Publikuar me : 12.10.2011 Ne :
Politike - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit të ri Bashkiak, e cila ka nisur mes debatesh të shumta mes palëve politike. Kreu i Këshillit, Njazi Kosovrasti i njohu këshilltarët me projektvendimin që pritet të diskutohet.
Mes diskutimeve të shumta këshilltari i PS-së, Aldrin Dalipi në fjalën e tij theksoi se njoftimi për mbajtjen e mbledhjes dhe rendin e ditës është në kundërshtim me rregulloren dhe ligjin, pasi njoftimi për mbajtjen duhet të ishte bërë 5 ditë përpara.
Sipas Dalipit këshilltarët e PS-së kanë dërguar një kërkesë për një mbledhje jashtë radhe në shtator, dhe nuk është pranuar, duke shkelur ligjin dhe rregulloren. Por nga ana tjetër për kreun e Këshillit bashkiak Kosovrasti, kërkesa nuk ka qenë e mbështetur në rregullore dhe ligj, ndaj dhe është refuzuar.
“Po shkelni ligjin rregulloren. Po votojnë këshilltarë që nuk kanë marrë mandatin. Këta nuk mund të votojnë. Por s’keni faj jeni mësuar në KQZ”- i tha Dalipi duke iu drejtuar Kosovrastit. Në replikë Kosovrasti tha se “votat e këtyre këshilltarëve nuk u numëruan”.
Pas debatit, mbledhja u ndërpre për disa minuta, dhe më pas nisi sërish me debate, rreth orës 17: 50 minuta. Pas disa minutash, këshilltarët socialistë u larguan nga mbledhja.
Projekt vendimet janë:
1- Dhënia e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, për Kryeministrin e Kuvajtit dhe aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku.
2- Kalimi i futboll-Klub “Tiranës” në një shoqëri aksionere, siç e kërkon dhe vendimi i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit.
3- Struktura e re e bashkisë, që konsiston në krijimin e pesë drejtorive të përgjithshme dhe gjashtë drejtorive të tjera dhe ngritjen e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Në strukturën e re të bashkisë pritet të funksionojë për herë të parë Drejtoria e Turizmit, një Drejtori për investimet e huaja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike.
4- Eleminimi apo ulja e 60 taksave apo tarifave bashkiake
5- Pr/vendimi për hapjen e tenderit teknik për një segment të rëndësishëm të unazës së madhe, nga ‘Shkolla Teknologjike’ deri tek qendra ‘Kristal’.
Këshilli bashkiak përbëhet nga 55 anëtarë, 28 prej të cilëve i përkasin koalicionit të djathtë dhe 27 koalicionit të majtë.