Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Me e rende se parajsa!

Publikuar me : 25.07.2011 Ne : Kulture - 125 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli



Një nga videot e fundit që tregon në skenë të ndjerën Amy Winehouse, i përket koncertit në Beograd në muajin qershor. Ajo përpiqet të kujtojë vargjet e këngës “Tears Dry On Their Own” por nuk mundet. Shkon te kitaristi që do të kapë lutjen e saj, pastaj te bateristi që gjithashtu nuk e arrin kërkesën e saj. Është jashtë kontrollit.

“Nuk kam nevojë për ndihmë dhe përderisa unë s’mund ta ndihmoj vetveten, njeri s’mund të më ndihmojë.” Një nga deklaratat e shumta të këngëtares sa herë është pyetur për varësinë saj disavjeçare ndaj drogave të forta dhe alkoolit. Tekstet e Emit flasin për këtë filozofi të sajën për të mos shpëtuar e për t’u vetëshkatërruar.

Në skenën e koncertit në Beograd – pas kësaj ajo anuloi turneun e planifikuar që të mbahej së shpejti në Evropë – duket e transformuar dhe e humbur. Kjo gjendje përbën një imazh të riprodhuar njerëzor mbi hapin e fundit të vetëshkatërrimit. Një herë në disa dekada ky profil që shuhet para syve të njerëzve, përsëritet si një ritual tragjik, veçanërisht në skenën e muzikës pop dhe rrok. Një ritual që i ka prirë një vepër e shkruar me talent të jashtëzakonshëm.

Janë miliona ata që këngëtaren britanike Amy Winehouse (14 shtator 1983 – 23 korrik 2011) e vdekur e pavarrosur – nuk do të përcillet për në banesën e fundit deri të martën – e futën që dje në Klubin 27. Është klubi i legjendave të muzikës, i muzikantëve me influencë të muzikës rrok dhe bluz të cilët kanë vdekur në moshën 27-vjeçare, në disa raste në rrethana të çuditshme. Ndër ata që jetuan shpejt dhe vdiqën të rinj janë Brian Jones, Jimi Hendrix, Janis Joplin, Jim Morrison dhe Kurt Cobain. Ky i fundit nuk ishte vetëm kur jeta e tij u pre në mes aq tragjikisht. Dhe ishte shumë i ri, 27 vjeç. Në atë moment e ëma e këngëtarit, poetit dhe zemrës së bandës “Nirvana”, pat thënë: “Tani ai ka shkuar dhe është bashkuar me atë klub tarallak, i kisha thënë të mos shkonte pas atij klubi budalla.” Kur Cobain vdiq, – duke iu referuar librit “Më e rëndë se parajsa” – motra e tij pohon se qysh fëmijë ai thoshte që kishte dëshirë t’i bashkohej “Klubit 27”. Sepse Klubi, megjithëse nuk mund të hyjë kushdo aty, e ka derën e hapur. Ky klub çdo dekadë thith nga një anëtar. Klubi pasurohet ngadalë, ndërsa bota varfërohet me një shpejtësi shumë herë më të madhe. Për ironi, është dëshmi e vrazhdë se arti dhe talenti është i besueshëm kur e sakrifikon trupin dhe shpirtin që ka përcjell mesazhet e të vërtetës, prandaj influenca e Klubit 27 vazhdon. E së fundi dhe Amy Winehouse që në pak vite jetoi me një intensitet artistik që i kujtoi botës pasardhësen e një epoke, vitet 60-70, kur muzikantët ishin të besueshëm.

Winehouese, ashtu si Joplin, Hendrix, Morrison, Cobain, ndërroi jetë në moshën kur kishte arritur kulmin e saj krijues, por jo nuk ishte “e fortë sa duhet”. Thotë Winehouese: “Unë shkruaj vetëm për gjëra që më kanë ndodhur. Këngët e mia janë shumë të sinqerta për marrëdhëniet që nuk kanë funksionuar. Unë shkruaj këngë vetëm kur kam një problem që s’mund ta përballoj e vetme. Unë shkruaj këngë për t’u bërë e fortë.”

Albumi i saj i parë “Frank” më 2003 paralajmëroi ardhjen e vokalit më të jashtëzakonshëm të brezit të saj pa të cilin nuk do të kishte Adele, Duffy dhe as Lady Gaga. Tre vjet më vonë “Back To Black” dhe shfaqja e saj kontroversale theu rekorde, me 5 Grammy Awards, me miliona disqe të shituara. Më 2008 ajo është artistja femër e muzikës pop dhe rrok me shitjet më të mira në botë.

E influencuar shumë nga grupe muzikore të vajzave të viteve gjashtëdhjetë si The Shangri-Las dhe The Supremes, në tetë vjet ajo ishte këngëtarja dinamike që lëvroi një përzierje të rrokut me muzikën jazz, pop dhe soul dhe krijoi një tingull të sajin, i pasur, i ndjeshëm dhe unik që reflektonte lirikat e saj të sinqerta. Kishte regjistruar së fundi “Body and Soul” me Tony Bennet, bashkëpunëtor i Ella Fitzgerald.

Paralel me lavdinë, jeta e saj gremisej në humnerë: martesa dyvjeçare me Blake Fielder-Civil ishte e varur nga kokaina dhe heroina; përpjekjet për t’u rehabilituar nga droga dhe varësia prej alkoolit dështonin; hendeku që ishte krijuar midis personit privat dhe personit publik ishte thelluar. Po ndodhte një vdekje live e Emit kësaj fëmije të pafajshme me dhunti të jashtëzakonshme – e ëma, Janis Winehouse ishte shprehur se “ne po shohim si po e vret ajo veten dalëngadalë”. E pyetur së fundi a është e lumtur, Emi është përgjigjur: “Nuk e di ç’doni të thoni. Por nëse vdes nesër, do të jem e lumtur.”

 

Citate nga Amy Winehouese

“Asgjë nuk ia vlen të thuhet veç e vërteta. Sepse në fund të ditës, nuk më duhet t’iu përgjigjem as juve, as ishit tim, as… nuk dua të them Perëndisë… apo një burri me kostum i kompanisë diskografike. Vetëm vetes i detyrohem t’i jap përgjigje.”

 

“Unë nuk jam aspak besimtare. Mendoj se besimi është diçka që të jep forcë. Besoj te fati dhe besoj që gjërat ndodhin me një shkak, por nuk besoj, domosdoshmërisht, te një forcë e epërme. I besoj, megjithatë, karmës. Ka kaq shumë njerëz të vrazhdë rrotull dhe këta janë njerëz pa miq të vërtetë. Marrëdhëniet me njerëzit – me nënën, gjyshen tuaj, me qenin tuaj – janë burimi më i madh i lumturisë që mund t’i merrni jetës. Me përjashtim të këpucëve dhe çantave.”

 

 

Vetmia e Janis Joplin. Kujton fotografi Elliott Landy:

“Ishte e dashur, e vëmendshme, e vetmuar. Edhe kur ishte e kënaqur dukej sikur përjetonte dhimbje. E trishtonte dhe dëshpëronte fakti që ajo nuk mund të arrinte në jetën reale atë që mundej në skenë. Një mbrëmje, pas një shfaqje madhështore në Nju Jork, u ndodhëm në një taksi me disa të tjerë të grupit. Ajo e drejtoi taksinë për te shtëpia e një miku të rastit, që ajo shpresonte ta gjente atje. Kur doli, përplasi kokën dhe duke qeshur tha: “Dreq. Jam një yll dhe pa njeri pranë.”

Janis Joplin vdiq më 4 tetor 1970 nga një mbidozë heroine. U lind më 19 janar 1943 në Teksas. E nisi karrierën si këngëtare për Big Brother-in dhe Holding Company, e cila regjistroi “Piece of My Heart”, “Try Just a Little Bit Harder”, “Me and Bobby McGee”, etj..

 

 

Brian Jones u mbyt në një pishinë më 3 korrik 1969. Instrumentist i shumanshëm ishte themeluesi dhe kitaristi kryesor, i grupit legjendar Rolling Stones.

 

Më 18 shtator 1970, artisti amerikan Jimi Hendrix u gjend i asfiksuar. Kitarist dhe këngëtar për Jimmy James dhe Blue Flames, disa nga veprat e tij më të mira që i kanë mbijetuar kohës janë “I Don’t Live Today”, “Foxy Lady”, “The Band of Gypsies”. Ka luajtur për Little Richard, King Curtis dhe Isley Brothers.

 

Jim Morrison vdiq 3 korrik 1971 nga ataku në zemër. Autopsia nuk u bë, kështu që shkaku i vërtetë, ndoshta mbidoza e heroinës, mbetet mister. U lind më 8 dhjetor 1943 në Florida. Lideri i “The Doors”, mbeti ikonë e muzikës me këngët “Light My Fire” dhe “Ëhen The Music’s Over”.

 

Kurt Cobain vrau veten më 8 prill 1994. Edhe pse për mënyrën se si Cobain vdiq ka shumë spekulime, zyrtarisht shkak mbetet goditja me armë në kokë me dorën e vetë. Ishte lindur më 20 shkurt 1967 në Siatëll. Janë të pavdekshme këngët e tij “Smells Like Teen Spirit” apo “Heart Shaped Box”.

 

 

Studimi

Dialogu me vdekje është një prirje e qartë dhe e fortë në artet e shekullit të fundit. Modeli i muzikantëve të përmendur në këtë tekst ka një paralele në letërsi, që edhe pse jo kaq spektakolare për vëmendjen e medias dhe të publikut, është konsekuente dhe domethënëse. Nuk janë pak poetët në veprat e të cilëve mund të dallosh tendenca të fshehura për vetëvrasje. Një studim i viteve të fundit i Universitetit të Pensilvanisë, dilte në përfundimin se poetët vetëvrasës jetojnë të shkëputur nga të tjerët e për më tepër të shqetësuar për veten e tyre. Studimi bazohej në një analizë krahasuese të 156 teksteve që iu përkasin nëntë poetëve që i kanë dhënë fund jetës dhe 135 poemave nga nëntë poetë të tjerë, që nuk kanë kryer vetëvrasje, poetë me kombësi amerikane, britanike dhe ruse. Në poemat e shkruara gjatë gjithë karrierës së tyre, poetët vetëvrasës përdorin më shumë se të tjerët vetën e parë: “unë”, “mua”, “imi” ose “imja”, etj.. Ata përdorin asociacione me idenë e vdekjes dhe kanë tendencë, të paktën të mbërrijnë në një fjalor komunikues, ilustruar me fjalët “flas”, “ndaj” dhe “dëgjoj” dhe derivate të tyre. Nga analizat tekstuale, mund të dyshohet për asociacione me vetëvrasjen e për rrjedhojë, prej tyre mund të parashikohet vetëvrasja e një poeti. Përqindjet e vetëvrasjeve janë më të larta tek poetët se sa tek autorët e kategorive të tjera letrare. Poetët vetëvrasës vuajnë përgjithësisht nga depresioni gjatë gjithë jetës së tyre. Poetët që u morën për ilustrim në këtë rast kanë qenë John Berryman, Hart Crane, Sergej Esenin, Adam Gordon, Randall Jarrell, Vladimir Maiakovsky, Sylvia Plath, Sarah Teasdale dhe Anne Sexton. Të tjerë jo të vetëvrarë janë Mattheë Arnold, Laërence Ferlinghetti, Joyce Kilmer, Denise Levertov, Robert Loëell, Osip Mandelstam, Boris Pasternak, Adrienne Rich dhe Edna St. Vincent Millay.

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit