Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Moderniteti ne artet pamore? Eshte ky qe eshte

Publikuar me : 23.12.2011 Ne : Kulture - 36 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Grua e fotografuar në mesin e viteve 20 të shek XX nga Dhimitër Vangjeli


Elsa Demo

 Edicioni XVII i “Onufrit” ekspozita e arteve pamore prezanton 100 vjet art me frymë moderniteti. Dominon fotografia e piktura. Asnjë video, triumfi i dimensionit ndërkombëtar të çdo “Onufri”. Sepse jemi në një terren shqiptar të modernitetit, nga fillimet në ditët e sotme, i zhveshur ky terren nga grami dhe lulet e serës, thënë me fjalët e kuratorit, një koleksion veprash pa influencat artificiale dhe sipërfaqësore të artit bashkëkohor që hyri dhe u lëvrua në vitet e hapjes së Shqipërisë, një kërkim që  “kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe ta lërë të hapur qëllimin e tij”.

Tri foto nga Dhimitër Vangjeli gjatë Luftës së Parë Botërore marrë nga koleksioni i Bashkisë së Ersekës, janë veprat më të hershme të “Onufrit XVII”; Kristaq Sotiri me një cikël portrete grash; tablotë e pa ekspozuara të Rafael Bendos, Dashamir Myftarit e Dhimitër Kokoshit, rikthimi i Paços me një kokë vajze të viteve shtatëdhjetë e fondit të GKA-së, që ka zbukuruar zyrën e drejtorit Shima; dhe të rinj që krijojnë brenda e jashtë vendit me tablo të jetës moderne: Klodiana Alia, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani dhe piktorë me një pjekuri artistike Shpëtim Kërçova, Orion Shima.

Gjatë konferencës për shtyp që u zhvillua para ceremonisë së ekspozitës në Bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, kuratori Alban Hajdinaj shprehu përfundimin se: cilësia e artit as është rritur e as ka sjellë me vete shkallën e dëshirueshme të mendimit estetik e kritik mbi artet pamore

“Onufri” këto vite është përpjekur të japë një informacion se çfarë ndodh me artin pamor në Shqipëri dhe i çfarë niveli është ky art.

Ka ardhur koha e një reflektimi ideor dhe financiar njëherësh që “Onufri” të rihapë kufijtë.

Rubens Shima: “Onufri 2011” është prezantim i një kërkimi të kuratorit duke qëmtuar fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, koleksione private, studio artistësh, duke ndërtuar një diksioner të elementëve të modernitetit në Shqipëri. Janë përzgjedhur 22 artistë që përcjellin këtë modernitet nëpërmjet pikturës, skulpturës, fotografisë, vizatimeve, dizenjove të modës. Në fund të shpjegimit të muratorit, jemi të hapur për pyetje që mund të keni.

Alban Hajdinaj: Edicionet e tjera të “Onufrit” janë bazuar te arti dhe artistët e kohëve më të fundit. Ka pasur brenda ndarjen e çmimeve dhe ka qenë njëlloj gare mes artistëve.

Ndërsa ky edicion e thyen këtë lloj rituali. Duke u përpjekur që të shkojë mbrapsht në kohë dhe të gjejë elementët e modernitetit qoftë te fotografia e viteve 1920-’30, qoftë te piktura e viteve 1960-‘70 e deri në ditët tona, duke përfshirë brenda ekspozitës atë periudhë që ne e quajmë realizëm socialist. Pra ky nocion i ekspozitës së artit bashkëkohor është thyer për të ngritur një pyetje se çfarë është arti bashkëkohor, apo sa bashkëkohor është arti, sa i saktë është ky nocion dhe sa na bën punë për të kuptuar natyrën e vërtetë të artit.

Nuk kemi të bëjmë me një kërkim të mirëfilltë për datën ekzakte, autorët dhe të gjitha faktet e mundshme. Duke sjellë këto vepra dhe artifakte, kuptojmë se çfarë ndodh sot. Pra, kërkimi duke shkuar mbrapsht, është bërë për të kuptuar më mirë të tashmen. Besoj se duke bërë këtë lloj lëvizje, çlirohemi nga disa nocione fikse, të ngurta, që kemi ndërtuar mbi atë që quajmë art bashkëkohor.

Ky prezantim ka një aspekt tjetër që është marrëdhënia me esenë e Sharl Bodlerit e cila përveçse na jep një çelës apo modul për të kuptuar se arti ka qenë modern në të gjitha kohërat, ngre edhe disa rezonanca. Faktikisht kjo ka qenë dëshira personale: për të ngritur rezonanca mes subjekteve që sjell eseja e Bodlerit dhe subjekteve që mund të gjejmë te arti në përgjithësi e pse jo dhe te arti i ditëve tona. Shumë nga punët e ekspozitës janë afri me subjektet që ka kjo ese. Aty shohim një interes të veçantë për veshjen, modën, për figurën e njeriut të burrit apo të gruas, edhe për objekte apo elementë të kohës që besoj janë interesantë në çdo moment për t’u parë dhe për t’u studiuar.

Piktura e jetës moderne, është një lloj zhargoni i estetikës dhe i kritikës së artit që njihet mjaft mirë në botë. Kur themi piktura e jetës moderne, kuptohet se për çfarë po flasim. Kjo në Shqipëri nuk është njohur, edhe fakti që kjo ese as nuk është përkthyer, për ne është një nocion i ri. E pashë me interes për ta futur këtë nocion në problematikën e artit tonë.

 

Tv Vizion Plus: Pjesëmarrja është ndërkombëtare apo siç është bërë këto tri vite, vetëm me artistë shqiptarë?

Hajdinaj: Ideja kërkon modernitetin në Shqipëri. Edhe kam thënë edhe më parë, unë jam pak skeptik për përfshirjen në ekspozitën ndërkombëtare të artistëve të huaj, sepse nuk e di sa cilësore ka qenë edhe sa ka sjellë një diskutim mbi artin.

Ne prezatojmë sot punë të artistëve Arben Bajo, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Guri Madhi, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Ergys Zhabjaku etj.. Siç e kuptoni dhe nga emrat janë të kohëve të ndryshme.

 

Shekulli: Përse e keni zgjedhur Sotirin?

Hajdinaj: Sepse mendoj që fotografia e tij vërtet manifeston modernitetin. Gjithë kërkimi im ka qenë duke u nisur nga ky nocion.

 

Tv Vizion Plus: Ekspozohen për herë të parë veprat e autorëve të hershëm?

Hajdinaj: Disa janë vepra që i kam gjetur në fondin e Galerisë së Arteve. Nuk janë të panjohura.

 

Shekulli: Keraj, Madhi, Paço, të tre krijuan gjatë periudhës kur dominonte metoda e realizmit socialist. Me çfarë e pasurojnë ata modernitetin e pakët të artit pamor shqiptar?

Hadinaj: Janë përzgjedhur sepse paraqesin një karakter tjetër nga ai që e njohim rëndom si realizëm socialist. Janë dy portrete realiste të Kerajt që mund të qëndronin fare mirë në çfarëdo lloj vendi dhe kohe. Edhe një portret i Guri Madhit ndihet i çliruar krejtësisht nga dogma e realizmit socialist. Për mua ato janë thjesht vepra arti dhe nuk mbajnë epitet më tepër se kjo.

 

Shekulli: Si lëviz moderniteti nga një brez në tjetrin, nga një kohë në tjetrën?

Hajdinaj: Kërkimi që kam bërë ka qenë ai i vazhdimësisë së imazhit modern te artistë të ditëve tona, artistë që lëvrojnë portretin, figurën, këtë lloj qëndrimi që dëshmon pikturën e jetës moderne, një kërkim dialektik brenda figuracionit. Imazhi realist apo piktura realiste është konsideruar si një imazh pro kapitalist shpeshherë në mënyrën e gabuar, ndërkohë që modernizmi njihet si një kulturë antikapitaliste. Kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, sepse brenda realizmit, brenda figuracionit, mund të gjesh mundësinë për ta shqyrtuar imazhin dhe në mënyrë dialektike, e fare mirë dhe ai mund të kthehet në një kritikë të kapitalizmit. Me kritikë të kapitalizmit e kam fjalën për shqyrtim i marrëdhënieve nëpërmjet imazhit, pra nëpërmjet asaj që na vjen dhe marrim nga imazhi. Besoj që edhe artistët e rinj, shfaqin këtë lloj aspekti.

 

Shekulli: Në Shqipëri ka së paku dhjetë vjet që bëhen bienale të artit bashkëkohor, ekspozita të panumërta në galeri private e qendrore. Nuk ka kontribut ky zhvillim për ta kristalizuar nocionin e artit bashkëkohor?

Hajdinaj: Unë mendoj që nuk e ka kristalizuar aspak për sa kohë ne jemi kaq të varfër në njohjen e teorisë dhe estetikës së artit. Gjërat kristalizohen kur ne jo vetëm shohim imazhe dhe vepra të instaluara, por edhe lexojmë dhe mësojmë rreth tyre. Këtu janë bërë bienale, ekspozita të mëdha, të cilat nuk kanë sjellë edhe libra, materiale të shkruara, që njerëzit të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Kam frikë që gjithë ky zhvillim që juve flisni ka ardhur pak dhunshëm dhe sipërfaqshëm dhe në mënyrë artificiale në Shqipëri.

Nuk besoj se këtu është rritur cilësia e artit megjithëse ju thoni ka dhjetë vjet që kanë ndodhur këto zhvillime. Kjo është personale. Kam frikë se nuk kemi rritje të cilësisë së artit e cila do të vinte pashmangshëm bashkë me ngritjen edhe të cilësisë së mendimit e të estetikës, kritikës.

 

Shekulli: Zoti drejtor, sa frekuentues ka kjo bibliotekë e pasur me literaturë bashkëkohore e me ekzemplarë në gjuhë të huaj?

Biblioteka këtu pothuaj nuk frekuentohet fare.

 

Shekulli: Si funksionon?

Shima: Funksionon e hapur. Ftohen herë pas here studentë. Me sa di unë edhe Akademia e Arteve ka një bibliotekë po kaq të pasur. Por problemi është marrëdhënia me librin, marrëdhënia që krijon artisti me dijen, me literaturën.

 

Shekulli: Çfarë do t’iu ofroni studentëve të artit në takimin e sotëm?

Shima: Katalogu i “Onufrit” vjen i botuar bashkë me esenë e Bodlerit. Kësaj radhe kjo ekspozitë ka edhe këtë material shtesë dhe kushdo që do ta lexojë, do ta kuptojë edhe më mirë këtë produkt që ne propozojmë.

 

Shekulli: Përmendët Akademinë e Arteve, para disa ditësh, për 45-vjetor u ekspozuan edhe veprat më përfaqësuese për studentët e arteve figurative: Ca librushka për ekspozitat personale të pedagogëve, manuale të anatomisë të viteve ’80…

Shima: Këtu është një problematikë më e gjerë që nuk mund t’i japim ne zgjidhje. Është ndërtuar kështu dhe është e vështirë që të kuptohet pse, të analizohet. Kështu ka funksionuar tek ne. Marrëdhënia me teorinë, marrëdhënia me kritikën, kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë. Megjithatë ky është një proces që i takon vetë artistëve. Në rast se ka artistë të interesuar për të kuptuar zhvillimet, për të ndërtuar punën e tyre në raport me konceptet e ndryshme, atëherë mund të lexojnë edhe në gjuhë të huaj. Asnjëherë nuk do të vijë ai moment dhe ajo ditë kur ne do përkthejmë të gjithë literaturën botërore që të artistët të mund të lexojnë…

 

Shekulli: … që studentët të marrin edukimin bazë, jo kur cikli të jetë mbyllur dhe të shpallen artistë…

Shima: Çështja e interesit është diçka që duhet ta ketë vetë artisti.

 

Shekulli: Pse nuk del “Pamorarti”, revista juaj që kishte hapësirë për studiuesit dhe kritikën e arteve pamore?

Shima: Hapësira ekziston në gjithë mediat e tjera.

 

Shekulli: Mund të lihet në vullnetin e medias zhvillimi i kritikës? Disa janë të hapur disa as e shohin të nevojshëm mendimin kritik.

Shima: Studiuesit e aftë, po ashtu dhe ata të GKA, vazhdojnë të jenë protagonistë në media të ndryshme.

Çështja është dhe e mundësive financiare që galeria ka. Mundësitë financiare këto vite që unë kam qenë këtu, kanë vajtuar dhe do të vazhdojnë të shkojnë kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës së institucionit e cila ishte jo shqetësuese, por skandaloze. Nuk mund të toleroj që ne ta linim në atë gjendje dhe të prodhonim revista! Nuk do të bëjmë make-up të asnjë gjëje! Pasi të përfundojnë problemet me institucionin, atëherë ndoshta do të orientohemi, meqë GKA është edhe shtëpi botuese, për të filluar një program të përkthimit të disa librave që shërbejnë si gurë kilometrik për të kuptuar artin dhe ky program mund të fillojë vitin që vjen.

Dëshiroj të falënderoj Fondacionin e Arteve pa Kufi, i cili ka bërë të mundur realizimin pjesor të “Onufrit”, i vetmi fondacion i mbetur në këmbë që jep për artin pamor. Tani ju ftoj të vizitoni ekspozitën!

 

 

Piktura e Jetës Moderne

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, hapet edicioni i 18 i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore, “Onufri”, me titullin “Piktura e jetës moderne”, 22.12.2011 – 05.02.2012. Kurator është Alban Hajdinaj, i cili e ka zhvilluar kërkimin e tij duke u mbështetur tek eseja që Charles Baudelaire botoi në vitin 1863 në Paris me të njëjtin titull. Ky nocion që na vjen prej Baudelaire-it e ndan artin në dy elementë: ‘E bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet, dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, herë pasioni.’

Fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona (pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi) i cili në këtë kërkim konsiston në një vazhdimësi të imazhit piktorik e figurativ për të dhënë një panoramë të evolucionit të imazhit modern në artin tonë. Gjurmimi i modernitetit vjen në sintezë me një kërkim për rezonanca dhe afëri mes subjekteve të kësaj ekspozite dhe atyre që Baudelaire propozon si karakteristika të shfaqjes së modernitetit; moda, veshja, uniforma, figura e gruas apo e burrit, përshkrimi i aspekteve kryesore të jetës si prodhimi, argëtimi, koha e lirë dhe estetika në ndryshim të vazhdueshëm janë në qendër të kësaj ekspozite.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistët: Klodiana Alia, Arben Bajo, Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami, Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku.

Juria cilët janë? Javën e tretë të janarit shpallet.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit