(Kujtimit te nje mesuesi)
Edhe kur kryet te na e mbulojne thinjat
Nder mend do te sjellim nji emen nderues,
Emen te dashun porsi feminija,
Emnin e thjeshte por te madh, mesues
Llazar Siliqi
I kam kujtuar shpesh gjate jetes sime keto vargje te ngulitura heret, ne fillimet e moshes para rinore, kur konceptet mbillen si fara ne nji farishte pjellore, mbijne e vazhdojne te rriten me kalimin e kohes. Sa me shume i largohem asaj periudhe, sa me shume rrjedhin vitet, aq me teper ato vargje mbeten te fresketa ne kujtesen, tashme te lodhur, nga pesha e viteve e nga bombardimi i pameshirshem i botes se larmishme qe na rrethon.
Ne gjithe kuadrin e zymte te feminise e rinise sime, te kaluara ne kampet e vdekjes e te internimit, ne ate morí figurash njerezore, me te cilat, dashje pa dashje, lidheshin episodet e perditshme te te qenurit, figura te ndryshme, shumica e te cilave vazhdon te projektoje ne kujtese diktaturen, ne menyre te pavetedijshme vecohen ato te mesuesvet.
Ndoshta ne ate realitet te zymte e te erret, kur ballafaqimi me boten ishte nje vazhdimesí sinjalesh armiqesore qe, cdo dite, me kujtonin vargun madhor te Dantes ... Lini cdo shprese...., nder te paket njerez, ne te cilet nuk shihnja egersine e sistemit, ishin mesuesit.
Per vete thelbin e misionit te tyre, ata se bashku me mjeket ishin me pak te prirur per te pasqyruar fytyren e perbindshme te regjimit. Si te tille ata mbeten ne kujtese edhe pse kane kaluar me shume se gjysme shekulli qe u ndava nga bangat e shkolles.
Shume prej tyre ne vite kane mbyllur syte. Shkeputja e gjate ka bere qe shpesh lajmi i humbjes se tyre me ka ardhur me shume vonese dhe keqardhja ka mbetur thelle ne zemer e mendime, pa u trupezuar ne nje ngushellim per familjet e tyre. Por me daten 14 shkurt nje thirrje nga Shqiperia me lajmeroi se ish mesuesi im , z. Shefqet Karaj, kishte nderruar jete ne apartamentin e tij modest e te vjeter, ne qytetin e Durresit.
Dicka me semboi ne shpirt ne ate cast dhe dhimbja, thelle ne vete, me solli para sysh takimin e fundit me te, ne tetorin e shkuar, kur ai me paralajmeroi, me qetesi e stoicizem, fundin e afert te tij.
Semundja e gjate e kishte lodhur fizikisht, kurse gjendja e veshtire ekonomike familjare peshonte mbi humorin e tij te renduar nga vitet. Por mendimi ishte i kthjellet, bindjet e konsideratat te sinqerta, te brejtura e te ndryshuara, ne nje pjese te tyre, nga nderrimi i koheve.
Duke biseduar me te me vinte ne mendje figura e nje djaloshi te hijshem rreth 25 - vjecar, qe kisha njohur ne te largetin vit 1956, nje fytyre e qeshur e optimiste per jeten. Ishte mesuesi im i letersise, ne klasen e pare te te parit gjimnaz te rrethit te Lushnjes. Ishte me origjine nga Peza.
Ishte rritur pa prinder sepse, fatkeqesisht, prinderit ishin vrare gjate luftes. Feminia e rinia e pare kishin rrjedhur konvikteve ku ngrohtesine prinderore e kishte zevendesuar propaganda e partise qe synonte, krahas marrjes ne mbrojtje dhe shkollimit, ti edukonte me frymen e saj, si modelet e zgjedhur te njeriut te ri .
Me diplomen e Institutit dyvjecar te Shkodres ne xhep, mesuesi erdhi ne Lushnje, qendra me e madhe e kampeve te internimit ne Shqiperine e viteve te komunizmit. Mesuesi i ri u be anetar partie, madje thuhej se ishte dhe oficer sigurimi, nuk di akoma sa ishte e vertete.
Nuk dua te hyj ne kete veshtrim te jetes, qe mund te kete patur drite - hijet e tij, por mund te them me bindje se mesuesi djalosh, ne marredheniet mesues - nxenes, me mua dhe shoket e mij, te ashtuquajtur armiq te klases, mbeti thjesht nje mesues i mire, duke marre persiper edhe barren e prindit apo vellait te madh, te keshilltarit apo shokut.
Ai ishte nje i ri, te cilit i pelqenin librat, e terhiqte arti i madh, e shikonte boten me syrin e idealistit. Si mesues pati nje merite te madhe profesionale nxenesve te tij u rrenjosi deshiren per dije, pasionin per librat, u mbolli faren e vleresimit te tyre e te kultures ne pergjithesi, futi tek ta konceptin e ambicjes fisnike, sic e quante ai deshiren per te treguar konkretisht vlerat vetiake ne studim e nxenie.
Ende, mbas me shume se nje gjysme shekulli, un ruaj ndonje fletore te referateve dhe analize - komenteve, qe cdo fund jave ne do te mbushnim mbas leximit te detyrueshem te nje libri. Ishte nje pervoje per te cilen, ish nxenesit e tij, i jane ende mirenjohes, mbasi i beri te dashuronin librin e ta vleresonin ate me koken e tyre.
Qe nje metode pune qe zbatohej ne vitin e pare te gjimnazit e te cilen nuk e kam gjetur ne asnje shkolle tjeter brenda e jashte Shqiperise....
Jam takuar me mesues Shefqetin mbas gati dyzet vitesh, kur Shqiperia kishte nderruar sistem e jetet tona kishin pershkuar hullí krejt te ndryshme nga njera tjetra.
Ai kishte patur karieren e tij shteterore, gjithenje ne fushen e arsimit, ndersa un kreva universitetet e mija ne fushat dhe objektet e ndertimit te Myzeqese, per te perfunduar ne kampin famekeq te Spacit, apo dhjete vitet e fundit si i internuar ne Grabian te Lushnjes. Botkuptimet nuk ishin te njejta, por konsiderata dhe respekti i ndersjellte kishin mbetur ato te viteve te shkolles, mbasi per ne vlerat njerezore ishin shume me te cmuara se bindjet politike.
Na bashkonte nje perfundim i hidhur, ai i zhgenjimit nga Shqiperia e diteve tona. Ne kete perfundim ne arrinim duke u nisur nga pika te ndryshme, nga kendveshtrime jo te njejta, por te dy ishim te ndergjegjshem se Shqiperia demokratike, me te gjitha te metat e saj, ishte me e mire se paraardhesja e saj socialiste e se perparimi, me te gjithe mangesite e shanset e humbura, ishte nje fakt i vertete.
Ndermjet nesh u ringjall ajo ngrohtesi njerezore e me shume se pesedhjete viteve te shkuara, kur ai mesues i ri, i rritur jetim, shihte tek nje femije 12- vjecar, jo vetem nxenesin e tij te zgjedhur, persa i perkiste rezultateve te studimit, por edhe nje gjysme jetimi, qe nga mosha dyvjecare nuk shihte babane se ishte ne burg e per vite nuk kish pare as nenen mbas telave me gjemba te kampeve te punes se detyruar.
Jetimi e kuptonte se ai dhe te tjere si ai kishin nevoje per nje perkedhelje, per nje buzeqeshje, per nje inkurajim, per nje veshtrim miqesor. Ai mi dhuroi keto kur un kisha me shume nevoje.
Sot, kur ai nuk eshte me fizikisht ne kete jete, dua qe nepermjet ketyre rreshtave te thjeshte, te botuara ne gazeten qe ai lexonte cdo dite, ta kujtoj me shume respekt e dashamiresi, duke i shprehur keto ndjenja te mijat, qe besoj se perkojne edhe me ato te bashkenxenesve te mij, edhe familjareve te tij si nje forme, sado te vogel, ngushullimi e keqardhjeje, pjesemarrjeje te sinqerte ne dhimbjen e tyre.
Ju qofte i lehte dheu i tokes meme, profesor, i asaj toke qe ju, ne idealizmin entuziast te profesionit tuaj na mesuat ta duam shume e ti sherbejme me te gjitha forcat tona per ta permiresuar vazhdimisht e per ti zbukuruar imazhin. Kujtimi juaj do te na shoqeroje gjithmone, si ai i nje njeriu te dashur, te cilit i urojme te prehet i qete ne boten e amshimit, ne paqen e perjetshme.
Eugjen Merlika