Maria Magdalena e romanizuar. Kazanzaqis dhe Dan Braun
Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Kulture - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Lekë Tasi
Duke lexuar një shënim në “Shekulli” për shkrimtarin Kazanzaqis dhe skandalin e shkaktuar nga libri i tij “Tundimi i Fundit i Jezu Krishtit”, mendova se do të ishte interesante për publikun e painformuar të zgjeroheshim mbi motivimin e dy autorëve për të shkruar mbi një version sensacional të
Maria Magdalenë – dashnore e Krishtit. Vërtet Kazanzaqis i pari, dhe Brauni pas tij, e kanë prekur në mënyrë blasfeme imazhin tradicional të Perëndi-Njeriut, duke tërhequr mbi vete indinjatën e Kishës dhe të besimtarëve, por qëllimi i të parit ndryshon shumë nga ai i të dytit. Ky artikull i yni vjen nga shqetësimi se mos e kaluara ateiste ka lënë tek një pjesë e opinionit idenë e gabuar se këto vepra janë shenjë e një “rinovimi” pozitiv, çmitizues që sjellka koha në mendësinë e shoqërisë përballë një Kishe historikisht në zbehje.
50 e ca vjet që ndajnë dy librat e dy shkrimtarëve kanë qenë shtrat i brumosjeve të mëdha në Europë, ndofta më të thella e shpërthyese (megjithëse jo të përgjakshme) se ato të gjysmës së parë të atij shekulli. Kazanzaqis, një rebel ndaj mjedisit dhe traditës, si temperament ekzuberant dhe artist origjinal, vuri dorë tek ajo ikonë e paprekur prej dy mijë vjetësh, jo për ta përdhosur e luftuar, po përkundrazi, për ta bërë, sipas tij, më të plotë, më ekzistenciale, duke e “shpëtuar” nga adhurimi i stereotipizuar. Dashuria për Zotin që shkrimtari grek u propozonte lexuesve ishte ajo e vetja, d.m.th e një trimi që s’heq dorë nga instinktet e veta prepotente, por njëherazi që ndien thellë sublimen e flijimit në kryq. Kështu martesa e shpikur prej tij- e Jezuit me Maria Magdalenën, një prostitutë nga e cila pak më parë ai kishte nxjerrë shtatë djaj, ishte thjesht një provokacion që i bënte opinionit besimtar “mendjengushtë”, për t’i demonstruar se edhe guximi i tij ndaj Zotit vlen, mbasi provon “për absurd” që çfarëdo largim nga misioni i nisur i Shpëtimtarit Jezu, nuk funksionon ndryshe veçse me flijim, (thënë shkurt, e pranon shenjtërinë vetëm te Krishti, por preferon lirinë për vete ndaj hipokrizisë që ai i vesh klerit (!). Kurse Dan Brauni te “Kodi i Da Vinçit” i përdhos të dyja, duke e zgjatur e përjetësuar atë “martesë”, me trashëgimtarë misteriozë në Europë, madje duke shpifur përralla për Kishën. Duhet thënë se me frymën moderne që mbizotëroi në shekullin XX, të dy autorët, kanë pasur si komponent të dytë të provës së tyre të krisur, dëshirën për skandal, dhe Kazanzaqis që guxoi i pari (i dyti veç e kopjoi), deshi të sfidojë ca edhe shoqërinë sipas tij të shtirur dhe anemike, edhe krijuesit “konformistë”, një nxitje kjo e tija, pjesërisht e ligjshme dhe autentike, pjesërisht e pavend e plateale, jo aq si ajo e të dehurve të frymëzuar që flakin në dysheme të kafenesë gotat bosh, por aty afër. Kurse rioshi amerikan kishte plus fitimin që do nxirrte nga hafifët e botës, dhe minus talentin. I tërë arti modern i ka mjaft të zhvilluara këto tipare provokuese: kërkimi i origjinalitetit në ekstrem, bujën, befasinë mbi të gjitha! (Ndofta kultura kristiane i pranon si një kazan ku ziejnë gjithfarë barërash, për të dalë një ekstrakt i zier tri herë, i vërtetë!) Megjithëse ky art ka patur realizime mbresëlënëse, dhe megjithëse eksperimentimi ishte një pistë që do ta përshkonte patjetër gjenia artistike e atij shekulli thellësisht ndryshues, prapë ka prodhuar e dhe mjaft byk. Vjen ky ndofta nga boshllëku progresiv brenda një hovi shkencor që zbuloi abise në shpirtin njerëzor, por që mehu përherë e më shumë tek ai karizmën e besimit. Kësisoj suksesi i tij as që i afrohet artit të devotshëm të shekujve 17-18, me krijues të thjeshtë, të gëzuar, që duronin pa fort vuajtje edhe autoritetin e Princit – e – Kishës, edhe varfërinë, edhe famën e kufizuar, ngaqë drita e ngrohtë e asaj paqeje me mbretër artdashës që i nderonin, folklorin fëminor përreth që i frymëzonte, dhe me Zotin e Dashurisë që i ngazëllente deri në lot, çdo gjë u shndërrohej te gishtat në harmonira qiellore (mjaft të përmendim pesëshen Bach, Haendel, Haydn, Mozart, Beethoven, me respektivisht Pasionet, Mesian, Krijimin, Requiemin dhe Missa Solemnis, një bllok mrekullish që do habisë në kohëra breza pas brezash se si është e mundur që dolën në dritë). Sot, si provë se ç’dëshiron thellë-thellë njeriu i të gjitha epokave, të rinjtë janë kthyer tek muzika e lehtë, sepse ajo ka marrë rolin e të prekurit në ndjenjë, (jo ajo e zhurmshmja, jo e tëra ajo, as eksperimentet e profesionistëve post-dodekafonistë me dhjetë vetë në sallë); kurse kur rriten, ata mbushin platetë, sheshet për muzikën që thamë, të dy-tre shekujve më parë, të papërsëritshme në bukuri!
Kalova nga letërsia në muzikë, sepse dihet, muzika është prodhuesi më direkt i gëzimit dhe euforinë në botë. Kurse letërsia, teatri, duke i shtuar skenës idetë, botëkuptimet në zhvillim e sipër, zbehin dimensionin e përjetshëm gazmor të paspunës dhe theksojnë probleme që mund të kënaqin mendjen por shpesh trishtojnë shpirtin.
Lirishmëria e të trajtuarit pa delikatesë të gjërave të shenjta, megjithëse zanafillën e dukshme e ka tek Iluminizmi dhe fryma desakralizuese revolucionare e moderne, atë të fshehtën e gjejmë tek shekujt e parë të Krishterimit, kur i dyti brez i dishepujve, brenda mahnitjes së asaj
prezence të posalarguar, u orvat ta kodifikonte atë. E kishin vështirë: Para një Perëndie që përcaktohej si Dashuri, dhe ata vetë të mbushur me dashuri për hir të një induksioni unik, s’ mund t’ua nxinte mendja që fajtorët të dënoheshin përjetësisht. Morën lirinë të bënin arsyetimin: Përderisa fajtorët lindin të tillë – thanë, a nuk duhet që mëshira e Perëndisë në fund të fundit t’i falë? Bile edhe më mëkatarët, kur dihet që i pari i tyre u bë shkak që Zoti të kryqëzohej, pra shkak edhe i Shpëtimit?! Këtu filloi liberalizmi.. (Origjeni, gjeniu Aleksandrin I shekullit të II – që me atë omega në emrin e tij të sugjeron për të vërteta definitive – hodhi hapin e parë. E bëri nga dashuria e tij e madhe – ai kishte evituar veten për hir të Zotit). Etërit e Kishës (shek IV) nuk e pranuan këtë pozicion, si përzierje në kompetencat e Zotit, dhe absolutisht jo pedagogjik. Në fakt, Kisha duhet të krahasohet me një prind, me një edukator ose me një ushtarak të rangut, që i administrojnë normat me rigorozitet objektiv dhe me përulësi subjektive. Përgjegjësinë ajo e ndien si detyrë të parë, le tu duket e thatë liberalëve që s’e vrasin fort; ajo nuk mund të luajë me fëmijët ose me vartësit posi një artist me krijesat e tij. Për shembull, a mund t’i thotë
qysh në fillim prindi djalit zevzek “bëre shumë prapsira, meriton dënim, por më vjen keq, do të ta fal”? Ose mësuesi nxënësit, “nuk dole mirë në provim, por do tu them në komision të të kalojnë se aq e ke kapacitetin”. Ose komandanti ushtarit, “I le zbuluar shokët në atë zjarr, por ç’të bëjmë, s’janë të gjithë të fortë, shko”? Ku do të shkonte drama e luftës me veten, që e kalit me anë të mundimeve dhe gabim-pendesës, që e burrnon me një vetëkritikë të vazhdueshme dhe e bën vërtet të meritueshëm për falje? Më tutje s’mund të hetojmë, pse lindin disa gjak ëmbël e disa të egër (“A mund t’i kërkojë llogari poçja poçarit? thotë Apostulli) Në këtë mënyrë duhet të konsiderohet edhe qëndrimi i Kishës kundrejt këtyre blasfemive që – edhe në paçin qenë dashamirës autorët kur i propozonin, vetëm për faktin që ia nënshtruan të shenjtën logjikës artistike, ata gabuan. (Shumë më e pjekur nisma e Goethes tek Fausti – një vepër që megjithëse jo ortodokse, e përligj me një farë elegance progresin dhe prapësitë e tij, por duke e harmonizuar me devocionin e duke ia dhënë përparësinë dhe fjalën e fundit atij.) 50 vitet e dyta të shek. XX dhe vazhdimi, shënojnë avancimin e arrogancës. Ajo që ishte nisur si liri nga nevojat (industrializimi) përfundoi në si një licencë që njeriu s’e mban dot dhe i dorëzohet. “Pse të mos plotësohen edhe mundësitë më ambicioze që ofron ekzistenca?” Ngjan një maksimë e përligjur nga privilegji që ka njeriu në natyrë. Por ky eksplorim u nis në një klimë “humaniste” vetëbesimi që solli ngritjen e traut moral. Zbehja e normave sjell direkt dorëzimin para rrethanave, pa luftë. Është një fenomen në rritje. Po të krahasojmë b. f. nihilizmin e Niçes me atë të Sartrit një shekull më vonë, ndryshimi është i madh, jo vetëm si refleks i personaliteteve, por edhe i epokës – heroik i pari, i zbehtë e pa fort koherencë i dyti. Të dëshpëruar të tjerë ka pasur plot në të kaluarën, Leopardi, Lautreamont, Rembo e shumë nga poetët francezë, pastaj Strindbergu, Çajkovski etj., por për shkak të rritjes tyre në mjedis fetar, kanë pasur një mundim të brendshëm, një spiritualitet; ndërsa sa më shumë shkon koha, problemet, krizat, përzihen, shkrihen me kënaqësitë, kultura e liberalitetit absolut i paqton ato në dobi të një thërrmimi, sheshimi të karaktereve e personaliteteve, duke i kthyer aktivët e djeshëm në ishuj individualizmi, pa valenca ndikimi përtej lëkurës së vet…