Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Mjafton te mos jetosh me standard te dyfishte

Publikuar me : 31.01.2012 Ne : Kulture - 72 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Enkela dhe Saimir Braho ne "Vdekja dhe virgjëresha"


Elsa Demo

“Vdekja dhe virgjëresha” e shkrimtarit agjentino-kilian është vënë dhe rivënë në teatrot kombëtarë të Tiranës e Prishtinës. Në çdo vënie skenike këndvështrimi i regjisorëve, konkretisht i Kiço Londo dhe Fatos Berishës, ka theksuar atë linjë që gjen jehonë në akualitetin shqiptar. Në thelb ajo trajton krimin politik. Paulina Salas, një vajzë e rrëmbyer një ditë të vitit 1976, e përdhunuar rregullisht në hetuesitë e shtetit që drejtohet nga gjenerali Pinoçet, ndodhet 15 vjet më vonë përballë persekutorit të saj. Një mjek, dr. Roberto Miranda, që këqyrte sjelljen e viktimave në hetuesi. Do të ndërrohen rolet? Çfarë urash kërkon të vendosë me të shkuarën një i tretë, bashkëshorti i vajzës, avokati Gerardo Eskobar, i emëruar nga presidenti në krye të komisionit që heton krimet e diktaturës?

“Vdekja dhe virgjëresha” në prodhimin e viteve dymijë të Teatrit Kombëtar të Tiranës, është luajtur nga Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa dhe Agim Qirjaqi.

Në Festivalin e Teatrit të të Rinjve, kjo dramë e vënë në skenë nga Kliton Hoxha, luhet nga bashkëshortët Enkela Braho (Paulina Salas), Saimir Braho (dr. Miranda) dhe Neritan Liçaj (Eskobar), aktor i Teatrit Kombëtar.

Bëhen vite që Enkela Braho (34 vje), pedagoge e jashtme e Fjalës Artistike në Degën e Regjisë në UA, nuk shfaqet në skenat e teatrit në Tiranë. Bashkë me Saimirin (37 vjeç) i cili veç muzikës (fitues i çmimit të dytë në Festivalin e 50-të në RTSH), bën teatër jashtë teatrove të mëdhenj, kanë një filozofi për karrierën dhe jetën private, për vendin ku jetojnë dhe kishën e vogël ungjillore që frekuentojnë. Janë bashkë prej dhjetë vitesh dhe kjo dalje në skenën e Teatrit Kombëtar ishte një shfaqje e heshtur pjekurie dhe rritjes së tyre profesionale.

 

Enkela, hera e parë në Teatrin Kombëtar?

Enkela Braho: Prej vitit 2000, po. Hera e parë ka qenë me “Utopos”, dramë e Stefan Çaplikut, e vënë në skenë nga Rikard Ljarja.

Me Saimirin kemi provuar si partnerë në Teatrin e Durrësit, “Vajza pa prikë” e Ostrovskit dhe “Nuk paguajmë” e Dario Fosë. Por asnjëherë bashkë në Teatër Kombëtar.

Saimir Braho: Kësaj radhe regjisori u detyrua të na bashkojë për shkak se aktorja kryesore kishte një problem shëndetësor.

 

Duke e njohur mirë njëri-tjetrin në jetë, kishte avantazh vendosja në skenë në një raport armiqësor e të dhunshëm?

E.B: Paulina Sales nisa ta njihja përpara se të mendoja se do ta bëja unë atë rol. E kisha lexuar, e kisha parë në skenë me Xhepën, Qirjaqin, Xhuvanin. Kur bën analizën e personazhit, besoj se nuk mund të ngatërrohesh dot me faktin se ai që ke përballë është bashkëshorti yt apo një person tjetër. Ishte me rëndësi procesi analizues që bënim në vazhdimësi me njëri-tjetrin, edhe pas provave.

S: B: … gjë që s’mund ta bësh me të gjithë partnerët në një vënie në skenë. Për shkak të marrëdhënies që kemi, unë jam i hapur të dëgjoj çdo lloj vërejtje dhe sugjerim të sajin. Te kjo pjesë, sfida është që unë ta shoh atë si viktimën time dhe ajo mua si torturuesin e saj. Kjo e bën thjesht, interesante.

 

Përveçse e vënë në skenë nga një i ri, drama tingëllon e re prej lojës që nuk është e “shkollës” së Teatrit Kombëtar. Teksti nuk interpretohet por thuhet, vëmendjen nuk e tërheq solemniteti i figurës dhe lëvizja e saj skenike, por drama e brendshme. Shkurt: aktorët e mirë nuk janë doemos brenda TK.

E.B: Falemnderit. E kemi theksuar në fillim të punës me regjisorin Kliton Hoxha: ajo që do ta bënte pjesën më të kuptueshme dhe të vërtetë, ishte që ne të luanim në mënyrë realiste, që të mos ekzistonte ai muri i katërt që krijon distancën me spektatorin. Salla e Teatrit të Metropolit ishte perfekt për këtë. Ndërsa në Teatër Kombëtar u luajt në avant-scene.

S.B: Ne e kemi mësuar nga ata zotërinjtë çfarë do të thotë të jesh i vërtetë në skenë. Agim Qirjaqi dhe Ndriçim Xhepa kanë qenë pedagogët tanë. Pika e fortë e teatrit tonë ka qenë aktrimi. Po nga ana tjetër, “Vdekja dhe virgjëresha” është vepër që ka aktualitet. Ne jemi këtu në këtë vorbull, 20 vjet pas rënies së diktaturës.

 

Motivi i krimit politik mjafton për t’u marrë me dramën e Dorfmanit, po edhe thelbi i pakuptueshëm i dhunës ciklike dhe raporteve midis gjinive. Nuk janë më shumë të lidhur me këto personazhet tuaj?

S.B: Kjo është një dramë që Dorfman e ka shkruar edhe “për të zezën e vet”. Komentuesit e “Vdekja dhe virgjëresha” gjejnë kuptime që vetë autorin e habisin. Edhe nga ana dramaturgjike nuk është se ia lavdërojnë shumë, sepse shumë gjëra lihen hapur, dhe publiku do ndihej më rehat po të qartësoheshin. Vepra ka një pasuri ku mund të bësh prioritet cilën linjë t’ju pëlqejë. I është mëshuar linjës së xhelatit me viktimën e cila ekziston në çdo marrëdhënie njerëzore, në format nga më të ndryshme. Zgjatimi i diktaturës i veshur me vellon e demokracisë e nxjerr në pah këtë linjë dhe atë që për mua është shumë e rëndësishme në këtë dramë: raportet që kanë torturuesi dhe viktima e tij me vetveten. I pari ka disa herë mundësi të bëjë katarsis, kurse e dyta vihet përballë  dilemës të pranimit ose mospranimit të realitetit, të ngrihet në këmbë dhe të vazhdojë të ecë apo të hakmerret, të tejkalojë kështu të drejtën dhe të bëhet xhelat. E kur në mes tyre hyn një politikan për arbitër, kjo e zbërthen situatën.

 

Paulina të mban në suspansë, ndërsa shkon drejt ekstremit të vetëpërmbajtjes.

Si është rruga për ta realizuar këtë grua?

E.B: Natyra ime është impulsive. Reagimet e mia janë të shpejta. Kurse Paulina duhet të gëlltisë shumë. Besoj se është normale që gjen këtë mospërputhje mes vetes dhe personazhit deri sa të mund ta realizosh. Me mua funksionon edhe ana vizive: në qoftë se unë do të shikoj një figurë, një pikturë, një foto të dikujt që do të më japë menjëherë imazhin se mund të jetë karakteri, unë menjëherë punoj duke pasur parasysh këtë lloj figure. Në këtë formë kam shkuar te Paulina. Nuk e di se si mund të ishte ndryshe, por unë do të bëja një Paulinë ashtu siç mund ta kuptonte dhe luante Enkela.

S.B: Po nuk ka ardhur me lehtësi. Gjithë diskutimet i kemi bërë mbi këtë gjë: kjo është një kufomë që po ecën me një fije jete. Si mund të shpërthejë?

 

E.B: Nuk donim të kishte reagime të menjëhershme, emotive.

S.B: Ne kemi një ndryshim bashkë që mbase mund të jetë gjinor. Kela është praktike. Kur ajo e ka të qartë figurën artistike, fiton një forcë shumë të madhe për të shkuar në mënyrë konsekuente nga detajet te thelbi i figurës. Kurse meshkujt kanë një pasiguri të brendshme gjatë gjithë kohës. Në rastin tim, vetë i jap konkluzionet edhe vetë i hedh poshtë.

 

Ndërsa një mjek që dikur ka asistuar në seancat hetimore e tani dëgjon Shubert, dhe mbledh guaska buzë detit, është i parashikueshëm doktori yt?

S.B: Donim t’iu jepnim mundësi njerëzve që të ngrinin pyetje. Sepse në momentin që demaskohet “armiku”, nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe.

Me persekutorët e djeshëm, sot në demokraci ndodh që fjalën falje e kanë më të papërdorshmen. Ky është problemi i personazhit tim. Ai e ka mundësinë të tregojë, por falja e tij është krejt formale. Kjo ndodh herë pas here tek ne, vlen për të gjitha nivelet.  Të themi të drejtën, kjo ka qenë dhimbja jonë për këtë pjesë.

 

Ky raport me të kaluarën?

S.B: Personalisht, po. Është vuajtje që një njeri që jeton në këtë vend e ndjen, edhe pa qenë nevoja të jetë lënduar drejtpërdrejtë nga ai regjim. Ne e kemi mësuar nga religjioni efektin shërues që sjell falja. Besoj që transferimi i problemit nga përfaqësuesit e realitetit tonë, tregon dhe dëshmon për një lloj rezistence ndaj pranimit të çdo lloj faji. Në Shqipëri, në rrethe shumë të ngushta, ka një mënyrë të veçantë të të kërkuarit falje: është mënyra e heshtjes. Një kulturë shumë problematike. Për këtë arsye e kam parë në këtë lloj zgripi dhe në këtë lloj halli personazhin tim.

 

Kurse halli i personazhit femëror është pranimi i faljes…

E.B: Njerëzit e kanë të vështirë të kërkojnë falje dhe të falin sepse i japim të drejta vetes. Ashtu si personazhi im. Nëse Paulina do të falte, do ta shplodhte shpirtin e vet. Duket e pamundur. Sepse njerëzit zhyten brenda dhimbjes së tyre dhe duket sikur nuk ka asnjë lloj drite që t’i ndihmojë. Por e vërteta është që gjithnjë ka një rrugë shpëtimi, mjafton që ta besosh se ekziston. Kjo është ajo që shumë njerëz nuk e shohin.

 

Çfarë ka ndryshuar në dhjetë vjet jetë bashkë si praktikues të fesë?

S.B: Ajo që besojmë ne, nuk është duke hulumtuar dhe duke gjetur veten. Është gjetja e një standardi si për veten si për të tjerë. Mjafton të mos jetosh me standard të dyfishtë. Nuk është se ne e gjejmë veten përditë duke i kërkuar falje Zotit e duke i thënë, shiko, ia futëm kot edhe kësaj radhe, dhe u kthyem prapa te historitë tona. Efektet e mrekullueshme të këtij standardi që s’kanë të bëjë vetëm me faljen, janë efekte që të bëjnë të biesh në dashuri në mënyrë marramendëse, për të mos e kërkuar gjëkundi, siç e kam kërkuar unë nëpër art-ra, të vërtetën dhe gjithlumturinë që vjen nga e vërteta. Është një kushtetutë shpirtërore që të bën të kuptosh së pari veten tënde dhe mjedisin rreth e qark. Ne jemi të ndryshëm shumë, po jemi dhe njësoj.

 

Këtë kushtetutë Enkelës së pari i del për detyrë t’ua mësojë tre fëmijëve…

E.B: Në fakt është e përbashkët. Kjo është sfida jonë e përditshme, sepse fëmijët mësojnë jo nga ato që themi po nga ato që bëjmë. Në qoftë se ne atë që besojmë, duam ta transmetojmë dhe tek ata, ajo duhet të jetë e vërteta që ne jetojmë.

 

Po realiteti tërheq shpesh në të kundërt. Ekziston një kohë dëshpërimi, influencat e gjithanshme nuk janë të mira, zhvillimi nuk jep mundësi për të ruajtur një stabilitet.

E.B: Realiteti në mënyrë të pashmangshme ndikon te ne. Mjafton që t’i hap televizorin, mjafton një debat që dëgjon, gjithçka që transmetohet nëpërmjet ekranit. Ne kemi njerëz me të cilët takohemi dhe arratisemi nga ky realitet, për shkak të gjërave që aspirojmë. Më duket se jo gjithçka që marrim nga jashtë është e vërtetë. Shumë herë është ajo që duan të na japim.

 

S.B: Edukimin e fëmijëve nuk ka pse ta marrë as televizioni as media të tjera dhe askush tjetër. Ti e ke këtë fuqi dhe ke mundësi ta bësh vetë. Të paktën të luftosh. Kjo është një gjë që ia vlen në ditët e sotme. Marrëdhënia jonë me perëndinë, na është ofruar prej tij si personale jo si kolektive. Kjo do të thotë shumë. Ato që kërkohen te psikologu me lekë, me orë, me mundim – kur gjenden e nëse gjenden, – këtu janë falas. Njerëzit nuk është se nuk kërkojnë të kënaqen, se nuk kanë aspirata, por ua kanë lënë aspiratat e tyre në dorë të tjerë njerëzve, jo domosdoshmërisht politikanë, sepse me politikbërje merren një shumicë njerëzish. Vetëm se kjo ka ca kosto që janë të çuditshme, kosto që të thuash: Shiko, një sekondë. Unë nuk do mendoj se çfarë ndodh me mua pas tre muajsh me anën financiare apo me karrierën time. Kjo për ne është e panegociueshme, as me artin, as me karrierën. Edhe pse kjo do të thotë të shkosh kundër vetes me këtë lloj realiteti.

 

Kishit ftohtë mbrëmë në skenë?

E.B: Kaldaja ishte ndezur, por nuk ngrohte sa duhet.

S.B: Ne herë pas herë fokusohemi te ajo sallë teatri dhe kthehet në një objekt jo shumë të rëndësishëm.

 

Atëherë, standardi i teatrit?

E.B: S’kam pasur mundësinë të shoh vazhdimisht për shkak të fëmijëve që kanë ardhur njëri pas tjetrit. Zakonisht prirem për të parë ato gjëra që janë pozitive te një shfaqje, ndoshta sepse jam ndeshur shumë shpesh me një frymë negative ndaj shfaqjeve të ndryshme.

 

S.B: Shoh pozitive lëvizjen e të rinjve në Teatrin e Metropolit, dhe pas kësaj është Kiço Londo. Edhe efekti i Festivalit të Teatrit për të Rinjtë është pozitiv. I vetmi problem që shoh unë është që artistëve dhimbja iu fillon dhe iu mbaron brenda suazës së një projekti. Marr guximin të dal në përfundimin që kjo është një dhimbje që nuk njehsohet me dhimbjen e autorit, por është një çështje profesionale arti, qëllim në vetvete dhe kjo më lë shije të hidhur. Pra ka artistë dhe zanatçinj. Fjalia “nuk ka lidhje me këtë zanat”, është fjali e dalë nga komuniteti i artistëve shqiptarë. Them se atij arti që është bërë për të pasur vlerë për njerëzit, do t’i vijë koha, me vonesë, por do t’i vijë.

 

Mendoni projekt për teatër?

E.B: Konkretisht jo, por një gjë do më pëlqente, që Saimir të vërë në skenë një muzikal. Ai ka potencialin për ta bërë një gjë të tillë. Njeh mirë muzikën, regjinë.

 

Po e porosit një rol?

E.B: Epo, është ëndrra në sirtar që lidhet me muzikën…

S.B: Jo, për sa kohë muzikali po bëhet me play back… Unë do doja që të sillnim një cikël pjesësh në teatër që të kishim mundësi të dilnim të dy. Problemi është që ato vepra shqiptare që kam lexuar, janë shkruar larg teatrit, nuk mbajnë parasysh raportin e aksionit dramatik me letraren. Më vjen keq që këto pena shqiptare nuk gjejnë një minimum rezonimi në publik.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit