Prokuroria e Pergjithshme zbulon ne zyrat e MEICO-s lidhjen e mikut te Shkelzen Berishes ne fabriken e vdekjes
Dokumenti ne prokurori: Kompania amerikane autorizoi Rrahman Selmanllarin si perfaqesues ne Gerdec
TIRANE- Emri i Rrahman Selmanllarit, biznesmen dhe mik i djalit te kryeministrit, Shkelzen Berisha nuk eshte lakuar vetem per trafikun e fishekeve drejt Afganistanit, por edhe per fabriken e vdekjes ne Gerdec. Kohe me pare, gjate kontrolleve ne zyren e MEICO-s, perfaqesuesit e prokurorise kane sekuestruar nje autorizim ne emer te Selmanllarit, ku i ngarkohej te kthente ish-repartin e tankeve ne nje fabrike demontimi municionesh ne Gerdec.
Kompania amerikane *Southern Ammunition Company*, ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry IIIperfaqesohej ne Shqiperi nga miku i ngushte i djalit te kryeministrit, biznesmenit *ne hije*, Rrahman Selmanllari. Ky lajm konfirmohet nga burime te besueshme te grupit hetimor, qe per shtate muaj po punon per zbardhjen e tragjedise se Gerdecit, ku humben jeten 26 persona dhe u plagosen mbi 300 te tjere.
*Nga hetimet e kryera deri tani dhe nga sekuestrimi i nje sere dokumentesh qe ndodheshin ne sirtaret e zyrave te MEICO-s dhe kompanise *Albademil* eshte gjetur dhe administruar ne dosje nje autorizim i kompanise amerikane SAC, e cila nen firmen e presidentit te kesaj kompanie, Patrick C. Henry III, autorizonte Rrahman Selmanllarin si perfaqesues te saj ne Shqiperi*,-bejne me dije burimet e Prokurorise se Pergjithshme.
Ne autorizimin e firmosur nga presidenti i SAC-it,Henry, perfaqesuesi Selmanllari, i njohur si miku i ngushte i djalit te kryeministrit kishte te gjitha te drejtat per zbatimin e drejte te kontrates mes kompanise SAC dhe *Albademil* me president Mihal Delijorgjin, ne lidhje me cmontimin e municioneve te lehta, duke u bazuar ne kontraten e pare te firmosur qershorin e vitit 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it. Kjo e fundit, pas negociatave mes Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit, i kalon per te kryer cmontimet e municioneve kompanise shqiptare.
Ne baze te marreveshjes mes tyre, kompania e te pandehurit Delijorgji kishte shumicen e perqindjeve te fitimit te cmontimit dhe shitjes se barutit, TNT-se, tunxhit, celikut dhe plumbit, ku 33 % te fitimit shkonin per kompanine e SAC-it dhe 67 % te fitimit kalonin per shoqerine *Albademil*.
Gjate kontrates se pare te demontimit ne Gerdec, mesohet se kompania SAC ka sjelle ne Shqiperi disa makineri per cmontimin e municioneve te kalibrit te lehte, ku si perfaqesues i kompanise ne Shqiperi u autorizua shtetasi Rrahman Selmanllari. Pas mbarimit te kesaj kontrate, kompania *Albademil*, nen siglen e kompanise amerikane SAC, firmos kontraten e dyte me MEICO-n ne dhjetor te 2007, per cmontimin e municioneve te kalibrit te rende.
Sipas Prokurorise se Pergjithshme, aksionet e kompanise amerikane rane nga 33 ne 25% ne kontraten e dyte, pasi dyshohet se eshte perdorur vetem emri i kesaj kompanie, nderkohe qe te gjitha punimet i kryente Delijorgji. Keto burime nenvizuan se kompania *Albademil* ka respektuar kontraten e pare mes kontraktonit te tij SAC, duke i kaluar perqindjen e fitimeve.
Pas nenshkrimit te kontrates se dyte ne dhjetor te 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it per demontimin e municioneve te kalibrit te madh, kompania *Albademil* e cila serish ishte ekzekutuese e kesaj kontrate pasi ishte marre si nenkontraktor i SAC-it, nuk ka zbatuar kontraten duke mos ia kaluar ne llogarite e kompanise amerikane fitimet e ardhura sipas kesaj kontrate, ku 25 % te fitimit i takonin kesaj kompanie.
Pervec mosshlyerjes se detyrimeve te 25 % te fitimeve, kompania *Albademil* i ka bllokuar kompanise amerikane edhe makinerite e sjella nga SHBA-ja per demontimin e municioneve te vogla.
Miku i djalit te kryeministrit ka mohuar te prokurori te kete lidhje biznesi me Mihal Delijorgjin apo SAC-in
Deshmia e Selmanllarit: Lidhjet me Shkelzenin dhe Delijorgjin
TIRANE- Emri i Rrahman Selmanllarit ka dale disa here ne hetimet paralele te Prokurorise se Pergjithshmeper tragjedine e Gerdecit dhe per aferen e armeve drejt Afganistanit. Pas dy flete-thirrjeve te Prokurorise se Pergjithshme, miku i Shkelzen Berishes u eshte pergjigjur pyetjeve te prokuroreve rreth dy jave te shkuara. *Shekulli* ka siguruar nje pjese te deshmise se tij, sipas se ciles biznesmeni i njohur me pseudonimin *Rafi* ka pranuar miqesite me Shkelzen Berishen apo Mihal Delijorgjin, por ka mohuar te kete lidhje biznesi me secilin prej tyre.
Burimet e rezervuara prane grupit hetimor te Prokurorise se Pergjithshme, te cilet prej 7 muajsh po punojne per zbardhjen e tragjedise se Gerdecit, bejne me dije se shtetasi Rrahman Selmanllari eshte pyetur dy here per keto dyshime, ku ka mohuar perfshirjen e tij ne biznesin e cmontimit te municioneve.
*Kam njohje me djalin e kryeministrit Sali Berisha, Shkelzenin, por nuk kam pasur dhe nuk kam asnje lidhje biznesi me te. Nuk kam qene gjithashtu asnjehere pjese e ndonje takimi mes ketyre personave si Delijorgji, Pinari, Diveroli apo kush eshte tjeter dhe nuk kam marre pjese ne asnje vend apo takim si perfaqesues i Shkelzen Berishes.
Kam njohje miqesore edhe me Mihal Delijorgjin, por nuk kam marre pjese dhe nuk kam qene asnjehere me te ne lidhje biznesi*,-mesohet te kete thene para prokuroreve shtetasi Rrahman Selmanllari. Ai ka mohuar gjithashtu autorizimin e SAC, te shkruar *e zeze mbi te bardhe*, duke thene para hetuesve te ceshtjes se nuk kishte asnje lidhje me Patrick Henry-n. *Nuk kam punuar dhe nuk punoj per asnje kompani amerikane, e jo me me kete kompani qe me thoni*,-mesohet te jete shprehur deshmitari i dosjes se Gerdecit, Rrahman Selmanllari.
Nderkohe, keto burime theksuan se nuk perjashtohet mundesia e thirrjes se tij serish ne prokurori, per te dhene shpjegime per disa fakte te reja qe kane dale se fundmi nga hetimi.
*Emri i shtetasit Rrahman Selmanllari ka dale disa here gjate hetimit qe po zhvillohet per zbardhjen e pergjegjesve te shperthimit te punishtes se Gerdecit. Ai eshte permendur nga deshmitari tashme i vdekur, Kosta Trebicka, si pjesemarres ne takimin e fshehte mes Efraim Diverolit te AEY-se dhe Pinarit e Deligjorgjit, takim ky qe eshte mbajtur ne nje apartament ne rrugen *Fortuzi*.
Sipas Trebickes, ne kete takim pretendohet se eshte nenshkruar kontrata e blerjes se fishekeve mes presidentit te kompanise AEY, Diveroli dhe ish-drejtorit te MEICO-s, Pinari*,-bejne me dije burime te organit qendror te akuzes. Nderkaq, emri i tij ka dale edhe ne nje autorizim te firmosur prej kreut te SAC-it, Patrick Henry, ku shtetasi Selmanllari autorizohet te jete perfaqesues i firmes ne Tirane.
Me mbledhjen e ketyre provave materiale, eshte vendosur thirrja e shtetasit Selmanllari ne prokurori, ku ne dy rastet e pyetjes se tij ne cilesine e personit qe ka dijeni per ngjarjen, ka mohuar lidhjet e biznesit me personat e siperpermendur.
Prokuroria verifikon se perfaqesuesit e SAC-it ndodheshin ne Vore
Diten e shperthimit, asnje amerikan ne Gerdec
TIRANE- *Diten e shperthimit te punishtes se cmontimit te municioneve ne Gerdec, nuk ishte asnje amerikan ne pune*. Kjo eshte pergjigjja e prokuroreve te ceshtjes se Gerdecit, te cilet u pyeten nga *Shekulli* per pranine e shtetasve amerikane diten e shperthimit te fabrikes, te cilet punonin per llogari te SAC-it ne punishten e cmontimit te municioneve ne Gerdec. *Edhe pse kontrata e pare e SAC-it dhe MEICO-s per demontimin e municioneve te kalibrit te lehte kishte perfunduar ne dhjetor te 2007, pas 6 muajve demontim, gjashte ekspertet e makinerise se cmontimit te ardhur nga SHBA-ja vazhdonin te punonin ne Gerdec si mbikeqyres te punimeve dhe mirembajtjes se makinerive qe kishin sjelle vete.
Por pas nenshkrimit te kontrates se dyte, per demontimin e municioneve te kalibrit te madh, gjashte ekspertet ishin detyruar te qendronin ne Shqiperi per shkak se makinerite e tyre ishin bllokuar nga kompania *Albademil*. Kompania e Delijorgjit e kishte nxjerre jashte loje kompanine amerikane SAC, pas nenshkrimit te kontrates se dyte, edhe pse kesaj te fundit i takonin 25 % te fitimeve te ardhura nga shitja e barutit, TNT-se, tunxhit, celikut dhe plumbit, mbetje keto te nxjerra nga programi i demontimit*,-thuhet nga burimet e prokurorise.
Sipas tyre, keto te dhena jane mesuar nga marrja ne pyetje e gjashte eksperteve amerikane, qe per ironi te fatit, diten e 15 marsit nuk ndodheshin ne pune si cdo dite, por ishin duke pushuar ne veranden e njerit prej hoteleve qe ndodhej ne qytezen e Vores ne momentin e shperthimit te fabrikes se sajuar nga kompania *Albademil* ne Gerdec.
Kjo alibi eshte vertetuar nga organi i akuzes edhe me sekuestrimin e nje kopjeje te kasetes se regjistruar me kameren e njerit nga punetoret amerikane, i cili duke filmuar degjohet duke biseduar ne telefon me vellane e presidentit te kompanise *Albademil*, shtetasin Kristo Delijorgji, te cilin e lajmeron per shperthimin e ndodhur.
"Municionet e Gerdecit mund te jene shitur ne Afganistan, asgje nuk me habit me Delijorgjin"
SAC: Pinari me detyroi te punoja me Delijorgjin
Pronari i kompanise "Southern Ammunition Company Inc", Patrick Henry, ka komentuar kohe me pare per mediat amerikane shperthimin e Gerdecit, duke pohuar se ishte drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ai qe e detyroi te punonte me Delijorgjin.
Madje ai ka hedhur dyshimin se nje pjese e municioneve qe jane derguar per demontim ne Gerdec, mund te jene shitur me pas tek firma AEY duke u derguar ne Afganistan. Henry ka pohuar se ka qene ne Shqiperi nje jave perpara shperthimit dhe se nuk ishte ne dijeni te punetoreve te pakualifikuar qe benin demontimin e municioneve. Ai ka shpjeguar se kishte ardhur ne vendin tone per te marre pajisjet e tij, te cilat ia kishte "bllokuar" dhe i perdorte Delijorgji per demontimin e predhave te ushtrise qe sollen edhe tragjedine e 15 marsit.
Sipas Henry, firma e tij furnizoi fabriken me pajisje dhe supervizoret perkates por pjesen me te madhe te punes ia dha kompanise shqiptare "Alba Demil" ne pronesi te Mihal Delijorgjit. Ai ka pranuar qe te punoje me Delijorgjin, pasi eshte detyruar nga ana e drejtorit te MEICO-s, Ylli Pinari. "Pinari me tha qe duhet te punoja me te. Ai me tha se Delijorgji kishte demilitarizuar rreth 800 tanke te ushtrise shqiptare dhe ishte njeriu i duhur per punen. Ai di si ta beje kete pune sepse e ka bere edhe me pare kete lloj pune",- ka thene Patrick Henry.
Ai ka shpjeguar se vetem nje here kishte pasur te bente me AEY, kompanine tjeter amerikane qe punonte me Delijorgjin dhe Pinarin ne Shqiperi. "Une jam njohur me kete firme ne fillim te vitit 2007 kur te dy aplikuam per kontraten e furnizimit te trupave afgane me municione. Nuk kisha asnje ide qe AEY ishte e lidhur me Delijorgjin deri sa nje miku i tij i kishte thene per shkrimin ne *NY Times*. Kur e lexova kuptova lidhjet",- ka pohuar disa muaj me pare Patrick Henry.