Publikuar me : 18.07.2011 Ne :
Kulture - 112 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Fillim korriku 2011: pika e kalimit kufitar mes Québec-ut kanadez dhe ShBA duket sikur mezi arrin ta përballojë currilin e mekur të udhëtarëve në mesnatë. Kufitarët e anës amerikane djersiten me çdo vizitor a qytetar qoftë, duke i lëshuar batare pyetjesh gjithfarësh e duke i marrë shenjat e gishtave në rastet fatkeqe kur i pandehuri qëllon të jetë
noncitizen (ç’term orwellian!).
Këtu e përplasëm kokën, tek ktheheshim nga një fundjavë kaluar në Montréal për të ndjekur Festivalin Ndërkombëtar të Jazz-it: tre ditë me muzikë,
kitsch turistik, shëtitje
brown-iane, krahasime antropologjike fytyrash rrugëve.
Ironikisht, na u desh të kalonim nga një atmosferë karnevali të diversitetit, që ishte Montréali i festës muzikore, në një komedi të radhës nga teatri i sigurisë së kufijve, thuase nuk ishim në pikëkalimin mes dy vendeve që s’i ndan më pothuajse asgjë veç mbretëreshës, por në ndonjë postbllok izraelit në të dalë të Rripit të Gazës.
Çfarë na kishte tërhequr në Montréal ishte mundësia për ta parë më në fund artistin tonë të preferuar, tunizianin Anouar Brahem, virtuoz i
oud-it (instrument i ngjashëm me llautën), që luajti të enjten mbrëma më 30 qershor, në teatrin Jean Duceppe, albumin e vet ndoshta më të njohur për publikun,
Thimar, i shoqëruar nga Dave Holland në bass dhe John Surman në saksofon/ klarinetë.
Nuk kam ç’të them shumë për Brahem-in;
Thimar është albumi nga duhet nisur dëgjimi – janë të rrallë ata vdekëtarë të cilëve nuk do t’u pëlqejë. Trioja e muzikantëve ia bëri magjinë sallës siç pritej; me Brahem-in impresionist dhe të përmalluar, Surman-in intelektual pothuajse gjeometrik dhe Holland-in si ligjvënës ose demiurg të efektit muzikor total.
Thimar është edhe triumf i një koncepti që bashkon ndjeshmëritë arabe të Brahem-it me traditën e jazz-it europian të Surman-it (diçka si një Garbarek më pak
flamboyant) dhe traditën tjetër, po aq pjellore, të hard bop-it nostalgjik dhe me figura orientalizante të Holland-it. Nëse ka një vend ku ky fuzion global duhet të marrë jetë, është pikërisht Montréal-i.
Entuziazmin e natës së parë sikur na e preu me limon koncerti i hapur, në shesh, natën e dytë, nga një Mario Calliari; ky kishte sjellë në skenë një ansambël mercenar me violina dhe trumbeta dhe tuba, për të interpretuar diçka që tingëllonte si potpuri klishesh prej restoranti italian në Bronx, ku salcën e makaronave duhet ta hash me lugë. Nuk na shpëtoi, megjithatë, elementi ose më mirë përmasa etnike e këtij operacioni, më shumë komercial sesa muzikor.
Natën e tretë na ndihmoi fati: qëlluam afër koncertit të Guy Bélanger, virtuoz i muzikës së gojës (harmonikës) – instrument djallëzor por gjithnjë sugjestiv. Me grupin e vet pikant si salmon i tymosur, i dhuroi publikut një udhëtim pastoral nëpër Amerikë, nga një horizont në tjetrin, me theksin herë në
blues herë në
folk herë në
country. Ndryshe nga
pagliacciata e Calliari-t një natë më parë, muzika e Guy-së dhe miqve të vet ishte autentike dhe jopretencioze; por edhe këtu publikut iu shërbye një Amerikë e nxjerrë, ose më mirë e deduktuar nga western-ët e epokës së artë të kinemasë dhe nga kujtime udhëtimesh ose më mirë pelegrinazhesh të dikurshme në New Orleans.
Kultura komerciale globale vërtet e trajton multi-etnicitetin si çështje aromash, nuancash ose erëzash; versione më tepër estetike të të njëjtit
homo planetarius. Publiku është mësuar me këtë, madje është formuar si publik me këtë; artistët ndonjëherë janë të detyruar të binden. Lidhjet e shumta me çfarë ndodhte me artet europiane në shekujt XVII-XIX nuk duhen shpërfillur: edhe aty, përmasat italiane, spanjolle, ruse, turke, arabe, kineze përthyheshin si manierizma stili ose ndonjëherë deri edhe zhanre. Pak shembuj do të mjaftonin: koncertet “italiane” të Bach-ut, “rondoja alla turca” e Mozart-it, vallet e alternuara italiane, spanjolle, kineze, arabe te Arrëthyesja i Çajkovskit; ose Haïde-ja te Montécristo-ja i Dumas-it; ose Gjauri i Byron-it.
Edhe kur është hapur ndaj Orientit, muzika klasike perëndimore e ka bërë këtë në mënyrë orientalizuese, duke paraqitur më shumë imazhin e vet ekzotik të Orientit, sesa duke u orvatur të komunikojë me të. Këtë e sheh jo vetëm në aspektet karnevaleske të operas europiane, por edhe në zhanre të tjera. Madje edhe rusët, që muzikën orientale e njihnin më mirë, i mëshojnë ngjyrës ose atmosferës: p.sh. Balakirev, Mussorgski dhe, më tepër se të tjerët, Rimski-Korsakov. Çajkovski, që estetikisht nuk i përket këtij grupi, edhe ai ia shkel syrit… publikut, sa herë që i lejon vetes momente arabe ose turke (për të mos folur për kinezet); por këtë e kanë bërë, në Rusi dhe gjetiu, edhe me italianët e sidomos spanjollët, prandaj nuk duhet marrë vetëm si shprehje e orientalizmit.
Çfarë ka ndryshuar në krahasim me atë kohë është publiku, i cili i shoqëron tani këto aroma me praninë e vet shumëngjyrëshe.
Neve që jemi mësuar me modalitetet e jazz-it perëndimor, na duhet ta bëjmë një përpjekje ekstra, për t’u hapur ndaj mënyrës si i qaset muzikës Brahem-i. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me muzikën klasike arabe, e cila mbetet praktikisht e panjohur nga anët tona.
Vetë Montréal-i metropol pluralitetin e vet nuk e përjeton gjithnjë në mënyrë muzikore; diversiteti anglo-francez ndonjëherë manifestohet si tension dhe dramë; dhe larmia multi-etnike ndonjëherë vlen edhe për të mbuluar plagët e konflikteve të brendshme. Ndoshta bash për këtë arsye ekranet plazmë në lokalet nuk lodheshin së transmetuari pamje pas pamjesh të vizitës që po ia bënte Québec-ut princi William me të shoqen Kate. Tek e fundit, Commonwealth-i është edhe ai një farë multi-etniciteti, por nga lart; në një kohë që festivali i jazz-it garanton të njëjtin efekt, vetëm se nga poshtë. Çështje kahesh.
Gjithsesi, muzika mund t’i kalojë kufijtë ndër-shtetërorë pa problem; ndryshe nga njerëzit dhe mollëzat e tyre të gishtave që ngecin në rrjeta si peshqit. Çka nuk do të na pengojë të kthehemi në Montréal, ndoshta që vitin tjetër. Jazz-i ofron kaq shumë, sa të rropatesh vetëm duke u munduar të zgjedhësh; poshtërimi abstrakt në kufi do interpretuar si pjesë e ritualit të përgjithshëm. Tek e fundit, karnevali është karneval edhe për këtë arsye.
Ardian Vehbiu