Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Ne xhelatinen e kujtimeve

Publikuar me : 31.10.2011 Ne : Kulture - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Dr. Sabina Osmanovic

“Ti e ke harruar fëmijërinë tënde, nga thellësia e shpirtit tënd ajo të mëton. Ajo do të të bëjë të vuash aq gjatë, deri sa ti t’ia dëgjosh zërin.”  / Hermann Hesse

“Nuk duhet të kem qenë më shumë se 7 vjeç, kur kam lexuar të parin libër për të rritur. Bile, që të jem krejt i sakët me ju, 6 vjeç e 5 muajsh: ende pa filluar klasën e parë. Them kështu, sepse në kapakun e fundit të atij libri edhe sot mund të lexohet shënimi im i atëhershëm (shkruar me penë të trashë e bojë kine): Lexue më 9 Maj 1965. Në daç besojeni, në daç jo, por fjala është për “Manastirin e Parmës” [...]. E kam lexuar atë libër edhe para “Pinokut”, edhe para “Djemve të Rrugës Pal”, edhe para një përshtatjeje te ilustruar për fëmijë të “Don Kishotit” dhe plot librave të tjerë, të cilët do t’i zbuloja vite e vite më vonë në bibliotekën e tim eti. [...]

Janë këto rreshtat hapës të tregimit të parë “Manastiri i Parmës” ku nga këndvështrimi i një Uni personal fillon rrëfimi mbi fëmijërinë e hershme, mbi leximin e librit të parë për të rritur. Që në faqen e parë konfrontohemi me Unin rrëfyes e që me vonë rezulton të jetë dhe personazhi kryesor, Ridi, një alter ego i shkrimtarit. Ridi një subjekt sa sublim tregon bashkëpërjetimet me shokun “gjenial” Ilin. Ridi është një fëmijë i qetë, i dëgjueshëm, në kontrast Ili është më dinak dhe superior. Duket se Ridi mbetet gjithnjë nën hijen e Ilit, mirëpo thellë është ai që e lë Ilin të gëzojë ndjesinë e të qënurit “më i forti”. Autori rekonstrukton përjetimet, ngjarjet, situatat të cilat kanë lënë gjurmë në krijimin e personalitetit të tij. Në mënyrë imagjinative lexuesi kthehet tek e kaluara përmes episodeve me rrjedhë jo lineare. Në këtë vetë-shpalosje fragmentare, roli i autorit/Unit tregues, që më pas kalon në Unin e përjetuar, konstituon dialogun me lexuesin, ku ky i fundit argëtohet me qëndrimin ironik dhe “distancën psikologjike” që ruan treguesi përgjatë gjithë rrëfimit.

Duke u paraqitur si fëmijë i vetëm, Ridi gëzon gjithë vëmendjen e prindërve, ndonëse nga ana tjetër mbetet gjithnjë i tërhequr. I rritur në një mjedis ku edhe “librat ishin me racion”, ai na çon nëpër skutat e qytetit të tij, Shkodrës, zbulon të fshehtat, grindjet dhe prapësitë e ndërmarra me shokët, si dhe sprovat e tij si fëmijë për të shkruar vjersha. Përjetimet e Ridit nuk është se përbëjnë ngjarje të mëdha, kështu autori e ka përshtatur shumë mirë stilin e të shkruarit: thjesht, pa ndërhyrje filozofike apo psiko-narrative.

Interesante është mënyra që Dibra ka zgjedhur për t’iu qasur fëmijërisë: ajo bëhet duke sjellë në kujtesë lojërat e duke zhvendosur fokusin nga personi te ngjarjet. Është kjo një përqasje që anon nga përshkrimi frojdian i marrëdhënies së krijuesit me fantazinë, ku thuhet:

“A s’do duhej të kërkonim gjurmët e para të veprimtarisë tashmë që te fëmija? Veprimtaria më e pëlqyer dhe më intensive e fëmijës është loja. Ndoshta na lejohet të themi: Çdo fëmijë që luan sillet si krijues, kur ai krijon botën e vet ose, më saktë, kur i vendos sendet e botës së vet sipas një renditjeje të re që i pëlqen atij. Atëherë do të ishte e padrejtë të mendonim se ai nuk e merr seriozisht këtë botë; përkundrazi, ai e merr shumë seriozisht lojën e vet dhe gjatë saj përdor pasion të madh […] Krijuesi bën të njëjtën gjë si fëmija që luan. Ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht, d.m.th. e trajton me pasion te madh duke e ndarë qartë nga realiteti”.

Në këtë kontekst, Dibra vë në shërbim të letërsisë kujtesën, ndërsa lojën e përdorë si urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes. Kësisoj, tregimet janë të plotësuara me një koment shtesë në fund, duke i dhënë kështu karakter revizionist. Shkrimtari protagonist kërkon të lexojë të kaluarën e tij, kështu ai interpreton gati në formë psikanalitike lojërat-ngjarje dhe përjetimet fëmijërore, ku ekziston një analogji strukturale mes tregimit dhe fundit. Një shembulli i tillë ilustrues është tregimi “Dervishi dhe gjarpri”, ku pasqyrohet historia e dervishit të lagjes dhe aftësia e tij për të ndjellë “mikun e padëshiruar” nga shtëpitë. Ky pasion i çuditshëm për sytë e Ridit, merr kuptim shumë vite më vonë kur është “rritur e ndier burrë”:

“Vetëm pas gati tridhjetë vjetësh, kur jam njohur me një vajzë që thirrej Irenë, e kam ndier se ç’do të thotë të mbash gjarprin në gji.

Vetëm atëherë them se e kam kuptuar dervishin e gjorë.

Vetëm atëherë ia kam pohuar vetes dhe të tjerëve me zë të lartë se nuk mund të thuash që kam jetuar, po s’mbajte – të paktën një herë të vetme – një gjarpër në gji.

Ani pse ai gjarpër edhe mund të kafshojë”.

Një interpretim të ngjashëm mbi femrat gjejmë edhe te tregimi “Shpija e shtrigave”, ku Ridi dhe shoku i tij duan të zbulojnë “kontinentin e errët”, fshehurazi depërtojnë te shtëpia e tri motrave të cilave lagjja ju ka vënë epitetin “shtriga”, e që sipas shpjegimit të shokut të ngushtë Ilit, janë të tilla ngaqë “bajn’ dashni pa ken t’martueme”. Duket se konceptet si morali, nderi dhe fisnikëria kanë një rëndësi fondamentale në mendjen e një rrethi provincial, për më tepër të pakapshme për intelektin e një fëmije. Edhe pse atij i mësohen shumë gjëra si shkrim e këndim, noti, biçikleta, askush nuk i mëson se si të kuptojë këto koncepte abstrakte; në shumicën e rasteve duhet të kënaqet me shpjegimet sipërfaqësore të Ilit, pasqyruar më së miri në dialogun e mëposhtëm:

“ – Po pse nuk martohen shtrigat? – pyes unë.

- Rrijn’ tuj’ prit’ princin e prrallave.

- Kush asht princi i prrallave.

- Nji djal’ i bukur, trim e me nder, – përgjigjet Ili prerë. Nga këto fjalë, mua më duket se ai është ndoca pesë vjet më i madh se unë. Edhe pse jemi moshatarë. Kruaj kokën lehtë-lehtë dhe pyes:

- Kaq e zorshme keka me gjet’ nji kësi djalit?

- Sa idiot je, – thotë Ili, – kësi djemsh ka sa të duesh. Njeni prej tyne asht edhe i fejumi i Verës.

- Po pse nuk e gjejn’ edhe shtrigat nga nji kësi djalit? – këmbëngul unë.

- Se nuk duen djemtë, – thotë Ili, duke e trashur zërin edhe më. – Djemt’ e mir’ duhet me marr’ vajza t’mira, kurse shtrigat janë vajza t’kqija dhe duhet me marr’ djem t’kqij e të shëmtuet. Kështu ka than’ edhe baba.”

Rol spikatës në fëmijërinë e Ridi ka luajtur figura atërore, i cili urdhëron, vë rregull, bile i cakton dhe racionin e librave për lexim. Mirëpo, qëndrimi autoritar merr një dimension tjetër në tregimet “Mësimi i biçikletës” dhe “Me dorën e majtë”, ku del në pah  ana e butë e babait.  Ndonëse me ngjyra mirëkuptimi, në thelb kjo marrëdhënie at-bir mbetet komplekse.

“Me dorën e majtë” pasqyron mbase më së miri karakterin rezistent të Ridit, fakti që ai shkruan me dorën e majtë e që kjo përbën problem në shkollë si dhe tallje në radhët e shokëve, çka babai nuk e sheh si tragjike. Të qënurit “sollak” askush nuk e pranon si një prirje fiziologjike, por si një “defekt”, i cili duhet përmirësuar me çdo kusht. Ridi, edhe argumentit qesharak të nënës “se askush nuk i jep nuse një sollaku”, i kundërpërgjigjet me vetëbesim, se “tash po e gjej nji nuse sollake”, e që mund të interpretohet si thirrje për ta pranuar ashtu siç është.

Edhe pse autori mundohet të risjellë në mënyrë të detajuar fëmijërinë e tij të humbur, duket se në një pikë ai ka dështuar: të tregojë për gjyshen. Mungesën e pranisë së këtij personazhi, ndonëse shprehet se ishte “plot shtatë vjeç, thuajse me fëmijëri të kryer” kur gjyshja kishte ndërruar jetë, ai mundohet ta justifikojë si në vijim:

“Kurse gjyshja paska mbetur jashtë. Duke u ikur tinëzisht kujtimeve të mia. Si një drenushë e trembur qenve të gjahut. Vazhdimisht. Pa u ndier. [...] Gjatë e kam shtrydhur kujtesën. Si limonin. Pikë-pikë. Deri ku nuk nxirrte më. Por nuk kam arritur ndonjë rezultat të kënaqshëm. Bile, kurrfarë rezultati. Duke u bindur se kujtimet, herë-herë, janë si femrat: të ikin pikërisht kur i gjurmon më së shumti.”

Me ton ironik autori në fund shprehet se “për pak, ky tekst kishte për të qenë, ndoshta, i vetmi libër fëmijërie pa gjyshe brenda”; fakti që autori nuk arrin ta “bëjë” gjyshen, apo në rastin më ekstrem të sajojë një personazh të tillë, hapë një problematikë të re në çështjen e vërtetësisë së rrëfimit autobiografik: nëse është pikërisht refuzimi i ndihmës së kujtesës apo ndoshta i vet pendës së shkrimtarit?

 

Një rrëfim (gati) autobiografik

Shtrohet pyetja, a është e mundur të rrëfesh fëmijërinë, pa e shtrembëruar, pa i dhënë një dorë artistike dhe të shmangësh rrezikun që t’i tregosh gjërat ashtu siç do kishe dashur të ndodhin, pa jua cikur vërtetësinë, pra duke i lënë “ferishte”?

Kritiku gjerman Gottsched në veprën e tij “Critische Dichtkunst” (Kritika e Artit të krijimit), shprehet se autori duhet të tregojë të vërtetën lakuriqe, pa llak dhe truk. Nga ana tjetër, Goethe pohon se publiku është gjithnjë i prirë të dyshojë në vërtetësinë e teksteve të këtij lloji. Mbi veprën e tij paradigmatike për gjininë e autobiografisë “Dichtung und Ëahrheit” (Fiksion dhe realitet), Goethe thotë se ka tentuar të paraqesë dhe artikulojë në mënyrë tautologjike të vërtetën thelbësore (das eigentliche Gundwahre) e duke qenë i vetëdijshëm se një gjë e tillë është e pamundur në moshë të pjekur, pa ndihmën e kujtesës, pa vënë në punë forcën e imagjinatës dhe pa ushtruar aftësinë krijuese. Në kundërshtim me Goethen, shkrimtari gjerman Günter de Bruyn ndjek një koncept tjetër. Në veprën autobiografike “Bilanc i ndërmjetshëm” (Zwischenbilanz) shprehet se do të mundohet të paraqesë jetën e tij pa maskë dhe pa  i hedhur vellon e fiksionit. Interesante është shprehja e de Bryn-it, e cila njëherësh përmbys kërkesën e vërtetësisë në tekstin autobiografik, duke thënë se: “Gënjeshtari me profesion mëson të thotë të vërtetën, ai premton se çdo gjë e thënë do jetë e vërtetë; por nuk premton t’i thotë të gjitha.”

Në librin me karakter fabulesk “Në kërkim të fëmijës së lumtur”, Ridvan Dibra nuk ndjek asnjërin nga konceptet e lartpërmendura për të na servirur fëmijërinë e tij. “Të vërtetën e rrëfeva si ëndërr [...] duke e ndryshuar paksa”, shprehet autori protagonist në tregimin “Sherre me ëndrra”.  Ai shikon nga larg fëmijërinë e tij, kaq të pranishme dhe në retrospektivë sjell në formë bilanci peshën e këtyre përjetimeve të gravuara thellë në kujtesë. Emërtimet toponimike dhe konteksti historik janë ato që e bëjnë të besueshëm si rrëfim autobiografik këtë vepër, mirëpo është fraza “se aventurës së tij letrare po i vjen fundi” e tregimit të fundit “Gjyshja”, që e bën të kontestueshëm per se.

I mbetet lexuesit zgjedhja nëse këto “dromca” kujtimesh të mbledhura me kujdes nga kujtesa e autorit e të përpunuara në një krijim me ngjyrime letrare, do ta lexojë si tekst autobiografik apo si fiksion letrar.

Sidoqoftë, në fund mund të thuhet se autori  në “aventurën Ridiane” nuk ka për qëllim  ta mbys fëmijërinë e tij siç paralajmëron prologu i Kafkës në fillim të librit, e as ta harrojë atë siç sinjalizon fraza e Hesse-s më lart. Ridi për më tepër kërkon fëmijën brenda tij, mbase fëmijën e lumtur, ndërsa ngjan se ai është akoma në veprimet, mendimet, përditshmërinë e tij, po i njëjti si dikur vetëm se tashmë i veshur  me perçen e shkrimtarit. Duket se nuk ka ndryshuar shumë, pavarësisht “rrekjeve” të pafund (të rrethinës) për ta bërë “si tan’ të tjerët”, ai ka mbetur: “i pakorrigjueshëm”.

 

Autorja

Sabina Osmanovic, është pedagoge në Departamentin e Gjermanistikës Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Ajo komenton librin e shkrimtarit Ridvan Dibra në kuadër të Festivalit Letrar të Shkodrës, të organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti”. Kumtesa e saj mbante titullin “Me sytë e një fëmije dhe perçen e një shkrimtari”

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit