Publikuar me : 03.11.2011 Ne :
Kulture - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Albumi fotografik artistik apo personal i Margarita Xhepës, është motiv i fortë për të shkruar një monografi për aktoren, aktive në skenë dhe ekran prej vitit 1951. Libri që prezantoi dje Angjelina Xhara, quajtur “Margarita Xhepa, Artiste e Popullit” nuk është as studim, as monografi, as album i komentuar. Është një tiradë e ndërtuar mbi dialogë të autores me aktoren dhe mbi rrëfime, kujtime të vetë Margarita Xhepës. Ajo e ka bërë këtë libër e ngacmuar nga “unë Angjelina Xhara si adhuruese e veçantë e kësaj artisteje të madhe”.
Ditën e djeshme në Arkivin e Filmit që ishte menduar si retrospektivë mbi krijimtarinë e Xharës skenariste e dokumentarëve, u kthye në ditë për Margarita Xhepën. Me këtë rast hidhet në qarkullim ky libër.
Angjelina e adhuron artisten e saj dhe e ngjyen penën në përfytyrime të fëmijërisë së aktores në Lushnje, si në një parajsë e varfër por e bukur, me kopshtije, pemë e fruta. Vajza mbeti pa nënë nëntë vjeç. Babai e shtoi familjen me fëmijët e një nëne dytë dhe me tre fëmijë që lindën nga kjo martesë.
Në mes të fushës së Myzeqesë Margarita pa për herë të parë film në një beze të bardhë, me një kinema lëvizëse. Ishte filmi jugosllav “Sllavica” dhe heroina kishte flokë të verdhë si Margarita. Aty “vrau gjumin” vajza dhe ëndërroi të bëhej artiste.
Por çdo gjë vjen në jetën e Margaritës në rendin e detyrave shoqërore të gruas. Martesa, lindjet, rritja e fëmijëve. Çdo gjë jashtë këtyre rrathëve quhet një vlerë e shtuar dhe çdo forcë për të krijuar dhe përmbushur këto vlera, quhet sakrificë.
Angjelina Xhara e lë aktoren e saj të adhuruar të tregojë sa e ka fshikulluar mendimi “nuse pa vello”.
Martesa me Adem Guskiqin, një oficer nga Shkodra që jetonte në Tiranë u bë pa veshjen tradicionale. Për hir të këtij celebrimi babai i rriti moshën Margaritës, e cila ishte lindur në prill 1934. Martesa i ndryshoi jetën: nga varfëria në Lushnjë, në një standard mirëqenieje. Tirana, qytet i madh, me rrugë të gjera, ndërtesa të mëdha e dyqane shumë, i jepte siguri.
Ishte marrë në Lushnje me lëvizjen teatrore ku bënin pjesë Gëzim Libohova, Ilia Shyti, Kristaq Dhamo etj.. Prandaj shtyhet ta kapë fillin në Teatrin Popullor. I mat forcat në konkursin e rekrutimit të aktorëve probistë më 1950, që ajo e fitoi. Pandi Stillu e dëgjoi dhe i besoi. Paralelisht ndjek degën e dramës në Liceun Artistik. Bashkë me provat e para të roleve, vjen fëmija… dhe dy vjet më vonë i vdes i shoqi.
Por ajo beson se “burri është gëzimi i gruas. Një bashkëshort, që i rri pranë gruas së tij, duke kuptuar se çfarë është e rëndësishme për gruan që ka në krah, di ta bëjë ata të lumtur.” Gjatë punës në Estradën e Shtetit njihet me Xhavit Xhepën, martohet “pa vello” dhe sjell në jetë dy djem. Margarita është nëna e përkushtuar, i shoqi i jep mbështetje të gjerë shpirtërore. Asgjë më pak se në përralla. “Jeta ime ngjan me një përrallë të jetuar intensivisht, në çdo periudhë të saj”, i tregon aktorja intervistueses së saj.
Është nga recitueset e para në emisionin “Fjala artistike në mikrofon” të Radio Tiranës. Libri është i pajisur me foto edhe nga ky teatër pa skenë i aktorëve shqiptarë dhe gjithë bashkëkohësve të Margarita Xhepës: Mihal Popi, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi, Marie Logoreci, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Prokop Mima, Drita Pelinku, Besa Imami, Behije Çela, etj..
Ajo e quan veten “një letër e bardhë” që u shkrua nga veprat Shekspirit, Çehovit, Ibsenit. Asgjë e filmuar për të dëshmuar atë që fotot e Margaritës e përcjellin me një memecëri krenare: Filja te “Cuca e Maleve” që zbulon dashurinë nëpërmjet Palit, dashurinë që bën “me të rraftë zemra fort, me t’u marrë fryma, me t’u prejtë gjymtyrët krejt”; Ledi Milord te “Intrigë e dashuri”, pa harruar Ofelinë e Desdemonën ku portreti i saj, i rrethuar me tufën e flokëve me lule sikur të ketë dalë nga kthinat e kështjellave mesjetare, aq afron me portrete femërore
beat.
E shtyrë prej adhurimit autorja thotë se “Margarita Xhepa në teatër është si Mone, Renuar… si hyn drita në det, ashtu hyn dhe zemra e saj në shpirtin njerëzor… ku ngjizen në një të vetme, spontaniteti, bukuria vizuale, bukuria e lëvizjes, gurgullima e zërit të saj të ngrohtë…”
Për çudi, krejt në kundërshtim me përfytyrime si këto bien fotot që ka zgjedhur me aq shije Angjelina Xhara nga arkivi personal i aktores, që duket të jetë vërtet i pasur. Sepse duan ta identifikojnë portretin e saj me “figura grash dhe nënash me mbarsje të thella të psikologjisë e karakterit shqiptar”!
Sepse vetë Margarita kështu e quan kodin e figurave të saj. Nga repertori i roleve të veta i pëlqen pianistja Lola te “Koncert në vitin 1936”, i pëlqen zonja e perfektit te “Gjeneral Gramafoni”. Por më shumë i pëlqejnë rolet e figurave të thjeshta të grave e nënave te filmat “Pylli i lirisë”, “Tokë e përgjakur”, “Dora e ngrohtë”. “Aty kam vënë shumë nga jeta ime, nga Myzeqeja që më lindi, nga njerëzit e thjeshtë e të varfër, që përbëjnë pjesën më të shëndoshë të shoqërisë njerëzore.”
Librat me kujtime, autobiografitë në gjallje të autorëve po bëhen shumë të pranishme, dhe janë duke krijuar fenomenin e një komunikimi fiktiv që nuk zbulon, por mbulon mes shkruesit dhe lexuesit: Autorë-lexues – një marrëveshje e kashaisur.
Margarita për emocionet e vallëzimit të parë. 14 vjeç, fundi i shkollës 7-vjeçare”:
“Tango për mua është baras me dashuri. Të jep një kënaqësi që e mban gjatë në zemër në zemër. Kështu ndodhi edhe me mua. Ai ishte një djalë simpatik që kërcente bukur. Ai nuk bëri asgjë të tepërt me mua, por unë atë kënaqësi, atë takim të afërt nën tingujt e tangos së artë, e mbajta si një sekret të bukur të rinisë sime të hershme…”
Për aktrimin
“Rolet e mëdha në skenë duhet t’i luash me kujdes, se ka role të mëdha që të mbytin. Ka role të mëdha që e gëlltisin aktorin, ndaj duhet punë e madhe për t’i zotëruar ato.”