Publikuar me : 03.07.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 169 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË- Qeveria miraton shkurtimet në vlerën e 18.4 miliardë lekëv të buxhetit të shtetit. Ekzekutivi organizoi dje një mbledhje të posaçme për të kaluar ndryshimet në buxhetin e shtetit, paketë e cila përmban edhe rritjen e pagave dhe pensioneve sipas Kryeministrit Berisha. Ky i fundit ia përkushtoi atyre pjesën kryesore të fjalës së tij por duke mos dhënë sërish shifra se sa do të jetë realisht rritja që do të përfitojnë pensionistët dhe buxhetorët në të gjithë vendin. Fillimisht, gjatë hartimit të buxhetit të këtij viti qeveria ka premtuar një rritje nga 4 deri 7 për qind të pagave dhe nga 5 deri në 10 perqind të pensioneve, por kjo gjë nuk është konfirmuar dje nga kreu i qeverisë. Si asnjëherë më parë, kreu i qeverisë ka folur vetëm për rritje duke mos përmendur shifrat. Në fjalën e tij të gjatë, krahas çështjes së pagave Berisha u ndaj thuajse në të gjithë treguesit e ekonomisë së vendit duke i cilësuar si histori suksesi politikat e ndërmarra nga qeveria.
Në fakt, më shumë se me rritjen e pagave apo të pensioneve, qeveria po ndryshon buxhetin e shtetit duke shkurtuar miliarda lekë shpenzime për shkak të mos realizimit të të ardhurave në masën e parashikuar. Me këtë veprim, ekzekutivi synon të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor, pasi nëse do të vijonte me të njëjtin ritëm shpenzimesh, ai do të kalonte mbi 3.5 perqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto duke rritur automatikisht borxhin publik. Ky i fundit, është cilësuar nga FMN si tepër problematik në shifrat që është tani (~60 perqind e PBB-së) për një vend si Shqipëria. Në këtë linjë, ekzekutivi ka shkurtuar me nga 18.4 miliardë lekë shpenzimet dhe të ardhurat në buxhet duke mbajtur të palëvizshëm, rreth 46.8 miliardë lekë deficitin buxhetor.
Përkundër premtimeve për rritje pagash dhe pensionesh, shkurtimet në buxhetin e shtetit kanë prekur në një pjesë të konsiderueshme edhe fondet që ishin parashikuar për këtë qëllim gjatë hartimit të buxhetit. Në total, fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve gjatë muajit Korrik ishte parashikuar 3.5 miliardë lekë. Tabelat e miratuara nga qeveria pasqyrojnë shkurtimin e tyre me rreth 900 milionë lekë duke zbritur në rreth 2.6 miliardë lekë. Në këto kushte kur fondet janë shkurtuar me rreth 25 për qind, rritja e pagave dhe pensioneve nuk mund të jetë asnjëherë në shifrën e premtuar nga qeveria. Krahas kësaj, në rritjen që ka premtuar qeveria duhet të përllogariten edhe treguesit e inflacionit, i cili aktualisht vërtitet në rreth 4 për qind. Në rast të një rritje page 5 për qind, rritja reale që përfiton buxhetori është 1 perqind, kurse pjesa tjetër e rritjes shkon për të mbuluar koston e rritjes së çmimeve.
Në rregullimet e tjera që ka bërë në buxhet, qeveria ka ulur me 9.4 miliardë lekë shpenzimet për investime si dhe ka hequr të gjithë fondin prej 500 milionë lekë që ishte parashikuar për kompensimin e energjisë elektrike. Po ashtu, është shkurtuar me 300 milionë lekë fondi për kompensimin e pronarëve dhe me 200 milionë lekë ai për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik.
33 perqind
Janë shkurtuar fondet në buxhetin e shtetit të parashikuara për rritjen e pagave duke filluar nga ky muaj. Bashkë me fondin e pensioneve, shkurtimi arrin në rreth 900 milionë lekë
Sali Berisha
Ky vendim sot është një vendim shumë i pazakontë për shkak të krisës së thelle ekonomike dhe financiare që ka pllakosur Evropën dhe botën, tre vitet e fundit dhe që tashmë po kulmon me krizën e borxheve, po kaq apo më thellë tronditëse, se sa ajo e flluskave të mëdha financiare. Pra ky vendim tingëllon paradoksal, tingëllon në kundërrymë, pasi rregulli i sotëm është jo rritja, por ulja shumë domethënëse e rrogave dhe pensioneve dhe në variantin më të mirë, ngrirja e tyre, ndërsa ne, për të 6 vite me radhë vazhdojmë rritjen më te madhe te rrogave dhe pensioneve
Shkurtimet në fondin e rritjes së pensioneve
20 perqind (400 mln lekë) është shkurtuar fondi
80 perqind (1.6 mld lekë) mbeten
Më tepër akoma janë shkurtuar fondet për rritjen e pagave. Ndryshimet në buxhet të miratuara dje nga qeveria parashikojnë shkurtimin me rreth 500 milionë lekë të tyre duke ulur shumën nga 1.5 miliardë lekë në një miliardë.
Emirjon Senja