Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Ne vallen e kryeqytetit

Publikuar me : 27.12.2011 Ne : Kulture - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Petro Marko

 

Tirana, shembull i jetesës sonë shoqërore. Si rron njerëzia: ku ha, ku dëfren, ku shkon. Si fitohet dhe si prishet paraja. Çmimet e sendeve të para. Vëzhgime të përgjithëshme mbi mënyrën e rrojtjes sonë.

* * *

Beqar apo familjar?

- Meshkuj! Kudo meshkuj! Tirana është mashkullore!

- Apo s’është kështu?

- Ku janë gratë?

- Në shtëpi? Të burgosura? Të skllavëruara? Të sëmura? Të dënuara?

- Apo gjithë burrat që të ze syri nëpër rrugët e mbushura të kryeqytetit janë beqarë?

- Kjo s’është e vërtetë, se në çdo kënd të çdo ndërtese sheh edhe nga katër a pesë çilimij…

- Atëhere pse nuk dalin edhe femrat të marrin erë të lirë, të shikojnë dynja, të lëvizin, të zbukurojnë rrugët mashkullore të Tiranës?

- Fajin e kanë vetë burrat. Kushedi! Mbase përtojnë, s’e kanë zakon që të dalin një ose dy herë në javë me bashkëshortët e tyre, me motrat dhe bijat e tyre në bulevardet aq të bukura, që gjelbërojnë prej pemëve të shumta, që rëndohen prej këpucëve të forta të ushtarakëve dhe që ankohen se nuk janë shkelur prej takave të lehta të femrës.

Dëgjoni këmbanën e re që ju shurdhon:

«Po këputen hekurat e skllavërisë për femrën. Dilni përjashta o gra shqiptare dhe merrni pjesë siç e meritoni në shoqërinë e porsapërgatitur të kombit tonë! Ferexheja ra përgjithmonë! Ç’prisni më, ndonjë urdhër që t’ju nxjerrin me zor nga shtëpia?»

- Po le ta themi copë se faji është i burrave. Doemos i atyre që kanë familje. Se beqarët ç’të nxjerrin përjashta?

- Sytë e tyre? Ata sy që u thanë duke u vërtitur kot andej-këndej për të parë ndonjë… lanete?

* * *

Po familjarët si rrojnë?

Duke udhëtuar në kryeqytet sheh shtëpi, shtëpi shumë të përhapura, të rrethuara me mure, kanë oborr, kanë puse, kopshtija, furiqe. Tamam si në fshat. Se brenda jetojnë qytetarë-fshatarë.

Familjarë që kanë ardhur nga tërë vendet e atdheut, të shpërndarë në të katër anët e kryeqytetit të gjerë. Të trazuar rrush e kumbull. Sheh në një lagje, në një rrugë afëreafër dibranë, shkodranë, vlonjatë, gjirokastritë, korçarë. Përveç jevgëve që kanë zënë ekstremet e Tiranës dhe që rrinë të grumbulluar që defi i tyre të dëgjohet prej të gjithëve.

Dhe kështu brenda në këto familje, kudo, në çdo vatër, zbatohen ligjet dhe kanunet e zakoneve dhe traditave të trashëguara prej vendlindjes. Ndryshimi është vetëm në veshje, e cila pakngapak po evropianizohet.

Po shpirti? Po jeta?

Mbetet gjithnjë e ngatërruar dhe e shastisur përpara ligjeve të saj të reja, përpara nevojave që shtohen dita-ditës. Përpara jetës së re, e cila në vend që të lindej nga gjiri ynë dhe ta drejtonim nga të donim, erdhi befas e na zuri, duke na vërtitur herë andej e herë këtej, në një mënyrë që na bën të humbasim toruan dhe të bërtasim:

“Si jetojmë?”

 

Si jetojmë!

 

- Po, si jetojmë?

- Akull i ftohtë!

- Salep i nxehtë!

- Bozë e mirë!

- Pasta, gurabie!

- Paketa cigare, zotërinj!

Përveç këtyre thirrjeve që dëgjohen dimër e verë nëpër rrugët e kryeqytetit, a ndihet ndonjë zë tjetër, që të përmendë ndonjë send ushqimi ose veshjeje?

- Qumësht i ëmbël!

- Kos taze!

Dhe asgjë më tepër!

Ku janë, p.sh., karrocat e vogla të pemëshitësve? Ku janë barishtet e njoma dhe të ndryshme që mëngjes për mëngjes të blihen prej zonjave nikoqire? Se sa lehtësi është kur e di që dita-ditës shkon te dera e shtëpisë bahçevani me zarzavatet e tij të pastra? Apo neve s’na pëlqejnë barishtet, përveç preshve që me tonelata vihen stivë-stivë në tregun e ri dhe të vjetër të Tiranës? Ah, mor presh i bekuar! Megjithëse ti djeg, prapë ti je i nevojshëm, je i vlefshëm, se kushedi se sa barqe mbush ditë për ditë.

Mishi i lirë.

Vezët shumë të lira.

Gjalpi i lirë.

Djathi i lirë. Gjiza e lirë.

Po vaji? Po ulliri? Po vera? Po rakia? Këto megjithëse bëhen me shumicë në vendin tonë, i blejmë shtrenjtë, se tregtarët tanë të mëdhenj preferojnë t’i shesin në shtete të huaja me çmime shumë-shumë të ulta nga ato që janë në tregun e këtushmë. Kështu e kemi ne: një gjë që e shesim lirë, vjen dita që plaçkën tonë të shitur jashtë, e blejmë shumë shtrenjtë. M’u kujtua misri i shkretë. Kur e kemi e shkelmojmë, duke e shitur pothuaj badjava. Pastaj? Eh, pastaj e kërkojmë me 15-20 fr. ari kuintalin, siç po ndodh tani dhe nuk e gjejmë kollaj. Po ç’mu desh mua me misërin? Ah, jam shumë larg problemit të tij.

Si rron kjo klasë nëpunësore e Tiranës, kjo pjesë e lumtur e popullatës sonë? Para merr! Mendje ka! Shije ka! Mundësitë e rrojtjes së mirë i ka. Shtëpi ka bërë. Rroba të mira ka bërë. Gjithë lehtësirat i ka në dorë.

Po atëhere pse nuk rron mirë? Pse të hollat që prish nuk kanë duk? Nuk janë hallall? Nuk zenë vend? Prish sa të duash e nuk kënaqesh.

E para e punës që jeta s’ka asnjë rregull. Kushtet e jetesës janë të zorshme. Edhe për ata që kanë shumë napolona. Le t’i lemë mënjanë ata që janë mësuar të shkojnë ditën me mundime dhe që nuk çajnë fare kokën për nesër, nëse do të kenë apo jo bukë për të ngrënë. Fjalën e kemi për ata që thonë se dinë të jetojnë.

Të paktë janë ata që dinë të jetojnë. Mirëpo edhe këta, duke rrojtur në një rreth ku asgjë s’është në rregull, asnjë çmim nuk është i qëndrueshëm, atëhere edhe jeta e tyre bëhet e vështirë. Shpenzojnë shumë dhe nuk rrojnë siç duhet.

* * *

«Nuk ushqehemi mirë. Kjo është e vërtetë. Dhe mund ta vërtetojë më mirë pamja jonë e jashtëme. Shikoni shumicën në fytyrë, në trup, në ecje: mizerje!

Nuk dimë të rrojmë, pa le të kemi të holla sa të hajë dhe dreqi.

I kemi kufizuar ushqimet tona. I kemi të pakta në familje. I kemi me masë, sa dhe me masë vemë në tryezë edhe bukën e gojës! Kjo a është e vërtetë?

Kafshatën e gojës, krodhen e bukës e ruajmë me kujdes, e heqim nga dora e fëmijës për kursim, se duam rroba të reja, duam shtëpi të re, duam edhe ne të bëhemi “njerëz të kohës” me gjithë lehtësirat e duhura, se gjer dje ishim të prishur, të shkatërruar, të papërfillur. Kemi edhe ne namuz, dhe duam fëtefët të bëhemi nikoqirë. Ky është i vetmi ideali ynë: si të bëhemi me çdo mënyrë dhe sa më parë nikoqirë. Bëjmë ç’është e mundur.

Vetëm ngrënies, ushqimit s’i japim aspak rëndësi.

- Tjetri nuk të sheh se ç’ke shtruar në tryezë. Ai shikon veshjen tënde, shtëpinë tënde.

Mirë, o i bekuar, po tjetri të vëren edhe surratin të tharë petë. Që të vishet njeriu mirë nuk është keq. Që të bëjë tjetri një pallat s’ka më mirë. Por edhe trupi, shëndeti duhet parë. Sa pare vlen që ti të jesh shik dhe të mos kesh pjato në shtëpinë tënde?

Sa pare vlen që ti të kesh pallate, napolona, kurse as çerekun e lekut nuk e prish për sallatë! Sa pare vlen lëkura jote, kurse asnjë lek nuk harxhon përjashta?

Ke të drejtë, se nuk di të jetosh! Re pa pandehur në qeset me para dhe e humbe torruan. Mirëpo nuk e di ti se po nuk u ushqeve si duhet ke për të ngordhur sa më parë! Dhe atëhere sa para vlejnë paret e tua?

Ata që kanë nuk prishin. Ata që s’kanë ç’të prishin? Dhe rrobaqepësit tërë ditën mbajnë gërshërën në dorë. Dhe këpucëtarët e shumtë qëllojnë kot me çekiç. Dyqanet pak nga pak falimentojnë.

Vetëm kafenetë shtohen dhe (pronarët e tyre) pasurohen. Atje na pëlqen të prishim të hollat. Atje dhe ndër shtëpitë e tjera të dëfrimit. Se nuk jemi mësuar të rrojmë. Nuk jemi mësuar të kënaqim, të ushqejmë mirë edhe familjet tona.

Sidoqoftë këtu ka një jetë. Ka dëfrime, por ka edhe rënkime. Ka argëtime, qejfe, por ka edhe mizerje. Kemi për t’i parë.

 

Një parantezë

Rroga!

Na është bërë koka jo dhallë, por rrogë!

Se e thamë: i vetmi burim fitimesh është Arka e shtetit.

Mizëria mashkullore e Tiranës është nëpunëse. Përveç dy a tri femrave, që edhe ato vizitojnë muaj për muaj Ministrinë e Financave.

Mirëpo këto rroga a janë caktuar mirë? Klasifikimi i nëpunësave a është bërë në bazë të ndonjë kriteri? Kush mund të dalë e të thotë “Po”. Asnjë shqiptar me arsye.

Se sot shohim shumicën e atyre që u është bërë koka dhallë nga shkresat, nga numërat, nga qarkoret, nga urdhërat, që u janë grisur pantallonat nëpër kolltuqe, në daç të buta, në daç të forta, dhe që u kanë rënë flokët e kokës nëpër zyra, pa shijuar erën e lirë të natyrës dhe të jetës, i shohim sot disa të dëshpëruar, disa me ankime nëpër dhëmbë, duke dashur të thonë: “Rrogat nuk janë caktuar mirë!”

Ankohet arsimtari se merr vetëm 100 fr. ari në muaj. Ankohet profesori se merr sa një sekretar i komunës. Ankohet gjykatësi se paguhet sa një konduktor rrugësh.

Më tutje. Sekretari i përgjithshëm, p.sh., i Arsimit nuk paguhet sa ai i Drejtësisë. Një atashe në Ministrinë e Jashtme merr më pak rrogë se një sekretar i tretë i Financës.

Dhe shko më tutje. Do të gjesh çrregullime në caktimin e rrogave.

Sa herë është thënë, sa herë është biseduar kudo për një rregullim, për një ligj që të caktojë në bazë të kritereve të shëndosha dhe meritonjëse rrogat e nëpunësve!

Por gjer më sot? Hiç gjë!

Se sheh të gjithë nëpunësit e vegjël që kanë vjete, kanë shumë vjet në një zyrë dhe rroga e tyre nuk është shtuar. Por nevojat e tyre janë shtuar. Familjen e kanë shtuar. Janë bërë më qytetarë. Janë futur në vallen e vërtetë të jetës, kanë rrojtur me shpresa, me sot e me nesër se do të shtohet rroga dhe do të rregullojnë jetën pak më mirë.

 

* * *

Si mund të rrojë siç duhet një mësonjës, p.sh., i cili ka familje, ka detyrime? Ky nuk do një palë rroba, një palë këpucë të reja? Nuk do libra? Nuk do të ushqehet mirë? Të paraqitet edhe ky në shoqëri si një njeri i pavarur ekonomikisht, se merr rrogë?

Mirëpo si?

A mund që me një rrogë të tillë dhe në të tilla kushte jetese të ngrejë kryet lirisht, të dëfrejë, të mendojë edhe për sende më të larta, për ideale një nëpunës, i cili formon klasën kulturale të vendit?

Si mundet një njeri që ditë e natë mendon për jetesën të merret edhe me probleme të tjera që i përkasin shoqërisë sonë! Të paktën të mendojë ndonjë orë, vetëm një orë në ditë. Dhe a mundet një njeri, doemos i vendit tonë, të hedhë vështrimin tej vetes, kur gjendet i kredhur thellë në përpjekjet për jetesë? Jo! Ai ditë e natë mendon për veten e vet, për familjen e vet. Më tej ai s’do të dijë se ç’bëhet. Qameti të bëhet, ai s’ka nge të merret me çështje që s’i përkasin qënies dhe përmbajtjes së vet. Dhe ka të drejtë! Se si është e mundur që një njeri të njohë, të vëzhgojë, të ndreqë botën, kurse për vete është i shkatërruar? A bëhet kjo? E pamundur!

- Jam nëpunës, – më thoshte një mik. – Le ta lë mënjanë çështjen e rrogës, se është një problem me rëndësi, që do kohë të zgjidhet siç duhet. Ti e sheh se si jetoj këtu në Tiranë. Marr 100 fr. ari neto në muaj.

- Sa do për ushqim?

- Nuk të duhen 40 fr. ari të hash ose në “Europa”, ose në “Trieste”?

Se po të ushqehesh në “Bristol” ose në “Adriatik”, ku kuzhina është më e mirë, doemos muaj për muaj të duhen më tepër se dy napolona. Pastaj nuk do të prishësh 2-3 lekë ditën për duhan, kafe? Ja dhe për këto shpenzime kalojnë 20 fr. ari.

Po qiraja e shtëpisë?

Ah, kjo qira e shkretë.

Sado që shtëpira po ngrihen dita-ditës, sado që godina madhështore dhe vila moderne zbukurojnë kryeqytetin tonë të hapur, njeriu nuk gjen asnjë dhomë për të qënë, pale të gjejë shtëpi për familjen.

Është një problem me rëndësi çështja e qirasë. Dhe të zotët e shtëpive që i lëshojnë, doemos njerëz të interesit, njerëz prapanikë, nuk dinë të jetojnë. Nuk janë mësuar të bëjnë tregti të ndershme. Marrin nga shtëpitë e tyre, por shtëpive këta nuk u japin, nuk i ndreqin ato siç duhet. Nuk janë të zotët të bëjnë disa dhoma të mobiluara për njerëzit e shumtë që banojnë këtu në Tiranë nëpër dhoma të shkatërruara dhe që paguhen shtrenjtë.

S’jemi të zotët për hiç gjë. Duam vetëm para. Duam që brenda pak vjetëve ja të bëhemi pasanikë me nam, ja të falimentojmë.

Duam para, mor zot!

Mirëpo paratë fitohen me punë, me djersë, dhe jo të lëshosh një furik të shkatërruar me 20 fr. ari në muaj. Dhe me hiç gjë brenda. Vetëm me katër mure të palyer.

- O zoti sekser, a ke ndonjë dhomë të mirë?

- Pasha Zotin kam një, po është shumë larg, larg.

- Po sa kërkon, mor zot?

- Për Zotnin tande nji napilon në muaj, dhe parapagim, se beu s’ka besim…

S’ka shtëpi, mor zot. S’gjen një dhomë për prokopi. Dhe kur aty-këtu ndodhet një shtëpi për të qënë, vërsulen nëpunësit familjarë, doemos ata që marrin rroga të mira, dhe e zenë me 4-5-6 napolona në muaj. Domethënë gjysmën e rrogës vetëm për shtëpi. Se po s’banoi mirë njeriu po s’hëngri mirë, atëhere ai është jashtë rrethit të atyre që përfillen. Ata që fitojnë dhe që nuk harxhojnë janë pa vlerë, janë parazitë…

* * *

Parantezi mbyllet: rrogat nuk janë rregulluar mirë. Dhe kujtoj fjalët me vend që para pak kohësh më kallëzonte një deputet, de dalëngadalë do të rregullohet çdo punë këtu. Nuk zgjidhen problemet përnjëherësh. Sidomos ai i rrogave të nëpunësave është një problem i koklavitur, që do ndryshuar nga themeli. Por… dalngadalë.

Bashkë me çmimet e sendeve të para të jetesës, edhe qiraja është në një disproporcion të tmerrshëm kundruall pagesave dhe fitimeve të tjera.

A ka më?

Sa të duash.

 

 

Biografi

Petro Marko u lind më 25 nëntor 1913, ndoqi Shkollën Tregtare dhe në moshën 12- vjeçare u largua nga vendlindja, Dhërmiu. Mori pjesë në luftën e Spanjës, pas çlirimit u burgos dhe për një periudhë 16-vjeçare iu hoq e drejta e botimit. Është autor i vëllimit poetik “Horizont”, i romaneve “Hasta la vista“, “Një natë e dy agime”, “Nata e Ustikës”, “Qyteti i fundit” etj.. Vepra e fundit që la në dorëshkrim është autobiografia “Intervistë me vetveten”. Ndërroi jetë më 27 dhjetor 1991.

Lëvroi romanin për fëmijë, tregimin dhe përktheu nga origjinali klasikë të poezisë spanjolle të shekullit të njëzetë. Letërsia e Petro Markos ka një histori të ndërlikuar datash. Për shkak të biografisë së autori e ka pësuar shpesh vepra, e ndaluar, e censuruar, e deformuar. Megjithëse është ribotuar e plotë pas nëntëdhjetës, nuk ekziston ndonjë studim i botuar për bilancin e krijimtarisë së Petro Markos që ka kaluar nëpër këto përballje me organet zyrtare të regjimit diktatorial.

Emrin e tij e mban sot çmimi kombëtar për romanin që jep Ministria e Kulturës, duke i dhënë atributin e themeluesit të prozës moderne shqiptare. Ka një shoqatë në Vlorë e quajtur “Petro Marko”. Asnjë nga palët nuk ka ndërmarrë ndonjë homazh për ditën e sotme.

 

 

Ditën që rrojta unë

Ishte viti 1937 kur Petro Marko shkruan në gazetën “Shtypi”, një ese të shkurtër, titulluar “Vetvetja”. Ky 24-vjeçar, e ndjen se prej kohësh ka nisur të vëzhgojë andej-këndej dhe e vërteta është se detyra e tij po rrudhej një dorë duke ndjekur ligjin: shkruaj atë që ke parë!

Vetëm një muaj më pas, po atë vit, 1937, i brerë nga ky dyshim, ai do t’i kushtojë gazetarit esenë “Ç’thotë një kolegë”, ku profesionin e vet nuk e sheh si heroizëm, por si detyrë. Atëherë nga duhet nisur? Tek “Vetvetja” ai jep përgjigjen prerë: nga vetvetja. Një gazetar duhet të shkruajë për atë që s’ka parë. “Si mund të përshkruaj atë që s’kam parë? Thuamë ç’duhet të përpiqem që të shoh?” Petro Marko pyeste veten dhe ajo iu përgjigj: “E pra, së pari duhet të shohësh vetveten dhe pastaj çdo gjë do ta shohësh tamam siç është.” Kjo është zanafilla e fillimeve për një gazetar, sipas Petro Markos. Reportazhi që po botojmë është marrë nga “Ditën që rrojta unë” (Tiranë 2004), përmbledhje e shkrimeve, publicistikës dhe eseistikës së Markos prej vitit 1935 deri pak para vdekjes, më 1991.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit