Publikuar me : 01.08.2011 Ne :
Kulture - 143 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Ardian Klosi
Libri i Roberto Savianos “Eja me mua” (
Vieni via con me, që në përkthim më të plotë do të ishte: Eja me mua të ikim tutje, dikur këngë e famshme e Paolo Contes) përbëhet nga këta kapituj: Parathënia, që tregon si u realizua në katër pjesë gjatë muajit nëntor 2010, mes vështirësive që nxirrte vetë RAI 3, transmetuesi, emisioni me këtë titull:
Vieni via con me; kapitulli 1 është një kredo për Italinë e bashkuar aq të përçarë sot; kapitulli 2 flet për makinën e baltës që vihet në punë kundër kujtdo që del nga sistemi e që vë gishtin tek e keqja; kapitulli 3 shpjegon shtrirjen e ’ndranghetës (mafia e Kalabrisë) në Veriun italian; kapitulli 4 “Piero dhe Mina” rrëfen një dashuri të rrallë mes një gruaje vetëmohuese dhe një burri me sëmundje progresive e cila në fund i mpin gjithçka veç trurit; kapitulli 5 ka për temë malin toksik të plehrave rreth Napolit (lexuesi i Shekullit e njeh mirë); kapitulli 6 është historia e një prifti nga Veriu që sfidon me sukses ’ndranghetën; kapitulli 7 flet për një tërmet të paralajmëruar në L’Aquila dhe cinizmin e autoriteteve; kapitulli 8 dhe i fundit është një lavdërim i kushtetutës përballë realitetit të sotëm italian.
Siç shihet pjesët e këtij libri nuk kanë ndonjë lidhje organike me njëra-tjetrën. Këtë lidhje atyre duket ua ka dhënë emisioni i lartpërmendur në RAI 3, i pasuruar me shumë elemente spektakli e me të ftuar të një fame si Roberto Begnini, Claudio Abado, Sophia Loren etj. Si për ta theksuar astrukturën e librit, në fund të botimit shqip (Dudaj) është vendosur një intervistë e Roberto Savianos me Rudina Xhungën në emisionin “Shqip” në shkurt të këtij viti.
Për çudi intervista i shkon këtij libri që libër i mirëfilltë nuk është – është më tepër një mozaik nga Saviano, të cilin lexuesi e pranon kështu, sidomos pse disa nga gurët e tij janë vazhdim i drejtpërdrejt i “Gomorrës”. Të tillë janë kapitujt 2, 3, 5, 6 si dhe intervista. Kjo s’do të thotë aspak se kapitujt e mbetur janë të palexueshëm; ata qëndrojnë më vete si ese të mira shtypi. Ndërsa “Piero dhe Mina” ngrihet mbi të tjerat, ajo dëshmon talentin e Savianos si rrëfimtar edhe mbi një temë që nuk është doemos ajo e mafies.
Por le të rrimë te vazhdimet e “Gomorrës”. Po i lexoja thuajse paralelisht me një mbajtës Nobeli nga të viteve të fundit. E them pa ngurrim se, ndërsa këtë roman që ngrinte një utopi e cila as më prekte as më interesonte (kujt i plasi, do thoshte Ervin Hatibi), u detyrova ta lë përgjysmë, secili nga kapitujt e shënuar më lart po ma mbante frymën pezull.
Janë dy arsyet, siç arrita t’i formuloj në fund të leximit, siç i kisha konstatuar edhe pas leximit të “Gomorrës”, por këtë herë më shumë për shkak të arsyes së dytë: Saviano, e para, është shkrimtari i vërtetësisë dokumentare, i cili ka zotësinë dhe trimërinë t’u shkojë të vërtetave deri në fund dhe, e dyta: Saviano na sjell një realitet italian në shumë pika të ngjashëm me realitetin shqiptar. Le ta shohim secilën pak më nga afër.
Sot ne mjerisht bëjmë një ndarje të prerë midis shkrimtarit fiksional dhe autorit dokumentar. Ai që di të trillojë në mënyrë të besueshme një roman, një tregim etj., është shkrimtar i mirëfilltë; ai që përshkruan realitetin në mënyrë dokumentare shkrimtar nuk është, por mund të quhet publicist, eseist, studiues etj.. Saviano e bën këtë ndarje të kotë, sikundër ia tregoi botës me “Gomorrën” 3 vjet më parë. Një përshkrim që hynte deri në detajet më të imta, deri në hollësitë më mizore, në zemrën e Kamorrës, sistemit klanor-mafioz të vendlindjes së tij Napolit, duke përshkruar në mënyrë analitike strukturën e tij. Këtë gjë e bënte me finesën e shkrimtarit, tek rindërtonte të gjalla e tërë ngjyra tablotë e realitetit. Por, kryesorja, këtë gjë e bënte pas punës së mundimshme të hulumtuesit, pasi kishte mbledhur me durim vite të tëra një dokumentacion që i bënte hije çdo prokurorie të një qyteti të madh në Kampanjë. Një shkrimtar i talentuar me durimin e studiuesit? Quaje po të duash edhe studiues i talentuar me dhuntinë e shkrimtarit. Përsëri s’ke thënë thelbin, atë më kryesoren: Saviano është pikësëpari në njeri me zemër të madhe që ka vendosur t’i kundërvihet së keqes, qoftë dhe i vetëm: në këtë rrugë, po, ka durimin këmbëngulës të hulumtuesit dhe talentin shprehës të shkrimtarit. E pra studiuesi dhe shkrimtari si cilësi dytësore të personalitetit, në një rrugë tejet të vështirë dhe të gjatë.
Kjo i ngjan më fort sesa shkrimtarit të madh, atij që prodhon bestsellera në karuselin e përvitshëm me çmime kombëtare e ndërkombëtare, me nobelistë etj., asketit që zbulon të vërtetat dhe i përhap ato në popullin e vet. Saviano është më tepër një figurë e Mesjetës së vonë.
Pikërisht këtë vazhdon të bëjë në kapitujt 2, 3, 5 dhe 6 të librit në fjalë. Në kapitullin 3 na hap sytë se si Veriu i Italisë nuk është aspak Europa e zhvilluar ligjore përkundër Jugut, Mezzogiorno-s që s’del dot nga kthetrat e mafieve (një shumës me vend, urime përkthyesit në përgjithësi: pra ’ndrangheta, Kamorra, Cosa Nostra etj., në shumës janë
mafie), por edhe ai pjesë e sistemit italian, ku Veriu me Jugun japin e marrin jo vetëm si ekonomi, por edhe në kuptimin e keq të fjalës, marrin p.sh. investimet e Kamorrës dhe ’ndraghetës, dhe çojnë aty plehra, sidomos toksike. Po kështu na hap sytë në kapitullin 5, ku shpjegon – me mënyrën e tij goditëse që kalon nga përgjithësimi analitik te detaji i frikshëm – se për ç’arsye nuk zgjidhet ndonjëherë dhe as ka gjasa të zgjidhet së afërmi problemi i plehrave të Napolit: në këtë qytet dhe krahinat rreth tij s’është se depozitohen thjesht plehrat vendase, por këtu Kamorra bën të zbrazen plehra, edhe të rrezikshme, nga Veriu i Italisë, nga vende të tjera të Europës dhe më tej. Kur e ke kuptuar sistemin, të shkojnë të rrëqethura. Kujtohesh për marrëveshjen e nënshkruar midis ish-kryeministrit Nano dhe tre ministrave të tij me përfaqësuesin e plehrave italiane, në vitin 2004, për të “përpunuar” çdo ditë mijëra tonelata kësish në periferitë e Tiranës, Fierit, Vlorës etj.. Rrëqethesh sepse kujton që e keqja është përsëri te dera qysh se në dhjetor të vitit të kaluar qeveria aktuale lejoi zyrtarisht importimin e mbi 50 lloje plehrash që i quan të riciklueshme: përfytyroni në të ardhmen doganierët shqiptarë që dallojnë në dengjet e plehrave që pritet të vijnë nga Kampanja ose Pulja 22 ose 5 llojet që lejon ligji ynë…
Ky është aspekti i dytë i cili na e bën edhe këtë libër të Savianos shumë më tepër sesa një libër për të kaluar kohën në plazh ose në mbrëmjet e verës: Saviano na zbulon, përveçse në kapitujt 3, 5, 7, në intervistën e tij për “Shqip”, se sa i afërt është realiteti ynë me Sistemin, se si në Shqipëri nuk janë shtrirë veç mafiet e plehrave, por edhe ato të çimentos etj.. Këtë nuk e bën pse ka ardhur e ka investiguar në Shqipëri, ai thjesht, duke shfletuar dosjet e prokurorive italiane ka lexuar për shtrirjet dhe degëzimet e mafieve në Shqipëri. Premton që do të mbledhë edhe më shumë, që madje është duke shkruar për kriminalitetin e organizuar te ne. Ne ndiejmë një lehtësim: Sa mirë, Saviano po shkruan për mafian tonë! Lehtësimin nuk e ndjejmë pse një shkrimtar kaq i mirë po shkruan për Shqipërinë. Ky do të ishte e shumta gëzim. Lehtësim ndjejmë sepse vetë nuk jemi në gjendje, nuk kemi guximin e nevojshëm për t’i hyrë këtu një ndërmarrjeje të ngjashme me “Gomorrën” në Itali: të tregojmë tentakulat e mafieve italiane te ne si dhe të përshkruajmë vetë krimin e organizuar në Shqipëri.
Kjo është e kuptueshme shumë më parë se të jetë e dënueshme. Saviano vërtet është një individ me energji dhe guxim të jashtëzakonshëm. Por të mos harrojmë se ai punon në një vend ku jo të gjithë janë të pashpresë në luftën kundër së keqes, ku jo të gjithë rrinë duarkryq përballë saj, ku jo gjithë autorët e talentuar janë individualistë. Ai punon në një vend ku një pjesë e prokurorive dhe gjykatave mund të jenë të korruptuara, mund të jenë të trembura, por një pjesë tjetër punon. Saviano shkruan, pas sakrificës së Falcones dhe Borsellinos, pra nuk duhet ta harrojmë shembullin e tyre të pazakontë frymëzues. Ndërsa prokuroritë dhe gjykatat te ne, kur nuk janë të korruptuara, janë të trembura dhe konform pushtetit. Nuk dimë ndonjë rast të bujshëm të korrupsionit në përmasa të mëdha, të krimit në përmasa të mëdha (që është ai i organizuari) që të ketë marrë procesin e merituar. Dështime pas dështimesh: Gërdeci ulëret e nuk gjen qetësi, po kështu 21 janari, po kështu videot skandal etj. etj.
Tejet interesante ajo pjesë e intervistës së Savianos ku përshkruan se si komportohen vëllezërit shqiptarë në gjirin e mafieve italiane. Ata nuk janë të huaj atje, ndryshe nga kombësitë e tjera, ata janë në plot kuptimin e fjalës vendas, vëllezër misioni. Mirëpo nuk marrim vesh se ç’bëjnë konkretisht tentakulat në Shqipëri, si komportohen mafiozët italianë këtu. Do na e thotë Saviano? Kështu ka premtuar. Le të presim atëherë, or shokë. Fusim këmbët në ujë, vazhdojmë muhabetet e kafeneve dhe presim. Sikurse presim ndërkombëtarët edhe në fushat e tjera, atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atë të drejtësisë, atë të ruajtjes së Piramidës.
E megjithatë, me energjinë dhe optimizmin e tij, njeriut që sfidon përditë plumbat e mafieve, Saviano na thotë tërthorazi se edhe te ne shkrimtaria investiguese është e mundur. Pak guxim, vetëm pak guxim dhe bashkim zemrash e mendjesh.
Në një moment të ciklit televiziv “Vieni via con me” komediani i madh Roberto Benigni e përqafon Savianon dhe thotë: “Saviano është një pasuri kombëtare e Italisë”. Nuk është e tepruar të themi se ai është sot për sot edhe pasuri kombëtare e Shqipërisë.
Roberto Saviano, bir i një mësueseje dhe i një mjeku ka lindur më 1979 rreth 50 km në veri të Napolit, në një lokalitet që quhet Casal die Principe, i kontrolluar prej klanit kamorrist të Casaleseve. Studioi filozofi në Universitetin Frederiku II në Napoli. Më 2006 botoi romanin dokumentar “Gomorra”, një titull që përzien Gomorrën biblike me Kamorrën, me nëntitullin: “Udhëtim në perandorinë ekonomike dhe në ëndrrën e Kamorrës për të sunduar”. Libri përshkruan me detaje rrjetin e krimit ekonomik në Itali dhe mënyrën se si gërshetohet ai me politikën. Është përkthyer deri më tani në mbi 50 gjuhë të botës. Afër 3 milionë kopje janë shitur vetëm në Itali, një numër i ngjashëm përtej kufijve të saj. Për shkak të kërcënimeve që mori me botimin e librit, prej tetorit 2006 lëviz i shoqëruar me eskortë.
Me veprën e tij ka bërë armiq jo vetëm ndër radhët e kriminalitetit të organizuar. Kujtojmë që vetë kryeministri Berlusconi “e përkufizoi librin tim një vepër që mbështet mafien, sepse sipas tij në çastin kur flet për të, je duke e mbështetur” (nga intervista e Savianos për “Shqip”).