Publikuar me : 01.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 49 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Buxheti 2012 i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë po mban industrinë e vogël në vështirësi të mëdha. Raporti në Komisionin e Medias dhe zgjidhjet që propozohen ngatërrohen me qëllime politike
Elsa Demo
Qendra e Kombëtare e Kinematografisë hyn në 2012-ën situatë financiare të pandryshuar. Së jashtmi, vështirësitë nuk bien në sy sepse premierat dhe prodhimet që qarkullojnë, janë të mbjella të viteve të shkuara.
Kryetari i QKK-së, Artan Minarolli raportoi dje në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe shtroi kërkesa minimale për projekte të domosdoshme. “Sikur të mos ishin mjaft shkurtimet që kemi provuar dy herë nga buxhetit, për 2012-ën mbahet tavan buxheti i këtij viti duke na futur në dilema të mëdha.” Ruajtjen e status quo-së ai e konsideron shkurtim të tretë.
Më fondin për projektet, 62 milion, tashmë
komplet i kontraktuar, QKK duhet të shlyejë projekte të prapambetura, nga vitet e kaluara që s’janë vetëm për prodhim filmik artistik të gjatë e të shkurtër, dokumentar e të animuar, festivale e konferenca.
Për të ngritur sado pak ndjenjën e përgjegjësisë së Komisionit, Minarolli solli shembujt e Malit të Zi dhe Kosovës, modelet e të cilave për mbështetjen e kinemasë me fonde publike janë dekurajuese. Tregues i dëmeve afatgjata është qoftë në sistem, qoftë ndër individë. Paralizimi i prodhimit kinematografik – një vepër filmike në vit, fut njëherësh në krizë energjitë krijuese.
QKK, në varësi të gjendjes së përgjithshme, të shkurtimit të buxhetit të shtetit për të gjitha institucionet, shtron kërkesa minimale për viti 2012: fond shtesë së paku në vlerën 30 milion lekë. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të marrë parasysh kërkesat për: 7 milion për një dokumentar mbi Pavarësinë dhe 24 milion për Festivalin Mbarëkombëtar të Filmit Shqiptar.
“Të dyja projektet janë të nevojshme”, thotë Minarolli. Qendra Kombëtare e Kinematografisë ndjek politikën e shtetit shqiptar dhe ajo donte të jepte një kontribut për jubileun e Pavarësisë. Me Festivalin e Filmit Shqiptar, që nuk është bërë prej vitit 2005, 100-vjetorit do t’i jepej përmasë vërtet festive. Është mbledhur një pasuri filmike e mjaftueshme prej festivalit të fundit, dhe natyra mbarëkombëtare do ta kthente Tiranën në qendër takimi për të gjithë krijuesit në diasporë, që janë shtuar në numër.
Kryetarja e komisionit Valentina Leskaj i quan të përligjura, madje minimale të dyja kërkesat e QKK dhe priti propozime nga anëtarët e komisionit për të dalë me një vendim drejtuar Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe të Financave.
Atëherë kur se pret, anëtarja e Komisionit, aktorja Rajmonda Bulku e përmbys diskutimin dhe shtron pyetjen për kryetarin e QKK-së: Çfarë të ardhurash sjell filmi shqiptar? Si i justifikoni ju kërkesat tuaja?
Me siguri që pyetjet e Bulkut do të harrohen nëpër faqet e vdekura të procesverbaleve të komisioneve dhe askush nuk ka për t’i marrë seriozisht, por ato përfaqësojnë kulturën e zakonshme e të bërit politikë në këto tavolina ku burra e gra lozin me celular.
Qendra mund të ndihmohet. Ato para mund të gjenden po të hiqen nga fonde jo emergjente. Sugjerimi i kryetares Leskaj drejtohet nga fondi 52 milion lekë që Qeveria jep për arredimin e 3 vilave qeveritare, në Velipojë, Vlorë e Durrës.
Për hir të një jubileut të pavarësisë ky fond mund të prekej.
Ideja nuk i ka pëlqyer deputetit Edi Paloka, i cili tha diçka të ngjashme me “ju ra goja që i përmendini vilat gjithandej nëpër komisione”.
Alfred Dalipi përmend zëra për arredimin e vilave qeveritare, si paradokse të privilegjeve në kohë krize. “Vetëm mbjellja e barit të vilës së Vlorës kushton 6 milion lekë”, kujton Dalipi, aq sa do të duhej për një film dokumentar për pavarësinë. Deputeti i Partisë Speciale, në emër të të majtëve në Komision thotë se nevojat e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë mund të zgjidhen nga
fondet e vilave dhe si propozim i tillë do t’i shtrohet Komisionit të Financave. Me 17 milion lekë nga fondi i arredimit të vilave qeveritare, mund të realizohet, gjithnjë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, një nga prioritet e Qendrës, plus rikonstruksioni i dy objekteve të trashëgimisë kulturore, shtëpia e Pashko Vasës dhe e Gjergj Fishtës.
Që tani përvjetori i Pavarësisë është bërë një pretekst për institucionet. Konkretisht Qendrës së Kinematografisë nuk i duhet një dokumentar më shumë për pavarësinë. Është abuzuar shumë me prodhimet mediokre dokumentare mbi figurat dhe epokën historike të pavarësisë.
QKK ka gjithë të drejtën të vërë para përgjegjësisë komisionet që kanë në dorë vendime të rëndësishme, pa qenë nevojë të vihet në garë me to kush shet më shumë patriotizëm.
Në zhvillim
Në zbatim të ligjit “Për Kinematografinë”, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) vepron si person juridik, publik, me statusin e institucionit qendror dhe menaxhon fonde publike, me zë më vete në buxhetin e shtetit. Ajo është përgjegjëse për zbatimin e politikave shtetërore në fushën e kinematografisë, për administrimin e trashëgimisë – edhe prodhimi i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” është nën administrimin e saj. QKK zbaton politikën e buxhetit të vogël të filmit, që është karakteristik për të gjitha vendet e vogla si Shqipëria ku prodhimi kinematografik bëhet i mundur në kooproduksion me të huajt. Gjetja e financave përtej vendit është e vështirë dhe ndikon në zvarritjen e realizimit të projekteve. QKK ka dalë vitin e fundit me një vendim: Nëse shtëpitë filmike që janë shpallur fituese, nuk kanë siguruar kooproducentë brenda 16 muajsh, projekti rrëzohet. Një rast i zvarritur është projekti filmik “Sorkadhet e trembura” me skenar të Ismail Kadaresë.
Me gjithë vështirësitë financiare, Minarolli konfirmon se QKK do të hapë konkursin për 2012 për filmin e shkurtër artistik i anuluar më 2011-ën. Edhe projekti për film të jatë artistik i Namik Ajazit “Djali i gjakut” i cili e fitoi tinëz këtë mundësi para dy vitesh, nis xhirimet më 2012.
Konkurs hapet edhe për dokumentarin për Pavarësinë.
Nga 100 milion lekë, projekt-buxheti total i QKK-së për vitin 2012, 30 milionë shkojnë për pagesat e anëtarësimeve që i mundësojnë Shqipërisë pjesëmarrje aktive në rrjetet ndërkombëtare për kinematografinë. Nga këto, 104 mijë euro është detyrimi vjetor në Eurimage; 12 mijë euro në Rrjetin Kinematografik të Europës Juglindore (SEE), në Observatorin Audio Vizual Europian dhe në organizma në të cilat projektet fituese shqiptare thithin nga fondet e përbashkëta evropiane.
Minarolli konfirmon gjithashtu se dy filmat shqiptarë “Pharmakon” i Joni Shanajt dhe “Dita e fundit e Loro Shestanit” hyjnë në Belinale 2012 në programin “Forum International”. Zyrtarisht nga Berlinale ky njoftim bëhet publik më 15 dhjetor.