Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Kronike - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Pistoletat e fshehura në makinë nga Ali Koçi
Flamur Vezaj
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurin Ali Koçi, i akuzuar për trafikim të armëve dhe municioneve nga Italia në Shqipëri. Ai u arrestua në qershor të këtij viti në portin e Durrësit duke tentuar të kalonte në Shqipëri 18 pistoleta të ndryshme dhe 43 kuti fishekësh. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Koçi ishte nisur nga Ankona me tragetin e linjës Ancona – Durrës, për të zbritur në qytetin bregdetar me 18 pistoletat e llojeve të ndryshme.
“Nga hetimet e kryera, rezulton se 18 pistoletat, janë të prodhimeve të ndryshme, 9 prej tyre “Bereta” austriake, 4 “Bereta” të prodhuara në Çeki, një e tipit “Para-Ordance”, një e prodhimit turk, një pistoletë me mbishkrimin “Carakal Int”, një pistoletë e prodhimit kanadezë dhe një pa numra dhe mbishkrim në trup. Së bashku me 18 pistoletat, policia sekuestroi edhe 2200 copë fishekë të pistoletave të futura në 44 kuti kartoni, ku shumica mbanin mbishkrimin “Fiochi” dhe vetëm njëra shkruante “Winchester” amerikanë”,- thuhet në dosjen që “Shekulli” ka siguruar një kopje. Sipas kësaj dosjes, i pandehuri Ali Koçi luante rolin e transportuesit me makinën e tij tip “Benz” me targa “BV 208 XL” që vinte nga Italia pa lejen përkatëse të autoriteteve shqiptare për futjen në Shqipëri të këtyre armëve.
“Nga dokumentet e sekuestruara në makinë, së bashku me 18 pistoletat, ka rezultuar se i pandehuri Koçi ka marrë armët në Itali nga një shtetas tjetër shqiptar me inicialet S.H. dhe një shtetas italian. Sipas shkresave, rezulton se këto armë janë blerë në Ankona nga shtetasi S.H. me leje të autoriteteve kompetente të Ankonës, por jo për t’i eksportuar në Shqipëri. Eksportimin e tyre, sipas shkresave të sekuestruara që janë lëshuar nga Kuestura e Qarkut të Ankonës, për eksportimin e armëve ishte ngarkuar shtetasi italian B.Luciano, i cili rezulton se ka në pronësi një dyqan armësh në këtë qytet. Nga dyqani i tij shtetasi S.H. ka blerë 21 pistoleta të ndryshme, por, që drejt Shqipërisë ishin nisur vetëm 18 prej tyre. Gjithashtu, në makinë është gjetur një leje eksporti i dhënë nga autoritet e Ankonës për shtetasin shqiptar E.K. për eksportimin e 21 pistoletave. Ndërsa, Ali Koçi jo vetëm që nuk kishte leje eksporti nga autoritete italiane, por nuk kishte leje as nga autoritet shqiptare për futjen e armëve në vend, çka ka konsumuar elementë të veprës penale të trafikimit të armëve dhe municioneve”,- thuhet në dosjen, që tashmë pritet të gjykohet nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. Nga ana tjetër, sipas aktit të ekspertimit teknik dhe atij balistik në lidhje me armët dhe municionin, sipas akuzës, ata rezultojnë se janë në gjendje të rregullt teknike dhe realizojnë qitje rregullisht. Gjithashtu, në këto armë ndodheshin edhe disa gjurmë të identifikueshme, që nga ekspertimi rezultuan se ishin të pandehurit Ali Koçi.
9 pistoleta “Bereta” austriake
4 “Bereta” të prodhuara në Çeki
1 pistoletë e tipit “Para-Ordance”
1 pistoletë e prodhimit turk
1 pistoletë me mbishkrimin “Carakal Int”
1 pistoletë e prodhimit kanadezë
1 pistoletë pa numra dhe mbishkrim në trup