Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Muzeu i filmit, nje hap i guximshem

Publikuar me : 29.11.2011 Ne : Kulture - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli



Një nga objektet e ekspozuara në panairin e Alba Film Studios, në Panairin Klik Ekspo Klik


Elsa Demo

Një ish-ndërmarrje e prodhimit të filmit, Kinostudio “Shqipëria e Re”, Alba Filmi i sotëm, që prodhonte 14 filma artistik në vit, dhjetëra dokumentarë e filma të animuar deri në vitin 1990, u rrëzua pas kësaj me shpejtësi marramendëse. Pati vite që nuk u prodhua fare film, dhe për fat të mirë, me krijimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, sipas Ligjit “Për Kinematografinë”, kinemaja shqiptare, jo vetëm u ngrit nga pika e vdekjes, por bashkëprodhimet me të huajt, një formë zgjidhjeje për vendet e Lindjes, funksionuan.

Alba Filmi sot është një ndërmarrje që bën servis kinematografik sa për të thënë. Në faqen zyrtare prezantohet si distributori më i madh filmik në vend kur nuk është, nuk është as më i vogli. Ka ambjente e kthina ku ruhet rekuizita, kostumet, trashëgimia e disa dekadave e mbyllur brenda mureve.

Alba Film Studio, si shoqëri aksionere me varësi të dyfishtë nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Ekonomisë, kryen funksionin e administrimit të qiradhënies së pjesëve të korpusit të ish-Kinostudios dhe e vetëfinancuar nga një pjesë e vogël e këtyre të ardhurave, ka qenë gjithnjë në prag të falimentimit. Me 10 punonjës ajo kryen funksionet e mësipërme, asgjë më shumë.

Ish Kinostudio është raportuar si një vend me të cilin autoritet politike të shtetit kanë vepruar në mënyrë abuzive me copëzimin e kapitalit fizik, me transformimin e konstruksioneve, shërbimeve dhe inventarit fizik në favor të subjekteve private si operatorë televizivë, shkolla, kompani prodhuese e tregtare, duke lejuar amortizimin e mjeteve dhe shërbimeve kinematografike.

Në të dyja rastet kur është riparë Ligji “Për Kinematografinë” i vitit 1996, asnjë akt nënligjor nuk e ka marr në konsideratë AFS-në. Mundet, në rishikimin e tretë që është duket iu bërë ligjit. Sepse shndërrimi që pritet të ndodhë në ASF kërkon një bazë ligjore. Brenda Studios po krijohet një destinacion i ri: Muzeu i Filmit që jep mundësi për rivitalizimin e objektit.

Drejtori Fatmir Musaj shpalli të dielën në mbrëmje idenë e projektit për rikonstruksionin e godinës dhe një ide fillestare për Muzeun e Filmit Shqiptar. Në një kënd të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës Klip Expo Klik, AlbaFilmi afishon dy idetë e mëdha dhe ekspozon disa objekte: kamera ruse, gjermane, bobina me regjistrime origjinale nga filmat shqiptarë, një makinë millecento që është shfaqur për herë të fundit te “Gjoleka, djali i Abazit” i Dhimitër Anagnostit; një pajton, njëri nga ata që shfaqet në ndjekjet e zonjëzës Lulushe nga doktor Adhamudhi te “Pas vdekjes” i Kujtim Çashkut.

Drejtori Fatmir Musaj që vu në qendër në vëmendjes dy vite përpara në konfliktin me Akademinë Marubi dhe regjisorin Çashku, ka dashur të thotë në atë afishe se nëse do të lërë gjë pas kur të mos jetë në detyrë, ky do të ishte Muzeu i Filmit.

Musaj pohon se ka për të qenë një muze pa “ngjyra politike”. Do të thotë se baza e trashëgimisë së AlbaFilm Studios, që në shumicë përbëhet nga prodhime të ngjizura me propagandë, do të gjykohet me objektivitet?

Në këto punë aplikimi i objektivitetit, shkencës dhe profesionalizmit tërheq frikën nga pas.

Në faqen zyrtare të AFS, Historiku i Kinostudios sikur të jetë shkruar nga dora e ekspertëve të censurës. Ja një shembull që flet për prodhimin filmik të vitit 1974: “Filmi që bëri më shumë jehonë ishte “Katër Këngë për Partinë” (R: V. Gjika) dhe një tjetër film me vlera artistike ishte “Përjetësi” (R: Dh. Anagnosti). Po këtë vit u xhirua dhe filmi “E Vërteta mbi Fenë” dhe numri i filmave artistikë arriti në 6 ndër të cilët përmendim “Shtigje Lufte” dhe “Rrugë të Bardha”.”

Të mos jesh militant nuk do të thotë të jesh profesionist. Rreziku i djeshëm dhe i sotëm i institucioneve të kujtesës fle në këto dy tipare të mentalitetit. Për një ide të mirë si Muzeu i Filmit, ky mentalitet është shenjë e keqe.

Në projekt idenë e drejtorit Musaj shikon se në muze do të hyjnë bashkë me të ndjerët dhe të gjallët: Aleksandër Moisiu dhe Eliza Dushku, Bekim Fehmiu dhe Laureta Meçi, John Belushi dhe Agim Kaba, James Belushi dhe Elona Bojaxhi, Liri Begeja, Sten Dragoti dhe Masiela Lusha “aktore, poete dhe themeluese ne vitin 2007, e një kompanie produksioni në Amerikë e quajtur “Illuminary Pictures”. Sepse “të gjithë i bashkon motivi i krenarisë dhe identitetit shqiptar”, thuhet në projektin e shpallur.

Të jesh krenar për atë që je është shenjë e një mentaliteti që ndryshon ngadalë. Shenjë e keqe e një ideje të mirë.

Sfida e Fatmir Musajt është që të paktën Muzeu të ngrihet me të ardhurat nga qiratë, ndërsa për zbatimin e projektit të rikonstruksionit do të ndiqet procedura e tenderimit.

Ajo pjesë që ka mbetur nga Kinostudio, pjesa e korpusit kryesor, objekt me vlera arkitekturore, historike, “vepër e rëndësishme e pesëvjeçarit të parë”, e projektuar nga Studioja e Arkitekturës Moskë dhe inauguruar më 10 korrik 1952, do të jetë vendi i Muzeut të Filmit në 2000 m2. Prapa shpinës së drejtorit Musaji ekspozohet një godinë e pastër, e bardhë, e qëruar nga bojërat e kuqe, myku dhe barërat përreth, të gjitha ndyrësitë që i ka në gjendjen e sotme objekti më monumental i shekullit të njëzetë që mbetur Tiranës periferike.

 

 

Intervista me drejtorin e Alba Film Studios, Fatmir Musaj

 

Kështu siç e shikojmë do të jetë korpusi qendror?

Kjo është pamja e ardhshme për Muzeun e Filmit.

 

Një pamje të tillë është parë në kronikat e viteve pesëdhjetë të Hamdi Ferhatit. Si do të arrihet deri këtu?

Muajin e ardhshëm hidhet për tenderim projekti i rikonstruksionit për mjediset e Alba Film Studios. Zyrat tona do të kalojnë nën çati dhe gjithë hapësira i mbetet muzeut. Sigurisht procesi ka për t’u ndjekur me skrupulozitet të madh sepse është një godinë e bukur, elegante, e përshtatshme për Muzeun e Filmit Shqiptar.

 

Sa hapësirë keni për këtë?

Albafilm mbetet në hapësirat që ka. Muzeu shtrihet në 2000 m2, në të dyja katet. Në një të ardhme, kur shumë shpejt Qendra Kombëtare e Kinematografisë të lëvizë, do të vëmë në dispozicion dhe këtë pjesë. Pjesën tjetër e ka Instituti i Monumenteve të Kulturës.

 

Mjafton?

Po mjafton. Për iniciativën që unë kam marrë mjafton. Dikush tjetër pas meje, mund të bëjë më shumë.

 

Objekti degradon dita-ditës ndërkohë që ju po punoni për këtë projekt…

Nuk është mbajtur sekret, por është punuar për ta lexuar këtë ambicie në momentin e duhur që është sot. Janë gjetur fondet për rikonstruksionin e godinës, njëkohësisht dhe për të bërë muzeun.

 

Sa janë këto fonde?

Rikonstruksioni me gjithë konceptin e muzeut kushtojnë rreth 60 milionë lekë. Mendojmë të celebrohet për 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Ky kontribut nuk mund të kuptohet pa ndihmën e kineastëve dhe aktorëve shqiptarë.

 

Si do ta tregonte historinë e filmit shqiptar ky muze?

Si një ndërthurje e klasikes me modernen. Jo një muze ku të jepet në mënyrë kronologjike e gjithë historia e kinemasë shqiptare, por në një koncept që të spikasin vërtet vlera. Muzetë shqiptarë vuajnë shumë nga konceptimi. Muzeun ynë do të jetë vërtet kombëtar, një hapësirë për komunikim me profesionistët. Të rinjtë do të ballafaqohen me një realitet kritik e aspak të modifikuar nga militantizmi apo ngjyra partiake. Është një megaprojekt që do të ketë shumë bashkëpunëtorë.

 

Cili është arkitekti?

Arkitekti shqiptar për fazën e rikonstruksionit është Devis Agaraj.

 

Si është vlerësuar gjendja e godinës nga këta ekspertë?

Kur erdha në krye të Alba Filmit, objekti sapo kish mbijetuar. U mora me menaxhimin e situatës ekonomike duke vjelë qiratë e munguara. U mora me rekuizitën e cila ishte në pikë të hallit. Besojmë se kemi sistemuar dhe ruajtur gjithçka. Sigurisht ato që kanë degraduar i kemi nxjerrë jashtë përdorimit. Me të ardhurat nga qiratë që kemi vjelë këto dy vjet, bëjmë muzeun. Nuk do t’i biem më qafë njeriu.

Sa për gjendjen aktuale, mund të them se për fat të mirë, godina është e fortë, solide, por ka shumë rifiniturë. Është me mure mbajtës të trashë dhe ka edhe konstruksione betonarme brenda. Rikonstruksioni parashikon dhe restaurimin e afreskeve brenda, skulpturave jashtë, një rrethim të ri dhe në fund do të ketë një kopsht të mrekullueshëm.

Siç e thashë ne kemi gjithë lëndën materiale për një muze, rekuizitë, fotografi, objekte të veçanta, mizanskena, që janë pasuri më vete.

 

Që kërkon edhe teknologji për materialin filmik, ruajtjen dhe projektimin e tij në pavijone të caktuara?

Janë teknologjitë. Puna e kineastëve dhe e gjithë trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re”, filmat, kronikat, dokumentarët, muzika e tyre, ekziston. Pjesë e projektit të AlbaFilmit ka qenë regjistrimi, katalogizimi dhe inventarizimi i plotë fizik i filmave, rekuizitës dhe objekteve të cilat do të mund të shihen dhe preken në Muzeun e Filmit, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Botimet, biblioteka, gardëroba, do t’i japin mundësi publikut të hyjë në historinë e artit të shtatë shqiptar.

Ju siguroj që shumë shpejt do të kemi të reja për këtë proces. Gjatë kohës që tenderohet për rikonstruksionin, do të ngrejmë grupet e punës për të projektuar muzeun. Do ta ndjekim kohën paralel.

 

Sa për qind e mjediseve të Alba Filmit është e zënë aktualisht nga subjektet private?

Rreth 80 perqind është zënë nga mediat. Më pëlqen që krahas qendrës mediatike të jetë dhe një qendër kulturore. Pak më tutje është Arkiva e Filmit, në mes është Akademia “Marubi” dhe muzeu i ardhshëm i filmit shqiptar që do të zërë ballin e vendit. ka shumë mundësi që në këto mjedise të zërë vend në një të ardhme dhe një muze i artit modern. Kurrkush nuk ka menduar këto 20 vjet për bërthamën e këtij arti, një muze që t’i shohë publikut.

 

Histori

Më 10 korrik 1952 u përurua Kinostudio “Shqipëria e Re” vepër e Planit të Parë 5-vjeçar për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës. Kinostudio mori përsipër të gjitha funksionet e një kinematografie të centralizuar kombëtare si në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave. Me ngritjen e saj u shkri Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike Shqiptare (N.SH.K.SH.). Drejtori i parë i Kinostudios “Shqipëria e Re” ishte Nesti Zoto. Pranë Kinostudios u ndërtua edhe një Filmotekë ku grumbulloheshin, ruheshin e mirëmbaheshin gjithë fondi filmik i trashëguar nga Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike dhe u vendos rregull që aty të ruheshin edhe origjinalet dhe kopjet pozitive të prodhimeve shqiptare. Duke filluar që nga viti 1955 Kinostudio Shqipëria e Re filloi prodhimin e rregullt të kinoditarëve. Kuadrot e parë ishin kursantët që u përgatitën pranë Studios Qendrore të Filmave Dokumentarë në Moskë, Endri Keko, Xhanfize Keko, Jani Nano, Koço Tollko, Petraq Lubonja, Mihal Çarka. Krahas tyre dhe operatorët veteranë Mandi Koçi, Hamdi Ferhati, Agim Fortuzi, Sokrat Musha.

Filmi i parë i gjatë artistik shqiptar u prodhua në vitin 1958, “Tana” i Kristaq Dhamos.

Në vitin 1991 Kinostudio “Shqipëria e Re” riorganizohet duke u ndarë në katër ndërmarrje dhe konkretisht në: Albafilm-Studio e prodhimit të filmave dokumentarë dhe artistikë, Albafilm – Animacion – Studio e Filmave Multiplikativë; Albafilm Distribucion dhe Arkivi Shtetëror i Filmit. Më 1996 hartohet Ligji “Mbi Kinematografinë”.

 

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit