Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Politike - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Propozimi i Partisë Socialiste për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për disa produkte baze ushqimore si dhe përgjysmimin e saj për një pjesë tjetër shkaktoi debate të forta dje në Komisionin e Ekonomisë, të cilat degjeneruan edhe në fyerje. Grupi Parlamentar i PS-së ka dërguar disa javë më parë në Kuvend një nismë ligjore për heqjen e TVSH-së për qumështin, bukën, miellin , vezën dhe ilaçet, si dhe përgjysmimin e saj për orizin, sheqerin dhe vajin. PS gjithashtu shpalosi dje edhe kërkesën për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike nga 20 në 6 për qind.
Në fjalën e saj, nënkryetarja e Komisionit, Mimi Kodheli deklaroi se PS e ndërmerr këtë nismë për t’i ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, xhepat e të cilëve janë renduar për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve. Kodheli gjithashtu deklaroi se ulja e taksave do t’i vinte në ndihmë një pjesë të mirë të familjeve shqiptare për shkak se studimet tregojnë se gjysma e shpenzimeve familjare përbëhen nga ato për blerjen e ushqimeve. “Propozimi ynë për heqjen e TVSH-së për grurin, miellin, bukën, vezët, qumështin është një propozim që buron nga rëndesa që ka sot në buxhetin familjar pagesa e këtyre produkteve. Është e bazuar në faktin që ushqimet bazë të shportës konsumatore, përbëjnë më shumë se gjysmën e buxhetit të familjeve me të ardhura të pakta apo mesatare”, – tha Kodheli.
Propozimit të Kodhelit iu përgjigj zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili deklaroi se miratimi i një nisme të tillë do të kishte kosto të lartë për buxhetin e shtetit, por që është edhe më kryesorja, ajo nuk do të arrinte qëllimin, uljen e çmimeve për konsumatorët fundorë. Sipas tij, përshkallëzimi i TVSH-së do të rriste mundësitë për evazion fiskal duke favorizuar vetëm tregtarët dhe jo konsumatorët. “Kjo iniciativë nuk do të kishte asnjë ndikim në uljen e çmimeve të produkteve te të cilat projekti synon t’i bëjë zero apo 10 për qind, apo 6 për qind. Benefiti do të shkonte për importuesit e këtyre produkteve dhe do të dëmtonte rëndë edhe operatorët vendas”, – tha Rushaj.
Kësaj deklarate iu përgjigj deputeti Erjon Braçe duke shpjeguar se një qeveri që pranon se mund të ketë evazion fiskal dhe abuzime nga një nismë e tillë do të thotë që nuk ka kontroll mbi tregjet. Kodheli ndërkohë vijoi me shpjegimin e saj duke theksuar se ulja e taksave do të stimulonte konsumin në treg, kjo do të rriste fitimin e bizneseve, të cilët më pas do të investonin në zgjerim kapacitetesh dhe vende të reja pune.
Debati u nxeh më tej kur pjesë e diskutimit u bënë Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho dhe deputeti Flamur Noka, të cilët akuzuan socialistët se kërkonin uljen e TVSH-së për ushqimet për të favorizuar grupe interesi pranë partisë së tyre. Braçe iu përgjigj Spahos duke thenë se ata tregtarë, për të cilën po fliste ai, gjendeshin çdo të shtunë në tribunën e stadiumit të Korçës për shkak se janë sponsorë të skuadrës së “Skënderbeut”. Ai shtoi se ishte pikërisht qeveria që favorizonte monopolet në tregun e ushqimeve.
Pse nuk e prek qeveria TVSH-në
Përshkallëzimi i TVSH-së për disa mallra do të rriste koston e administrimit nga ana e organeve tatimore, të cilës do t’iu duheshin më shumë fonde për të kontrolluar tregun. Arsye tjetër sipas qeverisë, e cila bën të mos pranojë propozimin e PS-së, është mbrojtja e prodhimit vendas, pasi një veprim i tillë do të bënte që importet të ishin me kosto më të ulët. Qeveria deklaron gjithashtu se nga kjo nismë nuk do të përfitonin konsumatorët nëpërmjet uljes së çmimeve, por tregtarët. Në fakt, një ndër arsyet kryesore e ngurrimit për uljen e TVSH-së, është pikërisht ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. TVSH-ja përbën pjesën kryesore të të ardhurave në buxhet, rreth 35 për qind të tyre. Ekzekutivi ka parashikuar rreth 344 miliardë lekë të ardhura për këtë vit, nga të cilat 120 miliardë lekë do të mblidhen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Për këtë arsye, një prekje e saj do të konsiderohej sakrificë nga çdo qeveri që do të ishte në pushtet, për shkak se është një e ardhur e garantuar që vilet që në doganë, në rastin e importeve. Aq më tepër për Shqipërinë që pjesën më të madhe të mallrave të konsumit, i importon.
Kadelli-Skuqi, fyerje të ndërsjellta në Komision
Debati i zjarrtë në Komision shënoi edhe një konflikt verbal midis deputetëve. Deputetët Gjovalin Kadelli i Partisë Socialiste dhe Luan Skuqi i Partisë Demokratike shkëmbyen fyerje të ndësjellta midis njeri-tjetrit, aq sa është dashur ndërhyrja e kolegëve për të qetësuar situatën, e cila rrezikonte të kthehej edhe në një konflikt fizik. Debati midis tyre nisi kur deputetët e majtë ishin duke diskutuar mbi propozimin për ndryshimin e TVSH-së për ushqimet, ndërkohë herë pas here kishte ndërhyrje të ndërsjellta në mes të fjalës. E tillë ishte edhe ndërhyrja e deputetit Skuqi, i cili hasi në kundërshtimin e Kadellit. Shkëmbimi i fjalëve vijoi edhe më tej duke kaluar edhe në fyerje të rënda personale. Në këtë moment ndërhynë deputetët Flamuar Noka dhe Ervin Koçi duke shmangur kështu zgjerimin e konfliktit.