Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Kronike - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto Ilustruese
Një 49-vjeçar ka gjetur vdekjen në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Madhesh të komunës Ulëz të Matit, gjë për të cilën policia konfirmon vetëvrasjen. Burimet policore saktësuan se Mëhill Gjeci gjeti vdekjen nga një e shtënë arme, me një fishek të goditur në anën e majtë të zemrës, ngjarje kjo e ndodhur rreth orës 7.30 të mëngjesit.
Bëhet e ditur se 49-vjeçari punonte tek hidrocentrali mbi lumin Mat, ndërsa sapo ishte kthyer nga turni i tretë i punës. Prindërit thanë se fillimisht nuk kanë vënë re ndonjë të veçantë tek djali i tyre, ndërsa ishte kthyer si zakonisht nga puna. Në momentin që ka përshëndetur babain e moshuar, Mëhilli është futur brenda dhe ka marrë armën, ndërsa i ati pasi ka larë duart në kroin në qoshe të oborrit, është futur në shtëpi dhe po bënte kafenë, ka dëgjuar një të shtënë të vetme arme. Sa ka dalë në oborr ka vënë re djalin e tij 49-vjeçar që përpëlitej në grahmat e fundit të jetës. Aty afër ka vënë re dhe armën me të cilën kishte qëlluar veten në anën e majtë të zemrës, duke u vetëgoditur me një plumb.
Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka bërë ekspertizën dhe sipas hetimeve të para ka konkluduar se ishte vetëvrasje.
E ëma, Dava, e pyetur për këtë ngjarje të rëndë, tha se ne nuk i kemi pasë borxh ndokujt, ndaj nuk ishte me dyshimin se dikush mund të kishte qëlluar, por ata kanë kërkuar nga policia që ta hetojnë vdekjen e të birit në çdo detaj për të nxjerrë të vërtetën.
Mëhill Gjeci ishte prind i dy fëmijëve, djalë e vajzë, 14 dhe 12 vjeç, dhe jetonte me prindërit në fshatin Madhesh, një fshat që vjen shpatit të thiktë të liqenit të Shkopetit në komunën Ulzë. /
Gj.Marku