Nje minator i vdekur, 9 te plagosur. Rama viziton minatoret e plagosur
Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Kronike - 57 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
(

I përditësuar) – Një minator ka vdekur dhe 9 të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të gazit në një nga puset e minierës të Bulqizës. Burime nga Bulqiza bënë të ditur për “Shekullin” fillimisht se nëntë minatorë ishin plagosur ndërsa 2 të tjerë rezultonin të zhdukur .
Ngjarja e rëndë ndodhi në pusin numër 2 të minierës dhe për pasojë janë plagosur 9 minatorë ndërsa nuk dihet ende numri i saktë i minatorëve të cilët ishin duke punuar në galeri.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Bulqizës ku po marrin edhe ndihmën mjekësore. Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit në minierë ndërkohë që burimet bëjnë të ditur se gazi ishte metan.
ACR: Shpërthimi ishte aksident
Menjëherë pas ngjarjes reagoi kompania koncensionare “ACR”. Në një deklaratë për shtyp “ACR” ka sqaruar edhe ngjarjen duke theksuar se aksidenti i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9. Sipas ACR-së gjatë hapjes së këtij pusi, që është edhe një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni.
Rama viziton minatorët e plagosur
Kryetari Edi Rama ka vizituar minatorët e plagosur nga shpërthimi i ndodhur në minierën e Bulqizës. Rama ngushëlloi familjen e minatorit të vrarë dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve solidarizohet edhe “një herë me Bulqizën e me të gjithë skllevërit e korrupsionit qeveritar në Bulqizë”. Rama garantoi “bulqizakët dhe mbarë qytetarët shqiptarë se me të ardhur në qeveri Aleanca për të Ardhmen do të bëjë drejtësi për të gjitha plagët e tmerrshme të korrupsionit shtetëror”.