Publikuar me : 16.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Alban Sejdini
Të jesh injorant në Shqipërinë e sotme është aftësia më e kërkuar në tregun shtetëror të punës, por edhe virtyti më karakteristik që kanë rëndom shumica e elitës politike, ekonomike, sociale, kulturore e sportive. Të kesh një klasë drejtuese injorante është përjashtim nga rregulli në shoqëritë perëndimore, por këto po e kuptojnë gabimin tani që janë në recesion përballë një Shqipërie në zhvillim të gjithanshëm. Për këtë duhet të jemi krenarë, që në të gjitha fushat e jetës kemi përfaqësues të përzgjedhur kastile për injorancën e tyre ulëritëse. Vetëm falë shërbimeve të tyre publike kemi drita e ujë 24 orë, asfalt Kombi, qyteti e fshati, salmon të tymosur e havjar me bollëk në tavolinat tona dhe miliona euro në depozitat tona bankare. Mirë t’u bëhet vendeve të zhvilluara, që i japin përparësi njeriut të shkolluar e të përkushtuar ndaj punës. Të ndjekin shembullin tonë, që të përjetojnë edhe ato një bum si ne.
Mjafton një vështrim ndaj klasës politike shqiptare, për të kuptuar se sa të zotë janë drejtuesit e pozitës dhe opozitës. Edhe gjilpëra në kashtë gjendet më lehtë se gjithë ata deputetë, që me injorancën e tyre mbushin shumicën e një salle parlamenti me vendosje rrethore të mbetur në tentativë. Këta na kënaqin përditë me shfaqjet, sharjet, shpifjet e mashtrimet, pra me kontributin e tyre të prekshëm në të mirë të legjislativit shqiptar. Lum si ne, që kemi një Komision Ligjesh, që midis kandidaturave të Presidentit për Gjykatën e Lartë përzgjedh të ndershmin me shkollë demokracie, që pranon me sinqeritet se nuk ka dhënë ndonjë kontribut në jurisprudencë ndër vite dhe hedh poshtë hileqarin me shkollë komuniste, që ka mbushur CV-në me pozicione të rëndësishme e publikime ligjore. Sa mirë ne, që kemi një Komision Ekonomie plot me ekspertë, të cilët miratojnë për në Bankën e Shqipërisë kandidatura, që djersiten po t’u përmendësh hotel “Dajtin” dhe më pas pështyjnë në pjatën ku kanë ngrënë, apo hanë në pjatën ku kanë pështyrë më parë.
Sa qejf ne, që kemi edhe partiçkat e vogla e të mesme, të cilat mbajnë balancën e pushtetit duke kërkuar të japin kontributin e tyre, sidomos tek privatizimet, lejet e hidrokarbureve e minierave, skrapi, patentat, mjedisi, historia e punët e jashtme të vendit. Lëre pastaj, që përveç godinave e sallave të rikonstruktuara me çdo zëvendësim drejtuesi, vizioni largpamës i politikanëve tanë mund të na bëjë neve të popullit me një parlament të ri, të madh, të bukur e modern për ata të politikës. Le të përmbytet Shkodra sa herë të dojë, pasi tani të përmbyturit mund të strehohen në mjediset moderne të parashikuara, për ta maksimizuar kontributin në injorancë të shumicës së deputetëve. Se si janë futur në këtë parlament ca deputetë pa kualifikimin e duhur injorancor, kjo nuk merret vesh, por me siguri që kanë dhënë ndonjë lek.
Megjithatë, tërë kjo klasë politike nuk do të sillte dot kaq shumë zhvillim në vend, po të mos ishte e mbështetur nga një administratë shtetërore e mbushur me funksionarë të përzgjedhur për klasin më të lartë injorancor. Duhet të ndihemi krenarë, kur ekspertët e ministrive tona shkojnë në Greqi për të negociuar për kufirin detar shqiptar dhe pastaj marrin shpërblimin e merituar, duke u dërguar në misionet tona diplomatike në OKB apo NATO. Ka lezet, kur lexon shkresat zyrtare të përpiluara nga stafi i çdo institucioni shtetëror, sepse përdoret me fanatizëm e njëjta gjuhë shqipe në të shkruar me atë që rrezik flitej në kohën e Skënderbeut. Qershia mbi tortë janë shkronjat “ë”, që herë mungojnë e herë janë me tepricë, përdorimi i shkronjës “ç” tek fjala “buçësi”, si dhe i shkronjës “gj” tek fjala “bugjet”. Gabimet drejtshkrimore i falen, se administrata ka shumë punë dhe i bën nga dëshira për të qenë sa më të shpejtë në shërbimet ndaj publikut dhe autoriteteve. Sa qejf është, kur të bie të kesh të bësh me një administratë kaq të përgatitur në injorancë, sepse përgjigjet menjëherë në telefon, e-mail dhe sidomos nuk të sorollat nëpër zyra. Është mëkat të mos i japësh ndonjë 500-lekësh herë pas here, sepse lodhen shumë dhe rrogat e tyre janë më të larta vetëm se disa prej vendeve të BE-së. Shumë prej punonjësve të shtetit me institucione në Tiranë kanë edhe qira për të paguar, sepse ngaqë nuk ka kualifikim të mjaftueshëm midis punonjësve me banim të përhershëm në kryeqytet, i kanë thirrur me urgjencë specialistët nga rrethet që prodhojnë specialistë me tepricë. E pra, mos i kurseni lekët dhe eurot për të ndihmuar këta funksionarë kaq të përkushtuar.
Edhe në kulturë e sport jemi me fat, që kemi shumë injorantë të përkushtuar ndaj punës së tyre. Këngëtarët e brezave të rinj as që mund të krahasohen me këngëtarët e formuar gjatë periudhës komuniste, sepse janë më të mirë në vokal, spërdredhje e videoklipe, pasi kanë si model këngëtaret bullgare, rreperët me ngjyrë amerikanë apo thjesht Ledi Gaganë. Dikur këngëtarët kalonin njëqind komisione vlerësimi para se të konkurronin për të kënduar një këngë, sepse shteti komunist donte t’u merrte shpirtin. Ka lezet sot, kur një vajzë e re fle si thjesht sexy ose aty afër dhe zgjohet si këngëtare ose aty afër. Procedura e licencimit të këngëtarëve është më e shpejtë e praktike sot, njëlloj si ajo për prodhimin e sportistëve. Dikur ata duhej ta fitonin me djersë vendin në skuadër, ndërsa sot e fitojnë me lek ose me mik, sepse u duhet të bëjnë ndonjë lek duke shitur ndeshje te kundërshtari ose për baste.
Kudo kemi injorantë, që po e ndritin brenda e jashtë. Lum si ne, kur shikojmë injorantët e këtij shteti në timonin e makinave më të shtrenjta, veshur me rrobat më firmato, duke ngrënë në restorantet më të mira e duke banuar në rezidencat më luksoze të kryeqytetit. Këta, që janë sot në krye të vendit, janë me shumë fat, sepse e kanë injorancën ose të lindur, ose të mësuar dhe më pas të favorizuar. Meqë të jesh injorant sot rezulton të ketë më shumë përfitime se të mos jesh injorant, gjithkush me mangësi në injorancë duhet t’i fusë një Master për Injorancë, në mënyrë që të marrë kualifikimin e nevojshëm për të synuar lart. Fatkeqësisht, kjo pjesë e popullsisë duhet të presë, deri sa ndonjë universitet privat shqiptar të nisë regjistrimet në këtë degë, sepse as këtu në Amerikë nuk ka.