën, mundësinë të arrish majat, nga ana tjetër të vënë shkopinj nën rrota. Edhe pse ka një mënyrë më delikate dhe të mprehtë për t’i thënë gjërat, prapë fjalët të godasin. Ndonjëherë e kam akuzuar teatrin “La Scala” për racizëm, por kam vënë re që kjo gjë nuk është e vërtetë. Konkurrentët e mi e përdornin racizmin për të arritur te mua. Por, ka edhe të tjerë që ma kanë besuar atë vend, se ndryshe nuk do isha aty.

 

Deri kur do sakrifikoni për baletin?

Petra: Kemi sakrifikuar ne dhe familja, por këtë e dinim qysh të vegjël. Unë jetoja një orë larg Romës, por kur vendosa të studioja në Akademinë e Romës, nëna më ndoqi pas dhe babai bënte rrugën vajtje-ardhje çdo fundjavë. M’u duk se “i ndava prindërit e mi”.

Erisi: Një artist e di që nuk ka orë pushimi. Trupi im ka nevojë për pushim, por jo mendja. Ajo është e zënë me mendimet dhe punën.

 

Jorida Pasku

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit