Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Muzike ne kohen e kibernetikes

Publikuar me : 16.10.2011 Ne : Kulture - 37 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Jorida Pasku

Dy net më parë në Akademinë e Arteve, tanimë Universiteti i Arteve, u prezantua koncerti “Lutjet e Nënë Terezës dhe Lotët e Planetit” me krijime të kompozitorit Aleksandër Peçi që u interpretuan për herë të parë nga Orkestra e Harqeve e Radio Televizionit Shqiptar. Qysh në fillim u ndje se mbrëmja kushtuar veprës së Peçit do ndiqej nga një ceremoni për vlerësimin që kompozitori mori nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekorimi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Rektori Petrit Malaj shpjegoi që ky titull iu dha “për vlerat e mrekullueshme të talentit” dhe që nepërmjet veprës së tij kompozitori “ka folur fort për të gjithë ne”. Ai që ka qenë së paku një herë në takime ku njerëz të artit dhe kulturës marrin vlerësime të tilla, i ka parasysh fjalimet shterpe dhe pa peshë që duket se thonë gjithçka për njeriun “e mrekullueshëm, e madh, të shquar” dhe lënë mënjanë kontributin e tij kryesor, veprën dhe ndikimin që ajo ka në kohën kur është krijuar.

Pas “koncertit për piano dhe orkestër nr.2” u bë i natyrshëm largimi i hapur i njerëzve nga salla e Universitetit të Arteve, shprehjet e pakënaqësisë në portretet e orkestrantëve (të qeshurat, fshehjet pas partiturave), reagime të njëjta me ato të spektatorëve në sallë. U ngarkua edhe më tepër kjo atmosferë gjatë prezantimit të “Planetears”, krijim i mbështetur në fragmente të fjalimit të presidentit Barack Obama në konferencën për klimën në Kopenhagen dhe një poezi pa titull e Al Gore. Për koncertin ishte ftuar pianisti Dimitri Vassilakis kurse për Planetears interpretoi në flaut Pierre-Yves Artaud, në piano Elvis Peçi i biri i kompozitorit, Rezarta Qevani (soprano) të shoqëruar nga orkestra e drejtuar nga dirigjenti Pierre Strauch. U pa qartë që edhe për natyrën praktike të Strauch-it nuk ishte i lehtë dirigjimi i muzikës së Peçit. E ftuam shefen e departamentit të Kompozicionit, Dirigjimit, Muzikologjisë dhe Pedagogjisë, Prof. Ass Ilirjana Demën të hidhte dritë mbi disa aspekte të kësaj muzike eksperimentale. Pa ndihmën e tri ekraneve të vendosur në fund të skenës dhe imazheve të natyrës në lëvizje që përvijoheshin njëri pas tjetrit, tematika e koncertit do të ishte edhe më e huaj për spektatorin. Bënë përshtypje thirrjet “Paqe”, “Jezus”, “Shpëtona” të orkestrantëve dhe të korit, goditjet me pëllëmbë të pianos, apo imitime të çuditshme të disa tingujve. Dema flet edhe për këto në intervistën e dhënë pas koncertit të dy netëve të parë.

Pas interpretimit të “Dans i Dielloreve”, mbrëmja u mbyll me pjesën “Liturgji në Tokën time” kushtuar humanistes Nënë Tereza, ku interpretuan sopranot Mariana Leka, Irini Nikolla dhe Rezarta Qevani dhe ansambli koral “Akuarel” nën drejtimin e Dritan Lumshit. Vargjet u recituan nga aktorja Roza Anagnosti. Ato po i botojmë të plota. Lexuesi t’i gjykojë vetë mesazhet që përcjellin, të mbushura me qarje e vuajtje që të gjitha të çojnë te vdekja. Të gjithë “i kërkojnë” Zotit për t’i ndihmuar “si të durojnë dhe të vdesin në konfliktin e jetës së përditshme”.

Ndjesia që la në shpirt koncerti i dy netëve më parë të bënte të mendoje për vërtetësinë e fjalëve të filozofit Arshi Pipa në lidhje me domethënien e artit, një tezë e shtjelluar në librin “Skicë e një konceptimi mbi jetën plotësuar me “Mbi Gjeniun””:

“Jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë të mirën me ndërmjetësinë e së cilës vepron arsyeja: për faktin e thjeshtë sepse ata nuk arsyetojnë gjithmonë. Por ata do të jenë gjithmonë të gatshëm ta pranojnë të bukurën, t’i bëjnë jehonë të menjëhershme, sepse është e bukura që e bën jetën, madje të gjithë natyrën, që u flet dhe i thërret, e ata s’mund të qendrojnë të shurdhër ndaj thirrjes së jetës, sepse janë të gjallë”.

Znj. Dema, ç’mendoni për muzikën që u luajt sonte nga Orkestra e RTSH-së?

Pa dyshim është një krijimtari që ngacmoi më shumë intelektin e njeriut, mendimin abstrakt të njeriut dhe këtë e përcolli pa dyshim me emocion. Dy kohët janë shumë të ndjeshme në krijimtarinë e tij. Koha e dikurshme kur Aleksandër Peçi i ngriti në monument temat dhe këngët popullore dhe koha kur Peçi, pas ardhjes së pluralizmit, u lëshua me një pasion dhe një etje drejt teknikave të reja, drejt një qendrimi estetik të ri që muzika duhej të merrte parasysh, drejt asaj ku Evropa kishte hyrë që në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, kishte hyrë dhe kishte elaboruar teknika, emocione dhe shprehje të reja muzikore. Ndërkohë që te ne vetëm pas viteve ‘90 u krijua terreni dhe lirshmëria për artistët dhe intelektualët që të elaboronin në mjetet e reja shprehëse në atë çka bota kishte një shekull që e kishte realizuar.

U duk se ky emocion nuk u ndje te publiku në sallë…

Edhe në botë spektatori që ndjek muzikën kontemporane, veçanërisht të bazuar në teknikat moderne, siç është ajo e kakofonizmit edhe e të gjithë izma-ve të tjera, është shumë i pakët. Pasi është e vështirë sepse kjo lloj muzike mbështetet më shumë te përllogaritjet intelektuale matematikore, sesa te natyrshmëria e tingullit muzikor që kërkon natyrshëm zgjidhje aty ku veshi pëlqen. Kështu që publiku i thjeshtë, ndoshta edhe muzikanti në nismën e vet, studenti, e ka të vështirë sepse muzika do edukim. Edhe muzika e Bethovenit duhet edukuar. Një publik që nuk e ka dëgjuar asnjëherë nuk para do ta shijonte vlerën e gjenisë bethoveniane. Duhet të ushqehesh shumë gradualisht, me pikatore, duhet të njohësh elementin e gjuhës dhe duhet ta ndjekësh gjuhën që ta shijosh dhe ta perceptosh.

Në këtë muzikë duket sikur mungon harmonia…

Për ta kuptuar publiku, aty ishte edhe imazhi. Ne themi shpesh që bota është në një kaos, rrallë gjendet qetësia shpirtërore. Ritmi tmerrësisht i shpejtë i jetës, teknologjia e avancuar i ka lënë shumë pak kohë shpirtit baritor ose romantik. Iku shekulli i XIX, i cili e shpërfaqi gjithë thellësinë e botës emocionale të njeriut. Tani është shekulli i kibernetikës dhe Peçi lundron në këto ujëra. Midis tokësores dhe jotokësores.

Të gjitha këto tema që ju përmendët, pa këtë shpjegim dhe projektimin e imazheve, zor se kuptohen. A e përligj muzika bashkëkohore moskuptimin e tematikës?

Kjo shkon paralel me pikturën. Një publik i rëndomtë kërkon te tabloja ose te peizazhi, çfarë ka dashur të japë konkretisht autori. Mirëpo sot koncepti i pikturës moderne nuk është fotografia. Sot piktori punon me plane emocionale figurative, që nuk do të thonë asgjë konkretisht. Fola për pikturën që të kuptohet edhe konkretësia. Muzika nuk ka konkretësinë as të fjalës dhe as të penelit, jo vetëm kjo, po edhe muzika e shek XVII, XVIII, XIX. Muzika komunikon me botën e shpirtit. Kurse muzika e shek XX komunikon me intelektin dhe pastaj vjen shpirti. Kur talenti është i tillë që alternon mjaft bukur shkallën e lartë të intelektit dhe këtë ta përcjell emocionalisht, atëherë një vepër e ka realizuar qëllimin e saj.

U fol për teknikën që shfrytëzon një kompozitor për krijimin e tij. A janë të lejueshme mjetet që u përdorën sonte në koncert: thirrjet e orkestrantëve, imitimi i atyre tingujve të çuditshëm si goditjet në piano? 

Në botë janë paraqitur koncerte për piano dhe orkestër dhe pianos i mungonte komplet tastiera. Këto janë në kuadrin e eksperimentimeve. Edhe këtu, në koncerte që kanë bërë shoqata të ndryshme, është hedhur dhe një kanaçe me gurë. Pra, lejohen mjete, edhe goditje, edhe fjala, edhe përshpërima. Ime motër, gjatë koncertit më tha: “Ç’është kjo zhurmë” dhe iu përgjigja: “Është muzikë”. Kompozitori është në kërkim të mjeteve shprehëse për të shpalosur idetë e tij sa më thellë. Varet pastaj sa është gjetur mjeti komunikues me publikun.

Si mendoni, kur do kuptohet krijimtaria e kompozitorit Aleksandër Peçi?

Më mirë t’ja lëmë historisë dhe studiuesve të muzikës që të përcaktojnë vendin e Peçit në historinë e muzikës shqiptare.

 

Liturgji në Tokën Time

I dashur Jezus

Ndihmona të përhapim aromën e këndshme ngado që shkojmë

Pranoje shpirtin tonë në shpirtin e jetës tënde

Eja e zotëroje gjithë qënien tonë në mënyrë të plotë

Jezusi vjen në trupin e të afërmve tanë

Ata janë atje që ne t’i gjejmë

Erdh për t’u mësuar njerëzve dashurinë e atit të tij

Jezusit me gjak ia qendisën atë shtat të mrekullueshëm

Jezusin e pamë në kryq, virtytin na e kallzoi

Gjithë qiejt i ndriti, ëngjëjt ngushëlloi

O Zot na ndihmo të durojmë e të vdesim në konfliktin e jetës së përditshme

O Zot na ndihmo të shikojmë në kryqëzimin, në ringjalljen tënde e të vdesim

Dashuria hyjnore lind te të varfërit sepse aty shohim Jezusin, fjalën e mishëruar

dhe e tëra kjo është si flaka që mbahet ndezur

Kam etje

Vallë kjo fjalë kam etje, a ka ndonjë kumbim në shpirtrat tanë?

Mbaje ndezur llambën, le të rrezatojmë dashuri, gëzim

E dimë që kjo që po bëjmë është një pikë uji në oqean

Po pa këtë pikë uji oqeani do të ishte më i vogël

Dashuri dhe Paqe

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit