Publikuar me : 23.08.2011 Ne :
Kulture - 88 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Mark Brunga
Paulo Coelho është një ndër shkrimtarët më popullorë brazilianë në botë, nga ata që mbajnë gjallë frymën amerikanolatine në letërsinë botërore. Në Shqipëri Koelho ka ardhur nëpërmjet disa veprave, por jo vetëm. Ai është i lidhur me Shqipërinë edhe përmes miqsh të shumtë, disa prej të cilëve janë nga Durrësi.
Ritjana, zv. Guvernatorja e Bankës së Dubai Group

Ritjana Ceveli, një vajzë 27-vjeçare nga qyteti i Durresit është një ndër menaxheret e reja që ka nxjerrë vitet e fundit “London School of Economic” Për Marrëdhëniet Nderkombëtare, dhe që sot është Zëvëndës Presidente e Dytë për “Dubai Ventures Group”, muskuli financiar i kompanisë së fuqishme qeveritare Dubai Holding. Ritjana, falë pozicionit dhe punës aktive ka miq të shumtë nga vende të ndryshme. Një ndër miqtë e saqj, është edhe shkrimtari Paulo Coelho. Ritjana e ka takuar Koeljon në Dubai. “Jam takuar me të në dhjetor të vitit 2007 në një Festival Ndërkombëtar të filmit që zhvillohet çdo vit ne Dubai”, rrëfen ajo. “Jemi njuohur falë miqve të përbashkët, dhe sigurisht, nuk mund të humbisja rastin për të komunikuar me një prej shkrimtarëve të mi të preferuar. Gjatë takimeve që kam pasur me Koeljon, ai me ka kërkuar edhe që ta sillja privatisht në Shqipëri. Kishte shëtitur shumë vende të botes dhe një nga gjërat që donte ti premtoja ishte që ta sillja këtu. Kishte qënë i ftuar një herë nga qeveria Shqiptare, por ai donte që të bënte vizitë private. Njihte përgjithësisht Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në Ballkan. Më ka treguar se kishte takuar edhe vajzën e Ismail Kadaresë, por me Kadarene personalisht nuk kishte arritur të takohej”. Rastësi fatkeqe, pasi vetë Koeljo jeton në mes të Parisit, Zvicrës dhe Brazilit.
Regjisori Gjergj Vlashi
Miku tjetër i Koeljos, është regjisori durrsak Gjergj Vlashi. Vlashi kujton se si njohja e tij me Koelhon ndodhi thuajse rastësisht. Në supertregun “El Corte Ingles” të qytetit La Korunja të krahines së Galicise që shtrihet në brigjet e oqeanit Atlantik, kishin varur një lajmërim që njoftonte se atë pasdite aty do të vinte shkrimtari i madh brazilian Paolo Koeljo dhe do te nënshkruante librat e tij. Vlashi jo vetëm e kishte dëgjuar emrin e Koeljos, por kishte lexuar edhe romanin e tij të njohur “Alkimisti” çka e kishte bërë shumë kureshtar për ta takuar. “Sapo e pashë”, tregon ai, “e njoha menjëherë, se e kisha parë në disa fotografi. Koeljo ishte një burrë shtatmesatar, me flokë e mjekër të zbardhur nga thinjat, me sy të zgjuar që këqyrnin ngultas”. Rreth takimit me të, Vlashi tregon se kur iu afrua për t’i kërkuar nje autograf dhe i zgjati librin e tij të fundit,” Mali i pestë”, Koeljo e kuptoi se ishte i huaj dhe e pyeti nga ishte. Sa mori vesh që ishte shqiptar, Koeljo ia kthen, “në gjuhën tuaj është botuar romani im Alkimisti. Si është pritur?” Koeljo, buzagaz, e di se letërsia braziliane njihet më pak se futbolli brazilian në botë. Ndoshta është fat që letërsia shqipe njihet më shumë se futbolli shqiptar, dhe kjo falë Kadaresë e 2-3 të tjerëve. Koeljo, sigurisht, e ka lexuar Kadarenë. “Kam lexuar disa vepra të tij dhe më kanë pëlqyer. Kur një popull nxjerr një shkrimtar me përmasa të mëdha si Kadareja nuk mund të thuash se është popull i vogël. Popujt nuk maten me numrin e banorëve po me kontributin që japin në kulturën e artin boteror.” Vetë Coelho udhëton në shumë në vende të ndryshme të botës. Shqipëria është, sigurisht, një opsion. “Nuk është çudi që një ditë ndonjë avion do të më zbresë në aeroportin e Tiranës”, i rrëfen ai Vlashit, së bahsku me faktin që po shkruan edhe një libër tjetër. Disa fotografi, disa biseda të përgjithshme, dhe një kujtim i shkrimtarit mbi faqen e parë të romanit “Mali i Pestë”: “Qëndroji gjithnjë besnik ëndrrave tuaja.”
65 milionë kopje ka shitur “Alkimisti” i Koeljos deri më tani duke qenë një nga më të shiturit në histori.
71 janë gjuhët në të cilat është përkthyer Alkimisti. E fundit prej tyre është gjuha malteze. Mekëtë, Koeljo ka hyrë në librin e rekordeve Gines si shkrimtari i gjallë përkthyer në më shumë gjuhë.