Publikuar me : 07.12.2011 Ne :
Politike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Forumi civil
Denis Dedej
Ish-presidentët e Republikës, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani kanë shprehur dje nevojën e zgjedhjes së kreut të lartë të shtetit nga populli në mënyrë që të rriten kompetencat e institucionit të Presidentit dhe të ulen kompetencat e qeverisë. Në një takim të organizuar nga “Forumi Civil 2010” me temë “Realiteti i sotëm shqiptar dhe sfidat e ardhshme kushtetuese ligjore”, dy ish-zyrtarët e lartë të shtetit kanë prekur një prej pikave më të debatuara në vendin tonë, mënyra se si do të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ndërsa kanë mbetur vetëm pak muaj nga mbarimi i mandatit të numrit një të shtetit, Moisiu dhe Meidani shprehin mendimin se duhet ndërhyrë në Kushtetutë në mënyrë që zgjedhja e këtij zyrtari të lartë të mos kthehet në pazar politik. Në pikëpamjen edhe të ndryshimeve Kushtetuese që u bënë në vitin 2008, dy personalitet shpjegojnë se qëllimi i atyre ndryshimeve ishin më shumë për t’u zgjidhur problemet partive dhe pushtetit të radhës sesa interesit afatgjatë të vendit.
Moisiu
Alfred Moisiu shprehu dje mendimin se nuk duhet të ecët më pas modelit të zgjedhjes së Presidentit nga mazhoranca e thjeshtë. “Vitin e ardhshëm do të duhet të zgjedhim Presidentin, që duhet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, kur në të vërtetë mund ta zgjedhë çdo mazhorancë e thjeshtë me 71 vota, 13 vota më pak sesa duhen për institucione të tjera dytësore, siç është Avokatit i Popullit. Një politikë dashamirëse për vendin dhe qytetarët e vet duhej të ndërhynte në Kushtetutë, p.sh, për kalimin e zgjedhjes së Presidentit direkt nga qytetarët”,- deklaroi ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Sipas tij, çështje tjetër madhore që duhet trajtuar janë vendet vakante në Gjykatë Kushtetuese ose ajo e imunitetit kushtetues. Ai thekson se këto janë dy çështje të cilat trajtohen me shqetësim në raportet ndërkombëtare, por që vazhdojnë të injorohen nga parlamenti aktual.
Mejdani
Ndërsa Rexhep Meidani shpreh mendimin se brenda organizimit aktual të sistemit qeverisë të Shqipërisë, në funksion të stabilitetit politiko – institucional dhe zhvillimit demokratik, mund të shtrohen edhe pyetje të tjera të karakterit kushtetues. “Kështu, a duhet të vazhdohet në degën legjislative me një dhomë apo dy dhoma? A duhet të zgjidhet kryetari i shtetit në rrugën aktuale, me konsensus apo me zgjedhje nga popullit?”,- vlerësoi ish-Presidentit i Shqipërisë. Për të, një problem me vete që kërkon përcaktim kushtetues është dhe procesi i emërimit të ministrave në dinamikën president – kryeministër – parlament, sidomos me ata që kanë një lidhje shumë më specifike me detyrën kushtetuese të presidentit. Sipas Mejdanit, çështje kërkojnë analizë dhe korrigjim janë edhe ato që lidhen me armimin e Prokurorit të Përgjithshëm, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ai propozon miratimin e tyre me një shumicë parlamentare mbi 60 perqind. Gjatë punimeve të konferencës u analizuan dhe u diskutua përvoja 13-vjeçare e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe performancën e veprimtarisë së disa prej institucioneve kryesore të parashikuara në të. Pjesëmarrësit synuan evidentimin e drejtimeve për përqendrimin e reformave eventuale kushtetuese si dhe të sensibilizojë opinionin publik për këto probleme të rëndësishme.
Celibashi: Të rindërtohet sistemi i administrimit të zgjedhjeve
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vlerësoi dje se vendit ndodhet në kushtet kur duhet të rindërtohet edhe një herë tjetër sistemi i administrimit të zgjedhjeve. Kjo nevojë vjen sipas tij, pasi ky sistem që është ndërtuar dhe funksionon sot, jo vetëm nuk jep garanci dhe nuk siguron një administrim të paanshëm, profesional të zgjedhjeve, një proces të besueshëm për të gjitha palët. Celibashi vlerësoi se në jo pak raste është vetë sistemi i administrimit të zgjedhjeve dhe institucionet pjesë përbërëse të këtij sistemi të cilët kanë cenuar rëndë standardin e tyre/zgjedhjeve.
Ish-drejtuesi i KQZ-së tha se në një vend si Shqipëria, ku mungesa e besimit të partive politike ndaj njëra-tjetrës është kaq e madhe, ku konflikti politik është kaq antagonist, modeli i një KQZ-je ku anëtarët e saj propozohen dhe realisht zgjidhen vetëm nga partitë politike nuk është funksional. “E para gjë që duhet të bëjmë është të identifikojmë se cilët mundet të jenë këta individë të cilët mundet të jenë anëtar të këtij institucioni dhe që sigurojnë paanësinë e tij në vendimmarrje. E dyta, të zgjedhim mënyrën/procedurën se si do ti emërojmë këta individë si administrator të zgjedhjeve. E treta, ka të bëjë me dhënien e sa më shumë garancive dhe privilegjeve për atë që do të zgjidhet në këtë detyrë”, – propozoi Ilirian Celibashi.
Omari: Të ndryshojë forma e mocionit kundër kryeministrit
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 janë cilësuar dje nga konstitucionalisti Luan Omari si një goditje e rëndë ndaj sistemit qeverisës bazuar në parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve. Juristi i njohur vlerësoi se përmes këtyre ndryshimeve, të cilat u bën në bazë të një marrëveshjeje mes PD e PS dhe që tani pritet të ndryshohen nga po këto dy parti, forcuan më shumë pozita e kryeministrit edhe ndaj Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Sipas tij, kjo shihet qartë veçanërisht në formulimin e ri kushtetues të mocionit të besimit ndaj qeverisë që mund të paraqesë kryeministri në Kuvend. Për ekspertin në çështjet kushtetuese, roli i qeverisë nuk duhet të zbehë dhe të ndryshojë rolin e Kuvendit, si organ që e kontrollon Qeverinë. Ndër të tjera konstitucionalisti ka analizuar përpara anëtarëve të “Forumit Civil 2010” punën e bërë nga Kuvendit gjatë viteve të fundit dhe problemet që ajo ka në administrimin e problematikave të ndryshme.
Luan Omari propozon një sërë masash për përmirësimin e punës së Kuvendit dhe për të ngritur dhe forcuar pavarësinë dhe rolin e tij kontrollues ndaj ekzekutivit. “Të rishikohet neni 105 i Kushtetutës, që i referohet mocionit të besimit që raund të paraqitet nga Kryeministri duke e riformuluar sipas nenit përkatës të Kushtetutës Gjermane. Të hartohet një ligj organik për Kuvendin, ose të vendoset që Rregullorja e tij të miratohet me votat e 3/5 të të gjithë deputetëve, për të siguruar një konsensus sa më të gjerë dhe për të mbrojtur më mirë të drejtat e opozitës”,- propozon Omari. Ai shpreh nevojën që “zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, që sot, në bazë të Rregullores bëhet me shumicë të thjeshtë (pra, edhe me 36 vota), do të ishte e arsyeshme të bëhej me shumicë absolute ose të 3/5, përderisa Kryetari në periudha të ndryshme, por veçanërisht kohët e fundit, ka pasur një rol më të madh dhe ka fituar atribute që dalin jashtë funksionit të tij”.
Juristi i njohur vlerëson se do të ishte e nevojshme të demokratizohej në mënyrë rrënjësore procesi legjislativ. Sipas tij, përpara miratimit të ligjeve më të rëndësishme, duhet të jetë i detyrueshëm diskutimi i tyre jo formal, por efektiv me grupet e interesit. Gjithashtu ai propozon që në nenin 168 të Kushtetutës, që trajton buxhetin e shtetit, ose të paktën në Rregulloren e Kuvendit, do të duhej të specifikohej që ligji përkatës, që sot mund të miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me kusht që këta të jenë më shumë se gjysma e numrit të tyre të përgjithshëm, duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit. “Komisioni i reformës ligjore, i përbërë nga juristë të kualifikuar që nuk kanë funksione partiake, dhe i cili disa vjet më parë funksiononte pranë Ministrisë së Drejtësisë, mund të rikrijohej pranë atij dikasteri si një organ konsultativ, që shqyrton paraprakisht ligjet kryesore që shkojnë për diskutim e miratim në komisionet parlamentare dhe në seancën plenare të Kuvendit”, – ishte një tjetër sugjerim i bërë nga Luan Omari.
Thimio Kondi: Modeli i zgjedhjes së gjyqtarëve, shton ndikimet politike
Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, tha dje se modeli kushtetues për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është efektiv, sepse shton ndikimet politike ndaj gjyqësorit, apo luan rol negativ mungesa e vullnetit politik për forcimin dhe konsolidimin e gjyqësorit. “A duhen përkrahur idetë e shfaqura publikisht nga nënkryetari i KLD-së për ndryshimin e këtij modeli dhe pranimin e një modeli tjetër që e vendos edhe Gjykatën e Lartë nën autoritetin e KLD. Për mendimin tim, këto propozime janë aventureske. Gjithashtu, nismat për ndryshimin e ligjit organik të Gjykatës së Lartë duhen trajtuar me shumë kujdes e maturi”,- deklaroi Kondi.
Sipas tij, duhet që shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve të karrierës dhe të mos pranohet që një gjyqtar i shkallës së parë të kalojë drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë. Ai theksoi se numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të përzgjedhur nga radhët e juristëve të shquar me kontribute shkencore të mos e kalojë 20 apo 25 për qind. Gjithashtu, Kondi vlerësoi domosdoshmërinë e përmirësimit të kodeve të procedurave, me qëllim eliminimin e zvarritjeve të gjykimeve dhe që në Gjykatën e Lartë të gjykohen vetëm çështje të rëndësishme me interes për praktikën gjyqësore.
Bogdanor: Administrata nuk mund të jetë pjesë e ekzekutivit
Anëtari i Kolegjit Mbretërore në Londër, Vernon Bogdanor, në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të “Forumit Civil 2010”, solli në vëmendje se në Britani, si edhe në gjithë demokracitë e tjera, ekziston një ndarje pushteti brenda ekzekutivit, mes ministrave, të besuar me hartimin e ligjeve dhe nëpunësve civilë, të besuar me detyrën e këshillimit dhe zbatimit. “Ministrat janë partizanë dhe mund të hiqen nga Parlamenti apo votuesit, por nëpunësit civilë janë neutralë, as të qeverisë as të opozitës, por nga i gjithë spektri politik. Ata duhet t’i shërbejnë si qeverive të majta ashtu edhe atyre të djathta. Nëpunësit civilë shqyrtohen nga parlamenti sipas parimit të përgjegjësisë ministrore, i cili trajtohet më poshtë dhe kanë siguri në pozicionin e punës. Ata i përgjigjen ministrave dhe jo parlamentit, i cili as nuk ushtron pushtet ekzekutiv dhe as nuk emëron nëpunës civilë”, – solli eksperiencën londineze, Bogdanor. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se, nëpunësit civilë nuk mund të jenë pjesë as e ekzekutivit politik dhe as e legjislativit.