Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Ne (s)jemi komuniste!

Publikuar me : 30.07.2011 Ne : Kuriozitete - 93 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Diana Ndrenika


Diana Ndrenika

- Shumёkujt që ka jetuar në Shqipërinë e viteve 80, ose në vitet e mesdiktaturës komuniste i kujtohen vargjet e këngës të Avni Mulës: Ne jemi komunistë shokë të Enverit/ Partia na kaliti besnikë në rrugë të nderit!

Ky krijim i cili shkëlqeu në ditët e pushtetit komunist, falë dhe një talenti të ri të muzikës së kohës, Marina Grabovarit, tërhoqi interesin e sime bije e cila dy-tre ditë më parë më tha – Mama, e bukur kjo këngë. -Pse e zgjodhi Hysni Milloshi  për spotin e tij gjatë fushatës elektorale dhe çfarë do të thotë nëpërmjet saj? Enver Hoxha a ishte diktator?

-Eshte këngë e bukur,- këmbëngul ime bijë  pasi e dëgjon të plotë në YouTube. -Pra jo çdo gjë komuniste ishte e keqe?!- vazhdon. -A kishte dhe gjëra të mira në regjimin e asaj kohe? -Padyshim, i them.

Mundohem t’i shpjegoj që sistemi komunist ishte si mësalla me  dy faqe: kishte anën e idealeve të bukura që ndoshta ka një grup njerëzish që u besojnë dhe sot, por dhe atë të represionit, të luftës së klasave, të axhit-propit dhe të gjyqeve “në emër të popullit”; gjatë sistemit komunist partia-shtet ishte njëherazi qeveria, kuvendi, drejtësia.  Partia merrte vendime që i shpallte e i ekzekutonte brenda natës e të nesërmen grupe njerëzish kundërshtarë të regjimit e njerëz të pafajshëm, të ashtuqujtur puçistë i dergonte në litar e nëpër kampe përqendrimi. Regjimi komunist i së shkuarës, shkatërroi kisha e xhami e hodhi në erë ndërtesa të vjetra në emër të së ardhmes. Por në dallim nga këto, teksti i këngës, i shkruar nga Hysni Milloshi shpreh anën e vlerave, shpirtin idealist e të gjithë atyre që besuan pastërtisht te idetë  komuniste.

Mu desh të ndalem më gjatë e t’i them sime bije se diktatura ishte e egër dhe e zymtë se mbarte luftë klasash e antagonizëm, por se fatkeqësisht njerëzit që iu bindën besuan te një ideal komunist, besuan te një dritë e bukur e së ardhmes, ku të gjithë do të ishin të barabartë e ku prona e përbashkët do i bënte të gjithë  pronarë.

Ato çka të rinjtë mësojnë sot nga librat e historisë, çka shohin në filmat e ish-Kinostudios, ç’kuptojnë nga debatet e zjarrta të politikanëve dhe historianëve që ende nuk kanë bërë paqe me të kaluarën komuniste me sa duket nuk mjafton. Sot trashëgimia komuniste gjendet te arktitektura tipike në çdo qytet të Tiranës, konceptuar me sheshin, komitetin e partisë, komitetin ekzekutiv, mapon, hotel-turizmin dhe pallatet si kutiçka shkrepsesh aty rrotull, ku jetët si në një kamp të madh përqëndrimi do të ishin të monitoruara, të kontrolluara. Asnjë hap jashtë, asnjë lëvizje më shumë jashtë të parashikuarës, çdo gjë me plan, çdo mendim në kuadrat. Kudo stereotipi, kudo monotoni e zymtësi. Por ja, që mes shabllonizmit e rregullit, mes shëmtisë së orkestruar, lindnin shpesh dhe punime origjinale, vepra të bukura e të paharruara. Askush nuk mund ta harrojë romanin “Dimri i Madh” filmin “Në shtëpinë tonë”, dramën “Komunistët” apo këngën “Dega e Dafinës”. Muzeu historik Kombëtar, ndërtuar mbi ish-bashkinë e kompleksit italian apo ish komitetin ekzekutiv (që u hodh në erë nga komunistët në vitin 1975) sot bashkë me mozaikun e tij mbart me vete frymën e një epoke, arkitekturën, por dhe atmosferën. Mjafton t’i shpjegosh një turisti apo një gjimnazisti përmbajtjen e mozaikut dhe i ke thënë shumë për epokën e për botëkuptimin e saj.

Ish muzeu i diktatorit që njihet si Piramida, i ngritur në zemër të Tiranës, i projektuar nga një grup arkitektësh të familjes Hoxha, i urdhëruar të ndërtohej me një vendim të Byrosë Politike,  sot rrezikon të të shembet me një tjetër urdhër partie.  Pas një çerek shekulli, shqiptarët nuk kanë shpëtuar ende nga partia-shtet!!! Vendimi për prishjen e Piramidës është vendim arbitrar i një grupi njerëzish kundër shtetasve shqiptarë e ruajtjes së historisë së tyre për interesa fare të ngushta. Piramida duhet të qëndrojë  aty sot e gjithë kohës për të dëshmuar historinë e 50 vjet komunizëm, për brezat e së ardhmes, por dhe se përbën një destinacion të përkryer turistik. Turistët e huaj vijnë në  Shqipëri së pari sepse është vend i dalë nga izolimi më ekstrem  komunist  i Europës Lindore, me një rivierë dhe trashëgimi të pasur, ku krahas Butrintit antik dhe Gjirokastrës Otomane duan të njihen dhe me trashëgiminë komuniste. Askush nuk mund ta privojë ruajtjen e trashëgimisë së periudhës komuniste po ashtu si të antikitetit dhe periudhës otomane.

Turistët e huaj që vijnë në Gjirokatër pasi shohin kalanë kërkojnë me kërshëri të shohin muzeun e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Me gjithë këtë interes, ende sot nuk kemi një muze të Hoxhës aty. Të ardhurat nga ky muze mund të shkojnë në dobi të një godine universitare ose për të restauruar qendrën historike në Qafën e Pazarit. Piramida përbën memorje historike të Tiranës, përbën simbol të kultit të individit, arkitekture jotipike komuniste, vlerë për brezat që vinë.

Kush e prishi Kafe Kursalin apo bashkinë e kompleksit italian të ndërtesave në Tiranë?  A nuk ishin komunistët në fuqi, partia-shtet? Vetëm një parti-shtet që merr vendime të tipit gjoja me vendim të popullit, vepron kundër dëshirës së popullit.

Komunistë janë ata që prishin godina historike që mbajnë mbi vete shpirtin e një epoke të tërë. Piramida meriton të trajtohet me  një referendum popullor se ajo i takon shqiptarëve, brezave që e ndërtuan dhe jetuan nën hijeshinë dhe terrorin e saj po aq sa dhe brezave që vijnë, që kanë të drejtë ta njohin atë pjesë historie jo të parëndësishme në formimin e prindërve të tyre dhe të tyre vetë të materializuar në një godinë të vetme.  Parlamentarët i kanë të gjitha mundësitë të lëvizisin drejt periferisë, fjala vjen, në drejtim të kodrave të rrugës së Elbasanit për të ndërtuar ngrehinën e tyre, sepse kështu do të kenë dhe një rast më shumë për të përdorur makinat e shtrenjta. Sot të rreshtohesh në krah të Piramidës do të thotë të vihesh përballë pushtetit të partisë-shtet. Simbolika e Piramidës nuk është ajo e një ngrehine e së shkuarës komuniste por e një reagimi qytetar kundër një regjimi i cili, po kërkon të përqëndrojë çdo pushtet në duart e tij. Ajo që u ndërtua në zemër të diktaturës, në zemër të Tiranës, për të shprehur zemrën e epokës, meriton të rindërtohet, të mirëmbahet dhe të vizitohet si një muze i gjallë i historisë komuniste të këtij vendi. Funksionet e saj mund të jenë të shumta. Modelet nga bota janë po aq të shumta. Europa ruan dhe mirëmban çdo ndërtim të me vlerë të trashëgimisë së saj për tua kaluar brezave që vijnë. Ne nuk mund të vrasim të kaluarën tonë historike sepse ne nuk jemi fondamentalistë, ne dimë të ruajmë vlerat dhe trashëgiminë tonë si pjesë e denjë e Europës ku synojmë të hymë. Diktaturat vrasin, diktaturat prishin me një urdhër partie duke nepërkëmbur peticione e refuzim të qëndrueshëm ekspertësh, intelektualësh, të rinjsh të sensibilizuar e përfaqësuesish të medias.

Ne jemi komunistë- mund të vazhdojë të dëgjohet në sfond- në një pavion të Piramidës ku mund të ngrihet muzeu i periudhës komuniste, e ku mund të bëhet bashkë trashëgimia materiale me atë shpirtëroren, ku krahas Hoxhës dhe kultit të individit të rrëfehet dhe për Qemalët e idealet e bukura komuniste si dhe për kampet e burgjet e diktaturës e viktimat e shumta për kishat e xhamitë e hedhura në erë për ndërtesat me vlerë arkitektonike, të shkatërruara në të kaluarën komuniste. Në mënyrë që brezat, përveç faqeve të thata e shpesh kontradiktore të histories, të gjykojnë vetë e të pavarur të bazuar edhe mbi trashëgiminë materiale  për të kaluarën e vendit të tyre, që të dinë ta kuptojnë drejt këngën: Ne jemi komunistë.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 55 here.
Fatos Mahmutaj Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij. Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën...Lexo te gjithe artikullin »


» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit