Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 61 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Sami Starova
Në lagjen muzeale “Goricë” të qytetit të Beratit u dogj një godinë treshekullore e cilësuar shtëpi muze e kategorisë së parë. Ndërtesa të tilla kanë vlera të mëdha, jo vetëm për qytetin e Beratit, tashmë i vendosur në thesarin e trashëgimisë së kulturës botërore – UNESCO, por për mbarë kulturën botërore.
Kjo ngjarje tronditëse na bën t’i vëmë gishtin kokës, për të bërë detyrat dhe të mbajmë përgjegjësi, në mënyrë që të mos përsëriten tragjedi të tilla.
Në këtë kontekst, le t’i kthehemi qytetit mahnitës të Beratit, të cilit tani i mungon një godinë monumentale.
Thesaret e këtij qyteti përmblidhen në tre lagjet muze, të cilat janë “Mangalemi”, “Gorica” dhe “Kalaja”. Në këto lagje ka shumë godina karakteristike, si dhe shumë monumente kulti, të ngritura që nga Perandoria Bizantine e në vazhdim.
Godinat e hijshme të Beratit, 84 prej të cilave janë cilësuar muzeale të kategorisë së parë (ishin 85 ditë më parë), janë dykatëshe, me strukturë të tillë që kati i parë është i gurtë, ndërsa kati i dytë me konstruksion druri, ku dominon pisha. Ato janë të vendosura njëra mbi tjetrën, për të hyrë kudo dielli. Meqenëse banesat janë pranë njëra – tjetrës, rreziku nga zjarri bëhet eminent.
Duke pasur parasysh këtë rrezik, paraardhësit tanë, që na dhuruan këtë mrekulli, menduan dhe për mbrojtjen e tyre. Ata ndërtuan në pikat më të larta të këtyre lagjeve, sterat që rezervonin ujin e shiut, për të qenë sa më funksionale në rast shfaqjeje zjarri.
Për ruajtjen e këtyre godinave, ndonëse nën pushtimin italian, u vendosën dhjetëra hidrantë me furnizim të pandërprerë dhe të bollshëm uji, krahas çezmave publike nëpër lagje, të cilat ishin në gatishmëri deri në vitet ‘90 ku më pas u shkrinë për skrap.
Aktualisht nëpër lagjet muze ka pak hidrantë, të cilat pothuajse janë të gjitha jashtë funksionit. Konkretisht, në lagjen “Goricë”, ku ra zjarri, gjendet vetëm një hidrant i tillë, edhe ai i furnizuar jo nga një rrjet i pandërprerë uji zjarrfikës, por nga rrjeti i popullatës, që furnizohet me orare të caktuara.
Në lagjen “Mangalem”, nga tre hidrantë, vetëm njëri prej tyre është funksional, ku gjithashtu uji vjen me orar, ndërsa dy të tjerët nuk kanë prurje uji për faktin se banorët kanë devijuar rrjetin për në shtëpitë e tyre.
Zotëria e familjes Shehu, që ka pranë shtëpisë hidrantin funksional, na thotë se duhet që hidranti duhet të ketë furnizim të pandërprerë uji, nga një linjë e veçantë, dhe se në grykat e daljes së ujit duhet të jenë kasetat me tubacionin e hidrantit, që fatmirësisht janë sintetike, palosen me lehtësi dhe nuk zënë shumë vend. Sipas këtij banori të lagjes “Mangalem”, në rast zjarri, duke qenë shtëpi me material drusor, deri sa të vijnë zjarrfikëset, zjarri ka bërë punën e vet. Në këto kushte, hidrantët duhet të jenë në gatishmëri dhe të përdoren nga vetë banorët, që sigurisht duhet të jenë të instruktuar.
Rreziku i djegies së shtëpive bëhet akoma më i madh për faktin që instalimet elektrike të këtyre godinave janë bërë kryesisht në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, ku si ngarkesë ishte vetëm llamba elektrike, ndërsa sot familjet kanë pajisje që funksionojnë me energji elektrike të konsiderueshme.
Në këto kushte, CEZ-shpërndarje, nuk duhet të jetë vetëm mbledhës parash, por edhe vëzhgues i rreptë i linjave të rrjetit të jashtëm e brendshëm familjar. Ai duhej të ndihej në këto lagje, nëpërmjet zëvendësimit të linjave të amortizuara, brenda dhe jashtë familjeve, duke mos lejuar që të ketë familje me instalime të pasigurta apo për të penguar shtrime rrjeti elektrik nga amatorë.
Për lagjet muze duhet të ketë një status të veçantë, deri në sisteme kontrolli dhe ndërprerje automatike të energjisë për çdo shtëpi. Pse jo, në banesat muzeale të kategorisë së parë duhet të jenë instaluar sisteme “sprinkler” për shuarjen automatike të zjarrit (sisteme të shuarjes së zjarrit me ujë që funksionojnë automatikisht në varësi të arritjes së një temperature të përcaktuar në banesë). Ndërsa për repartin zjarrfikës, detyrat janë shumë të mëdha. Strukturat e tij nuk duhet të jenë vetëm pritëse në raste zjarri, por parandaluese të tij.
Inspektorët e këtij reparti që varen nga Prefekti, duhet të njohin në detaje situatën në çdo godinë, për të marrë masa paraprake në mënjanimin e mundësive të zjarrit. Mendoj se duhet të bëhet furnizimi i detyruar dhe falas i të gjithë familjeve në këto lagje, me fikës me shkumë dhe të ketë një cikël instruktimi për përdorimin me efikasitet të tyre. Në këto kushte, do të kemi siguri personale dhe kolektive, në shërbim të mbrojtjes së jetëve njerëzore, por edhe të trashëgimisë së kulturës kombëtare. Informimi teknik dhe veprimet praktike kundër zjarrit mbeten mjaft të efektshme.
Të parët tanë na lanë trashëgim një mrekulli, e ruajtën në shekuj për t’ia transmetuar brezave. U dogjën dhe u kthyen në hi dy godina të një lagjeje muzeale, njëra prej të cilave me vlera monumentale të papërsëritshme, me kolonata e qemerë, me hajate e divanë të mëdhenj, me qoshe e çardakë me karakteristika të papërsëritshme, me tavanë e dollapë muri të gdhendur, si dhe u rrezikuan shumë të tjera. Kjo godinë, buzë lumit, që nuk u dogj nga luftërat e shumta, digjet, siç u fol, nga një shkëndijë.
Kjo ngjarje, nëse do të ndodhte në ndonjë vend tjetër të botës së qytetëruar, do të konsiderohej një tragjedi e vërtetë kombëtare. Në Shqipërinë tonë çdo ndodhi, sado e dhimbshme të jetë, harrohet pas tre ditëve, në pritje të ndodhisë së radhës. “Mos luani me zjarrin… Me atë nuk bëhet shaka!” – janë thëniet e popullit.