Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Nuk shtrenjtohet energjia, shpetojne familjaret dhe biznesi

Publikuar me : 16.12.2011 Ne : Ekonomi dhe Biznes - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Emirjon Senja

Bizneset dhe familjarët do të përballen me të njëjtat fatura të energjisë elektrike gjatë tre viteve të ardhshme. Vendimi i djeshëm i Entit Rregullator të Energjisë elektrike për mos ndryshimin e çmimeve për konsumatorët, mbajti në të njëjtat nivele tarifat e energjisë elektrike, ç’ka shmang një shtrenjtim të mëtejshëm të faturave, rrjedhimisht edhe të shërbimeve, në një kohë kur qytetarët po përballen me rritje të kostos së jetesës në vend. Ruajtja e tarifave të njëjta të energjisë u bë duke rregulluar kompanitë e prodhimit, transmetimit dhe të shpërndarjes me lëvizje të çmimeve ndërmjet njëra-tjetrës, siç ishte rritja e çmimit që KESH dhe OST ia ofrojnë energjinë kompanisë CEZ Shpërndarja. Kjo e fundit ndërkohë do të shlyhet nga qeveria për borxhet që entet shtetërore nuk i kanë paguar prej disa vitesh.

Referuar vendimit të djeshëm, çmimi i një kWh energji elektrike për abonentët familjare që konsumojnë deri në 300 kWh do të jetë 7.7 lekë, kurse çdo kWh i harxhuar mbi 300 kilovat, do të paguhet me 13.5 lekë. Në këtë mënyrë, ERE ka mbajtur në fuqi faturimin nëpërmjet fashave, e cila mbron një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve familjarë, të cilët harxhojnë sasi të vogla energjie elektrike. ERE ndërkohë rriti me 15 për qind çmimin e energjisë që konsumohet në kohë piku. Kjo masë nuk prek konsumatorët familjare por vetëm bizneset, të cilat do të duhet të paguajnë më shtrenjtë çdo kilovat të konsumuar ndërmjet orës 18:00-22:00 për periudhën nëntor-mars dhe 19:00-23:00 për periudhën prill-tetor. Ky ndryshim vjen edhe për faktin se në këtë orar edhe çmimi i blerë në tregun e huaj është më i shtrenjtë krahasuar me oraret e tjera. “Tarifa e energjisë së pikut do të jetë në masën 15 për qind më e lartë se tarifa bazë e energjisë për çdo grup klientësh për periudhën 2012-2014. Kjo arsyetohet me faktin që në kushtet aktuale në të cilat ndodhet sistemi elektroenergjetik, i cili mbështetet në burimet vendase, si referencë për përllogaritjen e tarifës së pikut ka shërbyer çmimi i importit, i cili për vitin 2011 është rritur ndjeshëm”, – tha Drejtori Juridik i ERE-s, Eduard Elezi.

Konsumatorët ndërkohë do të duhet të paguajnë një tarifë shërbimi prej 200 lekë në muaj, pavarësisht nëse konsumon ose jo energji. Kjo tarifë u vendos vitin e kaluar dhe mbetet ende në fuqi me arsyetimin se nga ana e kompanisë kryhen të gjitha shërbimet, që kanë të bëjnë me leximin e matësit, faturimit, mirëmbajtje, etj.

Ashtu si edhe konsumatorët familjarë, tarifat e energjisë nuk kanë ndryshuar edhe për bizneset dhe abonentët buxhetorë. Çmimi i një kilovati për çdo biznes që furnizohet me linjë të tensionit të ulët do të jetë 12.20 lekë, ndërsa abonentët buxhetorë do të vazhdojnë të paguajnë me 14.03 lekë kilovati. Industria nga ana tjetër, paguan me 10.50 lekë për kWh. Çmimi është më i ulët për ata që furnizohen me linja të tensionit të mesëm. Bizneset që furnizohen me këto linja e paguajnë çdo kilovat të harxhuar me 10 lekë, ndërsa abonentët buxhetorë 11.5 lekë. Për sa i përket industrive që furnizohen me këto linja, ato e paguajnë një kilovat të harxhuar me 9.1 lekë.

 

 

Çmimet

Tabela i perket çmimeve që aplikohen për ata që furnizohen me linjë të tensionit të ulët. Në rast të furnizimit me tension të mesëm aplikohen çmime disi më të ulta për bizneset (10 lekë/ kWh), furrat e bukës (7.10 lekë/kWh) dhe industrinë 9.10 lekë/kWh).

Familjar deri 300 kWh       7.7 lekë

Familjar mbi 300 kWh       13.5 lekë

Biznese                                  12.20 lekë

Furra                                      7.60 lekë

Industri                                  10.50 lekë

 

Vendimi ERE-s, të gjithë të kënaqur

Mbajtja e të njëjtave çmime për energjinë elektrike u realizua nga ERE duke prekur çmimet që kompanitë e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes operojnë me njëra-tjetrën. Më i privilegjuari duket të jetë KESH-i, i cili do t’ia shesë CEZ Shpërndarjes energjinë rreth 90 për qind më shtrenjtë. Deri më tani, çmimi i një kWh që KESH ia shiste CEZ Shpërndarjes ishte 1.48 lekë për kWh, ndërkohë që nga 1 janari 2012, do t’ia shesë me 2.83 lekë për kWh. Vendimi i ERE-s vjen pas sakrifikimit që iu bë KESH-it vitin e shkuar duke ia ulur çmimin me qëllim rritjen e të ardhurave të kompanisë CEZ Shpërndarja. Ky vendim i solli kompanisë shtetërore miliona euro humbje, aq sa muajt e fundit i shtriu dorën qeverisë duke kërkuar financime për të importuar energji elektrike, pasi e kishte arkën bosh. Me rritjen e miratuar dje, KESH pritet të rrisë të ardhurat me rreth 5.8 miliardë lekë në vit. Edhe OST ka ana e saj mori një rritje me 0.05 lekë për kWh duke e çuar çmimin e një kilovati të transmetuar nga HEC-et tek linjat e CEZ-it nga 0.6 lekë në 0.65 lekë.

Nëse shihen tabelat e vendimit të djeshëm, duket sikur më e cënuara të jetë CEZ Shpërndarja. Por në fakt nuk është kështu. Kompania deri më tani ishte favorizuar me qëllim ofrimin e mundësisë për të investuar duke përmirësuar rrjetin. Krahas, kësaj qeveria ka marrë përsipër të paguajë borxhin që entet shtetërore i kanë CEZ-it për energji të papaguar. Në këtë mënyrë, CEZ do të ketë mundësi të realizojë përsëri investimet. Më parë, drejtues të CEZ Shpërndarje kishin deklaruar se nëse qeveria merrte përsipër të paguante borxhin, kompania do të hiqte dorë nga pretendimi për rritje çmimi. Çmimi mesatar i një kWh energji në Shqipëri, mbetet përsëri në 9.53 lekë. Vendimi i djeshëm i ERE-s, duket se i ka kënaqur të gjithë palët e interesuar, përfshirë edhe konsumatorët.

 

 

 

Energjia e TEC Vlorës, 7.5 herë më e kushtueshme se HEC-et

Studimi më i fundit i specialistëve të ERE-s mbi koston e prodhimit të një kWh energji, nxori përsëri në pah faktin që ndërtimi i TEC-it të Vlorës ishte një investim i pamenduar mirë. Kostoja lartë e prodhimit të energjisë së këtij TEC-i, e bën atë të papërdorshëm përveç se në situata mungesash të theksuara të energjisë në tregjet e rajonit si dhe për të administruar më mirë HEC-et mbi kaskadën e drinit.

Në një kohë kur një kilovat energji prodhohet me një kosto mesatare prej 1 lekë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nëpërmjet HEC-eve (shitet 2.83 lekë kWh), përllogaritet që e njëjta sasi e prodhuar nga TEC Vlora të vlejë mesatarisht me 21.4 lekë. Duke parë koston e prodhimit KESH-it i intereson më shumë të importojë energji elektrike nga tregjet e huaja se sa të fusë në punë TEC-in e Vlorës. Çmimi mesatar i një megavati energji në treg përgjatë vitit 2011 sipas të dhënave të ofruara nga ERE, ishte rreth 60.2 euro, ose rreth 0.6 cent/euro kilovati. Deri më tani, TEC-i Vlorës është shfrytëzuar me kapacitet të ulët duke u ruajtur më shumë si një rezervë energjetike për shkak të kostos së lartë që ka prodhimi i një kilovati energji në të. Korporata ka vendosur të verë në punë për shkak të nivelit të ulët që kanë HEC-et e drinit si edhe vënien e tij në provë. TEC-i do të vendoset në punë vetëm për një muaj.

TEC-i i Vlorës përfundoi së ndërtuari vitin e shkuar, ndërkohë që ka hyrë në prodhim në verën e këtij viti. Në gusht u prodhuan 13.6 milionë kilovatë/orë, në shtator 24.5, ndërsa në tetor 12.4 milionë kilovat/orë. Ai ka një fuqi të instaluar prej 97 megavat dhe mund të prodhojë deri në 2 milionë kilovat/orë energji elektrike në ditë ose 752 mijë MWh në vit. Nëse do të punonte me kapacitet të plotë, energjia e TEC Vlorë së prodhuar në një ditë është e barabartë me rreth 9 për qind të konsumit total të energjisë elektrike të Shqipërisë në këto ditë. Energjia e prodhuar për një vit nga TEC Vlora vlen aktualisht në treg rreth 50 milionë euro.

Agjencia e Prokurimeve Publike lajmëroi disa ditë më parë hapjen e një tenderi për blerjen e rreth 4 500 ton gazoil në shërbim të TEC-it të Vlorës. Nevoja për t’a shfrytëzuar sa më shpejt këtë burim bën që kontraktuesi të kërkojë sigurimin e karburantit brenda 20 ditëve nga shpallja e fituesit. Kjo është sasia më e madhe e karburantit e porositur deri më tani për TEC-in e Vlorës, i cili është venë në punë vetëm në gusht të vitit të kaluar. TEC Vlora po vendoset në punë në një periudhë të vështirë energjetike, ku importohet thuajse 70 për qind e energjisë që konsumohet në vend.

 

 

Furrat e bukës, rritje minimale që nga viti 2009

Furrat e bukës janë më të privilegjuarat nga vendimet e ERE-s për çmimin e energjisë elektrike. Prej prej dy vitesh më radhë, furrat e bukës nuk kanë pësuar rritje të çmimit të energjisë elektrike duke shmangur kështu një shtrenjtim të bukës për qytetarët. Tabelës së çmimeve të miratuara nga ERE dje, çmimi për një kilovati energji të konsumuar nga një furrë buke e furnizuar me tension te ulët do të jetë 7.60 lekë (pa TVSH), ndërsa për furrat e furnizuara me tension të mesën, çmimi i një kilovati do të jetë 7.10 lekë. Rritja e fundit e energjisë që është aplikuar për furrat është ajo e dy viteve më parë, e cila përsëri ishte minimale. Mos rritja sërish e çmimit të energjisë për furrat i shmang këtyre të fundit një arsye për të shtrenjtuar bukën, e cila është një produkt gjerësisht i konsumuar.

 

 

 

Energjia, rritet çmimi për HEC-et e ndara nga KESH-i

Ere vendosi dje edhe çmimet me të cilët do të shitet energjia e prodhuar nga HEC-et e ndarë sëfundmi nga Korporata Elektronenergjetike Shqiptare me qëllim privatizimin. Vendimi rriti çmimin e energjisë që HEC-et e Lanabregasit, Shkopetit, Bistricës, Ulzës dhe Shkopetit do ta hedhin energjinë e tyre në treg. Nga viti i ardhshëm e deri në vitin 2013, një kilovat/orë energji e shitur nga HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit do të kushtojë 2.38 lekë, energjia e Bistricës do të kushtojë 1.99 lekë për kWh, kurse energjia e prodhuar nga HEC Lanabregas kushton 6.25 lekë. Ky vendim është një siguri për investitorët që do t’i blejnë këto hidrocentrale duke iu ofruar atyre një treg të ngritur si dhe çmime favorizuese.

 

 

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket me shume

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Ekonomi dhe Biznes - Lexuar : 75 here.
Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket me shumeBiznesi shqiptar, foto arkiv Krizën ekonomike ata po e ndjejnë gjithmonë e më shumë janë bizneset. Në bazë të të dhënave fiskale për 4 mujorin e këtij viti vërehet se tatim fitimi, i cili është pasqyrimi i ecurisë ekonomike të bizneseve, është ulur ndjeshëm. Shifrat e raportuara nga Ministria e Financave mbi ecurinë e treguesve fiskal tregojnë se përsëri zëri i të ardhurave nga tatimi mbi fitimin mbetet zëri më negativ, çka nënkupton krizën financiare që po...Lexo te gjithe artikullin »


» Biznesi ne krize, bien me 18 perqind te ardhurat nga tatim-fitimi
» CEZ nuk po e shlyen borxhin ndaj KESH-it
» Kur shteti nuk paguan shtetin, sh.a-te i kane 40 mln dollare borxh buxhetit
» Greqia behet gati te kthehet tek dhrahmia
» Qeveria, kontroll karburantit pa akcize per kompanite e naftes
» Euro dhe cmimet e aksioneve pesojne renie
» Greqi, rriten eksportet shqiptare
» FMN-ja nderpret kontaktet me Greqine deri ne zgjedhjet e reja
» Ndryshon pagesa e “tatimit mbi fitimin”, tani behet deri ne fund tremujorit
» Dalja e Greqise nga Eurozona kushton 1 trilion dollare

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit