Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Qeveria ka ndërmarrë një serë ndryshimesh në drejtim të përllogaritjes së masës së kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shendëtësore për të punësuarit. Ndryshimet në thelb kanë të bëjnë me detyrimin e pronarëve të bizneseve për të paguar kontributet edhe për punonjësit që janë ndërkohë edhe pjestar të familjes mbi 16 vjeç por që nuk trajtohen me pagë, vënien në dijeni të punonjësit në fund të çdo viti për sasinë e kontributeve të paguara si edhe detyrimin për të deklaruar online të ardhurat personale dhe listën e kontributeve për bizneset.
Drafti i propozuar nga qeveria detyron çdo biznes të vogël që të paguajë kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shendetësore për çdo person që angazhohet me punë në ambientet e një biznesi privat, por që nuk trajtohet me pagë fikse. Detyrimi për të paguar fillon nga paga minimale prej 17 540 lekë, mbi të cilën përllogaritet detyrimi për pagesën e Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shendetësore. Kjo është paga minimale për efekt të përllogaritjes së pagimit të kontributeve. Paga maksimale për këtë qëllim është 87 700 lekë. Ligji gjithashtu parashikon edhe pagesën e kontributeve për punonjësit e shtëpive, rrjedhimisht edhe regjistrimin pranë organeve tatimore.
Në çdo rast, punëdhënësi është i detyruar që t’i ofrojë punonjësve të tij një formular ku të shpjegohen pagesat që janë bërë në emër të këtij të fundit përgjatë gjithë vitit. Një detyrim i tillë vlen për të përfshirë sa më shumë punonjës në skemën e Sigurimeve Shoqërore. Nuk janë të pakta rastet, kur punonjësve iu është thënë se janë të siguruar, ndërkohë që ka rezultuar e kundërta. Përcaktimi në fjalë pritet të shmangë një fenomen të tillë.
Biznesi ndërkohë është i detyruar të deklarojë zyrtarisht, në organin tatimor, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë para fillimit të punës. Në rastet e largimeve nga puna, biznesi duhet t’i deklarojë pranë tatimeve brenda një periudhë 10 ditore. Një pjesë e këtyre detyrimeve kanë qenë të përcaktuara në vendime të ndryshme qeverie, ndërkohë që është parë e domosdoshme që ato të përfshihen edhe në ligj.
Krahas ndryshimeve në ligjin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetërore” qeveria miratoi edhe disa ndryshime në drejtim të deklarimin online të detyrimeve nga ana e bizneseve. Të gjitha bizneset duhet të deklarojn në mënyrë elektronike pranë tatimeve listën e punonjësve të tyre duke filluar nga data 1 janar e vitit të ardhshëm.
Ndryshojnë pagat për 4 institucione
Qeveria ka ndryshuar dje pagat e disa institucioneve si Gjykata e Lartë, QKL, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe kryesisht administrata doganore. Sipas vendimit të djeshëm, Gjykata e Lartë dhe Komisioneri do të vendosen në një nivel pagash si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kështu zyrtarët me DND apo DIND në Inxhinieri elektronike apo Informatikë do kenë shtesë page 15 000 lekë. I njëjti post në QKL, Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik do ketë një shtesë page prej 10 000 lekësh. Në rast se këta punonjës përfitojnë edhe ndonjë shtesë tjetër, duhet të zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por, në asnjë rast, nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat. VKM e djeshme i heq shtesën e pagës prej 15 mijë lekësh që i është dhënë në gusht kreut të njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe 10 mijë lekësh për përgjegjësit e sektorit dhe inspektorët. Deri më dje punonjësit civilë në pozicionet përgjegjës sektori dhe specialist” në laboratorin qendror të forcave të armatosura dhe në laboratorin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, merrnin shtesë page për kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin. Kjo u hoq dje. Kjo shtesë i jepet punonjësve në pozicionin sanitar në sistemin doganor. Në dogana, punonjësit që kanë postet: Doganier pranues. Doganier peshoreje. Doganier pike kontrolli. Përpunues informacioni. Sekretar. Arkivist, Magazinier. Furnitor. Operator. Shofer. Teknik, Punëtor mirëmbajtës dhe Punonjës pastrimi përfitojnë shtesën për vjetërsi në punë, në masën 1 perqind mbi pagën e pozicionit pas çdo viti pune, deri në 25 vjet.
Vendimi, dietat për jashtë miratohen vetëm nga titullari
Qeveria shtrëngon procedurat për dërgimin e punonjësve me shërbim jashtë shtetit si dhe trajtimin financiar të tyre. Vendimi i miratuar në mbledhjen e djeshme përcakton se asnjë punonjës i organeve të qeverisjes qendrore apo të institucioneve në varësi të tyre nuk mund të shkojë për shërbim jashtë shtetit dhe për rrjedhim nuk mund të përfitojë dietë pa lejen e titullarit të institucionit apo të deleguarit të tij. Deri më tani, dërgimi i punonjësve me shërbim bëhej me dijeni të Drejtorisë së Shërbimeve që kanë institucionet. Në rastet kur bëhet fjalë për punonjës të ministrive, leja jepet direkt nga ministri ose i deleguari i tij, kurse për institucione si Presidenca, Kryeministri apo Kuvendi, leja jepet nga Sekretari i Përgjithshëm. Marrja leje nga ministri apo drejtori i çdo institucioni për çdo shërbim që do të bëhet është një shtrëngim i masave në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve nga ana e qeverisë, pasi shërbimet ishin kthyer në një formë përfitimi nga punonjës të ndryshëm të administratës duke përvetësuar shuma të konsiderueshme.
Sipas këtij vendimi, punonjësi përfiton gjysmë diete për ditën e nisjes ose të kthimit. Dita konsiderohet e plotë kur nisja bëhet para orës 08:00 dhe kthimi pas orës 20:00. Në këtë rast, nëse shihet e domosdoshme, institucioni mund të lejojë edhe rezervimin e një dhome hoteli, për qëllime të akomodimit të pjesshëm. Por edhe ky vendim duhet të kalojë nga titullari i institucionit. Trajtimi financiar për ata që shkojnë me shërbim në Europë do të bëhet me euro, kurse për ata që shkojnë në vende të tjera, trajtimi bëhet në dollarë amerikanë. Vendimi gjithashtu ka përcaktuar me detaje edhe mënyrën e akomodimit të punonjësve duke i ndarë në hotele me 3,4 dhe 5 yje sipas kategorisë së tyre. Asnjë punonjës nuk mund të akomodohet në hotelin që dëshiron përveç se në ata të përcaktuara me vendim të qeverisë. Trajtim financiar përfitojnë punonjësit edhe kur dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra. Masa e dietës, përllogaritet në masën 25 euro/dollar në ditë. Kjo është shuma maksimale që mund të trajtohen punonjësit edhe nëse shpenzimet janë më të mëdha. Rregullat janë të njëjta edhe për ndërmarrjet shtetërore që janë me kapital mbi 50 perqind shtetëror.