Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Ne artin e Evropes me Fustanin e nuserise

Publikuar me : 22.01.2012 Ne : Kulture - 81 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Autoportret, 2011, akrilik


Elsa Demo

Muzeu Historik Gjerman i Berlinit është duke përgatitur një ekspozitë madhështore për nga pjesëmarrja e artistëve e veçanërisht për tematikën dhe epokën që rrok: “Kritikë dhe kriza. Arti në Evropës pas 1945-ës”. Organizohet nën kujdesin e Këshillit të Evropës, prezantohet në tetor 2012 dhe kurohet nga prof. dr. Monika Flacke e cila ka shpallur qëllim që theksi të bjerë në pozicionin kritik të artistëve ndaj shoqërive ku kanë jetuar. Kështu që është shmangur ajo pjesë e artit që pas vitit historik 1945 u shenjua nga ideologjia.

Veprat e zgjedhura, afro 230 nga gjithë vendet e Evropës, – nga Portugalia në Rusi, nga Skocia në Shqipëri dhe Greqi, – janë shprehje vizuale e ideve dhe koncepteve që kanë një potencial për ndryshimin e botës. Kjo do të thotë që origjina kombëtare e artistëve, kronologjitë dhe shkollat artistike nuk kanë rëndësi.

German Historical Museum ka bashkëpunuar me një rrjet muzesh të artit, galeri dhe institute në përzgjedhjen e artistëve. Ekspozita qarkullon gjatë 2013-ës në Muzeun Kombëtar të Varshavës, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Beograd dhe në Palazzo Reale në Milano.

Edi Hila prezanton Shqipërinë me tablonë “Fustani i nusërisë”, nga seria Anash rrugës, ose ndryshe peizazhe të tranzicionit, realizuar në vitet 2007-2009. Objekti në fokus është një veshje nuseje në një parvaz, përbri një derë e hapur mbrapa. Si duket kuratorja e ka parë të duhurën për temën e ekspozitës. “Shekulli” boton një fragment nga teksti i Edi Mukës mbi këtë vepër dhe profilin artistik të Hilës. I plotë ai do të botohet në katalogun e ekspozitës. Tabloja ndodhet e ekspozuar në Galerie JGM në Parisë ku Hila punon.

Në këtë bisedë Edi Hila evokon shqetësimet estetike nga rënia e diktaturës, dhe udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, për të parë ekspresionistët gjermanë.

 

Fustani i nusërisë është pjesë e ciklit objekte anash rrugës, që ju nuk e keni ekspozuar në Shqipëri. Është peizazh nga tranzicioni?  

Që në periudhën e fillimit të tranzicionit shqiptar u krijua një situatë e çuditshme figuracioni përmes objekteve të arkitekturës, përmes atmosferës që krijonin rrugët në Shqipëri. Nëse ju kujtohet, tipike ishte rruga nga Instituti Bujqësor deri në Kamëz me objekte që përdoreshin për të tjera funksione. Për shembull, një kapak dritareje i kishin vënë disa listela dhe tregtonin kaseta muzike. Ishte një fenomen jo i shkëputur që lidhej me idenë e ekonomisë paralele. Shteti zhvillon një ekonomi të caktuar sipas interesave të veta, ndërsa njerëzit në mënyrë pavarur, për të mbijetuar, bëjnë një ekonomi të inventuar. Fenomeni mbështetej në zgjidhje të papritura, me fantazi, siç ishte rasti për të shitur ose dhënë me qira, veshjen e nuses përpara shtëpisë. Ose akuariumet e peshqve rrugës për në Pogradec…

 

Ose kafshët në allçi për dekoret e shtëpive dhe oborreve…

Ose një mjedis i përdorur për garazh ku ishte vendosur një makinë e vjetër që prodhon akullore. Dukej si një tanks, si një objekt lufte i çuditshëm. Gjurmova momente të kësaj natyre dhe përfundova një seri në 1 vit e gjysmë. Me siguri që mjedisi ynë vazhdon t’i këto objekte, por unë e lashë me kaq. Më mbaroi emocioni.

 

Si elemente konkrete ato janë kitsch, të zakonshme, të rëndomta, si ndodh që në pikturën tuaj të shndërrohen në bartëse të një realiteti shumëplanësh?   

Ka shumë ferment jeta jonë, me ndodhi, me ngjarje, madje ka dhe një ekspresivitet që e ke kudo që të hedhësh sytë, që lidhet me të shëmtuarën, me dekadencën. Po të shohësh Tiranën, nuk e kam fjalën vetëm për arkitekturën e ndërtesave të reja, por në përgjithësi, ajo çka ka mbetur në lagjet e qytetit, ka një strukturë arkitektonike që të çon në një siluetë peizazhi i veçantë, sepse është ndërtuar mbi bazën e asaj që thotë një shprehje e popullit: shto ujë, shto miell, shto ujë. Në këtë mënyrë përçudnohet trajta fillestare e një objekti dhe kjo është pikërisht dekadencë. Besoj se ka shumë vend për të zbuluar nga pjesa e kësaj energjie që është gjoja ndërtuese e në të njëjtën kohë është shkatërruese. Këtu ndodh ajo që më intereson mua në kuptimin e formës. Edhe pjesa tjetër e jetës sonë, po t’i hyjmë problemit të demokracisë, të shtetit, ka shumë situata dekadente, që janë të prishura, që nuk ndërtohen dot. Nga këtej dalin probleme specifike për një vend vetëm si Shqipëria. Kjo më ka bërë që unë të insistoj, të zbuloj nga realiteti këtë moment.

 

Si ekspozitë që rrok artin në një epokë historike që erdhi me Luftën e Ftohtë dhe vazhdoi me paskomunizmin, do të kishit dashur tjetër prezantim, me një punë të para nëntëdhjetës?

Nuk besoj. Punët e para nëntëdhjetës kanë qenë ndërtuar me tjetër koshiencë profesionale e cila kishte më shumë shqetësimet për të arritur një pikturë në nivelet më tepër të zanatit, të gjetjes së një rruge. Ka qenë dhe një periudhë hulumtimi brenda vetes. Kurse pas nëntëdhjetës, piktura ime bëhet më e ndërgjegjshme, më e qartë nga kjo pikëpamje, që ka një problem brenda, nuk është e zhveshur. Nuk mund të ishte një artist jashtë kontekstit që përcillte koha mbas diktaturës, në një periudhë tjetër zhvillimi, me të tjera parametra. Në këtë kuptim them se është më bindëse si pjesë e krijimtarisë.

 

U desh kohë që të vinit te kjo koshienca tjetër, çfarë efekti pati thyerja e kohëve historike?

Ishte e shoqëruar me ankthin që ti ke humbur shumë vite dhe tashti duhet të bësh përpjekje që ta kapësh, ta kompensosh atë periudhë bosh. Duhej punë e madhe. Së pari në aspektin e informacionit, për të ditur se çfarë ndodh, jo vetëm nga librat dhe revistat, por duhej udhëtuar, duhej vajtur në vend. Shpesh herë ndodheshe para kurioziteteve që mund t’i kishte një njeri që nuk kishte dalë jashtë shtetit dhe që do të shihte për herë të parë një vepër të një artisti klasik bie fjala, jo më pastaj të diskutonte mbi artin bashkëkohor. Nga kjo pikëpamje ishte një periudhë e ngjeshur pune, informacioni, leximi, kontaktesh dhe që në fund fare mund të përmblidhet me fjalën eksperimenti edhe brenda vetes.

 

Me çfarë eksperimentuat?

Ka qenë një rezultat i qëllimshëm për të parë pozicionin tim në aspektin qoftë të problematikave qoftë në atë formal, të zgjedhjes së mediumit. Ishte një periudhë kur u shfaqën me gjithë forcë mediumet e reja, videoja, instilacioni, performanca. Çdo medium jepte mundësitë e veta për të dalë në përfundime estetike interesante. Mirëpo unë vij nga një edukatë estetike që është ndoshta pak klasike dhe lidhej drejtpërdrejt me mediumin e pikturës, me një sërë shprehish të formuara vite me radhë brenda meje, të cilat nuk mund të mohoheshin menjëherë vetëm për hatër të faktit se duhej bërë ndryshe, se jemi në demokraci etj. Piktura duhej pasuruar ose duhej të shfaqej në mënyrë tjetër, sepse vetvetiu futja e konceptit, atashimi pranë këtyre problematikave që folëm deri tani, nuk mund të realizohej përmes një forme e cila e jepte rezultatin e vet mbi një tematikë tjetër të caktuar. E gjitha kjo ishte një punë me vetveten për të zënë vend gjërat, për t’i futur në një raport të drejtë përmes një harmonie.

 

Stabiliteti kur vjen?

Them se vjen me punët e prezantuara në ekspozitën “Komfort” në GKA, e cila merrte në diskutim idenë e pasanikëve të rinj. Aty piktura ka shumë elemente të konceptit, kuptohet që kondicionin edhe formën.

 

Një vepër përfaqësuese me këtë ide është fituese e “Onufrit 2001”.

Nga kjo ekspozitë dola me një përfundim i cili u pasua me një tjetër seri tablosh që ishte “Qyteti pa kinema”. Kishte të bënte me idenë e aksionit, të ngjarjeve të dhunshme, vrasjet, grabitjet e dyqaneve që përplaseshin me indiferencën e njerëzve. Një situatë gati fictioni e gjithë jeta. U nisa nga këndej për të dalë në një lloj pikture, në dimensione të vogla, me një frymë jo reale. Pastaj doli seria e objekteve anash rrugës.

 

Dhe e qosheve të lagjeve si në ekspozitën e vitit që shkoi…

Ishte fjala për në lloj frike ose kërcënimi që janë pjesë e momentit tonë. Pa diskutuar ato që kërcënojnë sot në rang botëror dhe problemet që dalin në momente të caktuara të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi vendosja në vend e ideve të demokracisë, nuk del dot jashtë kontekstit të kërcënimit. Kërcënim mund të jetë injoranca, politika, nuk ka rëndësi.

 

Thatë që dikur donit të preknit në vend artin që deri atëherë e kishit ndjekur në distancë, përmes librave. Cili është vendi që keni vizituar për herë të parë me këtë interes pas rënies së komunizmit?

Pikërisht Gjermania që ishte një burim i madh informacioni. Më afër problemit për mua në atë kohë ishte ekspresionizmi dhe grupi i piktorëve përfaqësues të rrymës. Unë mendova se mund të ishte një shembull i mirë për t’i pasur parasysh sepse dhe jeta jonë ishte shumë afër kësaj estetike, jeta jonë prodhonte ekspresivitet. Kam dy seri me tablo të kësaj periudhe që kanë një prirje drejt abstraksionit, duke menduar që ekspresiviteti do të dilte më tepër përmes këtij subjektiviteti. Pastaj unë mbarova me atë, m’u duk se ishte një periudhë e cila kishte brenda paksa spekulim, për mos të thënë edhe e kollajshme. Sepse një artist mund të mbulohet mbas gjetiskulacionit, mbas penelatave, mbas rrjedhjes së lëngjeve, mbas frakturave e mbas plastikave dhe kështu mund të gënjeje një kategori që s’e merr vesh kurrkund.. por jo ata që e kuptojnë artin. Mua më shërbeu për të kuptuar këtë që thashë.

 

Si periudhë shumë e rëndësishme kjo që prezantohet në ekspozitën e Berlinit, – dhe ju keni qenë kontribues në një periudhë të tillë me trauma për artin, – ç’mendoni se i dha në veçanti Evropës arti i pjesës së saj Lindore, nën influencën e metodës ideologjike të realizmit socialist apo censurës?

Jo të gjitha vendet kanë pasur të njëjtën shkallë aplikimi të diktaturës. Hungaria, Çekosllovakia kishin tjetër raport me respektimin e këtyre normave, skemave. Kishin tashmë një traditë të fortë, i takonin Evropës Qendrore, ku kishte lulëzuar prej kohësh gotiku e të tjera qëndrime dhe kuptohet që dhe për shtetin komunist ishte e vështirë ta mbulonte kaq kollaj këtë pjesë. Kështu që rezistenca ishte më elegante, më fine, më e hollë. Nuk mund të bëj krahasime me Shqipërinë. Këto vende kishin arsye të kishin artistë shumë të zotë. Kishin hapësirë si individë për të krijuar në mënyrë më të lirë, pavarësisht se edhe mund të mos ekspozonin. Të gjithë artistët e vendeve lindore kanë menduar se si të shkonin e ta zhvillonin krijimtarinë e tyre në Perëndim në këtë kohë.

 

Ju e keni ëndërruar?

Patjetër.

 

E keni çuar ndër mend arratisjen?

Arratisjen e kam çuar në mend por nuk kam qenë i zoti ta konkretizoj as në mend. Nuk bënte pjesë në natyrën time kjo pjesa e aventurës. Maksimumi im ka qenë tabloja “Mbjellja e pemëve” që u kritikua dhe pësova dënimin. Hapja e kufijve në vendet e Lindjes e ka mbushur Perëndimin me artistë pa fund, rusë, çekë, polakë, e së fundi edhe shqiptarë, sepse atje është laboratori, verifikohen vlerat, kritika dhe aktivitetet bëjnë punën e tyre.

 

Aktualisht çfarë po trajtoni?

Po punoj përsëri mbi ato peizazhet që keni parë në ekspozitën e fundit, mbi periferinë. Kam pregatitur disa kompozime që nuk jam i sigurt në do t’i përfundoj, sepse akoma s’jam bindur nëse ajo do të jetë ajo që dua të bëj apo jo.

 

 

 

Nga teksti i kuratorit mbi profilin e Edi Hilës

Edi Muka

 

Edi Hila bën pjesë në atë brez artistësh shqiptarë, të cilët përjetuan thellësisht ndryshimin e sistemit politik dhe shoqëror në Shqipëri. Lindur në Shkodër në 1944, Hila kryen studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1967. Më pas fillon punë si skenograf në RTSH (Radio Televizioni Shqiptar) ku qëndron deri më 1973. Fillimi i viteve ‘70 karakterizohet nga një “liberalizim” i lehtë i jetës kulturore dhe shoqërore në Shqipëri, vendi me diktaturën komuniste më të ashpër në Evropën e Lindjes. Sidoqoftë, në 1973-‘74, diktatori komunist Enver Hoxha vendos për zhdukjen e frymës liberale dhe izolimin e tejskajshëm të vendit, si dhe nis një fushatë të ashpër me dënime kapitale, burgimi dhe pune të detyruar për një numër të madh njerëzish nga të gjitha fushat, në politikë, ushtri, ekonomi dhe kulturë. Ndër shumë artistë të dënuar, Edi Hila akuzohet për tendenca antikomformiste kundrejt estetikës së realizmit socialist dhe dënohet për një periudhë të pacaktuar riedukimi në një fabrikë ku punon si punëtor ngarkim-shkarkimi. Për gjatë 10 vjetëve në vazhdim i hiqet e drejta të marrë pjesë në aktivitetet artistike të asaj kohe.

Vitet ‘90 dhe përmbysja e regjimit e gjejnë Edi Hilën në Akademinë e Arteve, ku në 1993 ai bëhet dekan dhe pas disa viteve në drejtim të shkollës rikthehet si profesor. Ndërkohë Shqipëria hyn në një fazë të gjatë ndërkalimi, ku me ndryshimin e sistemit fillon dhe një traumë e re shoqërore kryesisht nën ndikimin e ndryshimeve ekonomike. Një ekonomi e re, e pakontrolluar dhe e ashpër i zë vendin planifikimit shtetëror teksa njerëzit, të sapodalë nga një varfëri dhe izolim i tejskajshëm përfshihen në gjithfarësoj veprimtarish për të siguruar jetesën, që nga tregjet e improvizuara përpara derës së shtëpisë, tek përfitimet e paligjshme nga njerëzit me pushtet, deri tek plagët e mëdha shoqërore si trafiku namkeq i femrave dhe i drogës apo krimi i organizuar.

Nga sa më lart mund të themi se gjatë jetës dhe karrierës së tij Edi Hila ka përjetuar një ndryshim të trefishtë: së pari ai rritet në mes të asaj ç’ka u premtua të ishte utopia më e madhe e njerëzimit; më pas përjeton shndërrimin e saj në një diktaturë të egër dhe mizore; së fundi dëshmon përmbysjen e diktaturës dhe vendosjen e një sistemi që në dukje i ngjan ëndrrës së ndaluar gjatë komunizmit, por që në të vërtetë fsheh një mori mekanizmash shtypës dhe përjashtues, pjesë të asaj makinerie të stërmadhe të njohur me emrin kapitalizëm. Kjo mori ndryshimesh lë gjurmë dhe formëson pikturën e tij duke e shquar atë jo thjesht nga praktika artistike shumëvjeçare e realizmit socialist, por dhe nga ajo e shumë bashkëkohësve të tij që humbën në analet e një abstraksioni të vonuar, si “molla e ndaluar” përgjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri.

Ashtu siç mund ta vërejmë tek puna Fustani i Nusërisë, formulimi kompozicional dhe zbrazja e imazhit nga figurat njerëzore përbëjnë elemente thelbësore të pikturës. Nuk ka dyshim që motivi i pikturuar përzgjidhet nga ato ç’ka tërheqin vëmendjen e autorit në realitetin që e rrethon. Por kjo nuk e boshëson imazhin nga simbolika, një simbolikë aspak e rastësishme e objekteve të pasqyruara dhe e mënyrës së pikturimit. Gjithashtu, për vetë reflektimin mbi ndryshimin që po kalon Shqipëria, piktura e Hilës mbart dhe një funksion gjurmues e historik në lidhje me këtë realitet.

 

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit