Publikuar me : 05.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Eduard Zaloshnja
Gjatë një takimi me të rinj në Durrës, Berisha ka deklaruar se Rama ka bashkëpunuar me të për të rrëzuar Fatos Nanon. “Nano ka qenë kundërshtari im më kryesor. Unë dhe ai jemi dy kampe, por mënyra sesi Rama e përshkruan Nanon [në librin e tij] është absolutisht në mënyrën më primitive, që është identike si ajo e Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin apo Zoi Fundon, apo ndonjë tjetër. Unë e ndihmova ta rrëzonte Nanon. Harron ai që sheshet e Mjaft-it i mbushte PD-ja. Punoi me mua për rrëzimin e tij”, tha Berisha. Arsyeja pse e bën Berisha këtë diversion është e qartë, por disa fakte duhen rikujtuar.
Së pari, edhe sikur të supozojmë se Mjaft-i ishte thjesht një kukull që e drejtonte pas kuintave Rama, duhet thënë se lufta e asaj lëvizjeje kundër Nanos nuk bëri që koalicioni i udhëhequr prej tij të mos merrte vota të mjaftueshme për të arritur fitoren. Në qoftë se Nano do të kishte vendosur që koalicioni i tij të përfaqsohej nga një kandidat unik në secilën nga 100 zonat elektorale, do të kishte fituar 72 mandate parlamentare, edhe pse në luftë me LSI-në. Vetëm votat e kandidatëve të PSD-së, për shembull, ua hoqën mandatet kandidatëve të PS-së në 5 zona, edhe pse ishin në të njëjtin koalicion.
Së dyti, kur Berisha u pyet nga Doiçe Vele pasi u bë kryeministër, nëse do të çonte një dosje në prokurori me akuzat që i kish bërë Nanos, u përgjigj se nuk mund të çonte në prokurori kryetarin e opozitës. Dhe kur Nano nuk ishte më kryetar i opozitës, Berisha, në vend që ta çonte në prokurori, bashkëpunoi hapur me të… Pra, i bie që Berisha të ketë bashkëpunuar me Nanon për të rrëzuar Fatos Nanon.