Publikuar me : 06.10.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Përgjatë 20 viteve pluralizëm në Shqipëri është vërtetuar se në momentet kur ka vullnet politik mund të zgjidhen edhe problemet në dukje të pazgjidhshme. I ngjashëm është ai i hipotekave të qindra pallateve në Tiranë, të cilat kishin mbetur peng i devijimeve nga projekti por edhe i burokracive të cilat fillonin nga bashkia në zyrat e tatimeve dhe në fund përfundonin në dyert e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e plotë të qeverisë ka ndërmarrë nismën për dhënien e hipotekës të më shumë se 400 pallateve në kryeqytet duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve Publike. Një premtim elektoral i kreut aktual të bashkisë së Tiranës, i cili po merr jetë për pak muaj, ndërkohë që as që mund të bëhej fjalë të realizohej përgjatë viteve të mëparshme. Një marrëveshje e tillë në shërbim të qytetarëve mund të ishte arritur edhe kur bashkia drejtohej nga Partia Socialiste. Faktet tregojnë se miliona euro pasuri të shqiptarëve kanë mbetur peng i kapriçove politike për vite me radhë duke i bërë apartamentet të papërdorshëm si kolateral në rastet e marrjes së kredive, uljen e vlerës së tyre në treg në raport me apartamentet e hipotekuara, etj.
Qeveria ka miratuar sot udhëzimin për hipotekimin e pallateve në Tiranë, në të cilin parashikohen procedurat si dhe forma e bashkëpunimit ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Kryeqytetit. Sipas marrëveshjes dhe udhëzimit, bashkia e Tiranës pritet të ketë fluksin më të madh të punës në këtë drejtim pasi edhe shkaku kryesor i mos pajisjes së pallateve me hipotekë është mungesa e lejes së shfrytëzimit që lëshohet nga pushteti lokal. Bashkë me zbatimin e ligjit, palët do të duhet të tolerojnë disa shkelje për të arritur deri në dhënien e certifikatës së pronësisë tek qytetarët.
Tre janë arsyet kryesore që kanë lenë pa hipotekë mijëra apartamente. Problemi kryesor është ai i mos lëshimit të lejes së shfrytëzimit nga bashkia. Leja në fjalë nuk është lëshuar për shkaqe të ndryshme, të cilat fillojnë nga pakujdesitë në zbatimin e projektit deri tek qëllimi për të përfituar sa më shumë të ardhura nga kompania duke devijuar nga projekti fillestar. Nuk janë të paktë pallatet në Tiranë, të cilat kanë leje ndërtimi për “X” por pas verifikimeve në terren është vërejtur se ka shtim të numrit të kateve mbi atë të lejuar. Një gjë e tillë bën që ndërtesa të mos certifikohet si e “sigurt” për të jetuar në momentin kur bëhet verifikimi nga specialistët e bashkisë kështu që ata lëshojnë lejen e shfrytëzimit, me të cilën shkohet për regjistrim të Hipotekë. Problem tjetër janë edhe punimet pa cilësi në ndërtimin e shkallëve, ashensorit, ballkoneve, etj., të cilat gjithashtu bëhen shkak për mos dhënien e lejes së shfrytëzimit.
Një fenomen tjetër që bëhet shkak për mos dhënien e hipotekës së pallateve është mos përputhja e të dhënave të pasqyruara në lejen e shfrytëzimit me atë të shënuara në lejen e ndërtimit. Shkak tjetër është edhe vërtetimi se kompania e ndërtimit nuk ka detyrime tatimore të pashlyera. Vërtetimi duhet dërguar bashkë me dokumentet e tjera në hipotekë. Mungesa e hipotekës është një problem i madh për pronarët e apartamenteve pasi ato nuk mund të përdoren në formë kolaterali në rast të marrjes së një kredie. Krahas kësaj, këto apartamente zakonisht kanë çmime më të ulta krahasuar me ato me hipotekë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Pse nuk jepet leja e shfrytëzimit
Shkaqet e mosdhënies së hipotekës
Devijimi nga projekti fillestar gjatë ndërtimit të pallatit
Mungesa e sigurisë fizike, e cila përbën rrezik për jetën e banorëve
Mospërputhje e të dhënave midis lejes së ndërtimit dhe asaj të shfrytëzimit
Mos marrja e vërtetimit të shlyerjes së detyrimeve tatimore nga ana e kompanisë