Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Redaksionale / Shekulli
Kur nga goja e Edi Ramës doli lajmi për një procedurë të re për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pati shumë njerëz të cilët e vlerësuan si një nismë e paparë deri më sot. Pak frymëmarje demokracie në një vend të mbytur nga politika dhe hijet e së shkuarës. Më së fundi, një shans i mirë për qytetarët për të patur në këtë funksion të lartë një njeri që e duan e besojnë dhe respektojnë. Një avokat të tyre dhe për ta.
Edhe përzgjedhësit e avokatit të ardhshëm (anëtarët e komisionit ad hoc) nuk kanë të sharë: intelektualë nga ata të paktit që kanë mbetur në këtë vend. Të ditur, të shquar dhe të guximshëm në një shoqëri si kjo e jona ku gara më e madhe është; kush përfiton duke heshtur.
Deri këtu asgjë për t’u sharë por sfida e madhe fillon tani. Cili do të jetë avokati i popullit, ai që do të mbrojë realisht dhe me pasion të drejtat tona që nëpërkëmben cdo ditë, kudo, në spitale, në rrugë, në administratë, në gjykata, burgje e paraburgime? Cili do të jetë ai që do të ngrejë zërin në një vend ku demostruesit vriten e rrihen në mes të bulevardit dhe asnjë institucion shtetëror nuk ndihet për këtë?
Si kërpudhat pas shiut, që tani kanë dalë ata që ndjejnë se mund ta marrin e ta kenë të tyrin edhe këtë funksion sublim. Shumica, të panjohur për publikun shqiptar. Shumica në Shqipëri prej kohësh, në poste e punë të rëndësishme por shpesh të panjohur për Shqipërinë e vërtetë. Gjithmonë të gatshëm për një vend të ngrohtë, për të bërë dhe marr ndere me politikën, gjithmonë të munguar kur shqiptarët vdesin, vriten, rrihen e përbuzen nga shteti i tyre dhe nga ata që duhet t’i mbrojnë.
Sfida është e madhe për komisionin, presioni mund të jetë i madh mbi ta. Por nëse duan, zgjidhjen s’do ta kenë të vështirë. Në Shqipëri ka njerëz që kanë qenë avokatë të vërtetë të popullit, edhe pa qenë në post. Sepse avokati i popullit duhet të ketë qenë i tillë edhe pa u zgjedhur. I tillë që të ketë mbrojtur qysh më parë, qytetarët e këtij vendi, të drejtat dhe liritë e tyre. Nuk janë të shumtë sepse në një vend si Shqipëria jo çdokush ka qenë i gatshëm të sakrifikojë me stuhinë e pasojave që një shtet autoritar t’i përplas në fytyrë sapo e kritikon. Ka Shqipëria njerëz të cilët e kanë pësuar në një mijë e një mënyra presionin e shëmtuar të një qeverisjeje si kjo që fillon me indiferentizmin dhe frikën e miqve e që përfundon me bukën e fëmijëve. E megjithatë kanë vazhduar të bëjnë opozitarin publik pa mbrojtje politike më me passion e më me vetëmohim. Ky duhet të jetë avokati ynë i ardhshëm. Një njeri i shoqërisë civile që jo vetëm di dhe njeh rrahjen e zemrës së popullit të tij, por edhe e bërtet atë në mexhlis, në publik aty ku formësohet opinioni i një vendi: që e kthen hallin e çdo shqiptari të urtë në hallin e gjithë shqiptarëve të shurdhët.
Avokat i popullit s’duhet të jetë më një njeri i zyrave dhe skutave të politikës apo gjyqësorit të tanishëm dhe të shkuar. Boll me ata që populli ua njeh fytyrën veç ditën që zgjidhet, as para saj, e kurrë pas saj. Nëse gjatë gjithë kësaj kohe ke heshtur për një rrogë, për një qoshe të ngrohtë, apo më keq ke bërë dillet e tua me politikën, - ti mund të jesh një kandidaturë e partisë por jo e popullit.
Komisioni ka sfidë të madhe përpara dhe një përgjegjësi para nesh qytetarëve të këtij vendi: a do të bëjë zgjedhjen që ne qytetarët presim apo do të vazhdojë të zgjedhë nga e njëjta kategori e njerëzve të cilët shesin heshtjen për cepin e tyre të ngrohtë? A do të zgjedhim akoma si në këto njëzet vjet? Apo PS do ta mbajë realisht premtimin që ka bërë për këtë post? Kjo është sfida. Ne do të jemi këtu. E do të shikojmë.