Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 61 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Mero Baze
Gjergj Lezhja është një zyrtar i bindur, por korrekt. Ka pasur deri gradën gjeneral në polici në kohën e Agim Shehut të parë, por tashmë është Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, pra në pjesën civile të pushtetit. Si Agim Shehu II-të. Me gjasë është njeriu që Berisha do t’i lërë në qafë krimin e fshirjes së pamjeve filmike nga serveri i qeverisë më 21 janar. Gjergji e di se hë për hë mund ta shtyjë arrestimin duke përdorur precedentin e vrasësve që nuk iu dorëzuan drejtësisë më 21 janar. Duhet të jetë në siklet pasi si zyrtar korrekt, që e njeh ligjin dhe dënimin penal, e di që ky krim nuk parashkruhet, pasi gjesti i tij ilustron faktin e vrasjes me paramendim mbi katër qytetarët shqiptarë. Gjakftohtësia e vrasësve ka shkuar deri tek detaje kriminale, siç ka qenë mosregjistrimi i armëve, futja e gëzhojave të huaja në oborr të kryeministrisë, dhe fshirja e provave filmike nga serveri i qeverisë, që përbën dokument zyrtar në këtë rast.
Por Gjergj Lezhja duhet të jetë në siklet për një gjë më të rëndë se sa dënimi që mund të marrë për të shpëtuar Sali Berishën. Ai dhe të tjerët që po hetohen për këtë krim, hallin më të madh kanë se nuk dinë si të sillen tani me Sali Berishën. Të shkojnë në prokurori dhe të merren në pyetje, ai i shpall armiq! Të rijnë aty dhe të refuzojnë prokurorinë, ai nuk i mbron si gardistët! Të shkojnë në prokurori dhe të gënjejnë, kanë frikë se dosja rihapet dhe dënohen, por më shumë frikë kanë se mos dikush i thotë Berishës që ata raportuan të vërtetën dhe të tradhtuan. Të shkojnë në zyrë të tij e t’i thonë çdo bëjmë me atë “laviren” që po na kërkon, nuk guxojnë se kanë frikë se ai xhindoset, përplas disa herë buzët pa asnjë fjalë, merr celularin, e lë prapë mbi tavolinë, merr pultin, ndez televizorin, i ngre zërin, tund kokën, dhe i pyet papritur “urdhëro…!”, sikur nuk ka dëgjuar asgjë nga halli i tyre. Ai do ngrihet prapë, i dëshpëruar do niset të dalë nga dera, duke i thënë një “asgjë”, pa shumë kuptim me pezmin që s’di ç’të bëjë me krimin që nuk e ka bërë. Pastaj ai do ta thërrasë prapë, do ta ulë sikur s’ka ndodhur gjë, dhe do t’i mbajë një fjalim të gjatë “me fakte që i di vetëm ai” se ajo Ina Rama, ai horri Bamir Topi dhe ca çakaj të tjerë kanë dashur ta vrasin më 21 janar atë dhe mbesat… “Po, po, e kam të sigurt, ma pranoi dhe Kantrimeni në bisedë, ma tha një njeri që i ka regjistruar të gjitha, po mos ja thuaj njeriut”. Gjergji, i cili është mësuar ta dëgjojë qindra here këtë dialog, vihet edhe më shumë në siklet kur mendon se si do të shkojë halli. E ndjen se ai, Doktori, nuk do që ky të shkojë në prokurori, nuk do që ky të flasë, nuk do që ky të dënohet, por mbi të gjitha nuk do që ky ta bezdisë për këtë çështje. Ngrihet me qetësi të ikë në hallin e tij, dhe ai e thërret prapë t’i japë një punë banale. Gjergji del jashtë në korridor, mban flet-thirrjen e prokurorisë në dorë, kujton 21 janarin, ulërimat e Atij për të hapur zjarr, hezitimin e Ndreut, grushtin e badigardit të Berishës mbi syrin e tij, nxirjen e syrit, marrjen nga brezi të pistoletës dhe hapjen zjarr mbi turmë nga kryebadigardi, ulërimat, fytyrën e zverdhur të Lul Bashës që i dridhej buza dhe thoshte “çfarë bëhet, çfarë bëhet”, paramilitarët që prisnin tek oborri i Ministrisë së Bodes, pastaj takimin mbasdite për prishjen e provave, ndarjen e detyrave për të hedhur pistat e reja, versionin që Olldashi të fliste për një Benz me 40 kg tritol, versionin që Ben Imami të fliste për pistoleta që janë përdorur nga socialistët për të vrarë njëri- tjetrin, pastaj skenari i thikave helmuese, çadrave- pistoletë, helmit nga gjarpërinj të jugut (Pse të jugut xhanëm se dhe të veriut të helmojnë), dhe gjithë çfarë kish ndodh në atë ditë.
Ç’të bënte me atë ditë?
Vetë nuk ishte përzier në asgjë. U mbyll në zyrë të tij dhe dilte andej vetëm kur e thërriste ai. Vërtet nuk di asgjë, nuk pa asgjë, nuk bëri asgjë, dhe do hetohet për gjithçka.
Tani hyn prapë çdo ditë në zyrë të tij, lexon gazetat, shikon lajmin që serveri ka ardhur nga SHBA i certifikuar që videot janë fshirë. Ky është përgjegjësi. Fillon nga e para dilema e tij, se si të sillet me Atë. Po sikur ai të dyshojë që ky do të flasë, po sikur dikush të thotë që amerikanët i kanë ristartuar videot dhe aty duket bodigardi i Berishës duke vrarë, po sikur aty të jenë regjistruar dhe urdhrat dhe komandat…., po sikur të mendojë se ky i ka dorëzuar fshehur prokurorisë kopjen e serverit që u bë atë ditë dhe Ai të mos besojë që ata ia kanë dhënë amerikanët Inës? Trembet kur e mendon dhe përpiqet të qetësohet.
Pastaj me vete vendos të shkojë në prokurori dhe të thotë nuk di asgjë. Nuk është keq kështu. Kështu s’e ngatërrojnë dot as me Doktorin. Por e kap prapë frika. Po sikur tek dera të jenë familjarët e viktimave, sikur të jenë fëmijët e tyre, sikur të jenë vëllezërit apo xhaxhallarët e atyre që janë vrarë… Ai s’ka faj. Ai s’ka bërë asgjë. Problemi është nëse ata i flasin dhe ky nuk u kthen përgjigje, Ai lart do mërzitet, do ta akuzojë se e ka shitur dhe do t’i heqë vështrimin, s’do ta thërrasë më në zyrë… dhe do ta shesë.
Nuk di ç’të bëjë. Si t’ia mbushë mendjen Atij që është gati të hyjë në burg për të, është gati të sakrifikojë familjen, punën, gjithçka, vetëm ai të mos dyshojë se po e tradhton. Por e ka të pamundur. Nuk di si ta bindë për këtë. Sa herë ia hap dikush këtë temë, ai bën sikur s’e ka dëgjuar. Të gjithë duhet ta dinë vetë se si duhet të sillen për të dalë i larë ai.
Dilemat e Gjergj Lezhjes janë dilemat e gjithë atyre që janë të dënuar të mbajnë mbi shpinë një krim që nuk e kanë bërë. Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, dy njerëzit e vetëm përgjegjës për atë që ka ndodhur, janë dhe të vetmit që prokuroria nuk po i thërret t’i pyesë: Pse kanë qëlluar mbi njerëzit, pse kanë prishur provat dhe pse nuk dorëzojnë vrasësit? Kjo mbi të gjitha do të lehtësonte dilemat e një njeriu të pafajshëm, që sillet si somnambul rrugëve të Tiranës dhe korridoreve të Kryeministrisë, nën peshën e terrorit të marrjes përsipër të një krimi që nuk e ka bërë. Dhe nuk është vetëm ai!
Zonja Kryeprokurore! Çlirojeni këtë njeri nga ky makth! Çlironi familjet e të vrarëve nga mllefi dhe urrejtja që po grumbullojnë ndaj dy njerëzve që ata i quajnë vrasës, Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën. Çojini ata para drejtësisë se ka plot burra dhe gra, edhe brenda PD-së, që dinë të bëjnë shtetin. Edhe pa poshtëruar bashkëpunëtorët e tyre! Edhe pa vrarë qytetarët e tyre! Pastaj njoftoni dhe Ambasadorin Wolfart. Kërkojeni ku të jetë në ndonjë panair birre apo ushqimi. I thoni t’u bëftë “gjak e dhjamë” dreka, se u mbyll dhe kjo punë e 21 Janarit.