Publikuar me : 30.11.2011 Ne :
Kronike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Muri i çarë, nga ku është kryer vjedhja
Flamur Vezaj
Pesë shqiptarë kanë arritur të organizojnë vjedhjen më të madhe në historinë e Norvegjisë duke u larguar nga argjendaria me bizhuteri e diamante që vlenin 38 milionë dollarë bizhuteri. Por vjedhja e cilësuar si e denjë për një skenar filmi duket se nuk ka shkuar edhe aq mirë për pesë shqiptarët. Një prej tyre është dënuar pak ditë më parë nga Gjykata e Krujës ndërsa miqtë e tij janë dënuar nga gjykata norvegjeze. Kjo bëhet e ditur nga të dhënat e marra në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Krujës, e cila dënoi si organizator të kësaj grabitje shtetasin Alban Halitaj me 6 vit burg. Sipas vendimit, Halitaj së bashku me katër shtetas të tjerë shqiptarë (tashmë të dënuar në Oslo të Norvegjisë) dhe disa bashkëpunëtorë ende të paidentifikuar, kanë vjedhur dyqanin e argjendarisë “Kalaja e Artë” (Gullborgen) më 13 Shkurt duke u zbardhur dita 14 Shkurt 2010
Historia
Pesë shqiptarët kishin punuar për më shumë se një muaj për studimin e vendit të vjedhjes. Ata kishin nisur me marrjen e planimetrisë së ndërtesave që ndodheshin në rrugën ku ndodhej dyqani i floririt. Pasi kishin studiuar planimetrinë, ata kanë zgjedhur një lavanderi si pikën më të lehtë për të hyrë në argjendari. Më pas, ata kanë siguruar mjetet e teknologjisë së fundit për prerjen e çelikut, trapanë me zhurmë të minimizuar, gërshërë metalike për prerjen e çelikut, dy çekanë, çekiç rrotullues, grirëse çeliku, mjete të fundit të teknologjisë së komunikimit dhe mjete të tjera që janë përdorur për thyerjen e pesë dyerve të çelikut dhe një muri ndarës.

Pamje të autorëve të vjedhjes duke u larguar, marrë nga kamerat e sigurisë
Pas sigurimit të këtyre mjeteve, dyshohet se janë marrë në përdorim tre makina nga hajdutët, pasi sipas prokurorisë, dyshohet se për grabitjen e këtij dyqani kanë marr pjesë 12 persona. Ndërkohë, nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë së një dyqani të fiksuar në orën 02:00 pas mesnatës duke u gdhirë data 14 shkurt 2010, rezultojnë tre persona me çanta në duar që ecnin të qetë në rrugë, ku mendohet se ishin drejtuar drejt makinës që i priste në parking.
Vjedhja
Sipas dosjes së prokurorisë, njëri nga hajdutët kishte marrë mësime në punën ku punonte, për mënyrën e bllokimit të sensorëve të alarmeve që mund të hasnin gjatë vjedhjes. Kështu që, vjedhja është kryer në përpikëri të lartë, ku vetëm të dielën, rreth orës 16:00 të pasdites është vënë re se dyqani ishte grabitur. Sipas orës së fiksuar nga kamera e sigurisë së një lokali buzë rrugës, ku janë parë tre të rinjtë që largoheshin me çanta, dhe momentit të zbulimit të vjedhjes, kanë kaluar rreth 14 orë. Kohë kjo e mjaftueshme, për hajdutët që të largoheshin nga Norvegjia. Sipas dosjes, disa prej të dënuarve në Norvegji, janë arrestuar Gjermani dhe më pas janë ekstraduar. Por ajo që bie në sy është fakti që ende nuk është gjetur asnjë pjesë e bizhuterive të grabitura. Edhe në banesën e Halitajt që u arrestua në Shqipëri, policia dhe prokuroria nuk arritën të gjejnë ndonjë gjurmë të sendeve të vjedhura.
Prokurorët shqiptarë shkojnë në Norvegji për bizhuteritë
Prokurori i rrethit të Krujës, Florian Bunjaku ndodhet në një vizitë zyrtare në Norvegji për të informuar autoritete e drejtësisë skandinave për procesin e përfunduar gjyqësor në Shqipëri ndaj Halitajt. Përveç, këtij fakti mësohet se institucioni i akuzës në Krujë, ka nisur verifikimin e pasurisë së të katër të pandehurve të dënuar të kësaj vjedhje në Shqipëri, shtetasve Alban Halitaj, Ilir Ura, Leonard Hyka dhe kosovarit Muhamet Zeka. Ndërkohë, kohë më parë, konkretisht në seancën e parë gjyqësore ndaj “hajdutëve” të arrestuar dhe që po gjykoheshin në Oslo, në Mars të 2011 përveç prokurorit Bonjaku ka qenë i pranishëm edhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme Kaltri Sereqi. Sipas prokurorisë, në dyqanin “Kalaja e Arta” janë vjedhur rreth 45 kg sende me vlerë, si bizhuteri, flori dhe diamante, që kapin vlerën e 38 milion koronave norvegjezë dhe 150 mijë korona para kesh që janë gjetur në magazinën e kësaj firme, e cila ka rrjet të gjerë dyqanesh në të gjithë Europën.
Si u identifikuan grabitësit e argjendarisë
Sipas dosjes së ardhur nga shteti norvegjez, 35-vjeçari Halitaj, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar në Shqipëri, është identifikuar me ndihmën e analizave shkencore të ADN-së së djersës, gjurmë kjo e gjetur në një prizë të rrymës elektrike. Ndërkohë, sipas medieve skandinave, për zbulimin e grupit të hajdutëve, kanë ndihmuar një kamera e një dyqani, e cila ka fiksuar fytyrat e tre personave duke u larguar të ngarkuar me çanta sportive.
Përveç, kësaj sipas medieve norvegjezë, zbulimi i 35 vjeçarit është bërë edhe nga gjurmët ADN-së të gjetur në një bidon uji që është përdorur për të shuar etjen gjatë thyerjes së pesë dyerve dhe një muri të trashë deri 50 cm që ndante magazinën e dyqanit të floririt dhe një lavanderi që ndodhej në bodrumin e pallatit. Sipas prokurorisë, në dyqan është arritur të vidhet rreth 45 kg sende me vlerë, si bizhuteri, flori dhe diamantë. Pas identifikimit të Halitaj, dosja ndaj tij ishte transferuar në Shqipëri, ku prokuroria e Krujës pas identifikimit të vendndodhjes së 35 vjeçarit së bashku me policinë kishte organizuar arrestimin e tij. Pas arrestimit dhe përfundimit të fazës hetimore, dosja ndaj tij shkoj në gjyq, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri Halitaj u dënua me gjashtë vite burg.
Nga ana tjetër, sipas dosjes së ardhur nga Norvegjia, Halitaj ishte njëri nga organizatorët e kësaj vjedhje, më e madhja e ndodhur ndonjëherë në Norvegji, ku së bashku me shtetasit Muhamet Zeka, Ilir Ura, Leonard Hyka kanë kryer grabitjen e 14 shkurtit 2010. Ndërsa, dy personat e tjerë shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, njëri është dënuar me një vit burg për shkak se i kishte ofruar pajisjet që u shfrytëzuan për çarjen e pesë dyerve të çelikut dhe murin ndarës mes magazinës së dyqanit dhe lavanderisë. Si dhe një person u shpall i pafajshëm, edhe pse prokuroria pretendoi se hajdutët kishin shfrytëzuar makinën e tij. Sipas të dhënave të Gjykatës së Oslos, shtetasit Muhamet Zeka, Ilir Ura dhe Leonard Hyka janë dënuar në total me 15 vjet heqje lirie për akuzat e “vjedhjes” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (mafioz sipas ligjit skandinav).
PËRSHKRIMI I AUTORËVE
Mashkull i lindur në vitin 1986, shtetas shqiptar
Mashkull i lindur në vitin 1979, shtetas shqiptar
Mashkull i lindur në vitin 1970, shtetas shqiptar
Mashkull i lindur në vitin 1982, shtetas shqiptar
Mashkull i lindur në vitin 1983, kosovarë, etnike shqiptare