Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Medea ne pas’histori

Publikuar me : 17.02.2012 Ne : Kulture - 93 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Historitë mbi antisemitizmin nuk janë thënë të gjitha. Ta zbulosh nga një prodhim modest i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Tiranë, do të thotë të heshtësh një çast kur viktimizimi e tejkalon të drejtën dhe entuziazmi (për shqiptarin mysliman që nuk deportoi qoftë edhe një hebre) ka ardhur në një pikë ngopjeje për të prodhuar histori.

Në vitet dymijë mund të shkruhen pjesë inteligjente për një temë shumë të trajtuar që nga muzetë historikë në fiction-in kinematografik.

“Nata e Helverit” është një dramë shtatëdhjetëminutëshe me një sfond të qartë historik: vigjilja e spastrimit etnik nga hitlerianët. Por si dramaturgji ajo realizon një prerje të thellë të figurës njerëzore këtej vijës së historisë. Ingmar Villqist (1960, pseudonimi letrar i Jaroslaë Sëierszcz) dramaturg polak dhe historian arti, e mban aksionin dramatik në disa orë, nga dreka në mesnatë. Atmosfera e mbyllur brenda mureve të një shtëpie, apo të një restoranti të vogël ku shërben Karla (Safete Rugova), një zonjë te të shtatëdhjetat, herë pas here thith në porcione helmi nga paradat naziste që bëhen turbullira, pastaj represione dhe sulme të hapura. Asnjë nga këto nuk shohim. Në shohim një raport progresiv të Karlës dhe Helverit (Lirak Çelaj). Djali i saj adoptiv, me zhvillim të vonuar mendor, është i magjepsur nga dhuratat dhe simbolet naziste, – flamur nazist, këpucë xixë, beretë me distinktiv, këmishë bezhë me fashën e kryqit të thyer në krah, shall i zi, kilota të shkurtra të zeza – dhuruar nga njëfarë Gilberti që ua bënë nënën kërmave.

Nën drejtimin e Altin Bashës, aktorja e 65-vjeçare Safete Rogova dhe aktori Lirak Çelaj interpretuan dy net në skenën e Teatrit Kombëtar, lojën e ngadaltë e të sigurt të vdekjes. Rogova ka luajtur të huajën, atë gjendje të rrezikshme njerëzore që të keqen e bën të paparashikueshme. Ajo është një Medea të cilës nuk ia sheh urrejtjen që vepron me dorë të ftohtë e të “ngulfasë” fëmijën e vet. Karla – një hebreje, e vret Helverin e më pas veten për t’i shpëtuar përndjekjes, – kryen një akt mirëbërjeje. Vrasjet (vetëvrasjet) për mirëbërje, për shpëtim, janë aksione të ndërlikuara psikologjike origjina e të cilave mbetet e hapur për interpretime të natyrës njerëzore. Sado që Safete Rogova, këmbëngul për t’i nxjerrë dramës një mesazh social dhe aktual për Kosovën, siç e tregon në këtë intervistë, në të vërtetë ajo spikati me figurën e plotë psikologjike të Karlës.

Leonard Zissi që ka përkthyer tekstin nga polonishtja, ka bërë një përshtatje të pastër në shqipe.

Shfaqja pati premierë në Prishtinë vjeshtë 2011, si një homazh për aktivitetin në teatër të Safete Rogovës, e cila në moshën 65-vjeçare duhet të dalë e në pension. “Nata e Helverit” ishte një mënyrë për t’i thënë zyrtarisht lamtumirë skenës, edhe prej Shqipërie.

 

 

Ishit me temperaturë sonte zonja Rogova?

Sot që një javë, edhe boll rrezik ka qenë do të luj a s’do të luj sonte, por hatri i shfaqjes që vinte nga Kosova.

 

Në të vërtetë, si e ndjetë shfaqjen në krahasim me të Prishtinës?

U mundova me sjellë atë çka ka kam sjellë në Prishtinë në premierë. Është shfaqje shumë e rëndë për mu, meqë jam e moshuar. Me këtë shfaqje dola në pension. Ishte kënaqësi që punova me Altinin, po kisha krah dhe një aktor shumë të mirë, Lirak Çelaj që e ndijsha se është edhe djali im.

 

Keni luajtur herë tjetër këtu?

Në një vepër të Ekrem Kryeziut, para nja pesë viteve “Trungu ilir”. Kam luajtur edhe para luftës, kemi ardhur me Teatrin Kombëtar.

 

Keni kujtime nga skenat e Shqipërisë?

Kam shumë miq artistë të teatrove të ndryshëm nëpër Shqipëri. Për ne është fatlumësi me lujt këtu. Gjithmonë kemi ëndrru me e shkelë kët tokë, e tash mund të lujm në këto skena e të bashkëpunojmë me artistët tuj. Jemi NJI. Tash mund të themi: aktorë dhe regjisorë shqiptarë.

 

Ju sot keni vallëzuar në skenë, ishit e lehtë.

U mundova me qenë e çliruar. Në fakt këtë rol e kam pregatitë si kushtim për gjithë nënat shqiptare të Kosovës që përjetuan luftën. Ka ndodhë që shumë nëna i kanë ngulfat fëmit beba për me i mprojt 20 anëtarët e tjerë të familjes. Ka ndodhë, nji nënë me katër fëmi dhe nji foshnje, për mos me e zënë paramilitarët serbë, e ka ngulfat bebën e vet, njësoj si Karla, personazhi im. Prandaj e quj përkushtim ndaj gjithë atyre nënave heroina që kanë dhënë bij dhe bija, kanë dhënë burrat dhe sot jetojnë në vetmi.

 

Keni përvojë të drejtpërdrejt me luftën?

Pavarësisht a kemi humbur apo jo familjarë, farefis apo kojshi, për ne ka qenë dhimbja njësoj. Si aktiviste për të drejtat e grave, kam punu shumë në terren me ato gra që kanë humbur familjet e tyre. Dhimbja, sakrifica dhe viktimizimi i tyre është bart edhe te ne. Por nuk e krahasoj me asgjë shembullin e atyre grave të zonave rurale që kanë humbur anëtarët e familjes që u janë djegë shtëpiat, por ato e mbajnë veten, përballen dhe janë të forta.

 

Shkurt-Qershorin e 1999-ës keni qenë në Prishtinë?

Po, po, mandej kam kalu nëpër kampet e Maqedonisë, kemi punuar me shoqatën “Motrat Qiriazi”, s’jemi ndalë, kemi bashkëpunu me shoqata të ndryshme ndërkombëtare dhe jemi rikthy në Kosovë, edhe pse kemi pasë shumë ftesa për me e lanë vendin. Në Kosovë filloi mbas luftës gjithçka nga e para, meqë u shkatërru gjithçka.

 

Interpretimi vetëm me një partner në skenë, kërkon së pari përqendrim?

Është pak e vështirë sepse përgjegjësia mbetet e gjitha te dy persona. Në fakt e kemi pregatitë dhe shumë shpejt meqë Altini kishte detyrime këtu në Tiranë. Po falë bashkëpunimit me Lirakun që është edhe aktor edhe një djalë i mrekullueshëm, unë mendoj se ia kemi dalë disi, me ba një shfaqje të ndijshme shpresoj edhe për publikun. “Nata e Helverit” merret me pasojën e një lufte universale, por secili merr kët anën e vet. Unë marr kohën e luftës në Kosovë.

 

Kur Karla kujton kohën e saj të bukur, dashurinë, foshnjën, çfarë ndodh me aktoren? Si hyni në atë gjendje ku thërritet e kaluara? Si vihet në lëvizje mekanizmi emocional?

Po shih, nganjëherë i kthehem kujtesës private. Të gjithë kemi pasur një dashuri të madhe në jetë, kemi pasë fëmi që dikush i ka humb. Mandej, meqë këtu flitet për fëmitë me të meta mendore, i njoh, i kam vizitu në jetimoret e Prishtinës dhe ndjej përgjegjësi për gjendjen e lanun pas dore.

Është shumë e ndijshme ajo pjesë e kthimit të kujtesës, e kthimit të dashurisë, e çdo gjëje që përjeton njeriu. Në këto momente unë kthehem në atë rininë time, në atë në dashurinë time të hershme.

 

Çfarë përsos përvoja në vite me skenën, apo edhe varfëron?

Unë hyra në teatër në ’68-ën. Kisha studiu letërsi mandej kam kalu në aktrim. Përvoja ime ka marrë nga aktorët e vjetër, nga gjenerata e artistëve Istref Begolli, Faruk Begolli, Shani Pallaska, Melihat Ajeti, një gardë e personaliteteve. Dhe më vjen keq që ende s’e kemi mbërrit formatin e tyne. Për mu ata kanë qenë shkolla.

 

Vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë përkojnë me një frymë të theksuar kombëtare edhe për teatrin?

Në atë periudhë kur kam ardhë në teatër, ajo ka qenë kohë e trazirave, ’68-ta, demonstrata, kërkimi i republikës. Kemi ardhë me atë emocionin se duhet të bëjmë diçka kombëtare, ta bëjmë një teatër kombëtar, me një repertor kombëtar. Dhe nuk është e çuditshme që pikërisht në ato vite kemi ba një shfaqje, me kujtohet, me tekst të Sulejman Pitarkës “Trimi i mirë me shokë shumë”. Jemi eduku me atë frymë kombëtare, me frymën e Skënderbeut e të heronjve të tjerë. Kjo frymë na ka ndjekë, të paktën mua personalisht, gjithë jetën. Edhe barti me vete ndoshta atë emocion pak nacional, po s’kam ç’t’i bëj. Jam pak nacionaliste.

 

Kur keni vallëzuar për herë të fundit si sonte me personazhin e Karlës?

Kur e kam martu vajzën. Po ta them të drejtën, mbas luftës, edhe nëse ka dasma apo gazmende në Kosovë, nuk është i njëjti përjetim. Të gjithë e kemi një thymje përmbrenda, e kemi një shpirt të lëndum, edhe sikur nuk na këndohet më. Po flas për gjeneratën time, se tash rinia është krejt tjetër, do ta gëzojë këtë liri. Dhe nuk është veç kjo luftë. Unë e thashë, prej ’68-ës jeta ime, edhe kur erdhën fëmitë në jetë, me fëmi të vegjël kam dalë në protesta, demonstrata, gjithë kohën. Rinia ime dhe e shumë moshatarëve të mi, ka kaluar në demonstrata për liri, vetëvendosje, pavarësi.

 

Edhe në fund të lojës duket që grimi juaj qenka punuar me shumë kujdes.

Ky personazh është polak, Karla është hebreje në fakt, por Flora, grimierja, u mundu me kriju një polake me shpirt shqiptar.

 

Nesër po dilni në pension edhe në skenën shqiptare, megjithatë mendoni për një rol të ardhshëm?

Unë shoh sa aktive janë akoma koleget shqiptare, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Drita Pelinku. Kam dy-tri drama të Azem Shkrelit, poetit të madh shqiptar, në fakt ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës për tetë vite. Një shfaqje e kam lujt “Varri i qyqes” po besoj edhe nji dramë të tij do ta realizoj, se Azem Shkreli i ka dramat e fuqishme.

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit