Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Nga piramidat tek Piramida

Publikuar me : 21.07.2011 Ne : Kulture - 157 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Atalanta Pasko

Në fillim të vitit 1997 në fjalorin ekonomiko-politik të shqiptarëve hyri me tërsëllëm një fjalë e re: fjala piramidë. Atë e shqiptoi së pari Maksude Kadëna, “bosja” e një firme të famshme huamarrëse.

Pas “piramidës” së Sudes u shembën edhe disa “piramida” të tjera, të ngjashme me të. Njerëzit që deri atëhere u kishin thënë thjesht “firma” (zyrtarisht thirreshin “firma rentiere” ose “firma huamarrëse”), u mësuan shpejt e shpejt me këtë emër të ri, që mbase u tingëllonte dhe disi familjar. Sepse, në fund të fundit, a s’e kishte dhe Tirana një “piramidë” (pothuaj të vërtetë e të pashembur) pranë Bulevardit, në mes të një sheshi ndërmjet Kryeministrisë dhe Lanës? Dhe a s’ia kishin ngjitur ata vetë këtë emër, pa dekret e pa vendime të ardhura së larti, pa bujë e pa ceremoni zyrtare?!

Por jo vetëm kaq. Ata e patën pagëzuar kështu duke shpërfillur dekretin zyrtar ku thuhej se emri i këtij objekti të madh e të ndritshëm do të ishte pak a shumë “Qendra muzeale Enver Hoxha”, apo diçka tjetër e tillë. Kështu, populli i Tiranës e më pas i gjithë Shqipërisë i thanë asaj “Piramidë” e ia vunë këtë emër ilegalisht, duke kryer madje kështu një gjest disidence. Ky emër e ndoqi këtë ndërtesë edhe pas viteve ’90 e pas viteve 2000, edhe kur zyrtarisht iu vu emri “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori”. Kjo do të thotë se emri “Piramidë” ishte gjetur mirë – punë prej populli të mençur, me “referendum” spontan!

Unë i pata bërë bisht vizitës brenda saj sa ishte muze i Enver Hoxhës. Për herë të parë hyra në Piramidë kur u bë një aktivitet pas vitit 1992, kuptohet, në atë kohë atje s’kishte fare shenjë të diktatorit, as të diktaturës. Dhe më pëlqeu shumë-shumë. “Mëkat, mendova, të mbetej kjo gjë e bukur strehë për të himnizuar një njeri që i solli kaq shumë fatkeqësi vendit”.

Siç është konstatuar edhe më parë, populli i Tiranës nuk e ka urryer asnjëherë Piramidën, madje në logjikën e vet as e ka lidhur fare me figurën e diktatorit. Po të kish qenë ndryshe, turma e revoltuar do t’i ishte vërsulur qysh në vitin 1991 kur hodhi përdhe e bëri copë-copë monumentin e sheshit “Skënderbej”. Tiranasit thjesht e donin këtë ndërtesë të çliruar nga hija e Enverit, ndërsa hapësirën jashtë e donin të gjithën për vete.

Tani 70 e dy-tre deputetë firmosin për ta prishur se thonë qenka “simbol” dhe se popullit i dhembkan sytë prej saj, ngaqë i kujtoka komunizmin!

Zotërinj, çlirohuni nga furitë primitive që ju kanë zaptuar dhe hidhni tej logjikën e shkatërrimit. Sepse këtij qëndrimit tuaj unë s’i them dot as “instinkt i shkatërrimit”, pasi instinkti vjen vetvetiu, ndërsa kurdisja  kundër Piramidës nuk ka asgjë të tillë. Një ndërtesë, është ndërtesë. Simbolin e bën mendja e njeriut dhe brendia e objektit. Dhe ju siguroj se brendia e Piramidës së Tiranës e ka treguar botërisht që ka përmbajtje “thellësisht demokrate”, duke i shërbyer demokracisë, siç ka ndodhur vite me radhë pas ’92-shit. Ajo madje vazhdon të punojë për demokracinë edhe vetëm me emrin e vet, që siç e thashë më lart, është simbol disidence! Nëse disave iu kujton ende simbolet e komunizmit dhe Enverin, kjo s’ka të bëjë aspak me ndërtesën që jetoi vetëm 2-3 vite si strehë e kujtimit të diktatorit dhe rreth 18 vite si objekt në shërbim të veprimtarive të një shoqërie të lirë. Dhe demokracia s’mund të shpallë më mirë triumfin e saj mbi diktaturën, se sa duke kthyer objektin e projektuar për të himnizuar kujtimin e diktatorit, në një mjedis ku lulëzon kultura e lirisë së njerëzve të lirë.

Sa për “shtëpinë e re” që iu duhet deputetëve si dhuratë Shqipërisë (vetvetes) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kjo megjithë mend tejkalon çdo marrëzi e çdo paturpësi.

Sepse ndryshimi i sallës aktuale të Kuvendit tonë nga sallat e parlamenteve të vendeve me një nivel edhe më të lartë ekonomik se vendi ynë, nuk është aq i madh sa ndryshimi i spitaleve të atyre vendeve nga spitalet e vendit tonë; nuk është aq i madh sa ndryshimi i shkollave dhe universiteteve të atyre vendeve nga shkollat dhe universitetet e vendit tonë. Në një kohë kur Shqipëria gërryen trupin e vet me fabrika të shumta çimentoje dhe furra gëlqeresh që thërmojnë malet, ne s’mund ta kemi luksin për pallate të tillë luksozë që s’i kanë as vendet me parametra ekonomikë shumë herë më të lartë se të vendit tonë. Kujt duam t’i shesim mend? Botës? Kjo është thjesht delir madhështie. Ndërsa shqiptarët e varfër as që duan t’ja dinë për maketet të cilëve ju u buzëqeshni, pasi buza e tyre është plasur nga jeta e rëndë.

Sa për Piramidën, jepni urdhër që ajo të sillet në din, të paktën siç ishte para disa vitesh dhe tërhiquni nga synimi për të pushtuar edhe këtë oaz të qetë buzë bulevardit… Më falni, se harrova: jepni urdhër dhe të hapet sërish e të sistemohet dhe ajo çezma e vogël me ujë Selite, që rridhte dikur aty ditë e natë, se i pëlqente shumë popullit të Tiranës, edhe ata s’janë as demokratë, as socialistë.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit