Publikuar me : 05.12.2011 Ne :
Politike - 80 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Kryesocialisti Rama e ka cilësuar kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, një pikë referimi për shqiptarët, për integritetin dhe kurajën e treguar. Rama dhe Ahmeti kanë ndarë të njëjtin mendim për bashkëpunim më të thellë mes faktorëve shqiptarë në rajon në të ardhmen.
Ahmeti ka përgëzuar Ramën për arritjen e marrëveshjes mes opozitës dhe maxhorancës porsa i përket reformës zgjedhore.
Ndërsa një ditë më parë, në promovimin e librit të tij në Shkup, Rama foli për arrestimin e 4 të rinjve shqiptarë në Tetovë, ditën e 28 Nëntorit.
Duke e quajtur të patolerueshëm këtë akt, Rama është shprehur: Çdokush ka të drejtë të vizatojë harta. Mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të shkruaj kjo është republika ime, dhe çfarë të bëjnë, ta dërgojnë në Hagë dhe ta akuzojnë për krime kundër gjithë botës? Çfarë janë këta barbarë, primitivë, kjo është e patolerueshme”, citohet Rama nga TV Alsat në Maqedoni.
Arrestimi i katër të rinjve shqiptarë në Ditën e Flamurit në Tetovë erdhi gjatë vendosjes së dekorimeve të festës. Katër të rinjtë kishin vizatuar një hartë të Shqipërisë etnike.
* * *
Rama do të takohet sot edhe me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.
Në qendër të takimit do të jenë zhvillimet politike në Maqedoni dhe Shqipëri, çështjet që prekin shqiptarët, bashkëpunimi rajonal dhe ndërshqiptar si dhe çështjet rreth integrimit euroatlantik.
Rama gjatë qëndrimit në Tetovë do të bëjë promovimin e librit “Kurban” në ambientet e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Kreu socialist mbrëmë promovoi librin e tij në Qendrën teatrore për fëmijë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa dje pasdite zhvilloi një takim me kreun e partisë Lidhja Social Demokrate Maqedonase, Branko Cërvenkovski.