Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Nje cape teater nen prese

Publikuar me : 05.01.2012 Ne : Kulture - 46 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Elsa Demo

Skena e madhe e Teatrit Kombëtar u rri produksioneve të të rinjve si çunit xhaketa e babait. Por nuk janë as protektive e as të ndërlikuara raportet e teatrit me të rinjtë. Përkundrazi: janë të dalë ku të dalë.

Edicioni i shtatë i festivalit të teatrit për të rinj është organizmi më i keq i mundshëm. Organizator është Teatri Kombëtar i cili jep mjediset e punës, mecenat është Ministria e Kulturës e cila jep mesatarisht 400 mijë lekë për shfaqje. U prodhuan shtatë spektakle. Finalizimi ishte më 28 dhjetor në skenën e vogël që tani i përket Teatrit të Komedisë.

Me të filluar sezoni i këtij çiban institucioni, festivali i të rinjve u ndërpre për disa javë. Zgjidhja u pa në ndërprerjen e shfaqjeve të “Amadeusit”. Duhej që të rinjtë t’i përshtatnin veprat për skenën e TK-së aq e vështirë për t’ia fshehur me teknikë zymtinë dhe varfërinë.

U ngrit megjithatë një koleksion teatral i të rinjve të cilët të njëjtat drama i inskenojnë më mirë se presorët e tyre në degën e artit skenik në AA. Shikon moshën e adoleshencës artistike të padeformuar, e cila në këtë pikë ka mbërritur vetë, në mënyrë autodidakte, nga puna lart e poshtë nëpër televizione, e informuar ku të mundet. Pjesa më e shëndetshme që shfaqin prodhimet e të rinjve nuk është as prej atij edukimi në shkollën kombëtare të artit dhe as prej institucioneve të akullta që kanë paratë dhe hapësirat, pra edhe rrjedhën e kohës së brezave në dorë. Nëse ka madje tundime që me delir dhe mediokritet, i shmangin këta të rinj nga kërkimi personal, janë këto dy duart, edukimi dhe politika, që hedhin dhe presin mundësitë e të bërit art sot në Shqipëri. Dy presa që garantojnë gjendja të mbetet kjo që është.

Fituesit

Lorin Terezi është fitues për shfaqjen më të mirë në edicionin e shtatë të festivalit të teatrit për të rinj. “Koleksioni i qelqtë” i Tennessee Williams është debutimi i tij i parë serioz në skenën e teatrit. Lorini është 25 vjeç. Është diplomuar për regji teatri në Akademinë e Arteve më 2009. Trofeun ia dorëzoi një ish pedagog i tij, aktori Andon Qesari. Në bisedën pas ndarjes së çmimeve, Lorini tregon se lirizmi romantik i si ai i Tenesi Uilliamsit është prirja që ai pëlqen në një pjesë për teatër. Lorini fitoi sepse i ka dhënë dramës atë që ajo ka: realizmin tradicional me epokën, vendin dhe kohën dhe kompozimin korrekt të një vepre që gjithë atmosferën e ka te gjendja e ndërmjetme e historisë dhe personazheve të cilët jetojnë ndërmjet kujtimit dhe ëndërrimit.

Aktorë janë: Ervin Bejleri dhe Niko Kanxheri në rolin e Tomit të ri dhe Tomit plak, ëndërrimtari dhe shkrimtari i realizuar, Sonila Kapidani – nëna që rrit fëmijë me bukuri të sëmura, Erjeta Cufaj – Lora që “rrit” kafshët e koleksionit prej qelqi, dhe Florian Agalliu – Xhimi që gabimisht është bërë modeli i mashkullit në mendjen e një vajze të sëmurë.

Për interpretimin e Lorës, Erjeta Cufaj (debutoi në Teatër Kombëtar sezonin e kaluar te “Dashuri e hidhur” me rolin e Xhuljetës) u shpall nga juria aktorja më e mirë. Aktori debutues më i mirë u vlerësua Eni Shehu për interpretimin në dramën “Kaligula” i Albert Camus-së. Çmimi për regjinë u nda mes të rinjve Kliton Hoxha për dramën “Vdekja dhe virgjëresha” nga Ariel Dorfman dhe Elis Mataj për “Pa rrugëdalje” e Zhan-Pol Sartr.

Drama e absurdit dominoi këtë edicion. Juria vlerësoi në fund një shfaqje realiste, “Koleksioni i qelqtë” e cila, siç u deklarua mbrëmjen e çmimeve “ka të drejtën” të shfaqet disa herë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ky premtim për fituesin nuk është mbajtur ndonjëherë.

Me Tenesi Uilliams (1911-1983) publiku ynë ka njëfarë familjariteti. Jo vetëm me “Koleksionin e qelqtë” (vënë në skenë më 2008 nga Adonis Filipi me titullin “Menaxheria e qelqtë”, me aktorët Yllka Mujo, Arben Derhemi, Monika Lubonja e Neritan Liçaj). Spiro Duni ka inskenuar “Macja në çatinë e nxehtë” me protagoniste Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka ka provuar në vitet dymijë me “Tramvaj me emrin dëshirë”. Por përpjekja më e hershme me dramaturgun amerikan është në vitin 1973, nga regjisori Mihal Luarasi. “Orfeu zbret në ferr” që kishte për protagonist aktorin Timo Flloko u ndalua. Kjo ngjarje iu shtua fajeve të Luarasit që kishin si pikë nisje festivalin e 11-të, i dënuar si festival antisocialist, modernist, që e çoi në burg regjisorin e tij.

 

Intervista

Urime Lorin! Sa e vërtetë është që ke hequr dorë nga gjithçka për t’u marrë me “Koleksionin e qelqtë”. Çfarë është gjithçkaja në moshë tënde?

Kur kam filluar këtë projekt bëja një jetë si një student që ka mbaruar akademinë e arteve dhe punon në një televizion për tre vjet me spektaklin dhe muzikalin. Futa projektin në konkurs, atëherë lashë punën dhe çdo gjë nga aktiviteti i përditshëm.

Ishte puna e parë personale me teatrin?

Me teatrin mund të përmend vetëm shfaqjen e diplomës “Etje” nga Juxhin O’Nill. Punova me Arben Derhemin, Rozi Kostanin dhe një bashkëstudent. Kurse “Koleksioni i qelqtë” është një akumulim i cili nuk ka filluar për hir të festivalit. Ka jetuar me mua qysh kur e kam lexuar, më ka shoqëruar në gjithë etapat kur i jam rikthyer.

Mendoje që mund ta vije në skenë?

E kam pasur ëndërr dhe në gjithë këtë kohë ka arritur një pjekje të vetën.

Çfarë identifikon te Tenesi Uilliams?

Them se gjithmonë ka qasje personale ndaj një vepre. Ka regjisorë që janë të ftohtë dhe vlerësojnë inteligjencën e dramaturgut, ka regjisorë që janë emocionalë dhe vlerësojnë anën sentimentale të dramaturgut. Unë veten e shoh te këta të dytët. E përgjithësoj shijen time duke thënë që në kinema më pëlqen Tornatore. Në këtë linjë të emocioneve më pëlqen ta ndjek teatrin. Me “Koleksionin…” ndjeva se ku e gjej veten dhe ku do të vazhdoj.

Drama jep një skemë të familjes amerikane në ekran: një prind që zhduket, dhe prindi që mbetet është i pamjaftueshëm për t’u marrë me fëmijët të cilët po ashtu, mbeten përgjysmë. Sa potencial ka një skemë si kjo?

Është një skemë që ka rezultuar e suksesshme. Më së shumti unë jam marrë me atë që gjej në realitetin tim. Pati disa kritika ndaj meje që pretendonin shfaqja të ishte pak më amerikane.

Kompozimi i “Koleksionit” ka një simetri në ndarjen e karaktereve, në kohën që merr njëri dhe tjetri për të treguar veten nëpërmjet kujtimit dhe ëndërrimit, me peshën që kanë ngjarjet në të tashmen dhe me forcën që rimerren nga kujtesa.

Në variantin origjinal të dramës, protagonisti, Tomi, tregon 3-4 vjet pasi kanë ndodhur ngjarjet. Unë e kam rritur me 30 vjet këtë distancë. Kam supozuar që vetë Uilliams është realizuar si dramaturg, meqë Tomi Uingfilld është Tenesi i ri. Kjo dramë është autobiografi e tij. Kam riparo finale me dilemën: a ia vlen të ndjekësh ëndrrën dhe pasionin dhe të lësh prapa një qelq të thyer?

Ke punuar me tri aktorë profesionistë, dy prej tyre pedagogë. Çfarë përgjigje do t’i jepje anëtarit të jurisë që shprehu dilemën: nuk dimë ku është vija ndarëse, sa ka punuar regjisori i ri me aktorin dhe vetë aktori profesionist me personazhin.

Praktika të ofron një dije tjetër. Praktika kësaj here më ka detyruar të bëjë shumë heqje nga mendimet e dikurshme dhe të përshtatem me kushtet teknike, me gjërat që janë.

Dramaturgjia e Tenesi Uillliamsit i jep qartë rrethanat. Pse duhej të merrja një nënë më të re në moshë se Sonila Kapidani apo një Tom edhe më të ri se Ervin Bejleri dhe pse të mos shfrytëzoja pjekurinë e Niko Kanxherit, profesorit tim, të cilin e kam përgjuar gjithmonë dhe e di dashurinë që ka për Tenesin.

 

Lora është personazhi kyç i dramës. Ajo koleksionon kafshëza qelqi, njëbrirësha e figurina të tjera, është kuptimi i idealit që Tenesi Uilliams ka për të bukurën si brishtësi, vetmi, sëmundje mendore. Shfaqja juaj u vlerësua për këtë, Erjeta fitoi edhe çmimin e aktores më të mirë.

Erjeta është e vërtetë, është aktore pak emocionale. E kam parë në role në Akademi, në të tilla role ajo ka gjithë shkëlqimin e mundshëm. E kam parë në rolin e Sonjës te “Daja Vanja” dhe më ka dhënë një emocion të papërshkrueshëm. Me çmimin ajo e justifikoi punën e saj.

Përkthimi ishte shumë i mirë në krahasim me tekstin që kemi dëgjuar dy vjet përpara. Një shembull: në vend të fjalës adhurues përdorej vardisës.

Është i njëjti tekst që keni dëgjuar në Teatrin Kombëtar, i përkthyer nga një i ri nga Kosova. I kemi ndjerë problemet dhe jemi munduar ta shqipërojmë në punën e tavolinës.

Edhe titulli siç e vini re, është “Koleksioni i qelqtë” jo “Menaxheria e qelqtë”, sadoqë me këtë vepra sikur kishte krijuar një identitet. Profesorët Kanxheri e Kapidani janë shumë të kujdesshëm si flitet në skenë dhe çfarë flitet.

Nga kjo punë kuptova që sado punë të mirë të bëjë regjisori, sado mrekulli të bësh, ka shumë rëndësi struktura kompozicionale që të ofron dramaturgu.

Përse ke ndjekur deri më një efektet për të imituar natyrën?

Jam partizan i kësaj. Çdo gjë e llogaris në bazë të emocioneve dhe të besueshmërisë të atij që e shikon. Unë e kuptoj që teatri është konvencion dhe me pak elementë mund të tregohet ajo që do të ndodhë. Nëse ai bulkthi është bërë bozë por ja që ty të vjen mbarë ai bulkthi, nëse punon dhe me atë ndriçimin blu për të krijuar atmosferën e darkës, spektator hyn më mirë në rrethanë se sa këto gjëra t’i merrja me mend me pak elementë.

Me skenografinë realiste dhe kostumet mbetemi në epokë, vitet pesëdhjetë…

Kostumet dhe skenografia janë të Olta Bellos. Ishte insistimi i saj për të qenë në epokë, për të dhënë elementë dramaturgjikë që tregojnë se këta njerëz po mbijetojnë këtu brenda nuk po jetojnë.

 

Nga shtatë prodhime të të rinjve, tre ishin të teatrit të absurdit. Si e komenton këtë tendencë?

Jam adhurues i filmave të Felinit. Ai e fillon karrierën e tij me “I vitelloni”, një histori e thjeshtë, realiste, e hap pas hapi e shohim Felinin te “Sheiku i bardhë”. Hapat e parë janë gjithmonë shumë të rëndësishëm që t’i të fitosh njerëz. Njerëz do të thotë publik. Kjo nuk do të thotë të jesh hileqar për ta fituar këtë publik. I pashë punët e teatrit të absurdit që nuk është e lehtë t’i vësh në skenë. M’u dukën shumë serioze. Unë për vete do kisha frikë t’i vija.

Them që mëson shumë duke pasur një dramaturgji të saktë, një strukturë kompozicionale të saktë, kur ti si regjisor fillon të shikosh ngjyra dhe ritme në skenë, të kuptosh ku është ekspozeja, pjesa që merr një ngjitje, një zhvillim.

Është e vërtetë që studentët pëlqejnë shumë Juxhin O’Nil, Tenesi Uilliams.

Në shkollë jemi shpërndarë pak nga të gjitha. Unë nuk do ta zgjedh më Juxhin O’Nill. Ai është teatër i mizorisë, është një teatër i egër dhe unë e zgjodha sepse ndihesha i rënduar. Këtë kam ndjerë: që në çdo pjesë që zgjedh të kem një lidhje timen me momentin.

Çfarë ke parë për herë të parë në teatër?

Unë jam nga Tirana. Nuk mund të them që jam rritur në teatër dhe që më ka pëlqyer teatri. Jo. Kam hyrë në Akademi siç hyjnë shumë nxënës nga gjimnazi që nuk janë mirë në matematikë. Aty ndryshuan shumë gjëra. Besoj që shfaqja e parë që kam parë është shumë vonë, “Koprraci” i Molierit me Robert Ndrenikën, vënë në skenë nga Hervin Çuli.

Ka pasur një periudhë që nuk më bëhej të vija në teatër. Kjo besoj ka qenë një dëshpërim shumë i madh, sepse shihja dritë për t’u marrë realisht me teatër. Ka qenë pas shkollës, kur ndjeva që isha më pjesë e ëndrrës që kisha pasur. Tani ka kaluar kjo gjendje.

Çfarë shikon sot në teatër, është ajo që pëlqen nga teatri? Jo vetëm në nivelin e repertorit e të aktrimit, por edhe sa ky teatër ka lidhje me spektatorin, me realitetin.

Mund të them që nuk është një stinë e mirë për teatrin. Mund të bëhet më shumë për zgjedhjen e pjesëve, vepra që të prekin çfarë kërkon e përditshmja e këtij publiku. Duke goditur fort në cilësi për të marrë fryte më mbrapa. Teatri nuk është burim fitimesh, kjo nuk do të thotë që teatri të rrijë larg biznesit, tërheqjes së investimeve prej tij.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit