Publikuar me : 29.10.2011 Ne :
Kronike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Katër zyrtarë të komunës Kaçinar në Mirditë janë vënë në pranga nga policia e Lezhës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Policia e Qarkut Lezhë ka vënë në pranga katër persona ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër për shpërdorim detyre. Operacioni i koduar “Llogaria e Gabuar” është finalizuar me arrestimin e katër punonjësve të komunës Kaçinar: Flora Suti, 43 vjeçe, me detyrë arkëtare e komunës; Gjet Shkurti, 47 vjeç me detyrë sekretar i këshillit të komunës Kaçinar; Altin Gjoka, 27 vjeç, punonjës i postës së Komunës, dhe Pashk Gjoni, 44 vjeç, me detyrë ish-shef i financës së komunës.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur N. Ç, me detyrë ish-administrator i ndihmës ekonomike.
Kryetari i Komunës Kaçinar denoncoi abuzimet
Dy muaj më parë, kryetari i Komunës së Kaçinarit, Petro Doda, ka denoncuar në media shkeljet e konstatuara në këtë komunë. Doda ka deklaruar se janë konstatuar abuzime në shpërndarjen e ndihmës ekonomike, ku 70 dosje rezultojnë me shkelje ligjore dhe 39 dosje janë të humbura.
Ndër shkeljet e konstatuara sipas tij janë familjet pa pasaportizim në këtë komunë që kanë përfituar ndihmë, përfitimi i ndihmës së një tjetër familjeje nga persona të tjerë apo edhe abuzime në përbërjen familjare, ku një familje me një person ka përfituar ndihmë për 4 persona.
“Çdo muaj abuzimi me ndihmën ekonomike është 300 mijë lekë të rinj”, pohoi kryekomunari Doda.
Shkelje janë konstatuar edhe në mjetet që disponon komuna, ku janë fallsifikuar dokumentet dhe numri i shasisë së automjetit të komunës, si dhe është ndërruar ekskavatori i blerë me fondet e komunës, për situatat emergjente.
Gjithashtu, sipas Dodës janë gjetur të relatuara edhe investime në infrastrukturën e rrugëve rurale, por në fakt nuk janë realizuar asnjëherë. Abuzimet me ndihmën ekonomike denoncohen edhe nga banorja Mrika Gjeta, e cila pretendon se për tre vite nuk ka tërhequr ndihmë ekonomike, dhe kur ka ardhur pranë komunës për t’u interesuar, përkrahja ishte tërhequr në emër të saj nga një person tjetër.
Ndërkaq lidhur me ndërrimin e ekskavatorit janë mbledhur 80 firma të kryefamiljarëve të Kaçinarit, të cilët faktojnë se nuk është ekskavatori i blerë me fondet e komunës. Sipas banorëve, ekskavatori ndodhet diku tjetër dhe ai që ndodhet në oborrin e komunës nuk është në gjendje pune.
Për të gjitha këto abuzime, kryetari i komunës, Petro Doda, ka bërë denoncime pranë Sektorit të Krimit Ekonomik, i cili pritet të nisë hetimet. /
Lindita Kokaj