Publikuar me : 23.12.2011 Ne :
Politike - 23 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Maxhorancës i mjaftoi dje një shumicë minimale prej 71 votash për të rrëzuar propozimin e socialistëve për disa ndryshime në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar duke ulur taksën për ushqimet bazë dhe ulaçet. Diskutimi i kësaj çështje shkaktoi debate të ashpra mes deputetëve të majtë dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili mbrojti edhe qëndrimin e maxhorancës për rrëzimin e tij. Votimi kundër në seancën plenare vjen fill pas rrëzimit të kërkesës në Komisionin e Ekonomisë pak ditë më parë. Nisma ligjore e PS-së kishte të bënte me heqjen e TVSH-së për qumështin, bukën, miellin, vezën dhe ilaçet, si dhe përgjysmimin e saj për orizin, sheqerin dhe vajin. Pjesë e kërkesës ishte edhe ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për energjinë elektrike nga 20 në 6 për qind.
Debati më ashpër ishte ai midis deputetit Erjon Braçe dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, pasi ky i fundit e cilësoi kërkesën e PS-së kopje të programit të Partisë Demokratike në vitin 2005. “Ju dhe kryetari juaj keni një mani, e cila po manifestohet në mënyrë permanente, që është të kopjojmë Sali Berishën kur ka qenë në opozitë për gjithçka, edhe në program. A kemi thënë në 2004 Berisha që ne do të ulim TVSH dhe ju e keni kundërshtuar atëherë, keni thënë që nuk bën, nuk vlen. ndërsa tani po e thoni jua atë. Nuk po kopjoni vetëm tek TVSH-ja, por në gjithçka. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën. Na mjafton vetëm një Berishë”,- tha Bode.
Menjëherë u përgjigj Braçe, duke thënë se vërtetë PD propozoi heqjen e TVSH-së në atë kohë duke marrë edhe votat e qytetarëve, por nuk e ndërmori asnjëherë këtë nismë. “Thuaji shqiptareve që ju i gënjyet, që qeveria juaj i gënjeu, në 2005 i propozuat të njëjtën gjë që po sulmoni sot. Ju e keni hedhur barrën fiskale tek njerëzit që blejnë miell e sheqer dhe ia keni liruar atyre që hanë peshk. Keni ngarkuar çdo njeri që jeton me djersën e ballit, keni rritur të gjitha taksat indirekte. Barra e taksave po bie mbi kurrizin e atyre që konsumojnë”, – tha ai.
Bode ndërkohë deklaroi se PD e ka pasur uljen e TVSH-së pjesë të programit të saj, por jo në shifrat që kërkon t’a ule Partia Socialiste. “Nuk kemi mohuar kurrë që kemi pasur në 2005-n një program për uljen e TVSH-së por jo me ato shifra të ulëta që thoni ju, ne premtuam uljen e TVSH-së në masën 70 perqind, por vendosëm taksën e sheshtë si masa më e mirë për të mbështetur rritjen ekonomike”, – iu përgjigj Bode. Braçe ndërkohë, deklaroi se ulja e taksave që deklaron qeveria është bërë vetëm për bizneset që sipas tij ndodhen pranë qeverisë. “Keni thënë që jeni partia e taksave të ulëta, vetëm Tatimin mbi Fitimin keni ulur duke iu bërë nder kompanive që janë rreth jush. Berisha dhe ministri i Financave nuk e dinë sa janë çmimet, nuk kanë zbritur poshtë pallatit ndonjëherë”, – tha Braçe.
Shtyhet përdorimi i Bonove të Privatizimit
Ata persona që kanë ende bono privatizimi do të mund t’i përdorin edhe gjatë dy viteve të ardhshme. Kuvendi miratoi dje me 71 vota pro dhe 61 abstenime shtyrjen e afatit të përdorimit të Bonove të Privatizimit. Votat abstenim ishin nga deputetët e majtë. Ministria e Financave e argumentoi vendimin me kërkesën e qytetarëve për shtyrjen e afatit të tyre për shkak të përdorimit të gjerë në fushën e legalizimeve. Letrat me vlerë u përfshinë gjerësisht nga qeveria në procesin e legalizimeve një formë pagesë për të gjithë ata që do të legalizonin pronën e tyre. Pas miratimit të ligjit rreth 2 vite e gjysmë më parë, çmimi i bonove njohu një rritje të ndjeshme në treg.
Miratohet garancia ndaj KESH-it
Maxhoranca lejoi dje KESH-in që të marrë borxh nga bankat tregtare me qëllim blerjen e energjisë elektrike duke miratuar një garanci prej 4.5 miliardë lekësh. Në këtë mënyrë, shteti shqiptar bëhet garant për shlyerjen e borxhit ndaj bankave nëse korporata nuk ka mundësi financiare. Dhënia e garancisë ndaj KESH-it për të marrë borxh bëhet pas kërkesës së këtij të fundit disa javë më parë për financime nga qeveria pas sasisë së madhe të energjisë së importuar gjatë fillimit të këtij muaji në tregun rajonal.
Pjesë nga diskutimet
Ridvan Bode: Ju dhe kryetari juaj keni një mani, e cila po manifestohet në mënyrë permanente, që është të kopjojmë Sali Berishën kur ka qenë në opozitë për gjithçka, edhe në program. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën
Erjon Braçe: Ju e keni hedhur barrën fiskale tek njerëzit që blejnë miell e sheqer dhe ia keni liruar atyre që hanë peshk. Keni ngarkuar çdo njeri që jeton me djersën e ballit, keni rritur të gjitha taksat indirekte. Barra e taksave po bie mbi kurrizin e atyre që konsumojnë. Thuaji shqiptareve që ju i gënjyet, që qeveria juaj i gënjeu, në 2005 i propozuat të njëjtën gjë që po sulmoni sot
Ridvan Bode: Nuk kemi mohuar kurrë që kemi pasur në 2005-n një program për uljen e TVSH-së por jo me ato shifra të ulëta që thoni ju, ne premtuam uljen e TVSH-së në masën 70 perqind, por vendosëm taksën e sheshtë si masa më e mirë për të mbështetur rritjen ekonomike. Ju i riktheheni edhe njëherë skemave të vjetra ktheni mbrapsht “palltot e grisura” të taksave proporcionale dhe të uljes së taksave te TVSH.
Erjon Braçe: Keni thënë që jeni partia e taksave të ulëta, vetëm Tatimin mbi Fitimin keni ulur duke iu bërë nder kompanive që janë rreth jush. Berisha dhe ministri i Financave nuk e dinë sa janë çmimet, nuk kanë zbritur poshtë pallatit ndonjëherë