Ndahet nga jeta Sabri Godo. Berisha Shqiperia humbi nje prej mendjeve me te ndritura
Publikuar me : 03.12.2011 Ne :
Politike - 41 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Sabri Godo
Ndërron jetë shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Kryetari i nderit i Partisë Republikane u shtrua me urgjencë 22 nëntor në reanimacioni e Sanatoriumit, në kryeqytet, si pasojë e komplikacioneve në mushkëri.
82-vjeçari vuante prej disa muajsh nga një sëmundje e rëndë në mushkëri.
Politikani, shkrimtari dhe skenaristi i njohur Sabri Godo ka mbajtur postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991. Godo e ka drejtuar Partinë Republikane për 7 vjet.
Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.
Berisha: Shqipëria humbi një prej mendjeve më të ndritura
Sali Berisha, kryeministër i vendit i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të të ndjerit Sabri Godo. Në këtë mesazh Berisha e vlerëson Godon si “politikan të urtë dhe të mençur” dhe se vdekja e tij është “një humbje e madhe për politikën dhe letrat”.
“Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme”, shprehet Berisha.
Edi Rama: Lajm i trishtuar! Ndërroi jetë autori i Ali Pashë Tepelenës. S’ishim miq, por çmoj shumë librat e zonjën e tij që e ngushëlloj nga zemra.
Pandeli Majko: Vdekja nuk ka peshore, por sot duket sikur e bëri edhe këtë. Sabri Godo ndroi jetë. Republikani, ish-partizani i LANC dhe “kryeplaku” i politikës që gjithmonë reflektoi maturi, la pas respekt dhe shembull. Ngushëllime familjes.
PS: Do të çmohet për konseguencën në mbrojtjen e interesave kombëtare
Kryesocialisti Rama ka shprehur ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo. Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga selia rozë, Rama e cilëson Godon si një figurë të respektuar të politikës shqiptare dhe mbrojtës i interesave e vlerave të kombit.
“Në emër të socialistëve shqiptarë, kryetari Edi Rama i shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes së Sabri Godos. Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes. Po, ashtu Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare”, thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste.
PDIU: Emri i tij do të mbetet me shkronja të arta në historinë tonë moderne
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit Sabri Godo. Në mesazhin e ngushëllimit të PDIU-së theksohet se me ndarjen e tij nga jeta, shqiptarët humbën një zë të fuqishëm të çështjeve kombëtare.
“PDIU me pikëllim të thellë mori lajmin e ndërrimit të jetës së politikanit dhe patriotit të madh, Sabri Godo. Shqiptarët nga të gjitha trevat nga Çamëria në Kosovë humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore, një zë të matur dhe të fuqishëm të çështjeve të mëdha të kombit tonë”, thuhet në mesazhin ngushëllues të PDIU-së.
“Humbja e Sabri Godos është një trishtim për mbarë kombin shqiptar, i cili i është mirënjohës për aktivitetin e tij politik kombëtar. PDIU gjen rastin të ngushëllojë familjarët e Sabri Godos, duke siguruar se emri i tij do të mbetet me shkronja të arta në historinë tonë moderne”, përfundon mesazhi.