Publikuar me : 02.11.2011 Ne :
Kulture - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
“Jemi në shërbim të lexuesit jo të botuesit. Botuesit janë në shërbim të lexuesit. Botuesit janë të gjithë të barabartë në panair. Secilit do t’i jepen të gjitha mundësitë të prezantojë punën e një viti.”
Organizatorët e panairit të librit në Tiranë 9-13 nëntor, japin mesazhe paqeje aty ku ka dhe mesazhe indiferente aty ku ka probleme. Në deklaratën për mediat dje nga Biblioteka Kombëtare, ata njoftojnë kalendarin e aktiviteteve. Është Shoqata e Botuesve të Shqipërisë që e organizon ekspozimin e librit shqip me pjesëmarrjen e botuesve shqiptarë edhe përtej kufijve shtetërorë, nga Kosova e Maqedonia.
“Presim befasira nga shtëpitë botuese” thotë kryetari i shoqatës organizatore Petrit Ymeri.
Në program është një
convengo, siç i thonë italianët, për arbëreshët në kuadër të 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë, dhe merr pjesë një bandë shumë interesante rroku, “Reggea Arbëreshe: Spasulati Band”. Në mes një buffet,
degustazione di prodotti di alta qualità arbëresh.
Vjen një shkrimtar shumë i njohur nga Italia, Sebastiano Grasso. Ai prezanton librin me vjersha “Ti në grackë, nën qepallë”. Nuk është tamam Grasso i ftuari më i rëndësishëm. I është bërë ftesë një shkrimtareje që nuk i thuhet emri, e cila nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Nuk mungojnë personalitet nga vendi dhe Kosova. “Ka libra të mirë, autorë të rëndësishëm”, thotë botuesi i “Dituria”. Autorë shqiptarë
të mirë e të rëndësishëm me qëllimin “për ta përfaqësuar sa më mirë zhvillimin e letërsisë shqipe”. Në listën zyrtare të panairit janë shënuar emrat e këtyre autorëve më të rëndësishëm vendas: Arshi Pipa, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Klara Kodra, Adrian Civici, Nasi Lera, Ndriçim Kulla, Agron Tufa, Kiço Blushi, Ben Blushi, Dritëro Agolli, Uran Kalakulla, Nasho Jorgaqi, Blendi Fevziu, Shkëlzen Maliqi, Spartak Ngjela etj..
Janë autorë me tituj të rinj e të vjetër në stendë.
Nga
autorët më të rëndësishëm të huaj me vepra në shqip, shënohen në listë: Umberto Eco, Herta Müller, Orhan Pamuk, Dominique Moisi, Joachim von Ribbentrop, Jules Verne, Tony Blair, Jorge Luis Borges, Pietro Grasso, Alan Bradely, Virginia Woolf, Samuel Beckett, Simona Cerrato, Tom Rob Smith, Johann Gottlieb Fichte, Nikos Sideris, Jackie French, Geoff R. Berridge.
Këta prezantohen dhe konkurrojnë. Panairi i Tiranës jep tradicionalisht çmime. Një juri njerëzish profesionistë vlerësojnë Autorin e vitit, Përkthyesin e vitit dhe Librin më të mirë për fëmijë. Stendën me paraqitjen më të mirë grafike e zgjedhin gazetarët e kulturës mendimin e të cilëve e merr një kolege. Nëse profesionistët e kanë filluar punën qysh dy muaj, siç deklaron botuesi Ymeri, gazetarët e kulturës, që të gjykojnë për stendën më të bukur, duhet të shëtisin sipërfaqen totale ekspozuese që është 1654 m2, përkatësisht 1219m2 në holl, 315m2 në katin e parë mbi holl. Nuk llogaritet 60 m2 salla e promovimeve të librit. 40 promovime gjithsej: 27 në sallë, 13 në stendë. Tek promovimet në sallë, flasin të tjerët, autori dëgjon kokulur. Në stenda autori është i pranishëm dhe nënshkruan autograf. Kur vjen Ismail Kadare stenda është plot. Stenda e “Onufrit” i ngjan një ekrani të madh plazma, ku ekspozohen vetëm librat e Kadaresë. Këtë vit në stendë pritet të jetë Helena Kadare me
Kujtimet. Ka autorë që presin të vetmuar në stendë me botuesin. Është e guximshme por inkurajuese. Nuk është e thënë të presësh në radhë për të marrë një firmë nga shkrimtari. Lëshimi i një firme është një sport që mund të luhet kudo në panairin e Librit të Tiranës.
Ka dy hapësira çlodhëse, bar-kafe. Njëra në oborrin e Pallatit të Kongreseve, 150 m2 dhe një 60 m2 në ballkonadë, siç e quajnë organizatorët pjesën ku, meqë është
lart, përfundojnë botues me ambicie shpirtërore.
Në hyrje të panairit një ekran promovon punën e një viti të botuesve dhe krijimtarinë e autorëve. “Të gjithë njëlloj do të promovohen, me të gjitha mundësitë që ka panairi”, thotë botuesi Ymeri.
Ekspozues quhen ata që kanë një stendë në panair. Këta janë kryesisht shtëpi botuese, por edhe universitete dhe institucione botuese, librari etj..
Nga Kosova marrin pjesë 14 botues, “një numër mjaft i lartë krahasuar me vitet e kaluara”, nga Italia, Instituti Italian i Kulturës ka stendën e vet dhe Gjermania të vetën me Rrjetin e Përkthimeve “Traduki”.
Titujt e rinj shënojnë rënie në 2011-ën. Janë 965, pa llogaritur “befasirat” që shtëpitë botuese t’i japin në nëntor kur panairi funksionon si treg i madh. Krahasuar me 2010-ën, kur titujt e rinj ishin 2692, rënia e sivjetshme është e ndjeshme. Situata sociale, ekonomike janë shkaqet. “Ja për shembull”, argumenton Ymeri, “Panairi i Frankfurtit kishte më pak tituj të rinj se një vit më parë. E njëjta gjë binte në sy edhe te botuesit francezë, italianë… Botimet janë biznes i mesëm dhe botuesit duhet të jenë të kujdesshëm. Nëse fuqia blerëse është e ulët, botuesi s’mund të bëjë aventura. Kjo gjendje ka ndikuar në rritjen e të drejtës së autorit dhe në uljen e tirazheve.” Për këto dy tregues referencë është përvoja e botuesve të huaj.
Sa për politikën e çmimeve, kryetari Ymeri që foli në emër të organizatorëve, pohoi që shtëpitë botuese inkurajohen nga Shoqata që t’i ulin çmimet, por ajo nuk iu imponohet dot, si atyre që e përgjysmojnë çmimin, edhe atyre që shesin me çmim kopertine.
Nuk mund ta lënë pa përmendur organizatorët performancën e artistit Robert Aliaj. Ai i vë fëmijët të improvizojnë direkt vizatime me motive mbi librin dhe leximin. Aktiviteti quhet “Fëmijët në lëndinën e librit”. Për fëmijët dhe të rinjtë janë dhe stendat e librit shkollor. U tha se ka më pak vend se vitin e kaluar libri shkollor. Nuk zë vend në stendat hyrëse siç mund të ketë ndodhur. “Botuesit shkollorë nuk janë lagje më vete, janë pjesë e jona. Edhe në panaire të mëdha në botë ata ekspozojnë si të tjerët.”
Shoqata e Botuesve të Shqipërisë mendon që panairi i ardhshëm meriton vëmendje qysh tani. Bëhen 15 vjet dhe në të njëjtin nëntor shqiptarët festojnë një shekull pavarësi.
Nuk pati elozhe as kritika për Ministrinë e Kulturës, patronin problematik të Panairit të Librit të Tiranës.
Vizitorë dhe shitje
Panairi i Librit “Tirana 2011” mbahet 9-13 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Hapet në orën 18.00. Vizitat e përditshme në orën 09.00-21.00. Sipas të dhënave të organizatorëve për edicionin e kaluar, Panairi i Tiranës është vizituar nga 60.000 njerëz dhe gjatë pesë ditëve janë shitur 200 mijë libra. Të ardhurat nga panairi, deklarohen mbi 20 milionë lekë.
Të paftuarit
I ftuari më i rëndësishëm që ka ardhur ndonjëherë në panairin e Tiranës quhet Tomas Transtromer, Nobel 2011 për Letërsinë. Poeti suedez erdhi në panairin e vitit 2003 i ftuar nga përkthyesja e tij në gjuhën shqipe, Natasha Lako. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, deklaronte vitin e shkuar se Shqipëria ka treg të papërfillshëm për një autor të rëndësishëm që shet disa qindra mijë kopje gjetiu.
Ankesat
“Nuk më intereson është apo s’është “Dudaj” në panair.” Këtë përgjigje përsëriti dje Petrit Ymeri i pyetur për pjesëmarrjen në panair të shtëpisë botuese “Dudaj”. Kjo çështje ka qenë objekt diskutimi në shtyp gjatë këtyre ditëve sepse autorja kishte parashikuar prezantimin e librit “Kurban” të kreut të opozitës Edi Rama. Ymeri e trajton rastin me indiferencë. “Kjo çështje që s’është polemikë mua më lë indiferent. Dudaj është ftuar si gjithë botuesit e tjerë dhe nuk është përgjigjur në kohë.”
Akoma nuk dihet si do të shkojë ky rast. Arlinda Dudaj përfaqësuese e shtëpisë botuese “Dudaj” bën pjesë në strukturën drejtuese të Shoqërisë së Librit Shqip, një shoqëri e re e cila në muajin shtator e informoi publikun për ngritjen e çmimit të stendave nga organizatorët e Panairit të Librit “Tirana 2011”: nga 7000 lekë për m2 në vitin 2010, në 70 euro për m2 për këtë vit. ShLSh deklaroi se administruesit e Pallatit të Kongreseve, nuk e kanë ndryshuar qiranë për këtë Panair, pra ajo mbetet sa dhe vitet e tjetra, afërsisht 7.900.000 lekë.
Botuesit e ShLSh pranuan të marrin pjesë në këtë panair “megjithë deformimet që ai po pëson” si një panair që “nuk përfaqëson kryesisht kulturën e librit, por tërësisht biznesin me librin”.