Publikuar me : 14.12.2011 Ne :
Kulture - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Jorida Pasku
Pas përvojës në Tiranë me operën “La vita é sogno” (“Jeta është ëndërr”, 2010) e David Tukiçit, tenori Stephen Mullan mori një vendim: ta linte përfundimisht “La Scala”-n ku kishte punuar për 12 vjet në kor.
Një vit e gjysmë i frytshëm i tregoi që vendimi ishte i drejtë, nuk kishte vend për keqardhje dhe pengje. Erdhën njëra pas tjetrës koncertet në Spanjë, interpretoi rolin e Ruxheros te “La rondine” e Puçinit në Australi, në një koncert në Nju Jork dhe “ndryshoi jetën e tij rrënjësisht” duke vendosur të jetojë në Barcelonë. Qyteti i ri i dha mundësi për të interpretuar në dy opera me peshë, te “La Bohème” e Puçinit dhe “La Traviata” e Verdit. Opera e Verdit hapi teatrin e ri “Atelier de L’opera”, që ishte më tepër një studio opere eksperimentale, “por e një niveli të lartë”. Teatri u themelua nga dy gra kurajoze, Anna Belén Gómez dhe Claudina Valdez, që u kujdesën për organizimin dhe financimin. Projekti funksionoi sepse të gjithë punuan vullnetarisht dhe gjithçka eci mbarë.
Tenori Mullan po mendon që të angazhojë edhe këngëtarë lirikë shqiptarë në projektet e teatrit të Barcelonës. Më i afërti është një Festival në Ibiza, ku mund t’u ofrohet mundësia e audicioneve. Mendon se të rinjve i duhet dhënë dorë në kontaktin me botën. Një këngëtar i ri lirik nuk mund të paguajë biletën e avionit, qiranë, ushqimin, gjithçka kur dihet se mund të ndodhë që teatri nuk e pranon në atë kohë.
Me rëndësi për karrierën e tenorit Mullan janë bashkëpunimet me dirigjentin Vittorio Parisi për “Turandot”-in e Tiranës, që e drejtoi orkestrën me një tjetër stil nga ai i dirigjentit shqiptar Edmond Doko. Stephen bashkëpunoi me pianistin Ricardo Estrada, i cili drejtoi në Barcelonë “La Bohème” dhe me Gaetano Colajanni-n në Austali.
U desh një Sixhizmondo, roli kryesor i operës “La vita é sogno”, një rol me përgjegjësi për tenorin nga Uellsi, situata plot tension në përgatitjen e operës, që t’i zgjonte ambicien për të marrë role të para. I bëri mirë edhe familjariteti që fal një vend si Tirana, njohja me teatrin, kolegët, miqësia me njerëz të zakonshëm qoftë edhe me shërbimin e hotelit “Livia”. Këto e bindën tenorin të vinte prapë, për një tjetër rol kryesor kësaj here. E thirri Kalafi i “Turandot” dhe regjisori Nicola Zorzi.
Stephen ishte në Tiranë këtë vit edhe për një projekt të Tukiçit, për koncertin që u mbajt në kujtim të tenorit Ibrahim Tukiçi në 85 vjetorin e lindjes. Interpretoi sërish Sixhizmondon. Në atë kohë filluan audicionet për “Turandot” në Teatrin e Operës, ku Mullan konkurroi dhe fitoi rolin e Kalafit.
Stephen kthehet pas në vitin 1998 për të na kujtuar premierën e “Turandot” në Kinë, nën regjinë e Zhang Yimou, dirigjent Zubin Mehta, një shfaqje krejt ndryshe nga e Tiranës.
Përse e latë “Scala”-n kur ndiheshit i qetë dhe i rehatuar vitin e kaluar?
Është e vërtetë që kisha një jetë të qetë atje, një punë për gjithë jetën, shtëpinë, plot miq, e shijoja jetën, ambienti në kor ishte shumë i mirë, kisha të garantuar udhëtimin nëpër botë. Por sërish mungonte diçka. Më pëlqen shumë ndjesia e përgjegjësisë. Mora përsipër riskun dhe vendosa të vazhdoja karrierën solistike. Jam i vetëdijshëm që nuk ka kurrë asgjë të qëndrueshme. Vij nga një realitet që nuk e sheh stabilitetin ashtu siç e koncepton Mesdheu. Një mendësi që mbështetet mbi parimin: “Nëse punon, paguhesh, nëse jo, nuk paguhesh”. Mendoj se kjo gjë nuk është një problem. Kur je i uritur, bën gjërat më të mira në jetë. Prandaj këtë e kam parë si një aventurë të re.
Po vendin e solistit në Milano nuk e menduat?
Në profesionin tonë duhet të stabilizohesh duke pasur afër vetes një menaxher dhe pastaj vijnë telefonatat, kontratat, udhëtimet. Kjo nuk ndodh në Itali. Kam bërë role të vogla në “La Scala” dhe drejtuesit nuk do merrnin kurrë një korist për një rol kryesor. Duhet të largohesh nëse kërkon për më shumë.
Na rrëfeni diçka për aventurën “Turandot”?
Erdha në tetor në Tiranë për koncertin në nder të tenorit Ibrahim Tukiçi. Më vonë shkova në Teatrin e Operës për të përshëndetur miq dhe drejtorin Zhani Ciko. Kësaj here kisha me vete një mësuese të mrekullueshme, që quhet Mariuccia Carando. Vendosa të interpretoj arien e Kalafit te “Turandot”, sepse isha në dijeni që shfaqja do vihej në dhjetor. Pak ditë para shfaqjes më lajmëruan që të vija dhe isha i kënaqur që më zgjodhën, po edhe që më mirëpritën.
Kalafi u përgatit në 2 ditë… Si arritët?
Po, për 2 ditë. Truri mësohet të funksionojë në atë mënyrë që roli të përgatitet. Mendoj që qysh në fillim, duhet ta çlirojmë veten dhe ta lejojmë interpretimin të dalë natyrshëm nga brenda nesh.
Kur këndohet me shpirt, siç thoni ju shqiptarët, atëherë ka interpretim. Pastaj është një vendim i secilit për ta pëlqyer operën ose jo. Për këtë ekziston teatri, për të krijuar kundërshti. Kjo është e mirë sepse i bën njerëzit të mendojnë. Ana e mirë që u shfaq opera me konceptin regjisorial të Zorzit, është mesazhi që jep: të mos harrohet kurrë historia. Historia shërben për të na dhënë një mësim. Historia e “Turandot” është frymëzuar nga Kina, por mund të vihej kudo në botë, në shumë realitete. Njerëzit kanë nevojë për interpretime të ndryshme sot. Nëse ata reflektojnë, është bërë një punë. Edhe kur njerëzit nuk e pëlqejnë dhe nuk e dinë se përse. Ndodh edhe që kanë një reagim të dhunshëm, të njëjtë me atë kur janë te psikiatri, ai godet gjurin dhe trupi reagon keq.
Si ishte puna me interpretimin? Krahasuar me operën e parë, ju nuk e ulët nivelin…
U punua 3 javë për të gjithë “Turandot”-in. Regjisori e kishte në kokë çfarë donte. Kjo vënie e operës që pa publiku shqiptar, është shumë e veçantë, shumë e fortë. Po ashtu kishte kufij shumë të prerë për përgatitjen. E zbërthyem personazhin, por mos të harrojmë që ai është i zbërthyer mirë nga Puçini. Isha shumë i nderuar sepse kisha me vete sopranon Mariuccia Carando, fituesen e Festivalit të Puçinit “Torre del Lago”, që erdhi nga Barcelona për të qëndruar 20 ditë me mua këtu. Si në kohët e vjetra, kur mësuesi e dëgjon nxënësin kudo që shkon. Është fat të dëgjojë mësuesi yt nga platea dhe të ndërtosh me të një rol.
Nëse krahasoni shfaqjen e Kinës me atë në Tiranë, çfarë dalloni?
Në Kinë ishte një shfaqje e madhe, kishte shumë para aty. Realizohej nga Zhang Yimou, një regjisor i shkëlqyer filmash. Shfaqja ishte tradicionale në melodi, ritëm, kostume, ishte e pranishme aty edhe trupa kineze e baletit. U realizua në “Qytetin e Ndaluar” në Pekin, në mbretërinë e vërtetë të “Turandot”. Nëse do ishte gjallë Puçini, do të lumturohej me atë shfaqje.
Por në shfaqjen e Tiranës, pamë një Kalaf me kostum, këmishë të bardhë dhe kravatë. A u ndjetë mirë me këtë veshje? Po me skenën, a ju mjaftonte?
Si mund të ishte ndryshe Kalafi, kur kemi të bëjmë me një diktaturë ushtarake? Në Kinë, Kalafi ishte shumë tradicional, këtu historia ishte më pak përrallë. Këtu nuk ishte eleganca e ngjyrave, por realiteti i ashpër. Personalisht mendoj që Kalafi është një karakter i fortë, sepse ai sakrifikohet. Ai e di që po të bëjë të vetmin gabim, e pret vdekja. Përsa i takon skenografisë, po, ishte e vështirë sidomos për dirigjentin i cili duhet të drejtonte personazhet.
Pra, juve ju pëlqen interpretimi që i bëri Zorzi operës?
E para gjë që mendohet në këtë profesion, është që nuk mund t’i hysh një pune me ide të prera. Ekziston muzika, nota, personaliteti, por ai personalitet mund të ndryshojë, sepse në ditët tona regjisorët të kërkojnë të bësh shumë gjëra. Ndonjëherë kjo nuk ka të bëjë fare me muzikën. Rasti i operës këtu ishte i ngjashëm. Nicola kishte shumë respekt për muzikën dhe të gjithë njerëzit që punuan për operën i qëndruan korrekt Puçinit.
Lidhja me Turandot nuk dukej e besueshme… ajo aq e ftohtë, tepër nervoze kur Kalafi i afrohej edhe në aktet kur bëhej fjalë për dashuri.
Në fakt, Turandot nuk i shpreh ndjenjat e saj deri në aktin e tretë. Spektatori sheh frikën e saj në aktin e dytë, ndërkohë Kalafi është duke kaluar ritualin e tre enigmave dhe princesha është duke u thyer dalëngadalë. Ajo që shikuesi nuk sheh, është përse ajo thyhet. Vetëm në fund mësojmë se ajo thyhet nga dashuria, por në këtë kohë nuk e dimë këtë gjë. Është si një lidhje e zakonshme mes njerëzve, kur një grua nuk ia lejon vetes dashurinë. Sa herë kemi dëgjuar për njerëz që ndahen dhe 20 vjet më vonë i bëjnë pyetjen tjetrit: Përse nuk më ke treguar që më doje? Kjo ishte zgjedhja e regjisorit. Ai e donte shumë këtë ashpërsi në marrëdhënie. Edhe pse në fund vijmë te ajo shprehja, fati është shkruar.
Carando: Kurrë nuk e kisha menduar të përgatitej një Turandot për 3 javë
“Turandot” i Nicola Zorzit, që u shfaq më 5, 7 dhe 9 dhjetor në Teatrin e Operës dhe Baletit dukej një punë e bërë shpejt dhe me pak financa. Mungonin këtë herë edhe fletëpalosjet që i jepen publikut para shfaqjes dhe spektatorët duhet t’i faleshin ekranit që rri sipër perdes lart në të djathtë të skenës, që shkëput vëmendjen, dhe jo rrallëherë çfarë shkruhet aty, më shumë ngatërron sesa rrëfen historinë e shfaqjes. Po të vijohet me mungesat, përveç përparëseve prej doku, xhaketave, shamive, vihej re që nuk ishte kushtuar edhe aq vëmendje skenografisë që u ndërrua vetëm 1 herë gjatë 3 akteve, ku dominonte shumë punimi në dru. Podiume, dollapë, kube në dru. Skenografia u realizua nga Edoardo Sanchi, kostumet nga Sanchi dhe Silvia Aymonino. Është thënë tashmë që Zorzi “inskenoi” diktaturën në një vend të izoluar, që ndihej në skenën që i ngjante një burgu. Për ta sjellë më afër realitetit shqiptar para viteve ‘90, në skenë u panë shami pioneri, flamuj si në koncertet e “1 Maji”-t. Në vijim, regjisori i kishte konceptuar të ngurtë personazhet në marrëdhënie me njëri-tjetrin dhe me lëvizje të kursyera.
“Turandot” u përgatit për tre javë, ndërsa një rol me rëndësi si ai i Kalafit, mori vetëm dy ditë. Këtë e thotë vetë tenori Stephen Mullan i ardhur nga Barcelona për të realizuar rolin bashkë me sopranon Mariuccia Carando. Të dy bashkë punuan natë e ditë.
Dihet që të huajve u bëjnë përshtypje punët e bëra me ngut, kurse në Teatrin e Operës janë normë.
Ja si tregon Mariuccia, zonjë e fisme te të 80-tat, për përgatitjen e Kalafit: “Kur e njoha tenorin Stephen Mullan, mendova që ishte një element i mirë për të çuar përpara një diskutim të rëndësishëm për rolet e para. E dëgjova dhe mendova se ky këngëtar nuk mund të vazhdonte të këndonte vetëm me impulsivitet dhe instinkt, duhet të kishte teknikë. Atëherë mora leksionet dhe studiuam të dy shumë për teknikën e re italiane. Mendoj që, nëse dikush do të mbajë një zë perfekt dhe një fizik të shëndetshëm, duhet të këndojë siç këndohej dikur, me zë të hapur, pa u sforcuar për të kënduar deri sa të mundet. I madhi Gigli thoshte: “Deri sa ka zë, ka jetë””. Kjo është edhe metoda që vetë Mariuccia ka studiuar në konservatorin “Giuseppe Verdi” në Torino.
Sopranoja nuk do të donte kurrë që Stephen të punonte për disa muaj në kohën kur trajnohej, por e kuptoi që duhej medoemos. “Pak e nga pak arritëm të bënim diçka të rëndësishme, por kurrë nuk e kisha menduar që të bëhej Turandot vetëm me tre javë prova. Askush nuk mund ta bënte. Kemi ndenjur dy ditë nga mëngjesi në darkë mbi Kalafin, ndonjëherë edhe nuk hanim, nuk flinim. Për dy ditë e kemi lexuar të gjithë rolin, e kemi zbërthyer edhe nga ana psikologjike. Kaq kohë nuk është asgjë”, vijon rrëfimin.
Ish-sopranoja ka punuar në teatrot e Italisë, Francës, në Shtetet e Bashkuara. Ka një karrierë 20-vjeçare që filloi në rini, por përfundoi në kohën kur u martua, krijoi familje dhe nuk këndoi më. U mor me audicione dhe pedagogji. Për Stephen-in, profesoresha e tij është një grua e nderuar, me një energji të pashtershme, i dëgjohet fjala edhe nga të rinjtë.