Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 68 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Gëzim Tushi
Të moshuarit tek ne sot zënë 8-9 perqind të popullsisë. Nesër akoma më shumë do të rritet pasha demografike dhe sociale e tyre. Padyshim moshimi është periudhë delikate e jetës. Sepse është periudha kur pakësohen të ardhurat, rriten shqetësimet sociale dhe shtohen turbulencat e natyrshme shëndetësore. Pleqëria për këdo është periudhë e vështirë në pikëpamje të mundësive dhe aftësive. Sëmundjet, mungesa e të ardhurave ose vështirësitë për t’i siguruar ato, janë me shumë peshë në jetën e tyre. Por në shumë raste edhe ata që kanë të ardhura, nuk i kanë të gjitha mundësitë në procesin personal për “..shndërrimin e të ardhurave në aftësi dhe për të jetuar mirë”. (Amatya Sen, “Zhvillimi si liri”, f 155) Tendenca e rritjes së peshës demografike, fillimi i procesit të plakjes edhe të popullsisë shqiptare është sinjal social me peshë, që kërkon kujdes kompakt dhe të integruar nga të gjithë strukturat e jetës sociale, familjare dhe shtetërore. Por së pari dhe mbi të gjitha nga vetë të moshuarit, për t’u kujdesur më shumë për veten e tyre, për të “ndihmuar veten” dhe për garantuar kushtet e duhura për një jetë sa më dinjitoze në pleqëri. Që është një punë e menduar, e planifikuar që zgjidhet para se të vijë pleqëria me problemet e saj, e cila kur të gjen të papërgatitur, doemos që është individualisht e papërballueshme dhe njëherësh edhe me kosto shtesë për familjen dhe shoqërinë.
Por kjo nga ana tjetër nuk e largon përgjegjësinë e faktorëve të tjerë organikë, biologjikë, socialë dhe komplementarë, për të marrë masa sociale për të ndihmuar këtë kategori, që për shumë arsye në një moment të caktuar bëhet shtresë në nevojë që kërkon ndihmë dhe mbështetje sociale. Ne duhet t’i mësojmë njerëzit që të mendojnë ndryshe. Kjo do të thotë që të përgatiten ndryshe për të përballuar me dinjitet dhe në mënyrë humane sfidat e pashmangshme të moshimit. Rruga universale e përgatitjes për të qënë i gatshëm të “ndihmosh veten” në pleqëri është rruga e duhur, dinjitoze, sovrane e kënaqshme. Nuk është koha e duhur e idesë sempliste që akoma “jargavitet” nëpër shoqërinë tonë, sipas të cilës problemet e të moshuarve duhet të zgjidhen dhe të përballohen vetëm në rrugë sociale dhe me trajtime pasive institucionale të shtetit.
Kjo ide është utopike, jo realiste, e pavërtetë sepse është më shumë ide e vjetër, mbeturinë e kapërxyer e shtetit social që e merrte njeriun prej dore që nga “djepi deri në varr”. Sot kohët janë ndryshe. Këtë duhet ta kuptojnë njerëzit para se të plaken dhe të përballen me sfidat serioze individuale dhe shqetësimet e personalizuara të moshimit. Zgjidhjet institucionale të problemeve të të moshuarve janë zgjidhje e keqe, por natyrsiht e domosdoshme vetëm për njerëzit me situata të vecanta moshimi. Sepse politikat sociale sado bujare të jenë, nuk mund të zëvendësojnë kujdesin organik të familjes biologjike që është kushti i parë ekzistencial që njeriu të plaket me dinjitet dhe po me dinjitet të largohet nga kjo jetë. Sipas mendimit tim me rëndësi prioritare për shoqërinë tonë është kuptimi i detyrimit social të mbajtjes së lidhjeve humane dhe përgjegjësisë prindërore. Kjo është një nga gjërat më delikate të kohës së sotme. E cila është bërë shumë e vështirë për të bërë zgjidhje optimale të raportit të kujdesit midis prindërve të moshuar dhe fëmijëve të tyre. Këtë dialektikë humane dhe mekanizmin e duhur të lidhjes midis tyre e trajtojnë filozofët e Shkollës së Frankfurtit, Adorno dhe Horkheimer, të cilët kanë thënë se në këto raporte krijohet shqetësimi që shfaqet në “Lidhjet e fundit vijnë prej frikës që kanë prindërit, se mos braktisen në pleqëri, dhe interesi që ata tregojnë për ne gatë fëmijërisë tonë, duhet të shpërblehet me të njëjtën vëmendje në vitet e moshës së tyre të thyer”. (T Adorno, M.Horkehimer, “Dialektika e natyrës”, f 191)
Familja, organizimet e tjera intime të jetës sociale, forcimi i lidhjeve të gjakut, të miqësisë, fqinjësisë, humanizmit, solidaritetit social janë masat prioritare që nuk janë aq shumë në dorë të shtetit, por janë kusht ekzistencial për të ndërtuar një shoqëri humane që të jetë më e mirë edhe për të rinjtë por dhe për të moshuarit. Që të përballojmë kompleksitetin dhe sasinë në rritje të problemeve sociale që kanë të moshuarit sot dhe që akoma më shumë, më të shtuara dhe me natyrë më komplekse do t’i kenë nesër, shoqëria jonë ka më shumë nevojë jo aq për të ndërtuar dhe shtuar pa fund institucione specifike të kujdesit social për të moshuarit, por për të angazhuar shoqërinë në betejën për të ngritur më shumë “kapital social”, që duhet të krijohet në komunitetet tona.
Kjo do të thotë që për të gjetur zgjidhjet e duhura adekuate me kohën dhe problematikat e të moshuarve, së pari duhen vlerësuar me objektivitet ndryshimet sociale, demografike, ekonomike, familjare dhe institucionale që ka pësuar shoqëria shqiptare. Duke vlerësuar të gjithë faktorët që e bëjnë moshën e tretë që të jetë vulnerabël dhe e pafavorizuar, duke parë kurbën e dobësimit të disa organizimeve të jetës sociale, zbehjen e humanizmit dhe solidaritetit moshor, zgjerimin e dukshëm të tipareve të “reja” të sjelljes sociale, që praktikisht janë jo tradicionale dhe në kundërsens të plotë me traditën e mirë të shoqërisë tone Ndaj duke cmuar prirjen e modernizimit të familjes, forcimin e filozofisë individualiste të jetës, duhet të pranojmë se përgjithësisht koha është e vështirë për të moshuarit. Ndërkaq jetojmë në kohën kur për shumë cështje, zgjidhjet më të mira nuk janë aq shumë sociale se sa individuale.
Në këtë kontekst cështja e dialektikës së moshimit dhe mënyra se si përballohen sfidat e saj, është në të njëjtën kohë edhe problem individual, që lidhet me kulturën e moshimit dhe aftësinë e perceptimit pozitiv të vlerës së moshës. Sociologu Skiner thotë se “Mosha e thyer deri diku është një udhëtim në një vend tjetër. Në se për këtë udhëtim jemi parapërgatitur, udhëtimi do të jetë i kënaqshëm”. Ky “udhëtim” për të moshuarit, për ata që janë sot dhe ata që do vijnë nësër në këtë rrugëtim, do të jetë më i lehtë duke qënë në lidhje, solidaritet dhe mbështetje komplementare me familjen, shoqërinë dhe dorën e pamohuar të shtetit social. Vecoritë e reja të moshimit e bëjnë të domosdoshme, që jo vetëm kujdesi familjar, personal dhe shërbimi social ndaj të moshuarve në nevojë të ndryshojnë cilësisht, por edhe “koncepti i pleqërisë” si i tillë duhet ndryshuar si mentalitet dhe realitet. Mosha dhe moshimi janë cështje që në shoqërinë shqiptare kanë nevojë të “ripërkufizohen” në përputhje me kohën dhe imperativat e kohës moderne. Vetëm kështu mund të ndihmojmë që për të moshuarit tanë “Pasditja e jetës duhet të ketë një kuptim më vete dhe nuk mund të jetë mirëfilli një shtojcë e dhimbshme e mëngjesit të jetës”. (Anthony Stevens, “Jung”, faqe 102)