Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kulture - 70 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Dobroshi në foton e projektit "Mitrovica"
Elsa Demo
Instituti i Sandensit (The Sundance Institute) ka zgjedhur 12 projekte për Laboratorin e Skenarit që po mbahet 13-18 janar në Utah. Fituesit, regjisorë e skenaristë nga vende të ndryshme, nga Rumania, Italia, Kina, Afrika e Jugut dhe kryesisht ShBA, po punojnë me një grup këshilluesish të këtij laboratori. Ndër ta është skenaristi dhe regjisori britanik Daniel Mulloy me projektin “Mitrovica” që synon të jetë një bashkëprodhim i Britanisë së Madhe me Kosovën.
Mitrovica tregon Kosovën e pasluftës: një grua shqiptare që bashkë me të birin gërmon nëpër plehra; kur ajo afrohet me një serb, nuk e kupton që propozimi i tij për ta ndihmuar do t’i shkatërrojë jetën.
Me sa duket ky produkt është ngjizur i frymëzuar nga një artiste kosovare, aktorja Arta Dobroshi e cila prej dy vitesh është bashkëpunëtorja e ngushtë e Mulloy-t. Ajo gruaja nga Mitrovica do të jetë Dobroshi dhe siç e ka bërë të ditur për disa media të Kosovës, do të jetë bashkëproducente e filmit të gjatë artistik me shtëpinë filmike Flutra Films.
Shumë ishin shqetësuar për heshtjen e aktores, e zhvendosur në perëndim fillimisht në Belgjikë e tanimë në Britaninë e Madhe ku e mban dhe lidhja shpirtërore me Daniel Mulloy-n.
Me vlerësimin e projektit në një festival të rëndësishëm për filmin autor siç është prej vitit 1978 Festivali i Sandensit (i themeluar nga Robert Redford), shenjat për hyrjen e shpejtë në prodhim të “Mitrovicës” duken të mira.
Gjatë gjithë vitit të shkuar të Mulloy-Dobroshi janë angazhuar në gjetjen e financave. Në korrik 2011 në rrugët e Parisit afishohej portreti i aktores si një
momentum për filmin e ardhshëm mbi Kosovën, meqenëse projekti kishte hyrë në Paris Projects, forum për kooproduksionin.
Aktorja është shprehur optimiste për interesin që ka zgjuar “Mitrovica” te kooproducentë francezë, gjermanë, anglezë e amerikanë. Kështu ajo ka deklaruar dhjetorin e shkuar se 2012-ta e gjen në Kosovë për realizimin. “Do të jetë një film krejt kosovar”, ka thënë ajo. “Për mua është diçka shumë me rëndësi, sepse është realizim i një dëshire. Mitrovica nuk ka të bëjë me luftën por me efektet e ndikimit të luftës. Është një ngjarje emotive, me temë kryesore çështjen sociale dhe dashurinë në të njëjtën kohë.”
Që Arta ishte një figurë që vinte nga Kosova e pasluftës kjo e rriti ndjeshëm vëmendjen ndaj portretit të saj i ndriçuar për herë të parë ndërkombëtarisht në Festivalin e Kanës 2008, ku konkurronte “Heshtja e Lornës” e vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Sepse Kosova, pas vitit 1999, e kishte rifituar vëmendjen me shpalljen e pavarësisë, si dhe Mitrovica sot me ngjarjet e trazuara.
Me interpretimin e Lornës Dobroshi mori kritika mjaft pozitive. U nominua nga Akademia Evropiane e Filmit për kategorinë e aktores më të mirë. Performanca e saj tërhoqi vëmendjen në you-tube e Daniel Mulloy-t i cili ishte në kërkim të aktores kryesore për filmin e shkurtër “Baby” 2010. Mjaft i suksesshëm rezultoi “Baby” që vazhdon të bëjë xhiron e festivaleve nëpër botë, përfshirë konkurrim në Sundance Film Festival (janar 2011), i vlerësuar me çmime qoftë filmi, qoftë loja e Dobroshit.
Këtu nisi rruga e përbashkët e të dyve.
Mulloy, veç “Mitrovicës” ka në dorë një tjetër skenar për film të gjatë artistik, “A cold day” edhe këtu protagoniste mendohet Dobroshi.
I pyetur se çfarë e frymëzon në shkrimin e historive, regjisori 34-vjeçar përgjigjet: “Ngjarjet që jetoj janë subjekte të mira për t’i bërë histori. Më intereson të kap e të përkthej ato ngjarje ku kam qenë dëshmitar apo që i kam përfytyruar. Ta përdorësh kinemanë si lojë, si mjet për t’i rritur dhe zhvilluar marrëdhëniet, për ta bërë të zakonshmen shumë të rëndësishme.”
Daniel Mulloy ka përvojë të konsoliduar me filmin e shkurtër. Sa për të përmendur “Antonio’s Breakfast”, 2006, fitues ndër të tjera i BAFTA-s (British Academy Award), i shfaqur edhe në Sandens. Atëherë ngriti kompaninë e tij filmike për të mos qenë i punësuar te të tjerë. “Kam punuar me ‘jo aktorë’”, thotë regjisori, “të rinj që nuk mendonin shumë për veten, ose që kishin fare pak besim në aftësitë e tyre. Doja që ata ta merrnin përgjigjen dhe lavdërimet për punën e tyre, aty, në shfaqjen e filmit.”
Kjo ka qenë deri tani praktika dhe fryma e punës e një kineasti indipendent që tregon histori të cilat i prek dhe i dashuron. “Distribuimi dhe mekanizmat e produksionit ndryshojnë, por nxitja vjen nga i njëjti burim”, thotë Mulloy.
Për këtë arsye ai e futi në konkurrim projektin e “Mitrovicës” në Festivalin e Sandensit, i cili ka qenë “më shumë se një instrument në ndihmë të kineastëve për zhvillimin e projekteve të tyre… Dëshiroj ta bart atë intensitet të filmave të shkurtër për të krijuar diçka të fuqishme e cila shkon përtej e më në thellësi se gjithçka kam bërë deri më sot”.
Është mesazhi i Mulloy-t në faqen e tij zyrtare për debutimin e tij në filmin e gjatë artistik.
Bio
Daniel Mulloy (1977) është kineast dhe artist vizual. Ka studiuar arte të bukura në Londër dhe Nju Jork. Aktualisht jeton ndërmjet Londrës, Nju Jorkut dhe Prishtinës.
Filmat e tij, Antonio’s Breakfast, Park City, Dad, Baby, zakonisht janë shfaqur premierë në Sundance Film Festival dhe kanë fituar çmime të shumta në Melburn, Hamburg, Krakov, Edinburg. Është fitues i British Independent Film Award (BIFA) dhe British Academy Film Award (BAFTA), është nominuar për European Academy Film Award (EFA).
“Hyra në kinema nëpërmjet artit dhe nisa të merresha me art sepse vizatoja në shkollë. Vizatoja ngaqë nuk mund të lexoja e të shkruaja për shkak të disleksisë. Është e çuditshme se si, duke mësuar vonë shkrim dhe lexim, u rrita me dashurinë dhe magjepsjen që një ditë historitë t’i shkruaja e jo t’i ilustroja.”
Kosova për veten
“Mitrovica” mendohet që në aspektin e prodhimit të jetë i pari bashkëprodhim i Kosovës me producentë ndërkombëtarë.
Kosova e luftës dhe pas luftës nuk është një temë e pashkelur. Artistët vendas janë përpjekur ta thonë fjalën e tyre, megjithëse të bësh kinema sot në Kosovë është shumë e vështirë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë funksionon me një buxhet shumë të kufizuar. Me 300 mijë euro mund t’i futet aventurës së realizimit vetëm një projekt i metrazhit të gjatë. Ndërkohë Akademia e Arteve me përgatitjen e studentë për regji filmi e televizion ka dhënë herë pas herë shenja të mira.
Pa u bërë Kosova e pavarur, janë prodhuar: “Etjet e Kosovës” (2006) i Sunai Raçajt, “Anatema” (2006) i Agim Sopit, “Kukumi” (2006) i Isa Qosjes dhe në proces regjisori i karrierës Ekrem Kryeziu ka prodhimin kosovar “Kodi i jetës”.