Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Nje leter per zonjen Klinton

Publikuar me : 30.12.2011 Ne : Kuriozitete - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Ilir Yzeiri

 

Unë jam i bindur se kjo letër nuk do të lexohet nga Ju, e dashura Zonja Klinton, sepse kjo është një letër imagjinare, është një formë komunikimi virtual, e i pamundur, është një lloj dëshire, një sikur. Pra, këtë letër unë bëj sikur ju do ta lexoni, sikur Ju bëni pjesë në arealin shqiptar, Ju llogaris Ju si një pjesë të shqetësimeve shqiptare. Pra është një sikur… Në të vërtetë, unë do të kisha dashur shumë që Ju në vend që të lexonit këtë letër, të shpenzonit pakëz kohë për të mësuar se çfarë bëhet në këtë vendin tim me emrin Shqipëri. Unë, por edhe shumë të tjerë si mua, janë ndjerë gjithë shpresë kur kanë lexuar atë që Ju patët deklaruar për udhëheqësit e vendeve të Magrebit, pak para se të fillonte «pranvera arabe » në fjalimin që Ju – mesa më kujtohet – e mbajtët në Doha më 13 janar 2011, pra rreth një vit më parë. Në atë fjalim, Ju patët deklaruar se «themelet e atyre vendeve po zhyten në rërë» nga korrupsioni. Atëherë Ju patët folur hapur për kalbëzimin dhe korrupsionin si plagë që shkatërrojnë demokracinë. Në se do të bëjmë një paralelizëm edhe themelet e vendeve të Ballkanit Perëndimor po zhyten në batakun e korrupsionit dhe të autoritarizmit.

Mirëpo, ajo që më shtyu të komunikoj me Ju me këtë letër, që natyrisht nuk do të lexohet nga Ju, ishte letra që Ju i kini shkruar më 23 dhjetor kryeministrit hungarez. Në atë letër Ju kini shprehur shqetësimin tuaj të thellë për gjendjen e demokracisë në Hungari. Ju, ashtu si edhe Bashkimi Europian, jini shqetësuar se demokracia në atë vend po rrezikohet nga sjellja autoritare e kryeministrit Orban. Jehona e kësaj letre u ndie në shumë vende europiane, u ndie edhe në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë. Mirëpo këtu, në vendin tim, ky lajm u përmend disi shkarazi, pastaj u shua. Askush nuk u mor me analizën e këtij lajmi apo me thellimin në atë argument. Kjo ndodhi për shumë arsye, por një ndër më kryesoret mendoj unë, është se këtu nuk interesohen më për demokracinë. Shqiptarët janë të ndarë më dysh dhe tani i nënshtrohen fatit që u ka rënë mbi kokë. Mirëpo, ajo që vërejnë shumica e tyre është ndjesia që kanë ata se për demokracinë shqiptare nuk interesohet më askush. Ju, e nderuara Zonja Klinton, i kini nisur një letër kryeministrit hungarez Orban se ai ka miratuar një ligj shtrëngues për shtypin, se ka mbyllur radion e opozitës “KlubRadio”, se ka futur në kthetra gjykatën, shkurt, pse me veprimet e tij ai ka rrezikuar ndarjen e pushteteve. Ndarja dhe drejtpeshimi i tyre është një kriter dhe parim kyç për demokracinë. Në kohën që Ju kini shkruar këtë letër, dy gazetarë të Televizionit Publik hungarez kanë hyrë në grevë urie dhe protestojnë, sepse Televizioni publik i atij vendi është kthyer në shërbëtor të qeverisë. Për këto, por edhe për ndonjë shqetësim tjetër më të qenësishëm, Ju e nderuara Zonja Klinton, i kini shkruar një letër kryeministrit hungarez Orban dhe i shprehni atij shqetësimin e thellë për gjendjen e demokracisë në Hungari.

Tani më lejoni, e nderuara zonja Klinton, t’Ju them se në vendin tim këto shqetësime që Ju kini vënë re në Hungari janë normë, janë mënyrë jetese, janë bërë ligj i pashkruar dhe janë miratuar në heshtje edhe nga përfaqësuesit perëndimorë të akredituar në Tiranë. Ne kemi njëzet vjet që jemi ndarë nga diktatura komuniste dhe në gjithë këta vjet nuk po arrijmë të ndërtojmë fillesat e një shteti demokratik. Në qoftë se Ju, e nderuara Zonja Klinton, jini e shqetësuar për gjendjen e shtypit në Hungari, më lejoni t’Ju them se Kryeministri i vendit tim, ka mbyllur me policë gazetën opozitare “Tema” duke shkatërruar në mënyrë brutale shtypshkronjën e saj dhe investimin e saj gjithashtu. Ambasada amerikane në atë kohë dhe ambasadori i atëhershëm Xhon Withers protestuan ashpër, por Kryeministri me emrin Sali Berisha, nuk e përfilli fare këtë shqetësim dhe shqetësimin e organizmave të tjera ndërkombëtare gjithashtu. Ju me të drejtë jini e shqetësuar, e nderuara Zonja Klinton, për gjendjen e Televizionit Publik në Hungari dhe për grevën e urisë së dy gazetarëve të atij televizioni. Mirëpo Ju, e nderuar zonja Klinton, nuk e përfytyroni dot se si e përdor Televizionin Publik Kryeministri i vendit tim. Ky televizion përdoret për të sulmuar opozitën, për të sharë dhe ofenduar Presidentin e Republikës dhe jep nga mëngjesi e deri në darkë vetëm “arritjet” e qeverisë. Kohët e fundit edhe Këshilli i Europës vuri në dukje se mediat në Shqipëri gati në 80 perqind të tyre janë në dorë të qeverisë. Këtu te ne qeveria paguan miliona euro për mediat që janë pro saj dhe që bëjnë “terror” kundër opozitës. Ndërsa për drejtësinë, e nderuara Zonja Klinton, do të duhej kohë e gjatë që t’Ju tregoja se ajo është tërësisht nën thundrën e një njeriu të vetëm, e kryeministrit të Shqipërisë me emrin Sali Berisha që ndoshta Ju e njihni shumë mirë.

Mirëpo, e keqja jonë nuk mbaron këtu. Ju e dini, e nderuara zonja Klinton, se më datën 21 janar opozita organizoi një protestë të fuqishme pas publikimit të një videoje-aferë korrupsioni. Në këtë protestë të fuqishme dhe të dhunshme gjithashtu, gardistët që ruanin Kryeministrinë vranë katër protestues. Zonja Klinton, më lejoni t’Jua përsërit edhe njëherë se u vranë katër njerëz. Ata kanë lënë fëmijët jetimë. Mirëpo pas kësaj ngjarjeje Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, në një kontekst tjetër, bëri një deklaratë që na befasoi të gjithëve. Ai e quajti kryeministrin që kishte dhënë urdhër për të vrarë katër persona “burrë shteti”. E quajti kështu sepse kryeministri hoqi dorë nga kërcënimi se do të sillte mbështetësit e tij për të protestuar në Tiranë, pra për t’i përplasur me mbështetësit e opozitës.

Këta katër persona të vrarë u shtohen njëzetë e gjashtë të tjerëve që u vranë nga shpërthimi mafioz e korruptiv i Gërdecit. Askush nga përgjegjësit e këtyre masakrave nuk ka shkuar para drejtësisë. Ata janë përsëri ministra. Madje ministri i brendshëm që urdhëroi vrasjen e protestuesve është zgjedhur me vota të manipuluara kryetar i bashkisë së Tiranës.

Natyrisht Ju, e nderuar Zonja Klinton, kini të drejtë të shqetësoheni për demokracinë në Hungari, megjithëse atje kryeministri Orban nuk ka urdhëruar që të qëllohet me armë kundër protestuesve dhe atje nuk janë vrarë katër protestues. Natyrisht, Ju nuk mund të shqetësoheni për gjithçka ndodh në glob. Mirëpo, unë do të kisha dashur shumë që ajo letër të ishte për kryeministrin e vendit tim, për njeriu që ka njëzetë vjet që po qeveris në këtë vend dhe zgjedhjet e organizuara prej tij kritikohen gjithmonë për manipulim.

Ne jemi një vend i vogël, e nderuara Zonja Klinton, por së bashku me shqiptarët e Kosovës me ata të Maqedonisë e me gjithë shqiptarët e tjerë kudo në botë, jemi populli që do dhe adhuron popullin amerikan më shumë se çdo popull tjetër në botë. Me këtë dashuri të popullit tonë kanë spekuluar disa herë politikanët shqiptarë. Mirëpo ne gjithmonë kemi pasur një shpresë. Kemi besuar dhe besojmë se për të gjykuar demokracinë shqiptare duhet të mbështetemi te vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Ju e nderuara Zonja Klinton, në këta vjet në krye të Departamentit të Jashtëm të Shtetit e kini bërë Amerikën idhullin dhe liderin e fuqishëm të mbrojtjes së demokracisë. Ndaj, unë në gjithë këta vite kam shpresuar dhe shpresoj se një ditë Ju do t’i kushtoni vëmendjen Tuaj edhe demokracisë shqiptare. Enver Hoxha qëndroi në pushtet 45 vjet, ndërsa Sali Berisha i kaloi 20 vjet dhe ka deklaruar se nuk do të largohet nga pushteti edhe për shumë vjet të tjerë. Shqiptarët nuk besojnë më te zgjedhjet në këtë vend sepse ato, ashtu si në Rusi manipulohen nga ky kryeministër.

Dhe tani në fund, e nderuara Zonja Klinton, më lejoni të besoj se një ditë ju do t’i shkruani një letër edhe kryeministrit të vendit tim, ashtu siç bëtë me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban. Ndoshta… një ditë…

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 55 here.
Fatos Mahmutaj Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij. Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën...Lexo te gjithe artikullin »


» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit