Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Sport - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Xho Frazier (Joe Frazier) ka vdekur pas një beteje me kancerin në mëlçi. Frazier, i njohur ndryshe si “Smokin’ Xho”, ndodhej në një klinikë në Filadelfia ku merrte mjekim pasi u diagnostikua me kancer disa javë më parë. 67-vjeçari ishte boksieri i parë që mundi Muhamed Aliun në vitin 1971, por që humbi dy ndeshjet e mëvonshme me të. Ai mbajti titullin e kampionit të botës mes viteve 1970-73.
Ditën e shtunë, menaxheri i Frazierit, Lesli Ulf, deklaroi se gjendja e boksierit ishte shumë serioze, por mjekët po bënin gjithçka që kishin mundësi. Gjatë karrierës së tij Frazier fitoi një medalje ari në Lojërat Olimpike të vitit 1964, ku mori pjesë në turne si zëvendësues i Baster Matisit, i cili nuk mundi të ndiqte turneun për shkak të një dëmtimi. Ai fitoi titullin për peshat e rënda në vitin 1970, pasi mundi Xhimi Ellisin në Nju Jork. Ndërsa tre vjet më vonë ai e humbi titullin përballë Xhorxh Formen.
Por boksieri do të mbahet mend më tepër për tre ndeshjet e mëdha me Muhamed Aliun, përfshirë duelin epik “Thrilla in Manila” në vitin 1975. Pasi mësoi për sëmundjen e Frazierit, Ali, 69 vjeç, tha: “Lajmi për Xhonë vështirë të besohet dhe akoma më i vështirë që të pranohet. Unë dhe familja ime e kemi Xhonë dhe familjen e tij në lutjet tona të përditshme”. Frazieri u tërhoq nga boksi në vitin 1976, pasi u mund sërish nga Formen. Që tëherë ai bëri një kthim të dobët në vitin 1981, për t’u ndeshur edhe një herë të vetme para se të mbyllte karrierën.