Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Politike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Komisioni hetimor Komisioni Hetimor kundër kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nisi dje zyrtarisht punën e tij pa praninë e opozitës. Në mbledhjen e parë nën drejtimin e deputetit Enkelejd Alibeaj dhe i përbërë nga anëtarët Ramiz Çoba, Paulina Hoti, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli, komisioni vendosi që të thërritet në seancë dëgjimore zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Sipas kreut të këtij komisioni, brenda dy javësh Spahiu do të ketë mundësi që të mbrohet lidhur me akuzat e 33 deputetëve demokratë të cilët e akuzojnë se ka kryer veprimtari politike në kundërshtim me Kushtetutën.
“Do të kërkoja që t’i dërgonim një shkresë nënkryetarit të KLD, zotit Kreshnik Spahiu që për periudhën e dy javëve në vazhdim të përcaktojë ai vetë kohën në të cilën do të jetë i mundshëm për të na nderuar në komisionin përkatës, për të dërguar mendimin e tij në lidhje me propozimin. Për t’i dalë para çfarëdolloj të papriture, ne do ti lejojmë që këtë mundësi të përcaktojë ai vetë se ku e ka të mundshme për shkak të impenjimeve që mund të ketë, ditën që mund të vijë në komision për ta dëgjuar”,- tha Alibeaj.
Komisioni hetimor duhet të ketë nëntë anëtarë, por opozita e ka kundërshtuar ngritjen e tij dhe ka vendosur të mos dërgojë katër anëtarët e saj. Në mbledhjen e djeshme Alibeaj kërkoi edhe anëtarët e opozitës, pasi sipas tij, komisioni vetëm sa do verifikojë pretendimet e deputetëve të djathtë kundrejt Spahiut. “Kjo është një arsye e fortë, e plotë moralo-politike që edhe opozita të marrë përgjegjësinë e saj politike, institucionale në këtë rast, të caktojë anëtarësinë e saj, të caktojë nënkryetarin dhe anëtarët e tjerë që ky komision të përcaktojë dhe verifikojë jo thjeshtë dhe vetëm pretendimet përkatëse, por të shërbejë edhe si një shembull i mirë për mënyrën jo vetëm të bashkëpunimit politik parlamentar, por se si mund dhe duhet të funksionojnë komisionet hetimore”,- tha Alibeaj.
Pak ditë më parë vetë Spahiu ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve ku u diskutua ngritja apo jo e komisionit hetimor, por gjatë mbledhjes ai nuk u lejua që të fliste. Kur nënkryetari i KLD-së kërkoi fjalën dhe nisi replikat me anëtarët e komisionit, kryetari Ilir Rusmali thërriti forcat e Gardës së Republikës që të nxirrnin Spahiun jashtë Kuvendit. Për të shmangur një përplasje fizike, Spahiu doli vetë nga salla.
16 shkurti do të jetë dita e fundit kur Komisioni Hetimor do të duhet të miratojë raportin final për t’ia paraqitur parlamentit për miratim. Pas mbledhjes së fakteve, pesë anëtarët e djathtë do t’i kërkojnë shkarkimin ose jo të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu nga pozicioni që ai mban. Siç edhe pritet, mazhoranca më pas do t’ia kalojë propozimin e saj KLD-së për të vendosur shkarkimin apo jo të Spahiut. Vetë nënkryetari i KLD-së ka deklaruar se nëse parlamenti do të miratojë raportin, ai do t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshëm juridikisht veprimin e mazhorancës për shkarkimin e tij me argumentin se Kushtetuta nuk parashikon ndërprerje mandati të anëtarit të KLD-së.
Rama: Komisioni Spahiu, vazhdë e barbarizimit të jetës parlamentare
Kryetari i PS, Edi Rama reagoi në rrjetin social “Tuitter”, lidhur me komisionin hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. “Komisioni Spahiu vazhdë e barbarizimit të jetës parlamentare. Pushteti provon përditë nevojën alarmante për ndryshim”, ka shkruar kryesocialisti. Opozita ka vendosur që të mos marrë pjesë në mbledhjes e Komisionit Hetimor duke u distancuar prej tij. Edhe në seancën plenare, 57 deputetët e opozitës votuan kundër ngritjes së Komisionit hetimor. Deputetët e majtë akuzuan Partinë Demokratike për sulm ndaj institucioneve të pavarura dhe thanë se gjithçka është një lojë pasi PD i druhet votave që mund të marrë Aleanca Kuqezi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, sulmi ndaj nënkryetarit të KLD-së, është tregues i frikës së kësaj mazhorance ndaj të ardhmes politike të presidentit Topi. “Ne nuk jemi pjesë e luftës politike që ju keni brenda llojit. Sepse është e qartë, ju nuk ju intereson veprimtaria e zotit Spahiu si nënkryetar i KLD-së, por e ardhmja politike dhe në politikë e tij dhe e kryetarit të KLD-së.
Sollaku: Kuvendi nuk mund të shkarkojë Spahiun
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku është shprehur dje kundër komisionit hetimor të ngritur nga mazhoranca për nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu. Duke analizuar situatën ligjore, Sollaku është shprehur se mazhoranca nuk mund ta shkarkojë nënkryetarin e KLD pasi procedura përcakton qartë se është vetë mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ajo që vendos me shumicë votash nëse do të ndërpresë mandatin e anëtarit të saj. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për detyrë, kur konstaton raste të papajtueshmërisë, ta gjykojë dhe të marrë vendimin. Mazhoranca i ka të gjitha mundësitë, ka Ministrin e Drejtësisë dhe nëse do ta bëjë objekt, ata shumë mirë mund ta shtrojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Problemi i zotit Spahiu është problemi i mënyrës se si funksion ligji në Shqipëri. Me precedentë të tillë që parlamenti derisa të emëron, të shkarkon, janë teori të gabuara”,- theksoi Sollaku. Për ish kreun e organit të akuzës, janë të kritikueshme vendimet e prokurorisë që në emër të balancimit politik, ka kërkuar heqjen e imunitetit të tre deputetëve të majtë. “Është detyrë e prokurorisë që të hetojë në thellësi dhe gjerësi gjithçka ndodhi në 21 janarin si ata që e kanë organizuar ashtu edhe ata të masakrës, por prokurorisë nuk i lejohet që për hir të një balancimi të kërkojë autorizime për heqje imuniteti kur nuk ka prova, Ne nuk kemi nevojë për show mediatik, ne kemi nevojë që ti thuhet opinionit publik që x deputet ti hiqet sepse janë të dënueshme në bazë të kodit penal”. Sipas Sollakut kryeministri i ri do të tentojë që pas zgjedhjes së presidentit të ri, të zgjedhë edhe një prokuror që do të ketë pëlqimin e mazhorancës.